Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj/ 100-vjetori i Kongresit të Parë Bektashian në teqenë e Prishtës në Skrapar është një ngjarje e rëdësishme për bektashizmin

127
Sigal

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, ngjarje me rëndësi kombëtare

Përkujtohet 100 -vjetori i Kongresit të Parë Bektashian në teqenë e Prishtës, Skrapar

Nuri ÇUNI

Muaj janar 2021, shënon një ngjarje tejet të rëndësishme për bektashizmin shqiptar dhe atë botëror, 100 -vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Parë Bektashian, i cili, me vendimet e tij, konsolidoi më tej organizimin strukturor e përhapjen e këtij besimi të paqtë, deviza e të cilit ka qenë e mbetet që prej tetë shekujsh nga lindja e në vazhdim, “Pa atdhe, nuk ka fe!“. Kongresi i Parë Bektashian, u mbajt në teqenë e Prishtës në Skrapar nga 14 deri 17 janar të vitit 1921, ndërsa përkujtimi i tij në këtë vit, përkon dhe është pjesë edhe e shumë aktiviteteve të tjera që bëhen në kuadër të “Vitit të Naim Frashërit“ (25 maj 1920 -25 maj 1921). Për përkujtimin e këtij përvjetori, nga ana e Selisë së Shenjtë Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është hartuar e realizohet një plan i ngjeshur aktivitetesh që bëhen në Tiranë, në Prishtë të Skraparit dhe kudo në gjyshatat bektashiane.

“Kongresi i Parë Bektashian e Prishtës, 100 -vjetorin e të cilit ne përkujtojmë nga sot deri më 17 janar 2021, është një ngjarje me rëndësi në historinë e bektashizmit. Vendimet e këtij Kongresi, krijuan një bazë të fuqishme për shtrirjen e këtij besimi të paqtë, funksionimin organizativ të tij dhe rritjen e rolit të klerikëve si predikues shpirtëror tek besimtarët, rritjen e besimit në Zot dhe forcimin e ndjenjës atdhetare. Aktivitetet në këtë 100-vjetor janë të shumta, ku përfshihen ekspozita dokumentare e fotografike, konferencë përkujtimore ku do të kumtojnë studjues të njohur të vendit, peligrinazh në teqenë e Prishtës, etj… “- shton për “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Prishta, vendmbajtja e kongresit

Historia e teqesë dhe pozicioni i saj, ishin ndër faktorët kryesor që për Kongresin e Parë Bektashian, u zgjodh Prishta. Historia e teqesë së Prishtës lidhet dhe me kohën pas themelimit të teqesë së Frashërit. Të dhënat burimore flasin se në vitin 1781 u ngrit teqeja e Frashërit, të cilën e drejtoi baba Nasibi Tahiri. Me fjalët e çuditshëm ai ka thënë: “Me emrin Tahir kam ardhur më parë në Malind të Skraparit, tani këtu, në Frashër e si të vdes këtu, kam për të vajtur në Prishtë ku do të bëj gjithë këto vepra mirëbërëse”.

