Kuçi i Labërisë mori pjesë me 5 çeta në Luftën e Vlorës 1920

1114
Sigal

Më 3 qershor çeta e fshatit, dëboi nga fshati karabinierët italianë dhe  më datën 4 qershor u nisën për në Luftën e Vlorës

 Dalan Buxheli

Vitet kalojnë, por ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë gjithmonë jetojnë. Rreziku që i është kanosur vendit tonë kurdoherë ka tronditur zemrën e çdo shqiptari. Populli shqiptar u trondit thellë nga memorandumi i 09.12.1919, i fuqive të mëdha për copëtimin e ri të Shqipërisë që u mbajt i fshehtë. Duke parë se nuk kishin asnjë mbrojtje tjetër për këtë qëllim,atdhetarët vendosën se ishin pjekur kushtet thirrjen e kongresit të Lushnjes. Kongresi mori vendime historike dhe pohoi pavarësinë e plotë të vendit,u shpreh kundër çdo mandati apo protektorati të huaj mbi sovranitetin e shtetit shqiptar. Mbas kongresit të Lushnjes sipas vendimeve dhe udhëzimeve të tij,u formua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” ku bënte pjesë dhe major Ismail Haki Kuçi nga Kuçi për organizimin dhe drejtimin e luftës popullore për çlirimin e Vlorës. Erdhi në Kuç anëtari i këtij komiteti, patrioti Halim Xhelo, i cili u takua me parinë e Kuçit. Në një mbledhje të veçantë, paria vendosi thirrjen në një mbledhje të gjerë gjithë popullin në vendin e quajtur Grabovë. Në këtë mbledhje foli patrioti Arif Mëhilli, i cili u parashtroi të pranishmëve vendimet e komitetit për të organizuar luftën kundër pushtuesve italianë dhe nevojën e domosdoshme të pjesëmarrjes të kuçiotëve në këtë luftë. Dy ditë më vonë, në fillim të muajit qershor, paria dhe gjithë populli i fshatit u mblodhën në vendin e quajtur Gjibuf, ku u bënë regjistrimet, me baza vullnetare të luftëtarëve që do të shkonin në këtë luftë. U regjistruan 109 luftëtarë,midis të cilëve është edhe Rrapo Buxheli, babi  im bashkë me gjyshen Qeno Buxheli, e cila është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 50 -vjetorit të pavarësisë (Historiku i Kuçit viti 1969).Pas regjistrimit të vullnetarëve,u bë organizimi i 5 çetave vullnetare të kuçit. Komandant të çetave u caktuan Meto Peçi, Arshi Saraçi, Rrapo Aliu, Jaho Gjoligu e Sefedin Meçe. Më 3 qershor çeta e Kuçit, dëboi nga fshati karabinierët italianë. Mbas këtij aksioni, më datën 4 qershor u nisën për në Luftën e Vlorës. Gjatë rrugës në drejtim për në Kotë, u bashkuan me çetat e Kallaratit, Bolenës,Vranishtit, Tërbaçit e Brataj. Rrethuan e sulmuan forcat italiane në Gjorm, të cilat pas 2-3 orë qëndrese u detyruan të dorëzohen. Pasi kryen me sukses këtë aksion,i cili ngriti edhe më shumë moralin dhe besimin në fitore, u nisën në drejtim të Kotës. Mbas një nate luftimesh të ashpra që arriti në përleshje trup më trup, vullnetarët u hodhën mbi tela me gjemba, zaptuan llogoret e armikut, zunë shtabin e garnizonit italian dhe çliruan Kotën. Në këto luftime luftëtarët e çetave të Kuçit u shquan për akte trimërie. Me asgjësimin e garnizonit italian në Kotë, çetave të Kuçit u caktua nga shtabi që të zinin vijën e parë të frontit të Cerrishtës, qafën e Qishbardhës, Kalanë e Kaninës dhe qafën e Koçiut (gropa e derri). Në këto luftime të përgjakshme bashkë me çetat e Kuçit, ka qenë prezent disa herë dhe ka drejtuar sulmet Ismail Haki Kuçi,që ishte njëkohësisht anwtar i komitetit drejtues të luftës së Vlorës dhe shef operativë. Për Trimërinë e shqiptarëve në luftën e Vlorës,patrioti Halim Xhelo do të shkruante poezinë e njohur: Evropa shkruajnë e thonë, Ç`është kështu si dëgjojmë?!. Bëhet dyfek në Vlorë/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë!. Për këtë luftë në gazetën “KOHA”,të asaj kohe,në artikullin me titull “Ditë historike-2 shtator 1920, midis të tjerave shkruhej” PO ! është edhe kombëtare dita e 2 shtator 1920, se në këtë ditë do të festohet çlirimi i Vlorës,i asaj Vlore historike ku pas 500 vjetësh u ngritë flamuri i Skënderbeut! Duhet një mendje e hollë që të përshkruaje rëndësinë e këtij festimi kombëtar, në të cilin merr pjesë i gjithë kombi shqiptar, se Vlora ka qenë dhe është zemra e shpirti i Shqipërisë”. Kjo fitore e madhe, e ndezi shpirtin liridashës dhe vulosi në fitore besimin. Net e ditë të tëra nuk pushoi së kënduari kënga: “O djem do vemi në Vlorë/ Dyfek e flamur në dorë,/ Na thërret Ismail Qemali, /O djem trima stralli,/ Na dërgon porosinë,/ Hidhni në det Italinë.” Një grusht luftëtarësh prej 4000 vetësh u vunë përballë një ushtrie të rregullt,të stërvitur e të armatosur gjerë në dhëmbë,me artileri tokësore,detare,autoblinda e avionë u shpartallua nga orteku popullor i luftës për liri. Luftimet e ashpra që zgjatën rreth dy muaj,pushtuesit të ndodhur në dorën e tyre të hekurt,u mbyllën brenda qytetit dhe ndodheshin aty të kapitulluar. Më 2 shtator trupat dhe flota italiane u larguan dhe me 3 shtator forcat vullnetare hynë triumfalisht në Vlorë, duke bërë festë për tre ditë me radhë.

