Marko Boçari, i pari që tentoi krijimin e Shtetit Kombëtar Shqiptar

475
Sigal

-Rrëfimi i Niko Stillos nga Preveza, historianit të shquar pellazgo-ilir

-Marko Boçari, heroi i Panteonit grek, i pari që tentoi të krijonte Shtetin Kombëtar Shqiptar

-“Republika e Sulit”, bastion i Lirisë, Pavarësisë dhe Shqiptarizmit

Dc. Odise Çaçi

Niko Stillo arriti, në sajë të punës së palodhur e të përditshme, të bëhet një intelektual shumëdimensional, një filolog, një historian, një folklorist, një etnolog, një ekplorator special, që zor se gjen të dytin, i lashtësisë pellazgo-ilire, një helenist i përkryer, një ploglot. Nikua është bërë një përfaqësues i denjë i shqiptarëve të krishterë të Epirit në diasporë, është një vazhdues i veprës së intelektualëve të shquar që ka nxjerrë e nuk pushon të nxjerrë treva e ish-vilajetit të Janinës shqiptare.

Nikua është në një linjë me Rilindasit shqiptarë, që ishin produkt i “Shkollës së Janinës”, në kuptimin më të gjerë si një Marko Boçar apo Hasan Tahsin me famë. Si një Rilindas shqiptar i kohës së sotme, ai ecën në gjurmët e Aristidh Kolias, të cilin e ka pasur mik dhe shok të ngushtë, jo vetëm në fushën e letrave, por edhe të veprimit. Libri i Stillos “Fjalori i Marko Boçarit”, një libër që ngërthen rreth 500 faqe, botuar nga Shtëpia Botuese “Arbëria” është një libër me vlera shkencore e kombëtare për të djeshmen , të sotmen dhe sidomos për të ardhmen.

Është një himn i lashtësisë, mençurisë, zgjuarsisë suliote, e birit të tyre Marko. Ky botim është një vlerësim që i bëhet punës së të parëve, një personaliteti kaq të njohur në fushën e luftës, Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, por edhe të grekëve, Marko Boçarit. Burri që bëri emër në Shqipëri dhe Greqi, heroi i dy popujve, shqiptar e grek, ishte mishërimi më i mirë i zgjuarsisë dhe trimërisë suliote:

” Ngreu Marko trimëria!

Ngreu të thërret Greqia.

Të vijë Marko Shqipëria!”

Ngrehu Marko Sulioti:

ti Xhavellë e Kundurioti!

O ju Trimat e Shqipërisë,

që lirinë i dhatë Greqisë!”

Niko është nga i njëjti vend me Marko Boçarin, është stërnipi i tij, e njeh nga vetë familja e tij. Në hyrje të “Fjalorit”, që shërben si parathënie, me titull ” Eisagonji”, ai vë ne dukje vlera të paçmueshme të suliotëve, birit më të shquar të Çamërisë dhe Epirit, Marko Boçari, të cilit i ka ngritur një përmendore, që askush deri më sot nuk ka mundur t’ia ngrelë. Vlera e këtij monumenti rritet shumë më tepër, sepse ai ndriçon jo thjesht atë anë për të cilën suliotët me shtetin e tyre, me Boçarenjtë dhe me të madhin “Marko Shqipëria” hynë në histori si trima, si luftëtarë, si heronj , saqë kanë dhe nga një vend në Panteonin e një shteti si Greqia, por edhe si njerëz të mendjes, arsimit e kulturës, të penës e të dijes.

Zoti Niko, në librin për Marko Boçarin ju e konsideroni Janinën kryeqendër tradicionale të Çamërisë, ndërkohë që grekët e konsiderojnë këtë tezë absurditet…

Për grekët do sjell dy referenca nga personalitete me autoritet, që nuk vihen në dyshim. Referenca e parë është nga K.Kuma, i cili shkruan: Një nga qytetet me emër të Epirit është Janina, pothuaj në mes të Shqipërisë së Poshtëme”, dhe referenca e dytë nga Psalidha që shkruan: “Në Shqipërinë e Poshtëme, e cila quhet Epir, metropoli më i madh është Janina”. Francezët flasin në dokumentat e tyre diplomatike për Janinën, si kryeqytet i natyrshëm i Shqipërisë së jugut, ndërsa populli i trevës përkatëse e ka parë atë si kryeqendër tradicionale të Çamërisë.

Fjalori i Marko Boçarit, është një libër thjesht filologjik?

Në atë libër janë dy linja, në atë filologjike e merret me “Fjalorin e Marko Boçarit”, të fjalorit të Stillos Greqisht – Shqip ndërsa në linjën tjetër trajtohet lashtësia pellazgo – ilire – greko – romake të Panajot Kupitorit etj.

Libri shoqërohet me një parathënie, që është një studim hyrës dhe pjesa e dytë “Fjalori i Marko Boçarit”. Aty janë katër ndarje. Kemi fjalorin në dorëshkrim, siç e ka lënë vetë Markua. Në të unë kam transkiptuar këtë fjalor, pjesën greke me gërmat e sotme greqisht dhe pjesën shqipe me gërma latine të alfabetit të shqipes standarte letrare. Pas kësaj kam përpunuar këtë metodë – fjalor. Me fjalët e mia kam përgatitur vetë Fjalorin Greqisht – Shqip (Shqipen e Sulit) dhe Shqip – Greqisht, dhe në fund kam sjellë fjalë të dialektit të greqishtes së Epirit. Në të ardhmen do të vazhdoj me një fjalor ku të jenë të gjitha fjalët e shqipes së folur në hapësirën e dikurshme ku kanë jetuar e jetojnë suliotët.

