Kujtimet e Prof. Skënder Luarasit për Qemal Stafën

1310
Sigal

Qemal Stafa nën optikën e mësuesit të letërsisë Prof. Skënder Luarasi. Nga hartimii famshëm tek Deklarata e “Heroit të Popullit” në hetuesinë fashiste. Qemali rron në kujtimin e një populli, se i fali Shqipërisë atë që mund t’i falte cilido partriot atdheut të vet në rrezik

Botuar ekskluzivisht nga gazeta “Telegraf”/Qemal Stafa nën optikën e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi dhe intelektualëve shqiptarë. Nga hartimi i famshëm tek Deklarata e Qemalit në hetuesinë fashiste

Qemali nxënës

Qemal Stafa gjatë vitit shkollor 1934-1935 vijoi klasën e pestë, në paralelin A, në liceun e Shkodrës. Qe 14 vjeç…Edhe pse fort i ri Qemali kishte një inteligjencë të rrallë.

Më kujtohet ora e parë e mësimit:në bankën e parë të rreshtit të parë nga hyrja, në ballë të klasës, rrinte një djalë mesatar nga trupi, me fytyrë të plotë e rrumbullake disi të zbehtë, me syze.

Ditën e fillimit të mësimit mësonjësi merr në kujtesën e tij një fotografi të përgjithshme të klasës, dhe, vetëm pas një pune të gjatë, i bien ndër sy nga një anë nxënësit më të dobët dhe nga ana tjetër më të zotët.Nxënësit mesatarë për mësonjësin mbeten pak të njohur.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Qemali u dallua në punën e tij, si në shkollë, ashtu edhe përjashta. Për mua Qemali ka qenë më i miri nxënës dhe më i dashuri.

Në klasë, nxënësit e mirë qëndronin në bankat e para: Qemal Stafa,Vasil Llazari, Vasil Trimçevi, Xhemal Broja dhe i vogli Ardit (ah, sa më ka ardhur keq kur mora vesh më vonë që nazistët e kishin therur në Prishtinë se qe ”çifut”!)

Qemali, megjithëse vuante nga sytë, ay studionte ditë e natë, dhe jo vetëm mësimet e shkollës, po gjithë problemet shoqërore, nga pikëpamja përparimtare e kohës. Gjente kohë të merrej edhe me sport, edhe me muzikë, edhe me teatër.

Sa e sa të diela i shoqëroi nxënësitdhe profesorët n’eskursionet e tyre, duke kënduar dhe duke i rënë mandolinës!

Në grupin teatral luajti rolin e Shtaufahërit të ”Vilhelm Telit” të Shilerit dhe atë të kontit në ”Kalorësi dorështrënguar” të Pushkinit.

I madh ka qenë mundimi që derdhi Qemali dhe shokët e tij për të organizuar shoqërinë ”Besa” dhe daljen e revistës së saj.

I pari në punë intelektuale, nuk tutej të rrokte shatën e lopatën, gjithashtu i pari që të ndërtonin palestrën e gjimnazit.

Hartimin e tij shumë të mirë “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jet’ e re po lulëzon gërmadhash’’ e lexova në klasë si shembull. Nuk munguan nxënës që rendën të lajmërojnë drejtorin për idetë revolucionare të shprehura në të. Drejtorie thirri në zyrë dhe e qortoi, e Qemali iu përgjigj:

“Unë them atë që ndjej dhe që mendoj; dhe askush nuk ka të drejtë të më imponohet, ca më pak ju, zoti Drejtor, që nuk jeni këtu veçse për të mbajtur disiplinën.”’

Qemali qe i mençur. Një ditë mori në dorëzim tridhjetë copë broshura ”Shpëtimi i fshatarit”, ”Legaliteti” dhe disa ekzemplarë të ”Liria Kombëtare”…. “Unë nuk kam marrë asgjësend prej jush’’, i tha dorëzonjësit. Pastaj më kot javë me radhë autoritetet kërkojnë të zbulojnë shpërndarësin e këtij materiali ilegal!…

Qemali kishte një natyrë të çelur, të sinqertë, dhe kur ish puna për të mbrojtur parimet e tij, nuk trembej prej asgjëje. Ay foli, shkroi, punoi e luftoi sheshit, për idealin e tij; për to bëri theror edhe jetën. Në një nga hartimet Qemali shkruan:”Shqiptari nuk tutet se vdes, mjaft që vdekja e tij të jetë e ndershme, të jetë vdekje burrash, vdekje për atdhe”.

