Xhevat Zenjelaj: Ja 40 luftëtarët e Karbunarës në Luftën e Vlorës

689
Sigal

Kaloi një shekull dhe ende nuk është bërë ajo që meritojnë martirët e fshatit heroik

Ja cilët ishin 40 luftëtarët e KARBUNARIT  NË LUFTËN E VLORËS – 1920

Nga: Xhevat Zenjelaj

Atdheu ynë, historikisht ka rënkuar nën zgjedhën e pushtuesve të ndryshëm, apo edhe fqinjëve të pabesë me synimet e tyre ogurzeza. Kështu ndodhi me ne në Luftën e Parë Botërore. Edhe pasi kjo u deklarua e përfunduar dhe fuqitë ushtarake si Franca e Austria, i larguan nga vendi ynë trupat ushtarake, imperializmi italian dhe grekët e Megaliidhesë, nënshkruan më 29 korrik 1919, traktatin Tittoni-Venizellos. Me këtë kërkonin copëtimin e mëtejshëm të vendit tonë, duke aneksuar rajonin Vlorë, Sazan e Tepelenë nga Italia dhe pjesën tjetër të jugut, nga Qafa e Llogorasë me gjithë Gjirokastër, Përmet e më tej nga Greqia. Po ashtu, edhe lakmitë e fqinjëve veriorë, pa përmendur këtu edhe trazirat e brendshme të Haxhi Qamilit apo Esat Toptanit, që ishin një problem më vete atë periudhë lufte e agonie për ekzistencë.

Dihet se italianët tërhoqën nga vendi ynë pjesën më të madhe të trupave të tyre, por mbajtën të pushtuar rajonin Vlorë–Tepelenë, duke lënë në çdo pikë strategjike të tij garnizone ushtarako-policore të mirë përforcuara. Kështu, përveç Vlorës dhe Sazanit, të tilla kishin në Tepelenë, Matohasanaj, Kotë, Gjorm, Selenicë, Drashovicë, Risili, Llogora, Zvërnec etj. Kjo situatë ishte e padurueshme për mbarë popullin e krahinës e më gjerë. Në këto kushte, pas Kongresit të Lushnjës, patriotët vlonjate që morën pjesë në të, si Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Myqerem Hamzaraj e Dhimitër Qypi, nën drejtimin e të madhit Osman Haxhiu, organizuan Mbledhjen e Armenit më 23–24 shkurt 1920, që ishte preludi asaj të Barçallasë dhe të Beunit, si momente kyçe. Aty u analizua gjendja dhe u përcaktuan hapat e mëtejshëm në organizimin e kryengritjes së armatosur. Konform detyrave të përcaktuara, filluan takimet e patriotëve dhe veprimtarëve të ndryshëm me popullin e çdo fshati në tërë Labërinë, si në zonat malore, në Topallti, në qytetin e Vlorës, në zonën e Tepelenës ashtu edhe në atë të Mallakastrës e më gjerë. Edhe në fshatin tonë që vuajti 3-4 vjet nën çizmen e pushtuesve, erdhi vet Osman Haxhiu dhe njëzëri mori premtimin se: “Karbunarin do ta ketë fshatçe aty ku dhe kur ta quajë të nevojshme udhëheqja e kësaj lufte”.