Teqenë e Prishtës e themeloi baba Tahir Prishta (Kotobelli), në vitin 1815. …Baba Tahiri, në këtë mision, u përkrah nga besimtarët e tij dhe nga mytesarifi i Beratit, Hysen Vrioni. Së pari, ai e forcoi ekonomikisht teqenë dhe krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Ai punoi me përkushtim në përhapjen e bektashizmit dhe ngriti gjithë popullin në zonat e Oparit, Tomoricës, Skraparit, Dëshnicës (krahina e Këlcyrës së Përmetit), Toskërisë së Tepelenës (nga fshatrat Arrëza, Maricani, Shalësi, Buzi, Gllava e deri në Klos dhe Hekal zemrën e Mallakastrës së sipërme) dhe Nahijes së Beratit (Nga Bargullasi, Novanji, Kapinova, Peshtani, Roshniku, Karkanjozi, Tozhari, Çorrogjafi, Zhabokika, Plashniku, Melishti) deri në Luar, Kurjan, Lapulec dhe Cakraj, në kërthizën e Mallakastrës së poshtme. …Pasuesit e tjerë në drejtimin e teqesë së Prishtës njihen: baba Xhaferi, baba Ahmeti, baba Shabani, Hysen Panariti, të cilët kontribuan në përhapjen e gjuhës shqipe. Baba Xhaferi më 1908 ngriti shkollën e parë shqipe në Çorovodë dhe ndikoi me patriotët e tjerë në arsimin e Skraparit. Teqeja u bë qendër e rëndësishme në rilindjen kombëtare. Baba Shabani me patriotët e tjerë, Hasan Koprëncka, Mahmud Zaloshnja, Jaçe Gjergjova, Fetah Sevrani, Zenjel Braçi morën pjesë në mbrojtjen e shkronjave shqipe. Baba Hyseni e Baba Kamberi, i ardhur nga Amerika, ndihmuan në përgatitjen e kongresit bektashian të vitit 1921. Teqeja kishte pasuri të madhe dhe një bibliotekë të pasur me libra. Ajo u dogj nga andartët grekë në vitin 1914. Në gazetën “Liria e Shqipërisë” në datën 27 mars 1915, Varf Aliu, dervish i kësaj teqeje, shkruan: “Prishta është një nga fshatrat e malësisë së Skraparit, ku 60 vjet e po tehu gjendet Shtëpi Zoti (teqe) pan-bektashiane, në të cilën gjer njëdizanj jetonin afro 30 veta varfë. Këtë shtëpi të madhe hijerore që po rrëfej e ka djegur njëherë më parë qeveria turke dhe prapë u ndërtua, por mjerisht vandalët e Kostësi, duke parë që kjo Shtëpi Zoti epte dritën e zgjimit te populli i paditur shqiptar, si në të gjithë fshatrat dhe në Prishtë, u derdhë me egërsi: vranë, prenë, plaçkitën teqenë edhe shtëpitë e fshatit dhe ikën praptazi, ku morën tok varfë e fshatarë si robër.” Teqeja u ringrit në vitin 1920. Teqeja ishte e ndërtuar me mur guri me rreshta të rregullt. Ajo ishte e përbërë nga dy blloqe katrorë me dy kate dhe një qendror me një kat të vetëm, në gurë të veçantë kish simbole bektashiane. Teqenë e ka vizituar dhe studiuesi J. Sëire. Më 1967-ën, ajo u mbyll. Ajo u kthye në magazinë, më vonë në stalla të bagëtive dhe, në vitet 1985, u shkatërrua plotësisht. U rihap në vitin 2004, me një tyrbe të baba Tahirit. Më pas nën kujdesin e gjyshatës të Skraparit u ringrit teqe e re, jo si e para tradicionale. Në gusht të vitit 2020 u vendos busti prej bronzi i Dede Kamberit në mirënjohje të këtij kleriku të shquar…

Përgatitjet për kongresin

Historiku i ngjarjeve në vendin tonë, në fillim të vitit 1920, pas Kongresit të Lushnjës në Shqipëri u krijua një situatë e favorshme për riorganizimin e bektashinjve të Shqipërisë. Kongresit i Lushnjës në janar të vitit 1920 i jepte liri fesë. Në Nenin 93 të Statutit të këtij Kongresi merreshin në mbrojtje besimet fetare. Nga korriku deri në dhjetor të vitit 1920 baballarët bektashinj u morën për përgatitjen e Kongresit bektashian. Ahmet Turani dhe Hysen Prishta, të mbështetur edhe nga intelektualët shqiptarë, i paraqitën qeverisë së re demokratike në datë 13.07.1920 një program ku kërkohej leja për thirrjen e një kongresi bektashian me motivacion “për një reformë bektashiane morale, siç citohej nga Kryeministra në shkresën e datës 23.12.1920”. Në program sqaroheshin data kur do të mblidheshin baballarët (14 janar 1921), vendi ku do të mblidhej teqe e Prishtës realizimi i kongresit vetëm nëse merrte pjesë edhe përfaqësuesi i shtetit. Përgatitjet për të mbledhur një kongres bektashian u bënë “intensive” gjatë muajve të fundvitit 1920. Zyrtarisht, organizatorët i dërguan kërkesë (firmosur nga baba Ahmet Turhani i Tepelenës dhe baba Hyseni i teqesë së Prishtës), qeverisë së Sulejman Delvinës që në Kongres të merrte pjesë dhe përfaqësues i qeverisë, i cili ishte bektashi. Babai i shquar i teqesë Turanit Tepelenë, baba Ahmet Turani dhe baba Hysen Prishta, përgatitën strukturën e plotë për këtë Kongres të rëndësishëm dhe në komunikimin me shtetin shqiptar, morën të gjitha masat organizative për organizimin e Kongresit. Në këtë kuadër, për të ardhur tek kjo ditë, njihet interesimi i jashtëzakonshëm i intelektualëve shqiptarë të asaj kohe si Ferid Vokopola, Jashar Erebara, Mithat Frashëri dhe të tjera figura të këtij kalibri, të cilët u interesuan për zhvillimin e bashkësisë bektashiane.

