KUVENDI 7-të i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”

62
Sigal

Kuvend i zhvilloi punimet në Tepelenën heroike nga data 16-17 dhjetor 2023. Tepelena ishte stolisur si për festë. Flamujt kombëtar dhe flamujt e shoqatës ishin vendosur në pikat më të larta të qytetit. Në hyrjet jugore dhe veriore të qytetit ishin vendosur parullat “Mirsevini në Kuvendin e 7- të të Shoqatës Labëria”. Në sallën e pallatit të Kulturës ishin 200 delegatë nga të gjitha trevat e kombit dhe nga Kosova, Maqedonia Veriut, Mali Zi, Çamëria. Na nderuan me pjesëmarrjen ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, deputetët Elisa Spiropali, Vullnet Sina, Etjen Xhafa, Petro Koçi dhe Bujar Leskaj. Profesorët, Shezai Rrokaj, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sherif Lushaj. Prefekti Vlorës Flamur Manaj, Kryetari Qarkut Vlorë Ervis Moçka, Kryetari Bashkisë Vlorë Ermal Dredha dhe 6 grupe polifonike. Ishte një Kuvend i organizuar në mënyrë perfekte. Kryetar i ri u zgjodh Agim Çiraku…..Prof Ago Nezha organizoi një Kuvend perfekt.

Prof. Dr. Ago Nezha: KUVENDI 7-të i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”

 

– Shoqata Labëria me dimensionet që ka rrokur, nuk i përket më Shqipërisë, por gjithë hapësirës shqiptare.

– Shoqata Labëria ka nderuar artistët e mëdhenj jo labë si muzikologët Ramadan Sokoli, Tish Daia, Zhani Ciko, aktorët Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Luftar Paja, Mirush Kabashi.

Nga Prof. Dr. Ago Nezha/

Të nderuar delegat dhe të ftuar.

Të nderuar President Dr. Alfred Moisiu dhe profesor Bamir Topi.

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi.

I nderuar kryetar i Bashkisë Tepelenë z. Tërmet Peçi

Të nderuar deputetë, drejtues të pushtetit vendor, personalitete të shquar të Labërisë dhe mbarë kombit shqiptar, intelektual, korifenj të artit dhe të shkencës.

Kam nderin dhe kënaqësinë, që në emër të Kryesisë të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria, t’ju përgëzoj dhe falënderoj për praninë tuaj në këtë event të rëndësishëm për shoqatën Labëria “Nderi i Kombit”. Jemi mbledhur sot në Tepelenë, në një nga etnitë labe që i ka dhënë trevës së Labërisë “parfumin” e patriotizmës, trimërisë, besnikërisë, bujarisë dhe krenarisë kombëtare. Protokolli që prezantuam dhe koloriti që prek syri në sallë, përligjin thënien e Kryetarit të Nderit, Akademikut Rexhep Qosja, se Shoqata Labëria me dimensionet që ka rrokur, nuk i përket më Shqipërisë, por ka kaluar kufijtë dhe është bërë mbarëkombëtare, në gjithë hapësirën shqiptare. Duke vendosur Çipin e kujtesës në ashensorin e Kuvendeve, ngjitemi në katin e shtatë dhe nga kjo lartësi bëjmë bilancin e rrugëtimit tonë historik të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, që për misionin që ka realizuar me vendim të Kuvendit të Gjashtë, sot mban emrin Atdhetare Kulturore dhe mbi krye ka vendosur më 21 Dhjetor të vitit 2015 kurorën e shndritshme“Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Kjo është një kënaqësi dhe krenari legjitime, e shoqëruar me përgjegjësi, që kemi ditur të evidentojmë dhe diferencojmë çfarë kemi arritur nga dita e krijimit të saj në 12 Dhjetor të vitit 1991 dhe çfarë synojmë të arrijmë në të ardhmen. Shoqata “Labëria” sot ngjan me një pemë madhështore, që bleron me degët e saj që lulëzojnë jo vetëm në trevën e Labërisë, si në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër Sarandë dhe Orikum, por dhe në Myzeqe, në Fier e Patos dhe në Tiranë. Ne si kryesi falënderojmë degën e Vlorës, me Kryetar Ahmet Demën, Sekretar Albert Habazin dhe nën Kryetar Namik Jahaj, që me veprimtarinë e saj multidimensionale ka krijuar një model dhe ka sjellë një përvojë të vyer, që ka thithur dhe bërë faktor gjithë instancat e pushtetit në rreth, nga Prefekti, Kryetari i Qarkut dhe Kryetari i Bashkisë, që janë bërë pjesë aktive e shoqatës. Aktivitetet e saj, janë të shumta e të larmishme. Dega e Vlorës ngjan me një fabrikë, që prodhon çdo javë një aktivitet. Mjafton të përmendim kompleksin e memorialit të Mesaplikut me 12 apostujt e zonës me në krye, apostullin Ismail Qemali, memorial që u ngrit me kontributin e komunitetit të zonës, me iniciativën e degës të Shoqatës Labëria Vlorë, vepër që nuk e bën dot as shteti. Një tjetër arritje është  pjesëmarrja e shkrimtarit të shquar Ismail Kadaresë në një veprimtari të shoqatës, që përshëndeti me fjalët e zemrës shoqatën Labëria. Këto janë një pasuri e vyer jo vetëm për degën e Vlorës, por për gjithë Labërinë.