Na vjen keq të gjithëve që një djalë kaq inteligjent e trim u nda prej nesh kaq i ri, po Qemali nuk ka vdekur; ay rron në kujtimin e një populli të tërë; i fali Shqipërisë ç’mund t’i falë cilido patriot atdheut në rrezik. Dhe ç’thotë Tirteu, i përshtaten heroit tonë kombëtar: ”Mbetet i bukur gjithmonë kush për atdheun bie dëshmor”

Mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi kujton:

Edhe hartimet e para të Qemalit gjatë këtij viti shkollor qenë të pasura në ide. Në njërin ai shkruante: “Përveç trimërisë, për me qenë burrë duhet me pas edhe një cilësi tjetër: “Urtësinë”, në një tjetër: “Cilësitë e shqiptarit duhet të jenë;gjithmonë fjalë pakë e punë shumë,burrni e trimni”, Ky i fundit tregon sa shpejt i përvetësonte Qemali idetë e reja dhe burrninë me të cilën i mbronte. Mbi të gjitha Qemal Stafa ishte Njeri.“Tek shkoja një ditë drejt fushës së Shtoit me një grup nxënësish, Qemali u shkëput nesh, e shkoi drejt një malësori, i cili rrinte mbështetur pas murit dhe kokë ulur po mendohej i dëshpëruar, dukej i sëmurë. Kur e pyeta mos e kishte njohur tha – jo. Malësori i kishte thënë, se jam i lodhur, po pres dikë.
Qemal Stafa qe tepër i ndershëm të pranonte diçka servile, hipokrite, kriminale. Ai që në moshën 15-vjeçare rrëfeu se kishte miratuar qëllime që shpien në një jetë sociale e të lumtur për njerëzimin.

Selim Shpuza tregon: “Kur një mësuesi jo shkodran, (Skënder Luarasit) filluan t’i vinin letra anonime se, po të mos hiqte dorë nga mësimet e tij, ia kishin për t’ia treguar qejfin. Qemal Stafa dhe shokët e tij dashamirës të mësuesit përparimtar, caktuan roje, si të thuash, që kur mësuesi dilte prej konviktit ta shikonin mos e sulmonin njerëz të ligj.
Mësuesi i gjuhës shqipe i Qemal Stafës, Skënder Luarasi, aq herët e njohu talentin e Qemal Stafës dhe aq fort i vlerësoi punimet e tij, sa ai i mblodhi, i ruajti, dhe jemi të gëzuar që i kemi këto gëzime të klasës së pestë.
“Shegerti i vogël”: Një nga hartimet e Qemalit, bërë si detyrë shtëpie më 1935 (caktuar nga Skënder Luarasi).Kemi të bëjmë me një tregimth me subjekt që dëshmon për talentin e hershëm letrar të Qemalit nxënës.
Pjesën më të madhe dhe më të mirën të hartimeve profesori i letërsisë S.Luarasi i dorëzoi në muzeumet e gjimnazeve e qyteteve të Tiranës,Vlorës,iShkodrës.

Mehmet Gëzhilli: Lahuta e Malësisë (Rilindja)
Por këto kujtime e mbresa do të ishin të mangëta pa u sjellë disa nga kujtimet dhe shënimet e profesorit të Qemalit, Skënder Luarasit.Hartime të Qemal Stafës në Gjimnazin e Shkodrës,klasa V,viti 1934-1935 gjenden në një fletore jo të madhe me format 22x33cm përgatitur faqe më faqe me shumë kujdes nga duart e profesor Skënder Luarasit (Literatura jonë, mars 1941) “Shegerti i vogël”,u shkrua kur Qemal Stafa ishte nxënës i klasës V-A në gjimnazin e shtetit në Shkodër gjatë vitit shkollor 1934-35.Këtë (dorëshkrim) na e dorëzoi ish-profesori i tij n’at kohë SkënderLuarasi

 

Deklarata e Qemal Stafës në hetuesi: “Përse më cilësojnë komunist”

Deklaratë

 

Elbasan, më 21.VII.1938.

