Kastriot Bezati” Sot 116-vjetori i nderimit të dijetarit Sami Frashëri

493
Sigal

Me rastin e 94-vjetorit të vdekjes së Rilindësit të madh

Sami Frashëri, dijetar i madh enciklopedist, emblema e diturisë së Shqipërisë

Eshtë autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që ai drejtoi në Turqi

          “Universalja nuk është gjë tjetër veçse lokalja pa mure”, – thotë poeti i madh portugez Miguel Targa.

Kastriot Bezati-historian

Në Shqipëri, më tepër se tek kushdo, universi rilindas mishërohet tek Tre Vëllezërit Frashëri. Sistemi filozofik dhe veprat e tyre atdhetare kapërcyen kufijtë kohorë dhe ata u bënë të pranishëm si pishtarë për çdo kohë në Shqipëri. Abdyli, Naimi dhe Samiu, sëbashku dhe veçmas, shkrinë në një të vetme tri detyrat themelore taktike që shtroheshin para vendit: së pari, shpëtimin e Atdheut nga gjymtimi territorial; së dyti, bashkimin e viseve shqiptare në një Vilajet Autonom; dhe së treti, lëvrimin e kulturës patriotike në shërbim të çlirimit të Shqipërisë. Të tre vëllezërit luftuan krah për krah njëri- tjetrit dhe secili prej tyre pati një fushë ku u shqua më tepër:kryesisht si politikan u dallua Abdyli, veçanërisht si poet  shndriti Naimi dhe më tepër si mendimtar e dijetar u lartësua Samiu. Nga një vend mund të dalin tri kolosë, por nga një familje deri më sot brenda apo jashtë Shqipërisë, nuk kanë lindur tre gjeni, siç është rasti unikal i Vëllezërve Frashëri.

Frashëri, ku u lindën Vëllezërit Frashëri

Frashëri, ku u lindën Vëllezërit Frashëri, e ka marrë emrin nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marrë emrin në fillim të shekullit XVII nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”. Frashëri ngrihet 1030 m mbi nivelin e detit, me hapësirë gjeografike 15.5 km2 dhe, në vitet 1431-32,  kishte 12 shtëpi, ndërsa në mesin e shekullit XIX, kishte 22 lagje me rreth 1500 banorë, ishte “një qytet i vogël malor”, shkruante Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Abdyl Frashëri, pas vdekjes së të atit më 1859, Halidit, që cilësohej nga atdhetarët halim, domethënë njeri i ditur, si dhe të nënës më 1861, Eminesë, e cila ishte stërmbesa e Iliaz bej Mirahorit, themeluesit në vitet 1494 – 1496  të qytetit të Korçës, më 1865 e transferoi krejt familjen, të 5 vëllezërit, Sherifin, Naimin, Samiun, Tahsimin dhe Mehmetin, si dhe 2 motrat, Nefisenë dhe Shahnishanë, nga Frashëri i Përmetit, në Janinë, qytet që e ka marrë emrin nga “Shën-Jani” në shek.V pas Krishtit, që zihet në gojë për herë të parë më 1081 nga Ana Komnena, por që mori shkëlqim dhe emër me Ali pashë Tepelenën (në vitet 1797 – 1822), shkruan Mit’hat Frashëri në kalendarin kombiar, Sofie, 1898. Vëllezërit Frashëri, edhe kur jetuan e punuan më pak në Janinë dhe më shumë në Stamboll, i mbajtën lidhjet me Frashërin dhe çdo gjë e bënë për lirinë e Shqipërisë.  “Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri/ Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu/ Dhe e treta – gjenerali, gjeneral poet Naimi/ Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi”, – shkruan poeti Dritëro Agolli.