Parada e kuvendeve

Çdo kuvend ka shenjuar ndryshime progresive duke nisur startin nga Kuvendi i Parë, që zhvilloi punimet në Tiranë, i Dyti në qytetin e Perëndeshës së Pavarësisë në Vlorë, ku në përshëndetjen  e tij Kryetari i Nderit, Akademiku Rexhep Qosja ka thënë se: “Vlora e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Kuvendi i Tretë u mbajt në Himarë, jo rastësisht, por për të kujtuar historinë e lashtë se Himara ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra, qëllimisht kjo, për t’i thënë neominoritetit të adaptuar, se Himara është Labëri. Aty u përballëm me arrogancën e Kryetarit të Bashkisë zotin Bollano, që nuk na lejoi të zhvillonim punimet e Kuvendit në institucionet e Bashkisë së Himarës në qytet, pasi kishte mbushur muret e godinave me parulla greqisht: “ Poshtë Labëria”, “Himara s’është Labëri” “Himara është Greqi” etj. U detyruam ta mbanim Kuvendin në një mjedis privat, të një labi patriot. Kuvendin e Katërt e mbajtëm në Kuç të Vlorës, për të evokuar një kuvend që ishte mbajtur në 28 Nëntor- 4 Dhjetor të vitit 1924, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve përfshirë këtu dhe nga Kosova e Çamëria, me tematikë: për shuarjen e gjakmarrjes, zhdukjen e analfabetizmit dhe emancipimin e gruas. Po të heqësh një paralele, këto fenomene i ndeshim dhe sot, por në një stad të ri. Plaga e gjakmarrjes ende nuk është shëruar dhe shumë fëmijë në Veri të vendit vuajnë të ngujuar dhe të privuar nga liria. Problem i mprehtë dhe një arritje historike ka qenë zhdukja e analfabetizmit, që u trashëgua nga paraçlirimi, ku monizmi përdori masa të rrepta, drastike për zhdukjen e  këtij fenomeni. Por aktualisht ka filluar të rigjallërohet pasi shteti, shkolla dhe shoqëria janë treguar indiferentë ndaj këtij fenomeni kanceroz, që viktimizon fëmijët e shtresave të varfra, se oligarkët, politikanët dhe shtetarët e lartë i shkollojnë fëmijët në universitetet më të mira të Europës e të botës. Analfabetizmi është ngritur në një stad të ri dhe ka krijuar një cilësi të re. Sot kemi analfabet me shkollë të lartë, me diploma të blera dhe të fallcifikuara.

