Kudret Isaj
Prof. Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helenë, në javën e fundit të muajit gusht të vitit 1921 u ngjit në malin e Tomorrit, ku bëri fotografi mbresëlënëse, si dëshmi të asaj periudhe historike, të cilat sot mund t’i admirojmë në Muzeun Etnografik të Gjenevës
Prof Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helenë, në javën e fundit të muajit gusht të vitit 1921 u ngjit në malin e Tomorrit, ku bëri fotografi mbresëlënëse, si dëshmi të asaj periudhe historike, të cilat sot mund t’i admirojmë në Muzeun Etnografik të Gjenevës. Prof Eugène Pittard shpalosi edhe aty në malin e Tomorrit shpirtin e tij poetik, i cili e ka shoqëruar atë gjatë gjithë jetës së tij duke e çliruar dhe zbutur sado pak ngurtësinë dhe vrazhdësinë e formulave dhe të terminologjisë shkencore të veprave të tij antropologjike. Ata ishin të bindur që të dy që në majën e malit të Dodonës pellazgjike me lartësi 2417 metra, kishin takuar me Baba Tomorrin. Baba Tomorri mjekërrthinjur nga dëbora e maleve i kishte bekuar me dorën dhe me shpirtin e tij miqtë këmbëmbarë zviceranë nga Gjeneva. Ata takuan dhe u përshëndoshën në malin e Tomorrit me anëtarët e sektit bektashi të prirë nga Baba Iliazi, të cilët ishin duke kryer ritin e valles së tyre duke formuar një rreth me duart e njëri tjetrit dhe duke nxjerrë nga laringu thirrje të fuqishme sikur vinin nga thellësia e kraharorit të Baba Tomorrit. Eugeni me Hélènën pranuan ftesën e bektashinjve për të ngrënë drekë së bashku me ta. Para ngrënies. ata u bënë dëshmitarë të një skene të paharruar dhe panë me sytë e tyre si therej qengji dhe si bëhej kurban në shenjë falenderimi për zotin e tyre, Baba Aliun. A mos vallë Hélèna para se të nisej në Shqipëri kishte kërkuar dhe kishte gjetur në Bibliotekën e Gjenevës librin e Naim Frashërit me titull : «Fletorja e Bektashinjve», të cilin poeti ynë kombëtar e kishte botuar në Bukuresht në vitin 1896. Naim Frashëri në atë fletore iu bënte thirrje shqiptarëve ta bënin bektashizmin fe kombëtare të tyre. Naim Frashëri për Baba Tomorrin shkruan:
Thotë Herodoti,
që një kohë,
kish në Tomorr,
Shtëpi Zoti.

Baba Iliazi u ngjit në këmbë me Eugène dhe Hélène Pittard në teqen e Kulmakut në malin Tomorr për të vizituar varrin simbolik të Baba Aliut.
Sami Frashëri ka shkruar që mali Tomaros në mitologjinë greke duhet të barabitet me malin tonë Tomorr : «Tomorri është Dodona, vendi ku ndodhej tempulli i pellazgëve». Midhat Frashëri shkruan që teqja e Abaz Aliut është ndërtuar nga Baba Iliazi në vitin 1916. Në Shqipëri është i mirënjohur fakti kuptimplotë dhe domethënës që për Baba Tomorrin bëjnë be edhe myslimanët, edhe të krishterët. Para se Eugène dhe Hélène Pittard të zbrisnin me kuaj në Berat, Baba Iliazi i dhuroi Helenës një gur të vogël me thep duke i pëshpëritur me zërin e tij shushuritës : «Po të dhuroj gurin e Angorës që ta mbash gjithmonë me vete si medalion edhe kur shkon për të fjetur. Nuk duhet të ndahesh anjëherë nga ky gur se ai do t’ju shpëtojë jetën». A i përshkënditi vallë në kokë Baba Iliazit telepatia, sipas së cilës tre vjet më pas në 6 prill të vitit 1924, ky gur do t’i shpëtonte jetën Eugène dhe Hélène Pittard-it nga atentati i kurdisur për ta në Mamurras të Krujës ku në vend të tyre u vranë dy qytetarë amerikanë që po shkonin me automobil në Shkodër ! Për të qenë të saktë duhet të bëjmë të ditur që Angora është emri i vjetër antik i Ankarasë, kryeqytetit të Turqisë, aty ku ndodhet varri dhe mauzoleumi i Mustafa Qemal Ataturkut. E kemi të vështirë të zbërthejmë ç’kuptim dhe ç’lidhje të drejtpërdrejtë ka guri që Baba Iliazi i dhuroi Hélènës me qytetin e Angorës. Megjithatë një shpjegim duhet të ketë dhe këtë mund ta mësojmë vetëm nga Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve të Shqipërisë, emri i të cilit është Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Çdo vit në datat 20-25 gusht rreth 500.00 besimtarë bektashianë dhe jo bektashianë nga të gjitha viset shqiptare ngjiten në malin e Tomorrit për të vizituar varrin e Baba Aliut, për të bërë qëngjat kurban, për të ndezur qirinj në vendet e mira dhe për ta ndarë ushqimin me njëri tjetrin. Eshtë i mirëseardhur propozimi që një ditë qeveria shqiptare ta paraqesë në UNESKO dosjen e bektashizmit shqiptar si një vlerë dhe pasuri endemike të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve, njëkohësisht si një pasuri e njerëzimit, e cila duhet marrë në mbrojtje.
