Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Zyrtarët e korruptuar të ‘Rilindjes’ nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë

258
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pas zgjedhjeve, Ramën nuk e kam parë aspak të gëzuar, përkundrazi, më duket shumë i shqetësuar! Mos ndjen ndonjë frikë?…

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish- ministër i PS-së, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar urdhërit ekzekutiv të Presidentit Biden, shprehet se ka si synim penalizimin e personave dhe entiteteve në shtetet e ish- Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, që kanë përhapur korrupsionin brenda qeverive të tyre. Prof. Sherifi, “fotografon” edhe kryeministrin Rama, duke thënë se këto ditë është shumë i shqetësuar. Në fokusin e luftës kundër korrupsionit të Presidentit Biden, do të jenë edhe ata zyrtarë që kërkuan të ndryshonin kufijtë në Ballkan dhe, nëse ndodhte kjo, do të kishim destabilizimin e Rajonit.  Prof. Sherifi thotë se “Nisma për shkarkimin e Presidentit, u bë pikërisht që të mos ishte në fokus procesi i kontestuar i zgjedhjeve parlamentare, por, për shmangjen e vëmendjes nga ai proces”.  

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Prof. Sherifi,  si e vlerësoni ju  urdhërin ekzekutiv të Presidentit Biden, për të sekuestruar pasurinë që kanë në SHBA personat e korruptuar, të cilët, sipas  Presidentit Biden, destabilizojnë situatën në Ballkan?

– Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit të SHBA-së ka si synim penalizimin e personave dhe entiteteve në shtetet e ish- Republikës  Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, që dy dekadat e fundit kanë minuar marrëveshjet, që citon Presidenti dhe që kanë patur si qëllim, vendosjen e stabilitetit në Hapësirën Gjeopolitike, që emërtohet  Ballkani Perëndimor, por edhe që kanë përhapur korrupsionin brenda qeverive të tyre dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, të cilat pengojnë progresin drejt qeverisjeve efektive e demokratike dhe integrimin në strukturat transatllantike e, për rrjedhojë, sipas Presidentit Biden, ata kërcënojnë Sigurinë Kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Akti Ekzekutiv  është një kërcënim serioz edhe për politikanët e Shqipërisë, si të krahut të Djathtë edhe të Majtë, pasi këta kanë qeverisur e qeverisin në kufijtë e dy dekadave, që ju referohet Biden. Duket që ata persona janë të njohur, të  skanuar, të evidentuar me lidhjet e shtetasve  dhe mbetet që të presim kur pronat dhe pasuritë e tyre do të bllokohen e do të ndalohen, të transferohen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, por do të mbeten një paralajmërim propagandistik, autoriteti i SHBA-së dhe Presidentit Biden, do të bien edhe më shumë, ndërsa qeverisjet autokratike dhe të korruptuara do ta destabiliojnë realisht Ballkanin Perëndimor.

“Nëse kjo nuk do të ndodhë, por do të mbeten një paralajmërim propagandistik, autoriteti i SHBA dhe Presidentit Biden, do të bien edhe më shumë, ndërsa qeverisjet autokratike dhe të korruptuara do ta destabiliojnë realisht Ballkanin Perëndimor”

Shumë zyrtarë të ‘Rilindjes’ shprehën gëzim për shpalljen “Non GRATA”të  Berishës nga DASH, ndërkohë që raportet vjetore  të  DASH e cilësojnë  Shqipërinë,  si vendin më të korruptuar. A mund të ndihen zyrtarët ‘rilindas’ të imunizuar ndaj  dënimit të korrupsionit nga SHBA?

-Berisha u shpall nga Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken person non grata. Ajo është kompetencë e tij. Nuk më është dukur aspak serioze komunikimi i aktit në rrjetet sociale. Mendoj, se askush nga ne nuk duhet të gëzohet, shumë më pak duhet të entusiazmohen ata që kanë tetë vjet që qeverisin dhe raportet ndërkombëtare këtë qeverisje, e vlerësojnë të korruptuar. Berisha nuk heshti, por reagoi me padi për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit. Të shohim si do të veprojnë ata, që radha, mund t’u vijë shpejt, për të treguar “muskujt”. Pas zgjedhjeve Ramën nuk e kam parë aspak të gëzuar, përkundrazi, më duket shumë i shqetësuar!

– Prof. Sherifi, pse urdhëri i Presidentit Biden përmend Shqipërinë  dhe  vendet  e ish-Jugosllavisë?

– Urdhëri i Presidentit Biden doli pasi Tribunali i Hagës dënoi me burg të përjetshëm Mlladiç, i etiketuar si “Kasapi i Bosnjes” dhe kur disa kohë më pare, nga ministri i Jashtëm i Sllovenisë, që do marrë presidencën e BE, doli në qarkullim teza e Vuçiçit për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Lëvizja diplomatike ngjall shqetësim real në SHBA, sepse kësaj teze të politikanëve të ish- Jugosllavisë iu bashkangjitën edhe Presidenti i Kosovës Thaçi, e propagandistët e tij përgatitën edhe hartat e shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por tezën e mbështeti edhe kryeministri Rama, duke mos e pohuar, por, duke sulmuar cilindo që kritikonte Thaçin.

