Luftar Paja “Artist i Popullit”/ Ju tregoj historitë e pabesueshme me Dritëro Agollin, lezetin e muhabetit. Si u ngjitën në skenë  krijimet e gjeniut të letrave, rakia dhe ngjarja me sekretaren e Komitetit

991
Sigal

Ju tregoj disa histori të pabesueshme me Dritëro Agollin, lezetin e muhabetit

Luftar Paja “Artist i Popullit”

– Dritëroi: Luftar, unë e shkrova, e linda Halil Shkozën në letër me penë, ti e qëndisa në skenë

-Sekretarja e Komitetit Ekzekutiv e palexuar më thotë: Ç’më je ulur me këtë pijanec?

-I them: Është Ditëroi i madh, shkrimtari i madh, romani “Njeriu me top”, topi buuummm

-Çuditërisht Dritëroi  këndonte këngët e çdo krahine  sikur të ishte bir i asaj krahine

– Ai ja merrte labçe siç dinte t’ja merrte ai: Më zuri meraku për një./ Veç një natë të fle me të,/ Vallahi se i bëj gjë…

– Kam luajtur disa nga veprat e tij si “Shaka me shkrimtarët”, rolin e Halil Shkozës dhe tek drama satirë “Fytyra e dytë”

Dritëroi, çuditërisht ashtu siç e kishte emrin kishte edhe shpirtin, plot dritë dhe shkëlqim. Kudo që shkonte mbillte mirësi, dashuri dhe mençuri popullore.  Ai mbetet në imazhin tim burrë shteti dhe intelektual i rrallë pa qibër, siç thuhet në krahinën tonë në Mallakastër. Ulej kudo këmbëkryq dhe i kishte lezet muhabeti, kënga dhe dollia sepse ai ulej natyrshëm dhe nuk shtirej sikur ulej. Dritëroi këndonte me gjithë shpirt dhe nuk shtirej sikur këndonte.  Ai pinte raki dhe nuk shtirej sikur pinte raki. Ai për një sukses të miqve gëzonte me gjithë shpirt dhe nuk shtirej sikur gëzonte. . Ai lis i madh me rrënjë të thella nuk e njihte shtirjen dhe nuk bënte dallime me askënd.  Por gjithashtu kurrë nuk bënte kompromis me padrejtësinë. Çuditërisht ai burrë këndonte këngët e çdo krahine  sikur të ishte bir i asaj krahine ku ishte për vizitë dhe këndonte.  Kur e merrte Dritëroi  fusharakçen e kur vinte Rremja nga Myzeqeja me 300 kokë dhënë pllaja, ja kthente Todi Llupi dhe ne të tjerët mbanin iso. Ndizej kënga për shtatë palë qejfe . Por atij i kishte shumë lezet edhe kënga labe kur rakia kishte bërë punën e saj. Ai ja merrte labçe siç dinte t’ja merrte ai:

Më zuri meraku për një,

Veç një natë të fle me të,

Vallahi se i bëj gjë…

Kështu u ndez një natë kënga gjym se ra në ustallarë.

 

Marrës Dritëroi, thyes Bajram Dosti ne të tjerët bënim iso.

Unë kam patur fatin e madh siç thotë populli (se kam lindur me këmishë)  që kam patur mik Dritëronë.  Gjithashtu më ka ndihmuar fati të luaj disa nga veprat e tij midis të cilave “Shaka me shkrimtarët”, monolog, Rolin e Halil Shkozës tek drama satirë “Fytyra e dytë” ku kisha partnere Artisten e Popullit të madhen Violeta Manushi. Kur mbaroi shfaqja  në skenë erdhi dhe u ngjit vetë i madhi Dritëro i cili më përqafoi dhe më tha: Luftar, unë e shkrova, e linda Halil Shkozën në letër, me penë, ti e qëndisa në skenë.  Ai burrë të mahniste me analizën e thjeshtë por të thellë në mendime që u bënte  fenomeneve.

Njëherë  kur shkuam në Cakran ndaloi në Kreshpan.

Ky vend është ballkoni i fushës së Cakranit më thotë dhe vazhdoi:

-Luftar  e di ti që kemi shumë gjëra të përbashkëta në dy krahinat tona Mallakastër dhe Devoll?! Të dyja krahinat tona ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën. Fushat e Devollit, kodrat e saj janë pothuajse si të Cakranit, kodrat e tij që lagen nga Devolli si fushat e Cakranit nga Vjosa. Çuditërisht këto dy krahina kanë edhe njerëz që nuk dallojnë nga njeri-tjetri, janë të çiltër, mikpritës por mbi të gjitha shumë punëtorë. Po ti vësh re të dyja krahinat përdorin shatin me bisht të shkurtër që është karakteristikë e njerëzve punëtor, që ulin kurrizin kur punojnë dhe përulen para saj me shumë respekt.  Dembelët e mbajnë shatin me bisht shumë të gjatë  dhe i japin sisë pasi kështu shati nuk merr forcën e duhur. Linda u rrita dhe njohja çdo skutë të fshatit kisha prashitur betë me këtë lloj shati dhe e di se si punohet mirë me bishtin e shkurtër pasi e ruan bimën e sheh nga afër. Duhej mendja e hollë e Dritërorit ose e thënë shumë thjesht siç dinte të fliste ai të kuptoja mirë pse ishte më i mirë shati me bisht të shkurtër.

