Kujtimet e ish-drejtuesit të Radio Tirana, Todo Bojdani: Prishja e marrëdhënieve jugosllavo shqiptare dhe gatishmëria e ushtrisë

18

Si u arrestua Koçi Xoxe në kinema “Morava” pas Plenumit të KQPPSH

Sigal

Më 1 nëntor 1947, u bë për herë të parë një transmetim i inçizuar me magnetofon i fjalimit të Koçi Xoxes

 

Albert Z. Zholi& Sulejman Basha

Më 4 tetor 1947, u mbajt Konferenca e Radiofuzionit Jugosllav në Arangjellovac, në afërsi të Beogradit. Në këtë konferencë morën pjesë drejtues të radiodifuzioneve kryesore të Jugosllavisë, organizuar nga Radio-Komiteti i RPF të Jugosllavisë. Në këtë Konferencë mori pjesë edhe Todo Bojdani si pjesë e delegacionit. Kjo konferencë kishte rëndësi të madhe për Radiodifuzionin Shqiptar, por pavarësisht qëllimeve aneksioniste, që ata kishin, u rrit cilësia e transmetimit në Shqipëri. Po në këtë periudhë, i paftuar, erdhi në Shqipëri një anëtar i Radiodifuzionit Jugosllav, Zdenko Rusiç, i cili bëri që të ndërhyhej prej palës jugosllave në transmetimet dhe emisionet e Radio-Tiranës, të cilat patën një përmbytje prej propagandës jugosllave, që vazhdoi deri nga qershori i vitit 1948. Ja historia e këtyre viteve sipas Todo Bojdanit…

Transmetimi i fjalimit të Koçi Xoxes

Më 1 nëntor 1947, u bë për herë të parë një transmetim i inçizuar me magnetofon i fjalimit të Koçi Xoxes. Ky magnetofon ishte i tipit AEG, plaçkë lufte e mbetur nga ushtria gjermane. Ai kishte një peshë të rëndë dhe nuk ishte shumë praktik për lëvizje radiofonike, por megjithatë, ai u shërbeu më së miri transmetimeve të ndryshme. Në fund të vitit 1947, u evidentua një bordero e gjetur në arkivë, ku vihej në dukje një listë e gjatë emrash që fillonte me drejtorin Petro Kito dhe nëndrejtor Findia Veizin, që zëvendësoi Alqi Kriston, dhe vazhdon më poshtë me Todo Bojdanin, Xhafer Zavalanin, Kaliopi Prifti etj. Findia Veizi, si nëndrejtor, do të njihej për së afërmi me Todon dhe me kalimin e kohës do të vazhdonin të ishin jo vetëm shokë pune, por do afroheshin e do duheshin gati si vëllezër. Findia ishte komunist i vitit 1943, kështu që përputheshin edhe në idealin e tyre komunist e kombëtar. Findia do të bënte vizita familjare bashkë me të shoqen në shtëpinë e Todos, në raste festash, ditëlindjesh e vit të ri. Të dy gratë e shokëve u bënë shoqe të afërta, sepse përputheshin në moshë, ngaqë kishin të njëjtën datëlindje, 1928. Gruaja e Findias shpreh konsiderata të larta për Teftën, se: “Ajo ishte një grua zonjë”, ndërsa për Todon thotë se:  “Ishte një burrë i rrallë”; ndërsa për burrin e saj, Findian, thotë se: “Ishte njeri i lidhur shumë me familjen.” Findia, më vonë do të vazhdonte Institutin e Lartë Histori-Gjeografi, pa shkëputje nga puna. Në qershor të vitit 1948, Todoja do të shkonte në Beograd në përbërje të një delegacioni qeveritar dhe do rrinte atje 20 ditë.

– Më 1 korrik 1948, u botua komunikata e Inform-Byrosë të Partive Komuniste, ku dënohej tradhtia e P.K.Jugosllave dhe nga Radio-Tirana u hoqën emisionet, që kishin të bënin me Jugosllavinë

“Në parapërgatitjen e Kongresit I të Partisë, gjatë transmetimit, u shkaktua një defect, që krijonte ndërprerje të zërit herë pas here.

-Todoja, Spiro Qirko dhe Meti e lokalizuan defektin shumë shpejt. Gjithsesi nuk mund të ndërhyhej për riparimin e defektit, ndërsa kongresi vazhdonte punimet.

Por erdhi dhe dita e keqe

Më 1 korrik 1948, u botua komunikata e Inform-Byrosë të Partive Komuniste, ku dënohej tradhtia e P.K.Jugosllave dhe nga Radio-Tirana u hoqën emisionet që kishin të bënin me Jugosllavinë.

