Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”
Me hidhërim të madh mësuam ndarjen e parakohshme nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit, dervishi i Teqesë në Alipostivan në Përmet. Për një periudhë të gjatë baba Hekurani ka qenë pjesë e aktiviteteve të Shoqatës sonë në të gjithë qytetet e jugut. Ai me praninë e tij, me fjalën e tij, me punën e tij, me dashurinë e tij ka qenë një predikues i fjalës së mirë, i bashkimit dhe vllazërimit. Jeta e tij e vrullshme ka arritur pikat kulmore me vlerat e spikatura atdhetare dhe miqësore, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për gjithë trevat e jugut ku përfshihet Labëria. Ai ishte frymëzim dhe mishërim i mirësisë, jo vetëm për komunitetin bektashi por për gjithë komunitetet e tjera në jug të vendit dhe më gjerë. Falë punës, mendimit, vizionit, përkushtimit, dëshirës së mirë, Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat duke u bërë një vend i shenjtë ku të gjithë shikonin vendin për të gjetur qetësinë shpirtërore, oazin për të larguar urrejtjen dhe strehën e zotit për të gjithë ata që kishin probleme. Për të gjithë komunitetin lab Ai do të mbetet një përmendore e mirësisë, bujarisë, integritetit, dialogut, tolerancës dhe ndihmës së bukur shpirtërore. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, besimtarëve bektashinj për këtë humbje të madhe.
I PAHARRUAR KUJITIMI I TIJ!
Kryetari i SH.A.K “Labëria”
Agim Çiraku