I nderuar Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Baba Dede Edmond Brahimaj!
Shoqata Atdhetare Kulturore Tomorri ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjëve, për ndarjen nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit, drejtuesi i teqesë së Alipostivanit. Nëpërmjet jush, ju lutem pranoni ngushëllimet edhe për të gjithë besimtarët, klerikët bektashian e dashamirësit të kudondodhur, për dhimbjen që ka lënë pas humbja e parakohëshme e Baba Hekuran Nikollarit, personalitet i rëndësishëm dhe i dashur për të gjithë trevën dhe më gjerë. Baba Hekuran Nikollarit, i janë akorduar shumë tituj nderi, nga shumë institucione lokale, qëndrore dhe Presidenti i Republikës. Por titulli më i madh ishte ai që Baba Hekurani e mbante në zemrën e tij si medalionin më të shtrenjtë me postulatin: Rroftë Shqipëria. Me punën e tij të palodhur Baba Hekurani drejtoi më së miri teqenë e Alipostivanit, Frashëri dhe bëri përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqeve të tjera në Përmet. Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve në trevat e Jugut. Ceremonia e lamtumirës fatkeqësisht do të kryhet më 6 shkurt 2025. Pikërisht më 6 shkurt 1967, u vu në qarkullim letra e diktatorit Hoxha, që shënoi mbylljen e Teqeve, Kishave dhe Xhamive, dënimin dhe ekzekutimin e shumë klerikëve të të gjitha besimeve fetare. Por puna Juaj Baba Hekuran do të kujtohet si një kontribut i veçantë për bektashizmin, ashtu si dhe fjalët përmbyllëse të çdo ceremonie, “Rroftë Shqipëria”. Tani dhe përgjithmonë këto fjalë do të jenë një amanet për të gjithë besimtarët; jo vetëm si bektashi dhe përfaqësues i Shoqatës Atdhetare Kulturore Tomorri, por edhe për shkak të disa lidhjeve familjare dhe farefisnore, ndiej dhimbje dhe trishtim për largimin e parakohshëm të Baba Hekuranit. I paharruar qoftë kujtimi për Ju, Baba Hekuran Nikollari!
KRYETARI
SHOQATËS ATDHETARE, KULTURORE “TOMORRI”
Ëngjëll MUSAI
Tiranë më 5 shkurt 2025