Në rrugën e jetës së Samiut veçohen tri etapa të formimit të tij

Në rrugën e jetës së Samiut veçohen tri etapa të formimit të tij që koincidojnë me tri vendbanimet: foshnjëria – Frashëri, rinia – Janina dhe pjekuria – Stambolli. Mësimet e para  ashtu si dhe Abdyli e Naimi i mori  në Teqenë e Frashërit, ku baba, ishte atdhetari Baba Alushi. Më 1865, ose sipas një mendimi të dytë, më 1861, vendoset në Janinë, ku kreu gjimnazin grek “Zosimea”. Data e diplomës së Samiut është 14 korrik 1868. Punoi për pak kohë në Sekretariatin e Vilajetit të Janinës dhe, kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, – shkruan vetë Samiu në “Serveti Funun”, 1896. Më 1874 shkon në ishullin e Rodit si sekretar i prefektit të tokave osmane të Algjerisë. Largohet pas 5 muajsh nga kjo detyrë dhe kthehet në Janinë, ku punoi disa muaj si kryesekretar i “Komitetit Ushtarak të Shpëtimit Publik”, me kryetar Abedin Pashë Dinon nga Preveza. Më 1877 kthehet në Stamboll dhe, më 18 dhjetor 1877, zgjidhet anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit, që drejtohej nga i vëllai i tij i madh, Abdyl Frashëri, ndërsa më 12 tetor 1879 zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqipe”, formuar në shtëpinë e Abdyl Frashërit në lagjen “Pera” të Stambollit. Samiu më 1881 emërohet sekretar dhe më 1893 kryesekretar i Komisionit të Inspektimit Ushtarak, ku punoi deri në fund të jetës, më 1904. Gradën më të lartë të nëpunësit në hierarkinë osmane shtetërore, gradën “Ula Eveli”, e mori më 1895. Pas vitit 1899 edhe pse vazhdonte të  ishte me detyrë në Komisionin e Inspektimit Ushtarak, Samiut iu ndalua dalja nga shtëpia nga Pallati i Sulltanit.

          Eshtë autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që ai drejtoi në Turqi.

Midis 6 veprave që Samiu botoi në gjuhën shqipe, veçohet vepra madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, e cila u botua pa emër të autorit më 1899 në Bukuresht dhe pas botimit, u përkthye në greqisht nga Fan Noli dhe në turqisht nga Shahin Kolonja, që është dhëndri i Naim Frashërit. Me idetë e kësaj vepre do të jetojë dhe do të zhvillohet lëvizja çlirimtare shqiptare për të arritur në fitore, në lirinë dhe   në pavarësinë kombëtare më 1912. Kjo vepër nuk është vetëm kurora e mendimit shqiptar për shekullin e XIX. “Ky traktat është akti themelues i prozës klasike  dhe moderne shqiptare. Këtë libër, duke e lexuar sot, ne zbulojmë që Samiu është babai i prozës. Proza e Samiut është prozë poetike, prozë publicistike dhe prozë letrare e shkencore”, -shkruan poeti Xhevahir Spahiu në librin “Dritare”,Tiranë, 2016. Vepra madhore e Samiut në gjuhën turke është Fjalori Universal Enciklopedik i Gjeografisë dhe Historisë, “Kamus-ul-Alam”, në 6 vëllime, për të cilën ai punoi 16- vjet, me gjithsej 4830 faqe, botuar në vitet 1889 – 1898.  “Ky njeri, (Sami Frashëri – K.B), me veprat që ka nxjerrë në shesh, veçanërisht “Fjalorin e  Botës”,(në 6 volume), dhe “Fjalorin Turqisht – Turqisht, është një burim, një përmendore e madhe pune që të ngjall admirim dhe habi”, – shkruan personaliteti i letërsisë turke, shkrimtari Halid Zija Ushakligilit. “Dr.M.E.Rijali, – shkruan Xhevahir Spahiu, – në veprën e tij të botuar kohët e fundit në Teheran, pohon: “Dijetari më i madh i perandorisë Osmane dhe më i njohuri nga vendet europiane është Shemsedin Samiu. Samiu është, pa dyshim, një nga gjenitë e epokës së Tij”. “Shqipëria është një nga vendet më të bukura të Ballkanit”, ajo është e ndarë “në katër vilajete që janë: Vilajeti i Janinës, Manastirit, Kosovës dhe Shkodrës” dhe se “Qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë janë: Shkodra, Prizreni, Manastiri dhe Janina”, – thotë Sami Frashëri në veprën “Kamus-ul-Alam”, Kostandinopojë, 1889.  Shqipërinë, Sami Frashëri, “e përfytyron të pacunguar me një sipërfaqe prej 75 mijë km2”, – shkruan Zija Xholi në librin “Sami Frashëri”, viti 1978. “Duhet një orë e më parë të ndahet Shqipëria e të dihet që ku e gjer ku është”, – shkruan plot shqetësim për fatet e tokave shqiptare Sami Frashëri në gazetën “Zëdhënësi i Lindjes”.

