Neofashistët nuk mund të bëjnë Pazar me gjakun e dëshmorve për vota

386
Sigal

LANÇ do të mbetet historia më e lavdishme e popullit shqiptar pasi është shkruar me gjakun e kulluar të bijëve partizanë. Skandalet që po zhgarravitin disa sharlatanë të politikës aktuale për të justifikuar tradhëtinë është turp për faqen e tyre të zezë. Cilat janë betejat që ka zhvilluar Safet Butka dhe Mit’hat Frashëri ?!

 

Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është shkruar me gjakun e kulluar të bijave dhe bijve më të mirë të popullit shqiptar dhe s’ka patur as dje, s’ka as sot, e s’do të ketë as mot e mot, bir nëneje apo bir njerke, që ta ndryshojë, ta deformojë e ta tjetërsojë atë.

Këta sharlatanë, që e mbajnë veten për intelektualë të shquar e historianë të mbaruar, kanë shkuar deri aty sa që heronjtë dhe dëshmorët e LANÇ-it, komandantët dhe komisarët e çetave, batalioneve dhe brigadave partizane, pa u skuqur e pa u zverdhur, i quajnë “kriminelë”! “Kriminelë” sepse kanë vrarë në luftë pushtues dhe tradhëtarë! Po pushtuesit dhe tradhëtarët që varën në litar dy vajza në lulene rinisë: Bulen dhe Persefonin në Gjirokastër, që varën po në litar edhe 4 shoqe të tyre, që vranë e dogjën Liri Geron, që pushkatuan në anë të rrugës Rrogozhinë – Kavajë dy të rinj, motër e vëlla, Margaritën dhe Kristaq Tutulanin, që vranë Zonjën Curre, Nimete Progonatin 17 -vjeçe, dhe qindra e mijra të tjerë vetëm sepse e donin vendin e tyre të lirë, si t’i quajmë, patriotë e nacionalistë e iluministë ?

Këta sharlatanë shkojnë në Vermosh e Tamarë dhe nderojnë e dekorojnë Preng Calin, të cilin gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje si kriminel lufte, sepse vrau në pritë e pabesi një batalion të Brigadës së Parë Sulmuese, bashkë me komandantin e batalionit. Shkojnë në Dibër dhe nderojnë e dekorojnë një kriminel tjetër kolaboracionist si Halil Alija. Pastaj vijnë në Tiranë sharlatanë të tjerë, të veshur edhe me pushtet që nderojnë me radhë kolaboracionistët duke filluar nga Kryekolaboracionisti Mit’hat Frashëri,  e deri tek kryekolaboracionisti kolonjar Safet Butka. Sepse, cilësojnë ata, siç kish luftuar trimërisht në aq e aq beteja babai i tij Saliu, po aq trimërisht luftoi deri sa hoqi dorë nga kjo jetë edhe i biri, Safeti, më 19 shtator 1943″.

Po, është e vërtetë që babai i Safetit, Sali Butka ka zhvilluar beteja kundër andartëve grekë, por ka djegur e plaçkitur edhe Voskopojën. Pas Voskopojës shkoi edhe në Vithkuq, mblodhi banorët dhe u tha: “Po të mos më dorëzoni 800 napolona flori do ta bëj edhe Vithkuqin si Voskopoja !”. Pastaj ai Saliu, veç Safetit kishte edhe një djalë tjetër që quhej Muharrem dhe që ishte në Shtabin Partizan të Qarkorit Korçë. Pse nuk shkoi Safeti tek i vëllai, pas kapitullimit të Italisë dhe betejave me partizanët, por kur e pa veten të rrethuar e të mbaruar, shkoi e vrau veten në atë vend, ku është për turp t’ia zësh edhe emrin?