Kuvendi i Pestë u mbajt në kryeqendrën e kulturës dhe diturisë labe, në Gjirokastër që pati prurje të shumta intelektualësh, i Gjashti në Vlorën e Flamurit dhe i Shtati këtu në zemër të Labërisë në Tepelenën e Luanit të kohës, Ali Pashë Tepelenës, që e faktorizoi Shqipërinë ndërkombëtarisht, ku e kishin për nder figura të shquara të Europës e të botës, të komunikonin me Të si dhe në Tepelenën e legjendës të luftës së 1920, Selam Musait.

Më lejoni që në emër të Kryesisë të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria dhe Tuajën të nderuar delegatë dhe të ftuar, të falënderoj Kryetarin e Bashkisë të Tepelenës z. Tërmet Peçi dhe Kryetarin e degës së Shoqatës Labëria z. Myrdar Jera, për mirëkuptimin,  gadishmërinë dhe angazhimin, që treguan dhe klimën e ngrohtë dhe kushtet komode që na krijuan për të realizuar një Kuvend dinjitoz në praninë e shumë miqve dhe të ftuarve.

Veprimtaritë patriotike kane qenë oksigjeni i frymëmarrjes të shoqatës atdhetare kulturore Labëria.

Në jetën politike shqiptare disi të trazuar, edhe Shoqata Labëria ka ecur mes baticave dhe zbaticave, që i është dashur të përplaset jo vetëm me pushtetin, për qëndrimet deri në antikombëtare, siç ishte marrëveshja e detit me Greqinë, por edhe me fenomene të karakterit historik, patriotik, social dhe ekonomik. Ishte Shoqata “Labëria” që denoncoi e para marrëveshjen famëkeqe të qeverisë tonë për detin me Greqinë, duke marrë firmat e rreth 70 shoqatave homologe përfshirë këtu dhe shoqatën “Kosova” dhe “Çamëria”, të mbledhura në një tubim mbresëlënës në praninë e shtatë deputetëve të majtë e të djathtë. Ngjarjet me precedenca antikombëtare kanë qenë prezente në shumë aspekte me karakter politik dhe social, ku Shoqata Labëria është përplasur me të gjitha format e mjetet demokratike, si tubime, deklarata, dhe peticione. Ato janë të shumta, por më kryesoret të shinjestruara nga ana e shoqatës tonë kanë qenë dukuritë politike me karakter kombëtar që janë shfaqur gjatë viteve të ashtuquajtura demokraci, të pluralizmit në Shqipëri. Gjatë viteve postkomuniste, Shqipëria ka kaluar një krizë të rëndë identiteti duke u treguar inferiore ndaj fqinjëve tonë jugor dhe verior. Po të evokosh ngjarjet, që kanë ndodhur gjatë këtyre tre dekadave në Shqipëri në marrëdhënie me Greqinë, lexohet lehtë inferioriteti i shtetit shqiptar ndaj atij grek duke mos respektuar barazinë dhe reciprocitetin mes palëve. Këtë dukuri, që e dëshmon më së miri hapja e shkollave greke në Himarë dhe në Korçë, në një kohë që në Greqi, s’bëhet fjalë për një akt të tillë, por ata ju kanë mohuar dhe identitetin shqiptarëve duke ju ndërruar dhe emrat e fenë. Është i njohur akti brutal për dhunimin e varrezave  në Kosinjë të Përmetit dhe Boboshticë të Korçës, pelegrinazhet e politikanëve dhe shtetarëve grek në Himarë me flamurin e Vorioepirit, se Himara është truall dhe komunitet grek. Një reagim aktiv kemi pasur për regjistrimin e popullsisë dhe vetëdeklarimit të kombësisë sipas