Kur erdhi momenti i duhur, ky fshat me afro 50 shtëpi, organizoi çetën e tij me komandant, trimin dhe të urtin, Sherif Cenaj. Ishte ky Sherif që, më 29 maj 1920 pasi mori sinjalin sekret: «Të gjithë pleqësia e parësia e fshatrave të mblidhen në mal të Tragjasit, te burimi, në sheshe të Barçallasë.” (Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”, Tiranë, 2002, faqe 139)., hipur në kalin e tij udhëtoi gjatë, më shumë natën se sa ditën, arriti e mori pjesë në atë Kuvend së bashku me 200 burrat patriotë, përfaqësues të fshatrave të mbledhur nga të katër anët e krahinës e më tej.“Kjo mbledhje qe një shembull pjekurie e dinjiteti dhe gjithsecili tregoi se ish i mësuar me  rregullat e një kuvendi, fliste me ngadalë e shquar, paanësisht, me gjak të ftohtë, pa e ngritur zërin më tepër se ç’duhet për tu dëgjuar prej të gjithëve dhe pa fyer e përbuzur njeri. Shumë parlamente në botë mund të marrin shembull prej këtij Parlamenti të Labërisë ndër malet e Barçallasë,  ku u dha ky vendim: Kundërshtim armikut dhe me armë dhe gjer në shuarje e shfarosje të njërës palë, në qoftë se nuk do të lironte vetë e me të mirë vendin e zaptuar pa asnjë të drejtë. Pastaj secili bëri betimin në Kuran: “më thertë me gjithë ç’kam” e më pastaj në armë: “më vraftë, më marrtë në zemër…”(Ago Aga, faqe 140-141). Ky kuvend zgjodhi KOMITETIN E MBROJTJES KOMBËTARE, që shkurtimisht quhej KOMISIONI, i cili përbëhej prej 12 vetësh: Kryetar i Komisionit u zgjodh Osman Haxhiu(Armen), anëtarë Duro Shaska (Kocul), Ali Beqiri (Velçë), Alem Mehmedi (Tragjas), Qazim Koculi (Kocul), Qazim Kokoshi (Vlorë), Beqir Sulo (Vlorë), Ahmed Agalliu (Vlorë),Hamit Selmani (Dukat),Hysni Shehu (Kudhës-Sevaster), Myqerem Hamzaraj (Kaninë), Murat Tërbaçi (Tërbaç) dhe Sali Bedini (Armen). Komisioni caktoi si Komandant të Përgjithshëm të trupave vullnetare major Ahmed Lepenicën (Lepenicë) dhe Komisar të Përgjithshëm të Policisë, Shero Emin Agaj (Ramicë). Me tu kthyer nga Kuvendi i Barçallasë, Sherifi, Nuh Dervishi, si kryeplak me Dervish Mehmetin, Gjysh Selimin Nazo Fakonetë tjerë mblodhën fshatin dhe ura dakord të organizohej një çetë, ku, të merrte pjesë të paktën «nga një pushkë për derë», por, duke bërë kujdes të mënjanoheshin ata që ishin të vetëm apo me moshë fare të re.

Me radhë u shkruan vullnetarët dhe në përfundim të mbledhjes u ngrit formacioni luftarak i fshatit. Sipas Maket-historikut të fshatit dhe arkivit të Muzeut Historik të Vlorës, çeta kishte këtë përbërje:

1.SherifCenaj– komandant

2.Muhamet Cenaj– anëtar

3.Shefit Xhafaj

4.Gjysh Kapaj

5.Shefit Kapaj

6.Dule Zanaj

7.Brahim Zotaj

8.Pasho Lamaj

9.Luto Dervishaj

10.Mersin Xhafaj

11.Selfo Xhelaj

12.Arif Haxhiraj

13.Sabri Veizaj

14.Hamit Danaj

15.Veli Fakaj

16.Sheme Bilaj

17.Hasim Caushaj

18.Hysen Caushaj

19.Nexhip Bendaj

20.Dervish Hodaj

21.Qazim Meçaj

22.Brahim Avdulaj

23.Ago Birçaj

24.Qamil Zenjelaj

25.Lelo Bilaj

26.Mersin Fejzo Memeti

27.Refat Bazaj

28.Muharrem Hysenaj

29.Telo Manaj

30.Meto Kasaj

31.Avdul Avdulaj

32.Ismail Dervishaj

33.Mehmet Selman Zanaj

34.DinoHysaj,

35.Meço Bejaj

36.Azbi Lutaj

37.Kasëm Cenaj

38.Qatip Cenaj

39.Myrto Dervishaj

40.Faslli Fakaj.»

 