Ju thoni se Safeti ka zhvilluar me trimëri shumë beteja. Po cilat na qenkan këto beteja që zhvilloi me trimëri Safeti? Kundër kujt ka luftuar dhe cilin fshat apo qytet ka çliruar ai? Apo dini ndonjë këngë që i ka ngritur populli për trimëritë e tij, veç asaj që i ngriti i vëllai Muharremi dhe që e di e gjithë Kolonja: “Medet o plak, ç’na gjeti,/ Tradhëtar dolli Safeti,/ O Safet, more Safet,/ Vrave vehten në halet,/ Se atje të kish lezet!…”

Hedhja baltë mbi LANÇ dhe nderimi i figurave të kolaboracionistëve nuk e ndryshon historinë e lavdishme të saj. LANÇ është i përjetshëm në historinë e luftrave për liri e pavarësi të popullit tonë. Kurse ju këpushat e pyllit me lisa të lartë jeni krejt të përkohshëm, nuk arrini dot lartësitë, nuk ndryshoni dot historinë por do të përfundoni siç përfundojnë gjithë orvajtjet donkishoteske.

Për historinë le të flasin historianët e shquar si: Kristo Frashëri, Xhemil Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Marenglen Kasmi dhe shokët e tyre dhe jo sharlatanët që e heqin vehten për historianë dhe shtrembërojnë historinë, të bardhën e bëjnë të zezë dhe të zezën të bardhë.

Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare do t’u japë atyre dhe çdo pinjolli kolaboracionist, apo neofashist, gjithmonë përgjigjen e merituar.

Brigada e 17-të Sulmuese Partizane e Elbasanit  ka histori lavdie

Me rastin e 76- vjetorit të formimit

76- vjet më parë, më  26 shtator 1944, në zemër të Shpatit, në fshatin Gjinar të Elbasanit, u formua Brigada XVII Sulmuese Partizane. Përzgjedhja e këtij vendi nga Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte lidhje vetëm me pozicionin gjeografik e strategjik, por se e gjithë krahina ishte e lidhur me LANÇ dhe ishte kthyer në një bazë të fuqishme të kësaj lufte në Qarkun e Elbasanit.

Në ditën e përurimit, më 26 shtator, në Gjinar kur u bë përurimi i Brigadës së 17-të ishin pesë batalione të qarkut të Elbasanit: Batalioni i Shpatit, i Verçë-Sulovës, i Dumre- Darsisë, i Bërzeshtës dhe ai i Polisit. Fshati Gjinar ishte në qendër të veprimeve luftarake të këtyre batalioneve. U rreshtuan edhe 94 partizanë te rinj nga qytetit i Elbasanit dhe nga terreni. Pra brigada përbëhej nga 1592 partizanë, nga të cilët 1012 nga rrethi i Elbasanit, 282 nga rrethi i Librazhdit, 119 nga rrethi i Gramshit dhe pjesa tjetër nga rrethe të tjerë. Mbi 90 % e partizanëve ishin nën moshën 25- vjeç. Në radhët e Brigadës së 17-të S u rreshtuan edhe 18 shoqe të ardhura nga qyteti i Elbasanit, si Jolanda Xhuvani, Shegushe Haxhimusai, Aliqi Dedja, Burbuqe Gjergji, Emine Guranjaku, Ikbale Bylyku, Lutfije Hoxha, Parashqevi  Gjini, Afërdita Tërova, (Çobani), Hedije Tola, Sadete Duli, Rezije Saraçi, Ruzhdije Sula, Sotira Murzaku, Mandalena Doka, Diamanta Dilo (Doda), Zenepe Hoxha e Hatixhe Gjevori. Pjesa më e madhe e këtyre shoqeve vinin nga fronti i luftës ku kishin marrë pjesë në veprime luftarake e kishin zhvilluar veprimtari të dendur politike.

Gjeli Argjiri u zgjodh komandant, Qamil Guranjaku-komisar; Ndreçi Plasari- zv/komisar; Sefedin Meçe–zv/komandant; Nebi Agolli-përgjegjës rinie, Nexhdet Deveja – për propagandën, Shaqir Tabaku-intendent.

Qysh të nesërmen e përurimit të  Brigadës, në përbërje të Divizioni IV Sulmues, ku ajo u bë pjesë e ketij formacioni të madh luftarak, bashkë me Brigadat 15 e 18 S, kreu veprime luftarake te shumta.

