Hyqmet Zane: Si u pushkatua pabesisht “grupi” i Teme Sejkos

600
Sigal

Teme Sejko dhe i ashtuquajturi “grup” si krijesë pabesie e klanit antishqiptar

Retrospektivë e një ngjarje të vitit 1960–1961.

“Na vranë, na shanë, na varfëruan, donin të na poshtëronin, po nuk na ulën dinjitetin e krenarinë”

Nga Hyqmet Zane

Sa herë dua të shkruaj për ngjarje që lidhen me Çamërinë dhe komunitetin çam, gjej gjithnjë një sentencë që ta përkufizoj gjithçka me atë mençurinë popullore që i ka thënë të gjitha për të gjitha. Shkodranët kanë një fjalë që thuhet:  “me t’rraf e mos me t’lan me kja”,  që  e përkufizon më së miri komunitetin çam, që u sha dhe u denigrua, u vra dhe u sikterros, por që nuk fliste dot,  as thoshte se ç’gjëmë ishte kjo, se nuk kishte se kujt me ia thanë se do e pësonte.

Ngjarjet që lidhen me të ashtuquajturin  “grupi” i Teme Sejkos dhe Tahir Demit, sa herë që vijnë datat e asaj bolorie të madhe anti-çame, nuk mund të rri pa gjetur atë më të veçantën, për të thënë ato të pathënat e të paditurat e asaj që u sajua si një krim i shumëfishtë,  i pandëshkuar edhe sot e kësaj dite. Sa ishte e fortë lufta antiklasore dhe kundër armikut të jashtëm, po aq ishte edhe ndaj komunitetit çam, sikur të ishin me orgjinë nga ndonjë vend tjetër,  dhe jo që ishin shqiptarë të kulluar me trashëgimi të nderuar.

E mbaj mend si sot e 60 -vjet më parë se si buçisnin altoparlantët se po bëhej një gjyq kundër çamëve dhe veç atyre që thoshte prokurori politik me fjalët stampë, ndër ata që e dëgjonin, krijohej një urrejtje patologjike dhe fjalët shpërthenin pafundësisht. Më buçasin në vesh si atëherë, edhe sot e kësaj dite, se aq të poshtra dhe keqashëse dhe provokuese ishin. Më vonë, duke u rritur, mora vesh se skenari kishte një dirigjent,  dhe në mes të njerëzve ndodheshin ata, altoparlantët- njerëz, që hidhnin parrulla për të krijuar ilaritetin e pështirë. Me naivitetin e një fëmije, frikësohesha për jetën time, se fjalët ishin tmerruese, a thua se ne, të gjithë çamët, sipas tyre, ishim në bankën e të akuzuarve, edhe pse pa faj. Heshte babi e nëna ime dhe ndjeja qetësim mes tyre, edhe pse e dija që jashtë shtëpisë do më thuheshin të njëjtat fjalë që nuk mi zë goja kurrë t’i përmend, se nuk ishin të vërtetat, por sajesat e një grupi që ishin pranë diktatorit dhe bënin si u thoshte diktatori, edhe duke kaluar kompetencat.

Vit pas viti, prindërit dhe xhaxhallarët e mi, por edhe nga ata të rrethit familjar, më qartësonin mendimet dhe sajesat e shpikura, por që nuk mund të thuheshin si të tilla, se pasojat ishin të tmerrshme. Heshtja dhe bluarja përbrenda për të vërtetën dhe padrejtësinë e bërë, gjoja në emër të një të ashtuquajturi “grup”,  por që në fakt, ishte një plan strategjik i mirëmenduar, dhe që skenarin e kishin bërë  palo shqiptarë për të pafajshmit shqiptarë. Librat, artikujt, dokumentarët, dokumentet dhe të thënat e drejtpërdrejta, më bënin të ndërgjegjshëm për një krim tipik të pusit të thellë të krimit komunist.

Të parin shkrim që lexova me një analizë të vitit 1991,  ishte ajo e prof. dr. Emine Sadiku, botuar në gazetën “Çamëria – Vatra Amëtare”,  që me dijenitë e veta, kishte shtjelluar të vërtetat e një ngjarjeje që kishte lënë gjurmë me një sens të keq,  si një genocid ndaj një komuniteti që e vranë, e shanë, e varfëruan, donin të poshtëronin,  po nuk ia ulën dinjitetin dhe krenarinë. Në popull  komuniteti  çam gëzonte respekt,  vetë  familjet e njihnin drejtpërdrejtë dhe  shprehnin çudinë për fjalët që thuheshin nga  megafonët e diktaturës. Por askush nuk mund të fliste, se ligësia ishte bërë natyrë e dytë e sistemit.