etnisë dhe fesë nëpërmjet formularit që polli Pollua, si dhe krijimi artificial i minoriteteve, saqë po të bëjmë një bilanc të popullatës, dalin më shumë etni të huaja se shqiptarë. Incidentet me Greqinë kanë qenë lineare duke vazhduar me ngjarjen e Bularatit në Gjirokastër, ku turma histerike të ekstremistëve grek, provokuan luftënxitje dhe urrejtje etnike, nëpërmjet parullave antishqiptare se: “Vorioepiri është Greqi, sëpata dhe zjarr ndaj qenve shqiptarë, etj, deri në episodet e shëmtuara, diskriminuese ndaj emigrantëve tanë në Greqi. Shoqata Labëria në qendër dhe në rrethe ka reaguar me ashpërsi ndaj këtyre fenomeneve të shëmtuara mesjetare. Për këto qëndrime, etj, qarqe të caktuara greke kanë shprehur urrejtje ndaj komunitetit lab. Kjo të kujton deklarimin e genocidistit Venizellos, i cili është shprehur: “Le të ketë një çik Shqipëri, po të mos ketë Labëri “. Po kaq e vëmendshme dhe kundërshtuese, ka qenë për denoncimin e marrëveshjes së Kosovës për kufijtë me Malin e Zi dhe për Asosacionet serbe në Kosovë dhe ka përkrahur marrëveshjen e Rambujes, që ishte një triumf për Pavarësinë e Kosovës. Shoqata “Labëria” ka ndjekur me shqetësim fenomenin, që po ndodh me emigrantët tanë jashtë vendit, që shumë prej fëmijëve të tyre kanë humbur gjuhën e nënës. Për këtë qëllim kemi organizuar një simpozium në Prishtinë për problemet e gjuhës shqipe dhe emrat, që në Shqipëri ndryshe nga në Kosovë duhet të kesh përkthyes t’i kuptosh. Në fjalën e tij përshëndetëse Akademiku i shquar Rexhep Qosja, ka thënë se: “ Kjo është një gjetje e mençur dhe se veprimtaritë, që realizon Shoqata Labëria nuk i bën dot as qeveria”. Ndërsa President Moisiu, në përshëndetjen e tij në Kuvendin e Pestë në Gjirokastër ka thënë se: “këtë shoqatë do ta kishte zili çdo parti dhe qeveri”. Në këtë konteks, akademik Qosja është shprehur se: “Shoqata Labëria nuk i përket më Labërisë, por është shoqatë mbarëkombëtare”.

-Vijon-

Agim Çiraku: Tepelena me bedena, mbetet simbol i krenarisë labe e shqiptare

Fjala e hapjes në Kuvendin e 7- të të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”

Nga Agim Çiraku:

Të nderuar të ftuar!

Të dashur delegatë, deputetë, dhe miq të Shoqatës.

Të nderuar President Moisiu dhe Topi.

-I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese z. Sokol Maliqi.

I nderuar Kryetar i Bashkisë Tepelenës z. Tërmet Peçi.

Motra dhe vëllezër.

Sot jemi mbledhur këtu, në Tepelenën e heronjve, të Ali Pashës, Bilbilenjëve, Selam Musait; në Tepelenën e kryengritjeve të paepura popullore kundër pushtuesve të çdo ngjyre; në Tepelenën e njerëzve të shquar të pushkës, të penës e të këngës, e kapedanëve të hershëm legjendar, të poetëve të mëdhenj të kombit, për të zhvilluar Kuvendin e 7-të të Shoqatës tonë “Nderi i Kombit“. Të gjithë së bashku në këtë ditë të shenjtë, u sjellim tepelenasve përshëndetjet dhe falënderimet tona të përzemërta për gjithë atë çka ata kanë bërë ndër shekuj e deri më sot, në interes të kombit shqiptar.