Autorit të fjalorit, zotit Niko, I drejtova disa pyetje: Çfarë materialesh të tjera shfrytëzuat në librin për Marko Boçarin?

Kisha edhe një fjalor të Dhanil Voskopojarit (vetëm 36 faqet e para më kishin rënë në dorë). Nga ky fjalor në katër gjuhë : greqisht, vllahisht, maqedonisht e shqip, shkëputa pjesën greqisht- shqip, të shkruar komplet me gërma greke dhe kësaj i shtova pjesën e transkiptuar të shqipes së sotme me gërma latine, duke i emëruar : Ellenik (greqisht)-Allvanitika (për shqipen e fjalorit të Dhanilit) dhe Allvanika për shqipen moderne, në mënyrë që lexuesi i sotëm shqiptar të orientohet për fjalët shqipe që përmban fjalori i Dhanil Voskopojarit. Kjo përbënte një vepër më vete, e cila sot për sot është e cunguar, pasi kisha transkriptuar në shqipen e sotme vetëm 36 faqet e para që më ranë në dorë.

Në këtë libër ju trajtoni edhe problemin e shtetit të Sulit, të cilin e quani “Shtetthi i lirë i Sulit, ose greqisht “kratidhion”. Cilat ishin hapësirat e zotërimit të Shtetit të Suliotëve?

Shteti i Sulit, i njohur në histori me emrin Republika e Sulit, ekzistoi për dy – tre shekuj gjatë kohës së Perandorisë Osmane, si një kështjellë e lirisë së banorëve të këtyre trojeve, në këtë anë të Shqipërisë. Shteti i Sulit, apo suljotëve, pati si kryeqendër të vet qytezën e Sulit. Republika e Sulit e mori emrin pikërisht nga kjo qendër e vogël. S-u-l-i, shqip do të thotë s’ulet, që s’përkulet, siç ishte karakteri i banorëve që banonin në këta shkëmbinj të lartë, ku vendin e kishin shqiponjat- shpezë e shqiponjat-njerëz, apo njerëzit-shqipe të lira, siç ishin suliotët. Me të drejtë, Rilindësja Dora D’istria, shkruan: “Në shkrepat e Sulit e në zallin e Pargës jetojnë edhe sot rastet e një race sa krenare, aq dhe heroike”. Suliotët ishinj njerëz të rrënjës së këtij vendi, ashtu siç kishte edhe ardhës të lashtë në to, që në kohën para Skëndërbeut e më pas kur ra Kruja, siç ishte fisi i Boçarëve. Bajroni, duke pasur parasysh lashtësinë e suliotëve në trojet e tyre, thotë se “disa familje suliote rridhnin nga fisi i Heraklidëve”. Emrin Sul, domethënë vend i lirë, e kanë shumë vendbanime arbëreshe në krejt Greqinë, po ashtu edhe në mbarë Shqipërinë. Që suliotët ishin njerëz të panënshtruar, e marrim vesh edhe nga gjuha e tyre, në të cilën nuk kemi fjalën “faleminderit” të përdoret në rastin përkatës, dmth iu faleminderit juve, por bereqaversën , që në përkthim të lirë ka kuptimin “të detyrohem me mirënjohje”. Për karakterin e papërkulur të suliotëve, flet dhe shkrimtari dhe studiuesi Sabri Godo, në veprën e tij të çmuar “Ali Pashë Tepelena”.

Republika e Sulit, mund të konsiderohet si një formacion shtetëror?

Dikush shtetthin e Sulit mund ta marrë si një sajesë, por po të rrëmohen arkivat e Perëndimit dhe ato Osmane, do të dalë se Republika Shqiptare e Sulit ishte një formacion shtetëror, që ekzistoi me luhatjet e veta pas rënies së Skënderbeut në shek.16-17-18.

Cili ishte kryeqyteti i kësaj Republike?

Republika e Sulit kish si kryeqytet qendrën e vogël në mes të maleve, të quajtur Sul, përbëhej prej 57 fshatrash e shtrihej nga malet e Sulit deri në det. Ajo kish dy limane të saj, me emrin Skarfanj dhe Vola, me të cilat ajo lidhej me botën mesdhetare e ndoshta më gjerë. Vetë malësia e Sulit ishte 42 kilometra e gjatë dhe njëzet e shtatë kilometra e gjerë, e rrethuar me male. Vetëm malësia, pa fshatrat e fushës, ishte rreth 1134 km. Fshatrat e rrënjës ishin Suli, Flamburi (Flamuri), Qafa, (ose Qafa e Malit) dhe Kungji. Pas këtyer fshatrave, që përbënin “zemrën” e Republikës së Sulit, vinin tre fshatra të tjerë, po majë shkrepave, dhe më pas fshatrat e tjerë që vareshin prej katër fshatrave kryesorë, ishin vasalë të tyre, të gjithë fshatara ortodoksë, sikurse ishte ortodokse mbarë Çamëria, Epiri, deri në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Republika Suliote, deri në fund të shekullit të 18, ishte dhe mbeti një simbol e bastion i lirisë ,pavarësisë, shqiptarizmit, ortodoksizmit, por kurrsesi jo greqizmit. Ajo mbeti një simbol rezistence, kështjelle e krejt Çamërisë. Po të bëjmë një llogari të vogël të popullsisë së kësaj republike shqiptare, duke patur parasysh se popullsia e Çamërisë në ato kohëra jetonte krejt në fshatra e familje të mëdha patriakale me të paktën 8-10 veta e fshatra me 300 deri 500 shtëpi, sidomos në fushë, athere na rezulton se Shteti i Sulit ka pasur një popullsi që ka variuar nga 150000 deri në 250000 banorë.