Nxitimi i diktatorit për të përligjur ngjarjen, u bë menjëherë me librin në rusisht  “Dështimi i Radhës – Komploti i Teme Sejkos”,  i vitit 196,  kur ende nuk ishte në shqip dhe që vërtetoi, se cili ishte qëllimi i sajesës dhe ekzekutimit të një kundëradmirali të lartë.

Më pas, nga dokumente  dhe  libra të vetë Enver Hoxhës, do të kuptoja dhe do të merrja vesh me ekzaktësh,  se çfarë ishte ajo gjëmë që u sajua shumë e madhe, dhe që në të gjitha dëshmitë, edhe të vetë protagonistëve që morën pjesë si dëshmitarë, si hetues apo si të akuzuar, del në pah një e vërtetë e madhe, që diktatori Enver Hoxha dhe arma e tij e sigurimit të shtetit, thurën një megaplan për të sulmuar me një alibi,  sovjetikët dhe amerikanët. Nuk ishte qëllimi ndaj një elite të komunitetit çam, por përpunimi, përdorimi dhe vënia e asaj elite të pafajshme,  katërcipërisht në shërbim të interesave të një grupi njerëzish, që e bënë diktaturën gjakatare, poshtëruese  për  popullin e vet.

Në të gjithë gamën e atyre çfarë janë shkruar dhe thënë,  del një konkluzion i madh, se komunistët shqiptarë të mësuar dhe të trajnuar nga UDB-ja jugosllave,  dhe me intrigat dhe pabesinë e Asfalisë greke, të mbrujtura këto, edhe me urrejtjen krahinore të një grupi njerëzish, ditën të zbatonin politikën e tyre, “përça dhe sundo”,  dhe për këtë gjetën më të papërfaqësuarit në byronë politike të kohës. Ata ishin çamët, sepse lufta ndaj tyre kishte nisur herët në heshtje, kohë pas kohe nga segmente të caktuara brenda  Byrosë  Politike  me “ushtarë si mish për top”, vllehë dhe grekë, që i përdorën si kavie për të infektuar një popull të tërë me urrejtjen kundër  komunitetit  çam që ishin shqiptarë me gjak, me flamur dhe  me fe. Mospasja asnjëherë, asnjë anëtar të byrosë  politike  deri më 1960,  nga komuniteti çam, edhe pse me shumë kontribute gjatë Luftës Antifashiste, e vërteton këtë tezë të mësipërme.

Ndërkohë, që pak kohë para se të vdiste në burg, Halim Xhelo, ish-kuadër i lartë i sigurimit të shtetit, do t’i rrëfehej në konfidencë të dënuarit Lutfi Sejko,  pasi ky e pyeti se çfarë patën me çamët dhe ai i tha “çdo gjë u vendos në vizitën e Hrushovit  në  Shqipëri. Simpatia që shprehu lideri sovjetik  për aftësitë e Teme Sejkos, që ky meritonte të ishte kryeministër, pas ankesave të vetë Enver Hoxhës tek Hrushovi për Mehmet Shehun, që nuk e dëgjonte se ishte kokëfortë, i ashpër dhe nuk respektonte fjalën e partisë. Këto fjalë u bënë në Sarandë dhe unë dhe Kadriu (Hazbiu), pamë njëri-tjetrin në sy dhe tundëm  kokën lehtas,  sepse gjetëm motivin për të çuar deri në fund porosinë  e Mehmetit. Me këtë ishte dakord  edhe  Enver Hoxha,  pasi atij iu shtrua një platformë e gjerë akuzash të mirësajuara,  që do përdoreshin për ta inkriminuar  Teme Sejkon në këtë aventurë vrastare që ju bë juve”.