U bënë mjaft përpjekje dhe ky formacion u pajis me armë, e çfarë mundi, si dhe ushqim për disa ditë. Nuk vonoi dhe KOMISIONI dërgoi urdhër, që më datën 2 qershor, të gjitha çetat të mblidhen në Beun, pranë Rrapit të Gurrave, në Velçë. Aty, në bazë të planit të hartuar u bë grupimi i çetave mbi bazë zone. U krijuan 5 grupime çetash, që kishin efektivin gati të një batalioni, e u emërtuan sipas zonave përkatëse. Grupi i çetave të komunës së Treblovës, ku bënin pjesë çeta e Karbunarit me komandant Sherif Cenon, e Armenit me Fejzo Islamin, e Rromësit, me Mehmet Musain, e Treblovës me Hakim Musarajn, e Koculit me Lilo Hakanin, e Mavrovës, me Isuf Rustemin, e Mallkeqit me Mehmet Selmanin e Kropishtit që u quajt “Çeta e Fëngut”. Komandant të këtij formacioni, KOMISIONI caktoi Muço Aliun nga Koculi. Pra, më datën 3, Komisioni pasi i dërgoi Ultimatumin e famshëm Komandës Italiane në Vlorë me trimin Mehmet Selim Mallkeqi, u mor me organizimin, rreshtimin organik dhe përcaktimin e detyrave luftarake për çdo grup çetash vullnetare. Bazuar në përshkrimin autentik të Ago Agajt në librin e tij «Lufta e Vlorës», ribotim, Toena 2002, faqe 156-157, plani i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare ishte: “… Çeta e Fëngut ose (e Treblovës) do të rrethonte Kalanë e Matohasane (jashtë qarkut të Vlorës dhe rreth i Tepelenës) dhe fuqi të pakta të kësaj çete do të asgjësonin garnizonin armik të Selenicës dhe do të siguronin urën e Drashovicës, që të mos vinte ndonjë ndihmë prej Vlore për në Kotë.”Nga momenti i kthimit të përgjigjes negative nga ana e Gjeneral Piacentinit, më 4 të qershorit, forcat vullnetare u nisën në mënyrë të organizuar,  natën dhe grupe-grupe, për në objektivat e caktuara armike. Për momentin çetës së Fëngut ju dha detyrë; me një pjesë të tyre të asgjësonin garnizonin italian të Selenicës. Sipas autorit Shpresim Kasaj, në librin e tij “Vlera historiko-kulturore të Armenit dhe krahinës sonë”, Triptik, 2015, faqe 60-61 thuhet:“Sipas këtij urdhëri, më 5 qershor, çeta e Armenit sulmoi dhe mori garnizonin e Selenicës, kurse Ura e Drashovicës iu dha nën ruajtje çetës së Kropishtit.” Ndërkohë, pjesa kryesore çetës së Fëngut, ku bënte pjesë edhe ajo e Karbunarit, nën komandën e Muço Aliut, të ndihmuara edhe nga çetat e Salarisë, Sinanajt, Lopës-Dorëzit, Matohasanajt e Dhëmblanit, që iu bashkuan çetës së Fëngut kryen rrethimin e garnizonit armik në Kalanë e Matohasanajt. Në shkrimet e deritanishme, për rrethanat që çuan në marrjen e kësaj kalaje, dimë fare pak, por jo hollësi, të cilat na i jep më të plota i nderuari, Ago Agaj, në librin e tij ;“Lufta e Vlorës” faqe 231, ku thotë: “Kjo është një kala e vjetër dhe e shkatërruar, majë një promotori të malit të Gribës e nga ana e lindjes sundon rrugën e vjetër e rrugën e re, që të shpie nga Vlora në Tepelenë. Në anën lindore të kalasë bie shkëmbi pingul më tëposhtë e nuk mund të sulmohet nga kjo anë. Në fund të shkëmbit dalin prej malit burime uji të ftohtë e të kulluar. Sipër në kala sterat e ujit sot nuk janë më. Në këtë vend të fortë qe tërhequr garnizoni italian për tu mbrojtur mirë. Kishte qenë pak më tej më parë, në Sinanaj e Dashaj. Vullneti kundërshtues i fuqive të armikut të futur në këtë vend të fortë e të urdhëruar prej një majori trim e të vuajtur në luftë, nuk mund të thyhej me armët tona, pasi mungonte çdo lloj artilerie. Pas disa sulmeve të rrepta, portë kota, u kuptua se sulmet e tanëve nuk kishin më qëllim…, (marrjen me sulm por, duke i prerë ujin e mbajtur në rrethim të pashpresë për ta – shënim, Xh. Z)…, etjen e bëri të padurueshme dhe, pas disa përpjekjeve burrërisht nga të dy anët, armiku ju dorëzua çetës së komanduar prej Muço Aliut, i cili i solli me të gjitha nderimet e duhura, në kampin e përgjithshëm në Vajzë… Fuqitë e kësaj çete, të forcuara edhe prej vullnetarëve të Lekbollit të Tepelenës, arritën në ballinën (frontin) e Vlorës dhe zunë vend, po nën atë kryetar në Risili.”Këtu  përfshihen edhe përpjekjet dhe lufta e çetës  së Karbunarit, e kompletuar tashmë edhe me armët e zëna armikut në Matohasanaj. Prej andej marshuan dhe së bashku me simotrat e saj, çetën e Armenit, Rromësit etj., kishin objektiv mësymjen e armikut në vijën:Kodrat dhe Qafa e Risilisë – Gropa e Derrit– Maja e Topit, vijë kjo mjaftë e fortifikuar dhe e mbështetur me artileri e aviacion. Për të marrë pozicionet armike në një nga kodrat e Risilisë, në datat 8 dhe 9 qershor, çeta jonë u hodh në sulm si një trup i vetëm, nën sokëllimat e komandantit Sherif Ceno, trimave Dervish Mehmeti, Gjysh Selimi, Dino Myslymi, Luto Dervishie të tjerë me moton; «Forca trimat e Karbunarit, ti zëmë me dorë breshkamëdhenjtë».U arrit të neutralizohej zjarri i armikut dhe të plotësohet më së miri detyra e ditës. Por, këtu ndodh një akt i veçantë trimërie e zgjuarsie. Në sulm e sipër të riut 24 vjeçar, Ismail Serjan Dervishaj, i brumosur me ndjenjën atdhetare, i lindi ideja ti punonte një rreng armikut. U vesh si ushtar italian, në dorë pushkën patickën e gjatë, futet serbes në llogoret e italianëve të rrethuara me tela me gjemba, rrëmben armë e municion e ua përcjellë bashkëluftëtarëve të tij. Këtë veprim e bëri disa herë derisa u diktua nga armiku, vrapoi duke shtënë kundër tyre, doli në vend të hapur, po fatal për të. Dihet se armiku kundër luftëtarëve të lirisë përdori veç të tjerave edhe aeroplanët, mjet i fuqishëm e i rrallë për atë kohë. Fatkeqësisht, atë moment ky luftëtar u bë shënjestër e lehtë për avionin armik që fluturonte ulët duke mitraluar. Një plumb i mallkuar i preu këmbën Ismailit dhe e lapa ndjenja para llogoreve armike. U kap e u burgos në Leçe të Italisë. Për fatin e tij karbunarasit nuk dinin asgjë për gati një shekull. Falë përpjekjeve këmbëngulëse mëse 10-vjeçare të djalit të fisit Dervishaj, Eqeremit, për të çuar në vend nderin dhe meritën e atij luftëtari, të gjakut të tij dhe krenarinë e fisit e të fshatit tonë. Dokumentet e dëshmitë e paraqitura Komisionit Shtetëror pranë Ministrisë së Mbrojtjes e bindën atë, dhe, me Vendimin nr. 49 dt. 17.03.2005, i akordoi luftëtarit, Ismail Serjan Dervishaj (1896–1920), statusin Dëshmor i Atdheut, pasqyruar kjo edhe në librin “Dëshmorët e Atdheut”, Ministria e Mbrojtjes 2012, faqe 174.

