Qëllimi i këtij shkrimi në këtë 75 vjetor, është një analizë e shkurtër, si Kujtesë Historike e aktit makabër dhe terrorit, që u krye mbi Mirditën dhe mirditasit, që vazhdoi pa ndërprerje në çdo fshat, nga 9 gushti 1949 e deri në vitin 1990, kur ra sistemi.
PARAFJALË
75 vjet më parë, më 7 gusht 1949, në Qafë-Valmiri, afër Shpalit të Mirditës, u vra Bardhok Biba, deputeti dhe sekretari politik i rrethit. Kjo vrasje e tronditi rëndë Mirditën për faktin se ngjarja u pasua me një terror e masakër të paparë më parë në 12 bajrakët.
Dokumentat historike flasin se Bardhok Biba u vra nga “Komiteti i Maleve” që komandohej nga Ndue Pjetër Gjonmarku. Komiteti vendimin e mori natën e 6 Gushtit, në Munexhë të Simonit dhe vrasja u krye aty afër, duke lënë edhe një letër sipër kufomës.
Për vrasjen e Bardhok Bibës, është folur e shkruar shumë. Në Qafë-Valmiri u ngrit një Lapidar dhe në Rrëshen një bust i tij. Shkollës së Rrëshenit dhe Konviktit ju vu emri “Bardhok Biba”. Po ashtu emri i tij i’u vu edhe një rruge në kryeqytet. Me Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullorë nr. 4600, datë 24 Shkurt 1969, Bardhok Biba u shpall “Hero i Popullit”.
Gjatë këtyre 75 viteve për Bardhok Bibën janë shkruar e botuar 4 monografi, një dramë, dhjetra artikuj, dokumentar TV etj. Është zë i veçantë në disa libra si “Krenari Mirditore”, në Fjalorin Enciklopedik të Mirditës etj.
Qëllimi i këtij shkrimi në këtë 75 vjetor, është një analizë e shkurtër, si Kujtesë Historike e aktit makabër dhe terrorit, që u krye mbi Mirditën dhe mirditasit, që vazhdoi pa ndërprerje në çdo fshat, nga 9 gushti 1949 e deri në vitin 1990, kur ra sistemi.
- GUSHTI I VITIT 1949, E PËRGJAKU MIRDITËN, POR NUK E GJUNJËZOI ATË.
Dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, më datën 9 Gusht 1949, në Rrëshen bëhet mbledhja urgjente e Byrosë së Partisë. I deleguari i Komitetit Qendror i PPSH-së ishte Muhamer Spahiu. Nga Tirana vijnë edhe Mehmet Shehu, Gjin Marku e ushtarakë të tjerë të lartë. E pa zakontë në këtë mbledhje ishte se nuk u mbajt asnjë minut heshtje për vdekjen e deputetit dhe sekretarit politik të Mirditës… Aty merret vendim për “marrjen e hakut të Bardhok Bibës”, dhe jo “për gjetjen e autorëve”. Është e dokumentuar se “në Munexhë të Simonit kanë qenë 53 antar të “Komitetit të Maleve”, të cilët nga 7 deri më 17 gusht 1949 kanë udhëtuar 10 ditë nga Qafë-Valmiri- Kukës-Has- Jugosllavi, e kanë kaluar pa asnjë pengesë kufitare shqiptaro-jugosllave.” Një fenomen i tillë le të kuptosh se Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Forcat e Ndjekjes dhe organet e tjera të rretheve Mirditë, Pukë, Tropojë, Has, etj. nuk kanë qenë të interesuara shumë për të parandaluar e arrestuar këto forca, por gjatë kësaj kohe u angazhuan në maksimum për të gjetur “vrasësit” e Bardhok Bibës nëpër dhjetra fshatra të Mirditës. Pra, kjo vrasje u shfrytëzua poshtërsisht për “Të gjunjëzuar e për t’i dhënë një mësim të mirë Mirditës nacionaliste….”
Kujtesa historike është jetike, jo vetëm për një popull dhe një shtet të vogël, si Shqipëria; (një komb i ndarë në pesë shtete). Sot, edhe shtetet moderne, që kanë hyrë në epokën e globalizmit, ku nocione të tilla si “kombi”, “identiteti” dhe “përkatësia kombëtare” tentojnë të dobësohen, po përpiqen të forcojnë rrënjët e identitetit të tyre kombëtar. Ta bëjmë edhe ne këtë hap të duhur.
Mehmet Shehu në ceremoninë mortore, dy ditë më parë kishte deklaruar se; “…do të vras 101 vetë…kukuvajkat do të këndojnë në këtë vend…” (T.Kaso. “Krimet e Komunizmit, një histori e plotë për Mirditën. 1944-1950”, Faqe 311.)
Më datën 11 gusht, brenda natës, nga brigada e ndjekjes, që komandohej nga Kolonel Zija Kambo, nisën arrestimet masive në të gjithë Mirditën. Brenda dy ditëve u arrestuan plot 300 vetë, ku asnjë prej tyre nuk kishte lidhje (bile as dijeni) për vrasjen e Bardhok Bibës…
Me 15 gusht 1949, në Rrëshen u bë edhe një gjyq formal, që ka filluar në orën 8 dhe ka mbaruar në orën 14.