Gjithçka  nisi me gjeneralin Hilmi Seiti, që ai të ishte “kryetari i grupit”, por që nuk u pranua me protestë  nga  vetë Hilmiu  që, pas bisedës me Kadri Hazbiun, shkoi dhe takoi Enver Hoxhën,  dhe ia tha mospranimin dhe mospajtimin me një gjë të tillë. Iku nga zyra e diktatorit dhe shkoi në Shkodër,  ku kishte punën dhe më pas vdiq papritur  më 26 prill 1960.  Të  gjithë kanë  thënë se u helmua  nga sekretari i parë i asaj kohe  në qytetin verior, ndaj dhe varrimi i tij ceremonial madhështor, i drejtuar nga Teme Sejko,  do të ishte prologu i asaj që do të ndodhte më pas me vetë Teme Sejkon,  të cilin e mbyllën të gjallë në arkivol,  që të pranonte planin e sajuar me premtime, se nuk do të pësonin gjë. 28 korriku 1960  do të ishte fatal për të ashtuquajturin “grupi i Teme Sejkos”.

Në librin e tij “Gjithnjë, Vigjilencë”, vol. II, për ngjarjet e vitit 1961-1984, Enver  Hoxha  ka shkruar edhe kështu edhe ashtu, duke  pasur edhe mendimin se tradhëtisë së Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, por edhe duke akuzuar kundëradmiralin  për çka kishte sajuar sigurimi i shtetit.  Ja se çfarë shkruan ai:

“Është fjala për komplotin kundër revolucionar  që përgatitej nga  një organizatë e fshehtë antishqiptare  e përbërë nga disa agjentë  e tradhtarë të popullit tonë. Plani i tyre kundërrevolucionar ishte i kombinuar me një ndërhyrje të armatosur nga jashtë.

Siç u vërtetua më vonë, pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, ishin revizionistët sovjetikë ata që në rrugë agjenturore e nxitën këtë komplot, duke udhëzuar në detaje agjenturën e tyre, Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e Kadri Hazbiun për organizimin e tij. Edhe këtë herë këta vetë do të qëndronin në prapaskenë, ndërsa në veprim do të hidhnin elementë të tjerë, si agjentin e zbulimeve të huaja amerikane, greke e jugosllave Teme Sejko me shokë.  Ky komplot, që kishte për qëllim  përmbysjen e pushtetit popullor  në Shqipëri, do të përdorej edhe si një mjet presioni  e shantazhi  ndaj  PPSH-së  dhe Qeverisë së RPSH-së, me qëllim që këto, për të shpëtuar nga “rreziku” të kërkonin  ndihmën e flotës ushtarake sovjetike. Në këtë mënyrë revizionistët  hrushovianë  mendonin  të  realizonin nënshtrimin dhe pushtimin ushtarak të Shqipërisë.

Zbulimi dhe arrestimi i komplotistëve bënë që të dështojë plani kundërrevolucionar i revizionistëve sovjetikë, i agjenturave të huaja amerikane, greke e jugosllave, por krerët e komplotit, Mehmet Shehu e banda e tij ditën të fshehin këmbët e t’i shpëtonin edhe këtë radhë demaskimit e zbulimit të tyre”.

Janë me dhjetëra dëshmitë e rreme që kanë thënë vetë protagonistët si Nevzat Haznedari, më 26 qershor 1983,  nga Qemal Birçe, më 11 qershor 1983,  apo Islam Gjondedaj, më 14 qershor 1983, Qemal Xhaferri, më 14 qershor 1983,  si dhe Vasil Th, me detyra të ndryshme në  organet e sigurimit të shtetit. Por edhe Prof.dr. Sami Rrepishti  ka versionin  e vet të dëshmisë ndaj Teme Sejkos. Vlen të shprehet konsiderata më e lartë për dosjen e trajtuar nga publicisti i mirënjohur  Kastriot Dervishi, botuar në gazetën “55”,  në qershor 2016, në shumë artikuj të tij. Kanë thënë e çfarë nuk kanë molloisur ata me mendje gjynafqare që një ditë do të pranonin si Kosta Fili,  se ashtu u kishin thënë të bënin, t’i mësonin përmendësh fjalët që do thoshin se ndryshe do ta pësonin.

Hurshovi  i tha Enver Hoxhës se: “qeveria shqiptare është shitur për 30 aspra tek imperializmi”, koha tregoi se ata që  e shitën  ishin  vetë Enver Hoxha  me sigurimsat e tij, që i shiti të gjithë, me 30  a më pak aspra, si një njeri dhe udhëheqës  me paranoja makbethiane.