Edhe sot, kombi shqiptar, ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë, është i vetmi komb në Europë, që është i prerë në disa pjesë mizorisht, që është i ndarë dhe i shpërndarë tragjikisht në disa shtete, që është tkurur në 28000 km2, ndaj historia ka kërkuar dhe kërkon bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe, askush, asnjë shtet apo grup shtetesh apo organizma ndërkombetare në Ballkan apo në Europë, nuk mund ta pengojë dhe nuk ka përse ta pengojë por t’i japin të drejtë dhe ta mbështesin kombin shqiptar të kryejë bashkimin kombëtar ashtu si e kanë kryer më parë gjatë ecurisë historike kombet e tjera të Europës.“Lipset t’i dëftejmë botës së qytetëruar cili është kombi shqiptar, cilat janë të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi dhe qysh pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e Veriut Kosova e nga an’ e Jugës Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisin e Ballkanit”, – shkruante Ismail Qemali më 10 mars 1918. “Njeriu është produkt i Atdheut dhe gjaku i njeriut i takon vetëm Atdheut”, – shkruante Samiu më 1880. “Një komb kaq trim e që s’e kursen gjakun, të humbasë duke u coptuar prej të tjerëve të dobët e të frikshëm! Mend kemi, trimëri kemi e të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, por të rrimë me duar lidhur. Kjo është më e keqia, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë, me padituritë e të verbërve të vetë?!”. Kjo ishte e papranueshme dhe revoltuese për Sami Frashërin, ndaj dhe ai më 1899 do të shkruajë: “Shpëtimi a humbja e shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve”.

          Samiu mori pjesë aktive në LSHP-it.

“Qëllimi i Lidhjes Shqiptare, – ka shkruar Samiu, – është të sigurohet e sotmja  dhe e ardhmja e Shqipërisë” dhe se “Masa e parë që duhet të merret lidhur me këtë, është bashkimi i Shqipërisë në një Vilajet, duke e ndarë atë nga grekët e sllavët”, – shkruante Samiu më 27 qershor 1878, ndërsa gati dy muaj më vonë, më 15 gusht 1878, ai shkruante te “Zëdhënësi i Lindjes”: “Shqiptarët  të bashkuar si një trup i vetëm, kanë marrë masa për sigurimin e mbrojtjen e Atdheut të tyre nga sulmet e sllavëve e të grekëve. Për këtë qëllim ata mbajtën një Kuvënd të Përgjithshëm në Prizren, i dhanë besën njëri – tjetrit dhe  formuan Lidhjen”. “Lidhja e Prizrenit pa nevojë të bashkonjë Shqipërin’ e t’ë bënjë një me Otonomi, a mbase me çkëputje (indipendencë) fare, pas punës ….”, i shkruante Sami Frashëri më 20 shkurt (4 mars – stil i ri) Jeronim De Radës. “Në do të korrësh mbas një viti, mbill grurë, ndërsa në do të korrësh mbas një shekulli, ndërto shkolla”, – ka thënë Sami Frashëri. Rol me rëndësi në përhapjen e arsimit dhe të diturisë në gjuhën shqipe me anën e librit, gazetës dhe shkollës luajti “Shoqëria e  të  Shtypuri Shkronja Shqip”, – kryetari  së cilës ishte Sami Frashëri. Në këtë shoqëri u futën edhe rilindasit tanë të shquar, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vretua, Koto Hoxhi, Seid Toptani, Pandeli Sotiri, Zija Prishtina. Nga 28 anëtarët themelues të kësaj shoqërie 11 ishin nga treva e Përmetit. “Në këtë shoqëri u ndodhën më të diturit e më të mirët që kishte kombi shqiptar”, – shkruhej më vonë në gazetën “Drita”, 21 nëntor 1903. “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla në të  cilën të mësohet shqipja”, – do të shkruajë Sami Frashëri dhjetë vite më vonë pas formimit të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip” në veprën madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, botuar në Rumani.

Po në këtë vepër manifest për shqiptarët, Samiu shkruante: “Shqiptarëve me hir Turqia s’u ka dhënë gjë. Shqiptarët duhet t’i marrënë ato që duanë me pahir: t’i kërkojnë me fjalë, po të ken’ edhe pushkën plot .” Dhe po në këtë veper Samiu shkruan: “Turqia as mund të rronjë paskëtaj, as di, as do të rronjë, edhe as duhet të rronjë”.