Prishja e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare dhe pasojat

“Në parapërgatitjen e Kongresit I të Partisë, tregon Met Huta, ish-punonjës teknik në Radio-Tirana, ishin bërë me kohë instalimet e aparaturave të transmetimit, por në kohën e zhvillimit të mbledhjes, gjatë transmetimit, u shkaktua një defekt që krijonte ndërprerje të zërit herë pas here. Todoja, Spiro Qirko dhe Meti e lokalizuan defektin shumë shpejt. Gjithsesi nuk mund të ndërhyhej për riparimin e defektit, ndërsa kongresi vazhdonte punimet. Nuk mund të bëhej zgjidhje tjetër, veç të mos lejohej asnjë njeri të kalonte në atë zonë. Mirëpo, pas pak shikojmë Mehmet Shehun që vinte i egërsuar dhe me tërsëllimë: “Çfarë bëni kështu! Ndërpritet zëri herë pas here!” Ndërsa pa Todon që ishte në dhomën e Radios, iu drejtua: “Pse s’thua, që ne i paskemi trockistët brenda!” Dhe ndërkohë ishte duke ecur me shpejtësi drejt zonës së ndaluar. Por Todoja, duke parë që Mehmeti po ecte në drejtim për te vendi ku do sillte ndërprerjen e zërit në sallë, i doli përpara dhe i tha me një ton të prerë: “Ndal, mos kalo atje!” Pavarësisht nga kjo, ai u largua i nevrikosur. Ne, shokët e Todos, mbetëm të habitur. Folëm me njëri-tjetrin për këtë ngjarje të pazakontë, por që mund të sillte pasoja të rënda. Qëndruam tërë kohës të merakosur. Ishim të frikësuar për Todon, por edhe për veten tonë. E dinim që nga Mehmeti çfarë nuk mund të prisje! Ndërkohë, shikonim të habitur Todon, i cili rrinte shumë i qetë. Asnjë shenjë frikësimi nuk dallohej te ai, ndonëse i kishte folur rreptë njeriut më të fuqishëm të kohës dhe shqiptarit më të egër që ishte në pushtet.”

Po në vitin 1948 do mblidhej Komiteti Qendror për të analizuar punën e dëmshme të Koçi Xoxes.

Koçi, shoku më i afërt dhe i besuar i Enverit, ishte vënë në shenjestër. Vilat i kishin afër e afër të dy në Bllok, dhe drekën e hanin bashkë; mbasditeve bënin xhiro në lulishten e përbashkët. Të gjitha vendimet i kishin marrë duke u konsultuar bashkë, përpara se t’i diskutonin në Qeveri apo në Parti. Koçit nuk i besohej se çfarë po ndodhte. Plot besim se korçarët e dinin punën dhe kontributin e tij gjatë luftës, kërkoi që mbledhja e Komitetit Qendror të bëhej në Korçë. Kështu që pleniumi bëhet në kinema “Morava” nën masa të rrepta sigurie. Todoja shkon në Korçë dhe së bashku me shokun e tij, Guri Cikon, që ishte teknik te Radio-Korça, vendosin në punë qendrën e zërit. Salla ishte mbushur dhe Koçi erdhi në Korçë me makinën e tij ZIL. Ishte veç fillimi i dënimeve të drejtuesve dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se ç’mund të ndodhte. Të gjithë e dinin që do kishte kritika të forta, por a do ta shkarkonin vallë Koçin? Në një moment Todoja u gjet përballë Koçit. Në të njëjtën godinë kanë qenë në Vithkuq, Bakull dhe Odriçan. Koçi, ashtu si Enveri, Baca, Miladini, etj, vinin te dhoma e radios sa herë kishte lajme. Todoja, me njerëzillëkun e tij, por edhe me cilësinë e guximit që “nuk i bënte syri tërr”, pa frikë se do të përflitej nga të tjerët, jo vetëm e përshëndeti, por i foli dhe u takua me të. Koçi vetëm e vështroi, nuk i dilte fjalë nga goja, fytyra e tij shprehte një pikëllim të madh. Todoja largohet për në Tiranë dhe në sallë ishin vetëm anëtarët e pleniumit, ndërsa në ambientet ndihmëse qëndruan vetëm dy persona: Guri Ciko dhe një person që bënte kafetë. Koçi Xoxen e arrestuan, porsa doli nga salla e pleniumit. Makina ZIL që e kishte sjellë, tani kthehej në Tiranë me Liri Belishovën. Nuk kishte asnjë korçar në sheshin para kinemasë “Morava”. Mbas shpalljes së Rezolucionit të Informbyrosë dhe prishjes me Jugosllavinë, ndryshoi raporti në të gjitha drejtimet, njerëzore dhe shtetërore mes të dy vendeve. Filluan të ndryshojnë qëndrimet ndaj jugosllavëve në mënyrë gjysmë të kamufluar, ndaj qeverisë dhe udhëheqjes së saj. U kthye nga porti i Durrësit, pa u shkarkuar, radiostacioni me valë të mesme me fuqi 20 kë, që qeveria jonë e kishte blerë në Francë, nëpërmjet Jugosllavisë. Autoritetet jugosllave e ndaluan shkarkimin e tij, duke ia ndryshuar drejtimin në Rijeka, për ta mbajtur për vete.  Në këtë vit, ishte një kohë e afmosferë lufte politike mjaft e nderë me Jugosllavinë. Çdo gabim, shprehje, ose shfaqje mendimi që nuk përputhej me situatën, të krijonte probleme. Një diçka e tillë i ndodhi në radio Veip Demit me shokë. Në këtë rast, Findia Veizi, i kishte dalë trimërisht në mbrojtje dhe për këtë arsye, atij po i kanosej një ndëshkim i rëndë, por me ndihmën e Josif Pashkos, që e njihte mirë, i bënë vetëm një vërejtje në kartën e regjistrimit.