Sipas kronologjisë së ngjarjeve, që na i jep më të detajuara studiuesi Shpresim Kasaj në librin e tij“Vlera historiko-kulturore të Armenit dhe krahinës sonë”,faqe 62, ku shkruhet: “Çeta e Fëngut…kish sektorin e luftimeve që nga Xhyherina e deri në Bestrovë, me objektiv marrjen e Qafës së Koçiut dhe Qafës së Topit… Këto pozicione u zunë brenda datës 8 deri 10 qershor, kurse sulmi mbi Vlorë filloi në orën 03 të datës 11 qershor. Atë natë çeta e Armenit si pjesë e çetës së Fëngut, kish zënë pozicion në kodrat në perëndim të Risilisë, me drejtim Gropën e Derrit, sot Babicë e Vogël,e objektiv Qafën e Topit. Në të djathtë dhe në të majtë të saj ishin çeta e Treblovës dhe ato të Rromësit e Karbunarit.”Edhe çeta jonë e pozicionuar në atë vijë sulmi, objektivin e parë kishte Gropën e Derrit. Kur u dha sinjali për sulm, në fshehtësi u afruan pozicioneve armike një nga një, të maskuar me degë e gjethe shkurresh. Armiku duke e ndjerë fundit e tij nuk la mjet pa përdorur, nga artileria e aviacioni e deri tek zjarri vdekjeprurës i pushkëve dhe mitralozave në çdo llogore e kudo. Tym e flak e gjithë vija e frontit nga Shashica në Bestrovë e Nartë. Por për luftëtarët e lirisë, para Atdheut, jeta e tyre nuk vihej në hesap, prandaj edhe thirrjet e sokëllimat e Muhamet Cenos, Shefit Brahimit, Shefit Selimit,Telo Haxhiut e të tjerëve ngritën peshë zemrat e gjithë çetës dhe u hodhën në sulm në të gjithë frontin që u ishte besuar. Aq i furishëm ishte ky sulm, sa që, grupi i përbërë nga Shefit Xhafaj, Muhamet Cenua, Brahim Zotua e Sabri Veizi përparuan drejt pozicioneve armike sa që dëgjoheshin edhe sharjet e hakërrimat e tyre brenda llogoreve. Luftohej me bomba dore. Italianët i hidhnin ato pa kursim mbi kokat e këtyre trimave. Këta, me shkathtësi i kapnin menjëherë e ua hidhnin italianëve, duke asgjësuar jo pak syresh. Kjo «lojë» u përsërit për minuta të tëra. Por, në një moment tragjik, trimit Shefit Xhafaj i pëlcet e mallkuara në dorë në çastin që ngriti krahun t’ia hidhte armikut. I mori jetën atij, plagosi edhe Muhamet Cenon që u ndodh më afër. Edhe Sabri Veizi u plagos në atë luftë. Kështu, nga Karbunari, u bë Shefit Brahim Xhafaj (1888– 11.06.1920) dëshmori i parë i lirisë.