 

I nëshkruemi Qemal Stafa, maturant i Gjimnazit shtetnuer të Tiranës, përshkruej si vijon, rrjedhimin e emnit komunist me të cilin më cilësojnë informatat zyrtare. I lindun në Elbasan në 1920 jam rritun në Shkodër ku kam vazhdue studimet në kolegjën e etënve Jezuitë për 8 (tetë) vjet. Në kohën e shtetëzimit të arsimit botor, u regjistrova në gjimnazin shtetënor të Shkodrës. I shikuem me sy të mirë nga profesorët, dhe tue pasun gjithëhere përfundime të pëlqyeshme, vazhdova rregullisht mësimet në atë institut që nga mbarimi i klasës III (tretë) gjer në mbarimin e klasit të gjashtë, d.m.th. gjer në fund të vitit shkollor 1935-36. Gjatë kësaj periudhe të fundit disa incidente të jetës shkollore shkaktojnë që të cilësohem si komunist. Incidentet janë këto:

Në vitin shkollor 1934-35, Ministria e Arsimit na çon si profesor të gjuhës shqipe, Prof. Skënder Luarasin, i cili këshillon disa nxënës që të hjekin festën e zezë, mbasi kjo ishte një shenjë e shpirtit oriental, dhe ta zëvendësojnë me kapelë, shenjë që diftonte se afroheshim në botën oksidentale. I nëshkruemi qe një nga ata që e përkrahën këtë mejtim dhe që u munduem të vihej në zbatim për të gjithë Gjimnazin e Shkodrës.

Por kjo frymë përparim-dashëse, nuk u pëlqente rretheve prapanike të qytetit të Shkodrës. Prandaj një kundër-lëvizje reaksionare fillon të shënohet në disa rrethe studenteske, të frymëzueme nga kleri katolik. Një valë shpifjesh dhe kërcënimesh të çdo lloji, u drejtohen atyre djemve që përkrahin zëvendësimin e festes me kapelë. Në fillim na quajtën afetarë. Më vonë ateistë. Në fund filluan të na paraqesin përpara opinionit publik si komunistë. Njëkohësisht Drejtorisë së Gjimnazit shtetënor të Shkodrës, i shkojnë në vesh këto zane, nga organet informonjëse të varuna prej saj. Prandaj zoti Anton Deda, drejtor i Gjimnazit e thërret të nënshkruemin (Qemal Stafën, shënim i im, D.K.) në zyrën e tij dhe e këshillon të largohet nga prof. Skënder Luarasi, i cili akuzohej për mendime komuniste.

I nënshkruemi i përgjigjet se nuk kam asnjë marrëdhënie jashtëshkollore me profesorin e lartë-përmendur. Në vitin shkollor 1935-36 u regjistrova në klasën VI (gjashtë) të gjimnazit të Shkodrës. Dukej se viti shkollor do të mbyllej pa asnjë incident. Por kjo ishte e vërtetë vetëm në dukje. Disa njerëz të shtymë nga një ambicie personale vazhdonin akuzat e tyre pranë drejtorisë së Gjimnazit dhe pranë institutesh të tjera. Çështja merr përpjesëtime të mëdha gjer sa zgjon interesimin e Ministrisë kompetente, e cila pyet në mënyrë rezervate Drejtorinë e Gjimnazit. Drejtori përgjigjet duke akuzuar të nënshkruemin si komunist. I nënshkruemi porsa merr vesh këtë veprim, paraqitet në Drejtori për me e kundërshtue këtë gjest dhe merr sigurinë nga titullari se raporti i dërguem në Ministri ishte në favor t’im. Atëherë isha 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjetësh.

Në korrikun e vitit 1936, bashkë me familjen time shkova me banim në Tiranë. Në fillim të vitit shkollor 1936-37 u regjistrova në Gjimnazin Shtetënor të Tiranës. Zoti Anton Deda tue mos harru mëninë personale kundrejt një djaloshi gjashtëmbëdhjetë vjeçar, dërgon një shkresë Drejtorisë së Gjimnazit të Tiranës tue më cilësuem si komunist, pa pasë asnjë dokument provues. Në vitin 1936-37 i nëshkruemi zgjidhet drejtor i degës letrare në shoqninë “Fryma e Re” të studentëve të gjimnazit të Tiranës. Drejtori i atëhershëm i gjimnazit z. Beniamin Dashi, për arsye që nuk u kuptuan, anuloi zgjedhjet e këshillës.