Për kulturë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare Samiu i derdhi mendimet edhe në revistat e gazetat që ai drejtoi, sidomos tek gazeta “Terxhumani Shark”, që u bë organi legal i LSHP. “Gjënë e tjetrit s’e duam, gjënë tonë s’e lëmë”, – ka thënë Sami Frashëri. Idetë e tij se “patriotizmi tregon vlerën e njeriu” se “bashkimi i ideve është më i fortë se ai i kombeve” se “tirania më e tmershme është ajo që ushtrohet mbi idetë” se “kombësia dhe  atdheu janë të shënjta për çdo njeri”, – ishin thirrje për shqiptarët që ata të ecnin drejt lirisë e pavarësisë së Shqipërisë.  “Njeriu është një flakë e natyrës për të ndritur jo vetëm veten, por më tepër për njerëzimin”, – thotë Samiu. “Qytetaria e  Europës, – vazhdon më tej Samiu, – qytetaria pa anë e fund, e cila çdo ditë po shtohet e po përhapet edhe shpejt a vonë një ditë do të mbulojë gjithë dhenë e të ndritojë gjithë kombet e dheut!”. Samiu kishte gjithnjë mendime te reja, të cilat shpeshherë i kapërcenin kufijtë  e epokës”, -thuhet në “Islam Ansiklopedisi”, Istanbul, 1968. Nga të katër anët e botës në gjuhë të ndryshme i vinin letra. “Postierët për Samiun thoshin se ishte njeriu që merrte më shumë letra n’atë kohë  në Stamboll”, – shkruan studiuesi kosovar Niazi Sulçe, më 1960 në gazetën “Dielli”.

          Samiu ishte i pashëm, me shtat të lartë.

Samiu në Stamboll u njoh dhe u martua me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje nga paria e Stambollit. U martua kur ishte 34 vjeç, më 1884. Me Eminenë bashkëjetoi 10 -vjet dhe pati katër fëmijë: Samijen, Sadiun, Sadijen dhe Ali Samiun. Me vdekjen e Eminesë, më 1894, pas një viti, më 1895, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin, vajzën e Ibrahim Pashës nga Laçenjtë e Frashërit, me të cilën pati një djalë, Skënderin.  Samija, u martua me Rashid Mansur Ererin. La dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me të unë jam takuar dhe kam biseduar në Frashër tri herë: më 09.09.1973, kur punoja për ngritjen e Shtëpisë së Vëllezërve Frashëri, më 16.06.1974, kur u përurua muzeu “Vëllezërit Frashëri” dhe më 09.06.1978, kur arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u nis nga Frashëri për në Tiranë. Sadiu u nda nga jeta i ri. Sadija u martua me Subi Neshatin, Ali Samiu me Fahrijen dhe Skënderi me Sabihan. Ali Samiu ishte presidenti i parë i klubit sportiv të Gallatasarajt, prandaj dhe stadiumit të futbollit të Gallatasarajt iu dha emri “Ali Sami Jen”. Sami Frashëri në momentet e fundit të jetës, para se të mbyllte sytë, shqiptoi fjalën: “Shqipëri!”. Ai u nda   nga  jeta më 18 qershor 1904. Ishte ditë e shtunë. E shtunë ishte edhe kur u nda nga jeta Abdyli, 23 tetori i 1892-shit. E shtunë ishte edhe kur u nda nga jeta Naim Frashëri, 20 tetori i vitit 1900. U varros në varrezat publike të Feriqojt, kundrejt xhamisë Sahrai Gedite, të Stambollit. Mbi pllakën e varrit u gdhend një libër i hapur si dhe një pendë. Kuptimplote. Një libër i hapur është në çdo kohë për shqiptarët Samiu i Madh. Koha kërkon që të sillen e të prehen në Shqipëri edhe eshtrat e Sami Frashërit, ashtu si u sollën më 2 qershor 1937, eshtrat e Naim Frashërit dhe më 19 mars 1978, eshtrat e Abdyl Frashërit.

Vëllezërit Frashëri tek bashkimi i shqiptarëve shikonin bërjen e Shqipërisë. Atë që tha si filozof Samiu se “Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorë të shqiptarëve”, Abdyli e tha si burrë shteti: “Të jemi të gjithë shqiptarë e të formojmë një Shqipëri të Bashkuar”, ndërsa Naimi e tha si poet: “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar” dhe “Po të jemi të bashkuar është e bërë Shqipëria”.