Babai i tij, Brahimi, krenar për aktin vetëmohues të djalit, mbylli sytë pas 3 muajsh. Trupi i tij u ormis nga shokët e çetës, aty ku ra, në Gropë të Derrit. Këtë e thonë tërthorazi edhe këto pak vargje që janë bërë të njohura me kohë në fshat: “Pa pyesni Telo Haxhinë: /Ku e pa Shefit Brahimnë? /Bomb’ e shkret i mori shpirtnë, /Në Grop’ të Derrit e vërvinë.” Me vendim të Këshillit të Ministrave të RPSh-së nr. 33, dt. 27.06. 1974 Shefiti është shpallur Dëshmor i Atdheut. Tek libri «Dëshmorët e Atdheut» Ministria e Mbrojtjes 2012, faqe 175,gjendet emri i tij si dëshmor, që gabimisht është shënuar Sherif Brahim Xhafaj.

Kjo luftë nuk do të kishte pasur këtë mbarëvajtje të shkëlqyer, në qoftë se Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk do të kishte marrë masat e duhura edhe për organizimin e furnizimit me ushqime e municione për çetat përkatëse. Për këtë, karvani i fshatit me kuaj, mushka e gomarë ngarkuar përshkonte me orë të tëra rrugën Karbunar–Risili e kthim disa herë gjatë asaj periudhe. Ahmet Hodaj, Riza Ago, Brahim Manaj, Novruz Xhelaj, Neso Hysaj,Zeqir Xhafaj, Beqir Bejo Barjami, Muço Barjami, etj,sipas një radhe të caktuar çonin jo vetëm ushqimin e municionin por edhe bekimin e të dashurve tyre.

Kur armiku e pa lakun tek gryka kërkoi marrëveshje me shqiptarët. Komiteti i Mbrojtjes i mbajti në pozicionet e tyre gjithë luftëtarët nga 20 qershori e deri më 2 shtator 1920, kur ajo u nënshkrua nga Qeveria Shqiptare. Më datën 3 gjithë luftëtarët, populli i Vlorës dhe nga gjithë Shqipëria festuan krenar çlirimin e dytë të krahinës, pse jo edhe të gjithë vendit tonë. Krenarë u kthyen edhe luftëtarët e çetës sonë, duke bërë fli për Atdheun, 2 nga bijtë e tij më të mirë e më të dashur.

Kaloi një shekull dhe ende nuk është bërë ajo që meritojnë këta martirë. Shefiti e Ismaili deri sot nuk kanë të paktën një dekoratë, po kështu edhe komandanti, Sherif Ceno. Ka 15 vjet që ka dalë vendimi i shpalljes së Ismailit “Dëshmor i Atdheut” dhe nuk është pasqyruar në pllakatin përkatës, në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë, ku prehen shokët e tij. Po kështu, nga ne bijtë e Karbunarit kërkohet që pllakati i Lapidarit të Dëshmorëve në fshat, të freskohet e të shënohet edhe emri i dëshmorit të 6-të të komunitetit tonë, duke u bërë këtyre dhe gjithë pjesëmarrësve me armë në dorë nderimet përkatëse në kuadrin e këtij 100- vjetori.