Pozita gjeografike e Kuçit

Kuçi shtrihet në anën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Ai kufizohet nga gjerësia gjeografike 40° 14′ dhe 40° 14′ dhe gjatësia gjeografike 19° 45′ dhe 19° 55′.

Kuçi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 180 km² ose 350 km² sipërfaqe të sheshtë. Kuçi ka 350 ha tokë arë, 77–80 km² pyje, pjesa tjetër është sipërfaqe kullotëse malore, sipërfaqe të zhveshura e përrenjsh. Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit dhe 62 km larg Vlorës. Nga Kuçi në Vlorë shkon duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç 24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë 47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km.

Kuçi është një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, si nga sipërfaqja dhe nga popullsia. Në vitet 1431 Kuçi ka patur 49 shtëpi me 180 banorë; në vitin 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë ndërsa sot ka rreth 400 shtëpi më 3500 banorë. Në Kurvelesh janë përfshirë fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Çorraj, Fterra që bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm; Vërmik, Rexhin, Nivicë, Gusmar, Progona, Lekëdush, Golem, Kaparjel, Kolonjë, Picar, bëjnë pjesë në Kurveleshin e sipërm. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit 1878 deri në vitin 1912, së bashku me fshatrat që janë sot në Kurvelesh janë përfshirë edhe fshatrat Koron, Kardhiq, Humelicë, Fushë-Bardhë, Zhulat, Rrëzomë, Palavli, Kalasë, Nivicë-Bubar, Shenvasil, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Borsh. Këto fshatra në kohë lufte janë përfshirë në krahinën e Kurveleshit, ashtu siç ndodhi në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare të vitit 1942-1944, ku këto fshatra u përfshinë në një komitet krahinor me qendër në Kuç. Kuçi gjatë Luftës së Dytë Botërore luajti një rol vendimtar me rëndësi të veçantë historike në të gjithë këtë krahinë dhe në krahinat përreth. Për këtë rol të veçantë u shpall edhe fshat MARTIR i Luftës së Dytë Botërore  dhe i vendeve Martire e të Paqes në Botë, me qendër në Bolonja Itali. Kuçi, duke qenë edhe në kohët e vona kryeqendër e Kurveleshit dhe e Labërisë, ku një vend të dukshëm mori tregtia me 13 dyqanet që kishte, bluarja e drithit dhe derstila me 12 mullinjtë, njëkohësisht pazari e panairet janë zhvilluar në Kuç, por ato janë zhvilluar edhe në Himarë, Delvinë, Gjirokastër e Vlorë, ku tregtoheshin bagëtitë, punimet e artizanatit, si sixhadet, velenxat, qilimat, punimet e drurit, si lugë, çibuqe, longare etj. gurët e gdhendur, sidomos gurët e qosheve të shtëpive dhe ato të portave e të dyerve, të cilat gdhendeshin me shije e mjeshtëri.