“Nisma për shkarkimin e Presidentit u bë pikërisht që të mos ishte në fokus procesi i kontestuar i zgjedhjeve parlamentare, por  për shmangien e vëmendjes nga ai proces”

–  Në urdhërin e Presidentit Biden, përmenden ata zyrtarë që me veprimet e tyre destabilizojnë Ballkanin. A fotografon ata udhëheqës që donin ndryshimin e kufijve, plan të cilin e kundërshtoi Gjermania dhe Merkel, sepse ky plan ndryshimi kufijsh do të destabilizonte Rajonin?

– Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden e ka shumë të gjerë rrethin e subjekteve, që mund të penalizohen politikisht, duke u ndaluar hyrja në SHBA, por edhe juridikisht me bllokimin e pronave e pasurive, që kanë në SHBA. Ish- këshilltari i Presidentit Trump, Bolton, i ka futur në Librin e tij  personat që donin ndryshimin e kufijve të Kosovës. Presidenti Biden ishte kundër politikave të ndjekura nga paraardhësi i tij dhe mbetet në provë për veprimet aktive, që duhet të kryejë ndaj “kulisave politike”, e të nxjerrë në “dritën e diellit” planet e errëta, që dëmtojnë çështjen shqiptare, nëse do që të ecë në politikën e transparencës, që promovoi në Konferencën e Paqes në Paris Presidenti Wilson.

– A mendoni se veprimi i Kuvendit dhe mazhorancës ‘rilindase’ që shkarkojnë Presidentin e Republikës, bëhet  për të fshehur krimin elektoral dhe korrupsionin e qeverisjes 8- vjeçare të ‘Rilindjes’?

– Vendimi i Kuvendit të Sajuar, ngjason me aksionet me “goditje të përqëndruar” kundër shfaqjeve të huaja të periudhës së Diktaturës së Proletariatit. Inicuesit e Komisionit Hetimor nuk janë më deputetë, Kryetari i Komisionit Hetimor nuk është më deputet, disa nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, nuk janë më deputetë dhe opozita e sajuar nuk ekziston, se të gjithë nuk janë më deputetë. Pra, i gjithë Kuvendit i Sajuar nuk ka legjitimitet të investohet në një akt të tillë, pasi mungon objekti i hetimit, pasi Presidenti nuk ka nxjerrë dekret që të hetohet sjellja kushtetuese e ligjore, të gjitha procedurat e ndjekura janë antiligjore, çka do të thotë edhe nëse do të kishte një Kuvend Legjitim, e do të kishte shkelje të rënda të Kushtetutes nga Presidenti, mos respektimi i parimeve të një procesi të rregullt ligjor e bën çdo akt, nul. Por, kjo që trajtoj ka vlerë vetëm për ata, që e kuptojnë, se çfarë është shteti i se drejtës dhe ndarja e kompetencave të pushteteve në demokracinë institucionale dhe sigurisht që nuk pëlqehet nga kategoritë sociale, që e njesojnë pushtetin legjislativ, si Kuvendin e zonjës Cure, e cila ishte shumë e nderuar, por, Kuvendi ishte formal e duhet të zbatonte direktivat e partisë. Nisma u bë pikërisht që të mos ishte në fokus procesi i kontestuar i zgjedhjeve parlamentare, por, për shmangien e vëmendjes nga ai proces po jep ndihmesën e vet, jo më “opozita e opozitës” parlamentare, por grupimet e “Partisë Demokratike”!

“Besueshmëria te institucionet e drejtësisë së re dhe të SHBA do të rritet vetëm kur të goditen vetëm me mjete juridike, me drejtësi si paanshmëri, të gjitha fenomenet e krimit dhe korrupsionit, që po i zenë frymën shqiptarëve”

– Zyrtari i DASH Palmer, duke iu përgjigjur pyetjes, pse ish-kryeminstri Berisha u shpall nga DASH non grata, tha se, ‘nuk ka rëndësi koha’. A mendoni se koha më e përshtatshme të luftohet korrupsioni është të fillohet lufta ndaj atyre zyrtarëve që qeverisin duke korruptuar, e pastaj nga ish-ët?

– Palmer do mbahet mend për ata që kanë mend, për disa deklarata. Besoj se ju kujtohet, kur kërcënoi opozitën, se nëse nuk do të merrni pjesë në zgjedhjet e vetëqeverisjes vendore, do shpalleni organizatë terroriste. E nëse do të keni ankesa për procesin zgjedhor, drejtojuni Gjykatës Kushtetutese. Ja ku mbërriti momenti, që Gjykata Kushtetutese më 23 qershor 2021, të shqyrtojë legjitimitetin e zgjedhjeve vendore, ashtu si e kanë venë si kusht institucionet e BE-së, për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare për fillimin e negociatave. Besueshmëria te institucionet e drejtësisë së re dhe të SHBA, do të rritet vetëm kur të goditen vetëm me mjete juridike, me drejtësi si paanshmëri, të gjitha fenomenet e krimit dhe korrupsionit, që po i zenë frymën shqiptarëve.

Faleminderit!