– Po në vitin 1948 do mblidhej Komiteti Qendror për të analizuar punën e dëmshme të Koçi Xoxes.

-Koçi, shoku më i afërt dhe i besuar i Enverit, ishte vënë në shënjestër.

-Vilat i kishin afër e afër të dy në Bllok, dhe drekën e hanin bashkë; mbasditeve bënin xhiro në lulishten e përbashkët.

Në mesin e vitit 1948, Radio-Tirana kishte një ambient të konsiderueshëm për aktivitetin e saj, ku mjediset fillonin nga salla ku ndodhej mikrofoni e deri tek vendi i lidhjeve të antenave transmetuese. Në sallën e emisionit gjëndeshin dy mikrofona, një mbi tavolinën e spikeres dhe tjetri më larg saj, në sallë. Salla e teknikës kishte, përveç amplifikatorit, dhe dy gramafona specialë, ku vendoseshin disqet. Pastaj vazhdohej me stacionin transmetues, antenën transmetuese, që të krijonin idenë se si funksiononte Radio-Tirana nga ana profesionale. Disa pjesëtarë të rubrikave, bënin disa sugjerime të karakterit artistiko-teknik, siç ishte mendimi që gjestet e tyre në një emision teatral, të shoqëroheshin me ondulacione të ndryshme të zërit, me shprehje të folurash, me kumbime tingujsh e zhurmash artistike, etj.

Kongresi I i Partisë 

Në nëntor të vitit 1948, u zhvillua Kongresi I i Partisë, që do të përcaktonte të gjithë ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri. Me këtë Kongres merr fund ilegaliteti i Partisë dhe çdo gjë del haptas. Po në nëntor të këtij viti, do të mbahej Konfereca e OIR-it që u zhvillua në Kopenhagë, ku u caktuan dhe u zgjidhën përfundimisht valët e mesme e të gjata për vendet e zonës Evropiane. Në fund të kësaj konference, u miratua konventa dhe plani i ndarjes së valëve, i njohur me emrin “Plani i Kopenhagës”, që do të hynte në fuqi, më vonë, më 15 mars 1950. Sipas këtij plani, vendit tonë iu caktuan 4 frekuenca (valë) për t’u përdorur nga stacionet që do të ngriheshin në të ardhmen. Në Korçë e Shkodër parashikohej një stacion me fuqi 10 kë, me frekuencë 1088 Khz (vala 275m), në Tiranë një stacion me fuqi 100 kë, me frekuencë 1358KHz (vala 220,9m) dhe në Gjirokastër një stacion me fuqi 5 kë, me frekuencë 1430 KHz (vala 209m.). Po ashtu vendi ynë mund të ngrinte dhe stacione të tjera me fuqi 0,25-2 kë. me frekuencë 1484 KHz (vala 202). Në këtë mënyrë kjo konferencë krijoi kushtet edhe për vendin tonë që të ngriheshin stacione, pa pasur shqetësime (zhurmime) nga njëri-tjetri. Deri në fund të vitit 1948, pavarësisht nga pritshmëritë e mësipërme, Radio-Tirana vazhdonte akoma transmetimet me radiostacionin 1 KË, me cilësinë e pafuqishme, që linte për të dëshiruar. Më 2 janar 1949, drejtoria e Radio-Tiranës u drejtohej institucioneve të larta të shtetit me këtë përmbajtje: “Qeveria jonë ka porositur në Bashkimin Sovjetik një radiostacion me valë të mesme me fuqi 60 KË, prandaj i kërkojmë asaj Ministrie (Mbrojtjes), të na sigurojë hartat e rrethit të Tiranës që do t’iu duhen inxhinierëve sovjetikë për montimin e antenës së këtij radiostacioni”.(A.Q.)  Më 9 prill 1949, u nënshkrua një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik për dërgimin e dy inxhinierëve specialistë sovjetikë për të përcaktuar ngritjen e radiostacionit të Radio-Tiranës. Radio-Tirana akoma vuante mungesën e aparateve të reja teknike e aq më tepër, kur pritej të ngrihej ky radiostacion i fuqishëm. Numri i aparateve teknike që ishin caktuar për import, ishte i vogël, ndërkohë kur numri i aparateve që amortizoheshin dhe dilnin jashtë funksionit, ishte më i madh. Gjithashtu edhe kuadri teknik ishte i pakët e duhej rritur.  Në muajin prill të vitit 1949, Todoja zgjidhet sekretar i organizatës së Partisë të Radio-Tiranës, detyrë të cilën e ka mbajtur deri kur shkoi me një detyrë tjetër. Në maj të vitit 1949, për cilësi organizative, për zotësi profesionale, për merita të luftës e të punës, Todo Bojdani u zgjodh kandidat i Komitetit të Partisë të Qytetit të Tiranës, deri në nëntor të këtij viti, kohë në të cilën u bë riorganizimi, ku Komiteti i Partisë së qytetit u shkri me atë të rrethit.