Përpjekja e parë me armikun u bë në Darsi të Peqinit me 2 tetor 1944, ku shpartalloi bandën balliste të Hamit Matjanit e çliroi krahinën duke vendosur pushtetin e këshillave NaÇl. Në këto luftime të ashpra ra në fushën e betejës partizani Rrahman Lato dhe u plagos komandanti i batalionit, Muharrem Çota.

Më 5 tetor,  brigada sulmoi një autokolonë gjermane ne rrugën Elbasan-Peqin ku iu shkaktuan armikut dëme të mëdha.

Pas këtyre veprimeve luftarake Brigada XVII u ngarkua të vepronte në rajonin e Qafës së Kërrabës, për të goditur postat dhe kolonat gjermane gjatë rrugës Elbasan-Tiranë dhe Elbasan – Peqin. Nga 24 tetori 1944,  deri me 16 nëntor 1944, brigade  ka bërë 23 goditje kundër kolonave gjermane nga të cilat 9 janë bërë në rrugën Elbasan-Peqin dhe 14 goditje në rrugën Elbasan–Tiranë. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, brigada u kthye në luftimet për çlirimin e Tiranës, duke u vendosur në Mullet e Lundër dhe më 13 nëntor 1944, kreu sulmin mbi autokolonën gjermane  të grupit “Steyker”, Qafë-Krrabë-Tiranë. Në Fikas e Ibë, ajo së bashku me forca të tjera partizane, i shkaktoi armikut humbje të rënda. Në betejen e Mushqetas me 13-14 nëntor 1944, armiku u dëmtua rëndë prej luftës partizane.

Kur kryeqyteti ndodhej i rrethuar nga forcat partizane, Brigada siguronte shpinën dhe krahët e tij. Në Mushqeta rreth 1000 luftëtarë të Ushtrisë NaÇl u ndeshën me 3000 ushtarë hitlerianë në një luftë për jetë a vdekje. Komandës armike i kishte mbetur 1000 hitlerianë të vrarë dhe tok me to dhe dëme shumë të mëdha materiale. Pjesa e armiqve që mbetën gjallë u kapën rob. Në këto luftime të ashpra ranë heroikisht në fushën e betejës 11 luftëtarë të Brigigadës XVII- S, midis të cilëve komisari trim i batalionit III, biri i lavdishëm i popullit të Elbasanit, intelektuali Kadri Abdihoxha.

Pas çlirimit të Tiranës, brigada mori urdhër për të kaluar në qarkun e Dibrës. Duke spastruar qarkun nga mbeturinat e bandave, forcat e Brigadës XVII dhe ato të XVIII shfarosën bandën e Halil Alisë. Nga Dibra, në janar të1945, kreu një sërë veprimesh spastrimi nga mbeturinat e reaksionit në Krujë, Ishëm, Mat e Mirditë.

Përveç detyrave luftarake, Brigada XVII kreu edhe detyra të tjera të rëndësishme politike në drejtim të vendosjes e të forcimit të pushtetit popullor në krahinat e Dumresë, Darsisë, Peqinit, Kërrabës, Krujës, Ishmit, Mirditës, Matit, Bulqizës  e Peshkopisë.

Brigada i kreu me nder detyrat e ngarkuara. Ajo i dha lirisë 31 dëshmorë për të cilët përulemi me nderim të thellë dhe do të kujtohen në jetë të jetëve për veprën e tyre sublime. Ajo është e do të jetë një shembull frymëzimi për pasardhësit e veteranëve, që të mbajnë gjallë përjetë atdhedashurinë e lavdinë e luftës partizane.

Lufta ANÇl,  është epopeja më e lavdishme e shkruar në faqet e Historisë së popullit tonë që përfundoi me fitoren mbi nazifashizmin e tradhëtarët e vendit. Sot veteranët e pasardhësit janë krenarë për këtë epope të lavdishme, por ndjehen tepër të fyer nga veprimet e disa partive politike të ekstremit të djathtë, pinjollë e ballit, legalitetit – kolaboracionistë si dhe historianë sharlatanë të paguar, që përpiqen të ndryshojnë të vërtetat historike të LANÇ, por ato të vërteta nuk do të ndryshojnë kurrë.

Shyqyri Sina

Sekretar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-Elbasan