Meta pret deputeten shqiptare të Kroacisë: Mbështetje për projektet e bashkëpunimit mes dy vendeve

185
Sigal

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermine Lekaj Prljaskaj dhe delegacionin, që e shoqëronte.

“Vizita e tyre në Shqipëri për bashkëpunim mes Durrësit e Rijekës dhe Beratit e Bjellovarit, si dhe për marrëveshje e shkëmbime mes universiteteve kanë plotësisht mbështetjen time.” shkruan Meta përmes një postimi në facebook, ku ndan foto të takimit.

Postimi i plotë:

Pata një takim shumë të përzemërt me deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, zonjën Ermine Lekaj Prljaskaj dhe delegacionin, që e shoqëronte.

I përgëzova për përpjekjet e tyre në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kroacisë, për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit të rëndësishëm shqiptar në Kroaci, kontributi i të cilit, si në luftën për pavarësinë e Kroacisë, ashtu edhe gjatë viteve të fundit, mbetet një garanci e fortë e marrëdhënieve të shkëlqyera historike, kulturore, politike dhe njerëzore mes dy popujve dhe vendeve tona.

Vizita e tyre në Shqipëri për bashkëpunim mes Durrësit e Rijekës dhe Beratit e Bjellovarit, si dhe për marrëveshje e shkëmbime mes universiteteve kanë plotësisht mbështetjen time.

E përgëzova Konsullin e ri të Nderit të Shqipërisë në Prefekturën e Rijekës, z.Bashkim Enesi dhe e mbështeta angazhimin e tij serioz në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht atë ekonomiko-tregtare, nxitjen e investimeve kroate në vendin tonë, kulturë, arsim, sport dhe turizëm.