-Nuk mund të bëhej zgjidhje tjetër, veç të mos lejohej asnjë njeri të kalonte në atë zonë.

– Mehmet Shehu i egërsuar dhe me tërsëllimë: “Çfarë bëni kështu? Ndërpritet zëri herë pas here!” “Pse s’thua, që ne i paskemi trockistët brenda!”

Vdekja aksidentale e Ilo Bojdanit     

Në korrik 1949, nga Bashkimi Sovjetik vjen lajmi i vdekjes së Ilo Bojdanit, që ndodhej atje për studime. Sipas një vërtetimi të lëshuar nga Komiteti i Partisë të Rrethit të Korçës, më vonë nga vdekja, thuhet se: “Ish-anëtari i partisë Ilo Jovan Bojdani, nga katundi Drenovë i rrethit Korçë, ka qenë student dhe është mbytur në kohën kur po laheshin në lumin e Moskës, më 18 korrik 1949.”  Në B.S. bashkë me Ilon për studime, ishte edhe motra e Pandit dhe Elpi Manços, e cila, kur u kthye prej andej në Shqipëri, e tregon vdekjen e Ilos me lot në sy duke qarë. Ajo qante vazhdimisht. Nuk dimë më shumë për rrethanat e mbytjes së tij atje. Dënesa e motrës së Elpit, përveç dhimbjes për vdekjen e Ilos, ndoshta ishte edhe një shprehje e ndonjë ndjenje të heshtur, që mund të ketë ekzistuar midis tyre…Dy shokë të Ilos, që kishin qenë me të për studime në B.S., kur vijnë në Shqipëri, takojnë të vëllain, Zisin, dhe i thonë se do të vijmë për ngushëllim. Por ai, për të mos shqetësuar Mamon, rregulloi një dhomë tek shtëpia e tij për të pritur ngushëllimet. Gjatë vizitës, të dy djemtë, pasi bëjnë ngushëllimet e rastit, shprehen si me duf: “Na e vranë Ilon”. Zisi, nga kjo e papritur, uli sytë poshtë e nuk foli. Ndoshta vdekja e Ilos ka qenë e qëllimshme, mund të ketë dhe ndonjë arsye tjetër që e shton këtë dyshim, siç është qarja e vazhdueshme e motrës së Elpit, e cila, përveç ndjenjës, duhej të dinte diçka më shumë. Dyshimi ngelet, pavarësisht se në shkresën e ardhur sqarohej vdekja e Ilos duke theksuar se: “u mbyt”. Dyshimi të çon edhe për faktin se Iloja ka qenë në grupin komunist ku ishte edhe Koçi Xoxe, ndoshta në kuadrin e dënimit të Koçit, e kanë piketuar edhe Ilon si shok të afërt e bashkëpunëtor të mëvonshëm. Dihej se Koçi ishte personi kryesor që firmoste për dërgimin e studentëve jashtë shtetit.