Nga Tepelena me bedena, ky simbol i krenarisë labe e shqiptare, përshëndesim gjithë labërit, kudo ku punojnë e jetojnë, u premtojmë atyre se do të punojmë e kontribuojmë akoma më mirë për ruajtjen e transmetimin e vlerave atdhetare e kulturore të trevës së të parëve tanë, të krenarisë e të dinjitetit legjitim lab. Qyteti i Tepelenës është i bukur, i pastër, me rrugë të gjera e sheshe të mëdha, me shëtitore të re, me vepra arti, me buste e shtatore të heronjve, siç janë: Ali Pashë Tepelena, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musai, Balil Nezha, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, etj. Këtu në Tepelenën e këngës ndodhin mrekullitë. Polifonia labe dhe kënga ‘Hapu moj Evrop’, e interpretuar me mjeshtëri nga Grupi i Bënçës mahniti deputetët britanikë në parlamentin anglez, gjatë një turi të tyre në shtetin anglez.

Teksti dhe performanca e grupit, u konsiderua si “magji” e jehona e këtij lajmi u përhap me shpejtësi dhe në mediat shqiptare. Sot përmes punimeve të Kuvendit tonë të 7-të, përcjellim mesazhet e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet e tjera jo labe, që jetojnë e punojnë në trevën e Labërisë si minoritarë çamë etj., si dhe shoqatat përkatëse, për të qenë gjithnjë bashkë, në ditë të mira e të këqia, sikurse ka ndodhur në rrjedhat e kohërave dhe të punojmë së toku në të mirë të Labërisë e të komuniteteve tona, të Shqipërisë dhe të çështjes sonë kombëtare.

Këtu, nga kalaja mistike, dërgojmë urimet më të mira për gjithë atë pjesë të trungut shqiptar, që padrejtësisht historia e ka nxjerrë jashtë kufijve të Atdheut amë dhe urojmë realizimin sa më shpejt të dëshirave tona të përbashkëta atdhetare, për ta parë kombin shqiptar një të tërë në rrjedhat e kohëve nën flamurin shqiptar.

Kuvendi i 7-të i Shoqatës zhvillon punimet e tij pas analizave e zgjedhjeve nëpër degë. Ai, me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë që i është besuar nga anëtarësia, jo vetëm do të analizojë e përgjithësojë punën e kryer, por edhe do të përcaktojë drejtimet kryesore të punës, si dhe do të zgjedhë në krye të shoqatës përfaqësues nga më të përkushtuarit, në përmbushje të misionit të saj të madh e fisnik.

Kuvendin tonë e nderojnë me pjesëmarrjen e tyre drejtues të zgjedhur në pushtetin vendor në trevën e Labërisë:

Por ne kemi bërë shumë dhe akoma më shumë duhet të bëjmë, pasi kemi amanetin e atyre që e ndërtuan shoqatën dhe sot nuk janë mes nesh. Ata janë shumë dhe nuk mund t’i përmend të gjithë pasi do jenë në raportin e gjerë të kryetarit. Ndaj, në shenjë respekti e mirënjohjeje për jetën e veprën e atyre anëtarëve e simpatizantëve të shoqatës të ndarë nga jeta: Ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje… I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Të nderuar delegatë! Rrethi i Tepelenës ka tradita, zakone e rite të njohura popullore. Historia dhe folklori janë pasuri e çmuar e Tepelenës. Polifonia dhe kënga qytetare apo sazet e Tepelenës janë vlera të rralla muzikore popullore, polifonia edhe si pjesë e UNESCO-s dhe pjesë e identitetit shpirtëror të Labërisë.

Ndaj, në emrin tuaj, të dashur delegatë, më lejoni edhe njëherë të falënderojmë të ftuarit për nderin që na bëjnë me praninë e tyre dhe njëherazi, duke qenë se  në punimet e Kuvendit janë të pranishëm mbi 85% e delegatëve, të deklaroj të hapur punimet e këtij Kuvendi.