E kemi të vështirë të zbërthejmë ç’kuptim dhe ç’lidhje të drejtpërdrejtë ka guri që Baba Iliazi i dhuroi Hélènës me qytetin e Angorës. Megjithatë një shpjegim duhet të ketë dhe këtë mund ta mësojmë vetëm nga Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve të Shqipërisë, emri i të cilit është Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Cdo vit në datat 20-25 gusht rreth 500.00 besimtarë bektashianë dhe jo bektashianë nga të gjitha viset shqiptare ngjiten në malin e Tomorrit për të vizituar varrin e Baba Aliut, për të bërë qëngjat kurban, për të ndezur qirinj në vendet e mira ….

Ditën e nesërme pasi Eugène dhe Hélène Pittard zbritën me kuaj nga mali i Tomorrit, një qytetar beratas i ftoi ata ta kalonin natën në shtëpinë e tij sipas zakoneve të mikpritjes shqiptare : bukë, kripë dhe zemër. Gjatë qëndrimit në Berat, Eugèni bëri disa fotografi të shtëpive karakteristike të Beratit si dhe fotografoi përmbytjen e qytetit nga lumi Osum. Gjatë tre muajve që Eugène dhe Hélène Pittard qëndroi në Shqipëri, ata vizituan sitet historike dhe arkeologjike të vendit. Ata u ngjitën në këmbë dhe me kuaj për të vizituar kalanë e Tiranës, të Shkodrës, të Durrësit, të Krujës, të Lezhës, të Elbasanit, të Beratit, të Këlcyrës, të Gjirokastrës, të Tepelenës dhe të Petrelës. Duke vështruar malet e larta nga lartësia e këtyre kalave, Eugène dhe Hélène Pittard-it iu përngjau sikur ishin ngjitur në mjegullat e dendura të malit të Tomorrit-Dodonës pellazgjike dhe po lundronin mbi arkën e Noes midis reve (dëbora dhe retë ishin bërë një me njëra tjetrën). A nuk bënte aluzione dhe asosacione futuriste Vladimir Majakovski në poemën e tij me titull: «Re me pantallona» përkthyer në fillim të viteve 60-të nga Ismail Kadare dhe Faslli Haliti nga rusishtja në shqip dhe përkthyer më pas nga Moikom Zeqo ! Eugène Pittard-it dhe Hélènës iu dukej vetja sikur ishin ngjitur me krahët e palodhur të shpendëve mbi supet e Baba Tomorrit dhe të malit Salev të Gjenevës, në hapësirën e pafund të galaktikës qiellore,iu dukej vetja sikur kishin guxuar të preknin, të zgjonin dhe të shpupurisnin me ëndërrat dhe me ëndërrimet e tyre zhulverniane yjet që ishin ndezur dhe ndrisnin në qiell, të cilët iu digjeshin nëpër trup, iu kishin bërë fole në zemra, ju vareshin nëpër duar si unaza saturni dhe ata përpiqeshin pa pra që këtë ndriçim, këtë zjarr dhe zjarrmi vullkanike t’jua jepnin, t’jua falnin, t’jua dhuronin dhe t’jua shpërndanin si bujku farën e grurit të gjitha qënieve njerëzore me bujarinë e shpirtit të tyre të pastër.