Sa herë që vinte Dritëroi në Fier ishte e pamundur të mos na takonte sidomos kolegët e mi të Estradës Todi Llupin, Arqile Lipen etj….

Pa i hyrë analizës si shkrimtar Dritëroi mbetet i padiskutueshëm si njeriu që komunikonte me të gjitha shtresat e popullsisë. Thjeshtësia e tij në komunikim  e zbukuronte më shumë këtë personalitet të letrave shqipe ndaj të gjithë e quanin Patriark të letrave. Dritëroi i madh krijonte një atmosferë tepër harmonike sa herë mblidheshim nëpër tavolina.

Do veçoj një ngjarje nga viti 1987.

Dritëroi erdhi për një punë në Fier së bashku me Sotir Papulin në atë kohë Kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe më kërkoi të shkoja ta takoja tek Hotel Turizmi. Ora ishte rreth 15-00. Në orën 17-00 më duhej të nisesha së bashku me Sekretaren e Komitetit Ekzekutiv për një takim me banorët e Libofshës. Sa më lajmëruan shkova me vrap se takimet me të ishin për mua s’lodhje, leksion dijesh. U takuam u përqafuam dhe filluam bisedën. I përgjigjesha për çdo pyetje dhe bëja dhe humor. Ai qeshte me shpirt. Kishte një gotë raki përpara dhe tymoste siç dinte ai. Qeshte pas çdo batute dhe tundte kokën për miratim për çka thosha. Në këtë moment vjen sekretarja e Komitetit Ekzekutiv me të cilën do nisesha për në Libofshë. Paraprakisht i kisha thënë Dritëroit se kohën e kisha të kufizuar. Sa e pashë sekretaren u çova për ti thënë se kush ishte. Sa u afru i thashë jam me një deputet, anëtar të Komitetit Qendror është shkrimtar i dëgjuar. Ajo as që ma fërshëllente fare në këtë prezantim. U afruam i dha dorën Dritëroit  shumë ftohtë dhe u ul. Dritëroi ngriti gotën e rakisë dhe i thotë gëzuar. Ajo e pa tërë inat.  Më kthehet mua nën zë: Ç’më ke ulur me këtë pijanec? Dritëroi tymoste dhe kthye kokën anash për të mos e dëgjuar.  Dritëroi për të thyer heshtjen i thotë:

-Ku është Kryetari, si është?

Mirë është ja ktheu sekretarja.

-Mund ti flasësh të vijë?

Ehu, ku ka kohë ai të vij këtu nuk i del koha të vijë në shtëpi. Se lënë punët ka shumë kërkesa dhe…

-Sa patate të skuqura ka ngrënë kryetari yt, unë kam bërë poezi-ja ktheu qetë, qetë, Dritëroi. Po ka punë lëre të punojë…

Dritëroi tundte kokën se e kuptoi me çfarë njeriu ka të bëjë.

Do ishte mirë të vinte të diskutonim ca gjëra- foli sërish Dritëroi.

-Sekretarja sërish:  Atij i zien koka ti thua të vij këtu. Unë ja bëja me shenjë po ku merrte vesh ajo nga kjo pjesë.

-Është Ditëroi i madh shkrimtari i madh, romani “Njeriu me top”, topi buuummm -i thashë. Ajo po nën zë:-Ku e gjete këtë pijanec  aman. Sotiri ishte zverdhur i tëri. Bëri dy tre herë të fliste por i ishte tharë pështyma në gojë. Duke parë se sekretarja e kishte ndarë mendjen të fliste dhe qëndronte në atë mënyrë fyese i thashë Dritëroit të më falësh se do largohemi për në Libofshë pasi kemi takim me fshatarët. Shkoni, shkoni dhe bëni punë tuaj me kujdes tha Dritëroi. Jashtë na priste makina. I thashë sërish sekretares, na turpërove, na nxive faqen ai është shkrimtar dhe anëtar i KQPPSH. Ajo ma ktheu:

-Nuk na nxihet faqja nga një pijanec dhe duhanxhi. Ç’ti  thoja. E mbylla gojën dhe deri në Libofsh nuk fola fare. Kur zbritëm ju thashë banorëve për çdo problem flisni me sekretaren këtë ka dërguar kryetari dhe kjo është për këtë punë. Ajo më pa me inat dhe filloi bashkëbisedimin. Unë nuk fola as në bisedë as kur u kthyem. Ç’të bëja, aq nxinte. Më iku kot ai takim më Dritëronë e madh. Po Dritëroi kur e takova pas disa ditësh as që e prishi terezinë. As e kujtoi fare vetëm kur ja kujtova unë. Nuk merrej me gjëra të vogla. E njihte situatën, e njihte realitetin. Më tha lëre se edhe njerëz të tillë do vegjetojnë nuk do biem në nivelin e tyre dhe të hakmerremi. Nëse donte Dritëroi edhe e pushonte nga puna.

Jeta dhe vepra e Dritëro Agollit

 

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një sëmundje kronike në mushkri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare. Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj…

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri. Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”.[3]