Punë të mbarë Kuvendit të 7-të në të mirë të Labërisë sonë dhe të çështjes tonë kombëtare. Me këtë rast më lejoni të ftoj Kryetarin e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, për të mbajtur raportin në emër të Kryesisë së shoqatës.

– Në këtë përshëndetje është amaneti i tyre, janë zërat e fëmijëve lab e tepelenas që aspirojnë për një jetë më të begatë.

Nga Tërmet Peçi, Kryetar i bashkisë Tepelenë/

Përshëndetje dy Presidentëve të nderuar Z.Alfred Moisi, Z.Bamir Topi. Presidentët e nyjeve gordiane, që e drejtuan shtetin shqiptar me qetësi olimpike, në kohët e trazuara të tranzicionit të tej zgjatur shqiptar.

Përshëndetje Kryetarit të Shoqatës “Labëria” “Nderi Kombit” Z.Ago Nezha.

Përshëndetje Klerikëve të nderuar.

Përshëndetje deputetëve dhe ish-deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Përshëndetje Ministres Zj.Elisa Spiropali, Prefektëve, Kryetar Qarqesh, Kryetar të Bashkive dhe gjithë administratorëve që ndodhen në këtë sallë! Përshëndetje motrave dhe vëllezërve tanë Kosovarë.

Përshëndetje të gjithe miqve të Labërisë, që na nderojnë sot në këtë Kuvend, atyre që janë në këtë sallë dhe jashtë saj! Përshëndetje labëve, kudo që janë. Mirë se erdhët, faleminderit dhe punë të mbarë!

Si bir i Labërisë e Kurveleshit, dhe nën cilësinë e Kryetarit të Bashkisë labe të Tepelenës, kam nderin, kënaqësinë, privilegjin dhe obligimin t’ju përshëndes e mirëpres sot, në sarajet natyrore të Labërisë, në sofrën bujare e baronjane të zemrave tepelenase, në këtë trevë mitike e legjendare ku edhe“zoti vjen i ftuar”. Në këtë trevë ku bashkë me gjirin, nënat tona u mëkojnë bijve e bijave parime sokratiane: “virtytin dhe nderin”; ku rriten burra e gra që kudo e kurdoherë, sikurse e theksonte edhe diplomati francez Fransua Pukëvil: “janë sediment dhe shërbëtor të kombit”. Në përshëndetjen time përcillen fjalët e ngrohta të nënave, motrave, prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve, vëllezërve, nipërve e mbesave tona, të shpërndarë në çdo cep të globit. Këtu është puna, mundi, por edhe gjaku i bijve dhe bijave të Labërisë, i atyre që dhanë jetën për nder – liri – e Atdhe. Të atyre që ishin shqiptarë kur s’kishte Shqipëri. Ju presim sot me dashurinë e një nëne, me krahët e shqiponjës në fluturim, me flladin e luleve të Këndrevicës e të maleve tona hije rënda. Për t’u uruar mirseardhjen, ngrihen nga varri kapedanët, pashai, gjithë luftëtarët e lirisë, dëshmorët dhe heronjtë tanë. Në këtë përshëndetje është amaneti i tyre, janë zërat e fëmijëve lab e tepelenas që aspirojnë për një jetë më të begatë. Mirënjohje brezave ndër shekuj, që na lane trashëgimi trojet arbërore, belvedere të Ballkanit, gjuhën e zogjve e të bilbilave, historinë e papërsëritshme kombëtare, traditat, doket, zakonet, emrin emblematik të Labërisë, karakterin e stërralltë të burrërisë labe dhe gjithçka të vyer e të denjë për  çmimin Nobel. Labi në rrjedhat kronologjike të historise sonë kombëtare ka ditur të eci me hapin e vlerave kombëtare e botërore, sipas konceptit të Nënë Terezës. Të përballojë vështirësi e sfida, natyrore, hyjnore e njerëzore, të bjerë e të ngrihet si zgalemi, pa përfillur stuhitë e tufanet e kohërave. Punë të mbarë Kuvendit të shtatë të Labërisë!