Edhe këtë herë i nënshkruemi akuzohet si komunist, megjithëse nuk ekziston asnjë dokument provues. Kur në Gjimnazin e Tiranës u dogjën regjistrat, drejtoria e atij Instituti, paraqet të nëshkruemin si të dyshimtë. Më vonë me zbulimin e fajtorit, u pa qartë se një nxënës që ka përfundime të pëlqyeshme në mësimet dhe sjellja e të cilit aprovohet nga të gjithë profesorët, nuk ka aspak nevojë të humbi gjurmët e përfundimeve të mundimit të tij, të shënuem në regjistrat e shkollës. I vetmi vit shkollor në të cilin nuk më është drejtuem akuza si komunist, asht viti 1937-38.

I pandehuni, Qemal Stafa (firma)

 

FRIDRIH SHILER

Nga Vilhelm Teli

 

ANTINGHAUSENI

 

A paska pasur aq guxim fshatari,

Me mjet të vet, pa ndihmë të bujarve?

Kur paska kaq besim në vetvete,

Nuk ka nevojë, jo, për forcën tonë;

Shkujdesur mund të zbresim ne në varr,

Duke menduar që fuqi të ra

Do rritin madhërinë e njerëzisë.

(Vë duart mbi krye të djalit, i cili qëndron

më gjunjë para tij.)

Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,

Liri e re më e mirë do blerojë;

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.

 

Nga kujtimet e Skënder Luarasit

 

” E vjetra shembet…”

Moti shkollor po mbaronte. Nxënësve të klasës së pestë, të cilëve në fillim u pata dhënë për të zhvilluar në klasë temën:“Si e kaloni ditën me shi”, më 19 qershor 1935 u dhashë për hartim dy vargjet e nxjerrë nga ‘’Vilhelm Teli’’ i Shilerit:

 

“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë

Një botë e re po lulëzon gërmadhash…”

 

Prej mënyrës qysh e zhvilluan temën nxënësit e kësaj klase kuptova mendimet e tyre për shoqërinë. Disa e trajtuan temën duke vënë në dukje përparimin teknik të botës gjatë shekujve, disa syresh duke shënuar zhvillimin moral e filozofik të njerëzimit, të tjerë, më të pakë në numër, theksuan ndryshimet politiko-sociale që sjellin revolucionet në luftë kundër së vjetrës.

Njëri sipas njohurive të fituara nga libri, përmendte shpikjen e shtypshkronjës prej Gutembergut, zbulimin e botës së re prej Kristofor Kolombit, gjetjen e ligjit të lëvizjes së planeteve prej Keplerit dhe shpikjen e teleskopit prej Galileut. I dyti shkruante mbi luftën e Martin Luterit kundër obskurantizmit të kishës katolike, për vlerën e kulturës e të arsimit dhe rolin që luante shkolla në lulëzimin e popujve të prapambetur. I treti, duke zgjeruar horizontin mbi ngjarjet e ditës,sillte shembuj nga përparimi i Turqisë së re, nga Japonia. Porse Qemal Stafa shkroi hartimin më të pasur në ide.

Studjuesi Nasho Jorgaqi, shkruan:

 

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

një jetë e re po lulëzon gërmadhash.

 

Është një nga hartimet e Qemalit, shkruar më 1935…Tema e hartimit u nxuar nga dy vargje të dramës ”Vilhelm Teli” të Frederik Shilerit, të përkthyera nga Prof.Skënder Luarasi që aso kohe jepte lëndën e letërsisë në klasën e Qemalit. Hartimi u lexua në klasë dhe bëri jehonë në mes të nxënësve të gjimnazit. Nxënësi 15-vjeçar u thirr në drejtorinë e shkollës dhe iu tërhoq vërejtja.

(U botua për herë të parë në gazetën ”Rinia”, 15 maj,1949. Qemal Stafa, ”Qortimet e vjeshtës”, 1969, Redaktor N.Jorgaqi, f. 85)

 

Në hartimin tjetër të Qemalit: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash’’ pedagogu e nxori në katedër Qemalin që ta lexonte para nxënësve, e vetë pedagogu e lexoi si shembull në klasat e tjera më të larta. Menjëherë punimi u bë objekt i drejtorisë.

(Gjimnazi i shtetit Shkodër (1922-1972),

 

VIJON