Vendimi i këtij gjyqi ishte:
“Pika 1.- Dënohen me vdekje, (varje në litar); katër persona; – Preng Ded Kola nga Oroshi; -Pjetër Ded Vila e Pjetër Paloka nga Kaçinari dhe -Dod Marka Biba nga Kthella.
Pika 2.
– Dënohen me vdekje, (me pushkatim), 10 persona; -Nikollë Bardhok Bajraktari, Rrëshen; -Llesh Gjon Mëlyshi, Malaj; -Nikoll Llesh Bajraktari, Orosh; -Ndrecë Mark Ndoj, Kaçinar; -Bardhok Dodë Gjini, Prosek; -Gjok Gjin Kaçi, Bukmirë; -Gjergj Keç Beleshi, Kthellë Epër; -Ndoc Gjet Çupi, Blinisht; -Preng Shkurt Nikolli, Orosh; -Frrok Mata, Kaçinar.”
Ekzekutimi u krye me 17 gusht 1949, në vëndin ku ishte vra Bardhok Biba. Ata u varën dhe u pushkatuan para popullit të mbledhur me forcë nga e gjithë Mirdita. Thuhet se; “Masakra e Qafës së Valmirit u krye në prani të afro 2500 mirditorëve, (burra, gra dhe fëmijë). Të 14 martirët i futën në dy gropa ku sipas dëshmitarëve të pranishëm, ..një pjesë u varrosën pa u dalë shpirti.”
Sipas dëshmitarëve të pranishëm, “…më datën 17 gusht në Mirditë ka ra dëborë e kuqe. Atë ditë në bjeshkë ngordhën qindra bagëti. Ishte si një hakmarrje e Zotit kundër kësaj padrejtësie..”
Nga familjarët e tyre, në vitin 1991, martirëve u është ngritur një Përmendore në Shpal. Çdo datë 19 gusht aty organizohen pelegrinazhe dhe bëhen vizita në familjet e tyre.
Është folur e shkruar për 14 martirët e sipërcituar, por nuk është shkruar se në Vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë Ushtarake nr. 98 date 15.8.1949, përveç 14 të arrestuarve që u dënuan me vdekje, janë dënuar edhe 12 të arrestuar të tjerë me 15 deri 25 vite burg. Brënda tre ditëve u bastisën 300 shtëpi dhe u internuan në Kampin e Tepelenës 400 burra, gra e fëmijë, ku një pjesë nuk u kthyen më të gjallë….
- NË MBYLLJE.
- Ekziston parabola se e shkuara përcakton edhe të ardhmen. Mendoj se ka ardhur koha që kujtesa jonë historike duhet kthyer në ndërgjegje dhe forcë kombëtare për ngjarje, periudha e personalitete të rëndësishme…
Kujtesa historike është jetike, jo vetëm për një popull dhe një shtet të vogël, si Shqipëria; (një komb i ndarë në pesë shtete). Sot, edhe shtetet moderne, që kanë hyrë në epokën e globalizmit, ku nocione të tilla si “kombi”, “identiteti” dhe “përkatësia kombëtare” tentojnë të dobësohen, po përpiqen të forcojnë rrënjët e identitetit të tyre kombëtar. Ta bëjmë edhe ne këtë hap të duhur.
Ama, duhet që kujtesa historike të ruhet në memorjen tonë me informacione të sakta, jo të falsifikuara, apo të tjetërsuara qëllimisht, siç ka ndodhur fatkeqësisht për 50 vite te ne.
- Në vitin 1993, viktimat e Masakrës së Qafë -Valmirit janë shpallur “Martirë të Demokracisë”. Në Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 631. shkruhet: “Atdhetarë me shpirt e veprimtari, aktivistë të vendosur e mbështetës të shquar të luftëtarëve të maleve shqiptare kundër diktaturës komuniste. Të ekzekutuar në shenjë hakmarrje nga terrorizmi i kuq, emri i tyre mbetet në altarin e demokracisë shqiptare.” Po kështu, me 21 Qershor 2017, Presidenti i Republikës, 14 martirëve të demokracisë u ka dhënë “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Sot Mirdita është tkurrur në 20 % të popullsisë që kishte në vitin 1990. Mirditasit kudo që janë, në Shqipëri dhe në Botë, duhet ta dinë dhe kurrë mos ta harrojnë masakrën shnjerëzore që ka ndodhur 75 vite me parë, në Gushtin e zi të vitit 1949. Familjarët e atyre që u vranë pa faj, presin drejtësi. Në një emision TV, Gjergj Marku, nipi i të pushkatuarit Ndrec Ndoj, ka shtruar një pyetje publike: “Po kaq e zorshme është të kërkohet falje???….
Një propozim publik:
Do të ishte në nderin e Këshillit Bashkiak të Mirditës që të projektohej një Obelisk kushtuar atyre martirëve dhe të siguroheshin fondet për ngritjen e tij në qytetin e Rrëshenit, pranë muzeumit, ku dikur aty ishte Mani i Lal Ndreut, ku u pushkatuan, u varën dhe u varrosën dhjetra nacionalistë mirditas në bregun e Zmesë . Po kështu, edhe në Muzeumin e Rrethit që po rikonstruktohet, të jetë një kënd kushtuar atyre…