Shtata ky numër kuptimplot, numër biblik e kuranik, numër i traditës popullore, i ditëve të javës, i krijimit mitologjik të njerëzimit etj. Shtata qoftë një ogurë i mbarë për të gjithë labrit dhe shqiptarët kudo që janë! Punë të mbarë! Faleminderit!

**

Pas Tiranës,Vlorës, Himarës, Kuçit e Gjirokastrës jemi mbledhur në Tepelenë, në zemrën e Labërisë

Miq, vëllezër e motra, mirë se erdhët. Eshtë kënaqësi të jemi sot në këtë event madhështor, ku na bashkon emri i madh i Labërisë. Është nder për qytetin e Tepelenës, me histori, kulturë dhe tradita, nga ku kanë dalë artistë dhe figura të shquara, të mirëpres në shtëpinë e saj këtë ngjarje të përmasave kombëtare. Ky Kuvend realizohet nga Shoqata Labëria nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Tepelenë dhe bijve të saj. Me shoqatën Labëria (nderi kombit) në këtë Kuvend të 7, manifestojmë plot 32 vite kontribute atdhetare brenda dhe jashtë kufijve shqipfolëse. Pas Tiranës,Vlorës, Himarës, Kuçit e Gjirokastrës jemi mbledhur në Tepelenë, në zemrën e Labërisë. Në Tepelenën e Pashait, e birbilenjve, kapedanëve. Në Tepelenën e traditave luftarake, të këngës e të besës. Në Tepelenën e sofrës së mikut dhe Zotit, ku ruajtja dhe transmetimi i vlerave kulturore, atdhetare, shpirtërore e morale të trevës së Labërisë është në simbiozën më të natyrshme me qëllimin e shoqërisë së bashkuar Labe. Ky organizëm shoqëror ´´Nderi i Kombit´´ është një pasuri e shenjtë shpirtërore që bën bashkë personalitete të të gjitha fushave, të cilët i janë gjetur Shqipërisë e në çdo rrethanë duke shpalosur veten e tyre me dinjitet e moral të lartë, dhe nuk e teproj aspak të them se disa prej tyre janë me ne në këtë sallë.

Prof. Bamir Topi-ish President i Republikës së Shqipërisë

-Jam shumë i emocionuar për vlerësimin që më bëri Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” po aq i nderuar që jam pjesë e këtij Kuvendi. Kam qenë gjithmonë pjesë e aktiviteteve të Shoqatës, por ky Kuvend është shumë i veçantë. Shumë i bukur. Kam ndjekur me vëmendje debatin për polifoninë tonë të bukur. Askush nuk duhet të guxojë të denigrojë historinë e lashtë dhe origjinën e kësaj kënge kaq hyjnore. Urime dhe suksese Kuvendit!

Vullnet Sina-deputet i PS

Sot pashë një Kuvend që të mrekullon. Një organizim të përsosur. Një organizim që të befason. Një Kuvend që zgjat 2 ditë aq sa nuk mund ta organizojë asnjë parti politike. Kur shikon Tepelenën si sot ndihesh krenar për këtë trevë. Kjo tregon se çfarë fuqie ka kjo shoqatë. Ka në gjirin e saj personalitete të spikatur.

Elisa Spiropali-deputete e PS

Erdha me shumë dëshirë në këtë Kuvend. Unë jam nga Çorraj nga Kurveleshi dhe ndihem krenare që jam nga kjo trevë me histori të rrallë. Ky kuvend tregon se çfarë di të bëjë Shoqata Labëria dhe çfarë personalitetesh ka në gjirin e saj kjo Shoqatë. Ndihem shumë e vlerësuar që jam pjesë e këtij Kuvendi kaq sinjifikativ.