Kurse Aqif Pashë Elbasani, figurë e njohur, personalitet bektashian, i drejtohet Kryeministrit me shkresë: “Kabineti i parë u pat dhënë leje baballarëve që ta bajnë atë mbledhje dhe janë lajmëruar Prefektura e Beratit dhe e Gjirokastrës mbi këtë gja…Prej nisiatorve të kësaj mbledhjeje, baba Ahmet Turhanit e baba Hysen Prishta, na kërkohet edhe një delegatë nga ana e Qeverisë, i cili do të gjendet gati n’atë mbledhje. Ata dëshirojnë që të çohet nga ana e Qeverisë si delegatë Kadri Vesel Efendiu ose Halim Bej Gostivari. Më gjithë këtë, ata shtojnë se Qeveria mund me çue cilin të dojë, vetëm duen që delegati i Qeverisë të jetë edhe ai Bektashi”. (Shkresa mban datën 28/ XII/1920)

Vendime të Kongresit të parë Bektashian

Kongresi u mbajt më 14 – 17 janar të vitit 1921, në teqe të Prishtës, Skrapar. Morën pjesë nga e gjithë Shqipëria. Kishte baballarë nga i gjithë vendi, intelektualë dhe besimtarë. Përfaqësuesi i qeverisë ishte Feim Zavalani, i cili në vitet 1909-1910 drejtonte gazetën “Bashkimi i Kombit”, që botohej në Manastir. Kongresi aprovoi statutin bektashian, i cili u quajt “Lidhja bektashiane” me 28 nene. U zgjodh për herë të parë Këshilli Atnor për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri me qendër në teqenë e Sukës, Përmet, me kryetar baba Ahmet Turanin. Këshilli Atnor përbëhej nga 7 anëtarë. Në nenin 1 të tij thuhet: “Për administrimin fetar të teqeve bektashi të Shqipërisë e për të mbajtur rregullin e grupit klerikal bektashian, Kongresi i Prishtës i dha fuqi kryesimi ‘Këshillës Atnore’, që u formua prej Gjysh Ahmet Baba Turani Korça”. Këshilli Atëror përbëhej nga 7 anëtarë: nga gjysh Ahmet baba Turhani, gjysh Sulejman baba Gjirokastra, Ahmet baba Elbasani, Xhemal baba Përmeti, Mustafa baba Frashëri, Kamber baba Prishta, Hajdar baba Turani. Për herë të parë u krijua arka e përgjithshme e bektashinjve si dhe themelimi i Mësimores Bektashiane në teqenë e Sukës. Ky këshill kishte kompetenca të plota për administrimin e teqeve në Shqipëri. Kongresi i Parë bektashian, ka rëndësi historike, se është i pari në Shqipëri, që formoi Komunitetin Bektashian Shqiptar. Në Kongresin Bektashi në Prishtë u caktua statusi i këtij komuniteti, vërtetimi i të cilit prej Këshillit Ministror, do të bënte të mundur të zbatoheshin ligjërisht de facto vendimet e marra në këtë kongres. Me këtë status Tarikati bektashian shpallej “Komuniteti i Pavarur”. Statuti i hartuar në këtë Kongres të Parë të Bektashianëve shqiptarë luajti një rolë të veçantë për zhvillimin e bashkësisë bektashiane në trevat e Shqipërisë. Në këtë status synohej çelja e shkollave për klerikët e këtij tarikati, përkthimi i literaturës bazë bektashiane etj.

Kongresi, gjurmë në historinë bektashiane

Kongresi i Parë bektashian i Prishtës i janarit 1921, mbetet një trashëgimi i vyer për kombin shqiptar përbën një nga vlerat më të spikatura të bektashizmit dhe kontributeve që ka dhënë. Për bektashianët shqiptarë si në Rilindjen kombëtare dhe gjatë gjithë historisë së popullit tonë me devizën “Pa atdhe nuk ka fe“, mbi gjithçka ishte atdheu. Ata e zbatuan me dlirësi porosinë e krye-bektashiut Naim Frashëri, i cili theksonte baballarët duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën për liri. Varfët (dervishët) të bëhen shokë në gëzime dhe hidhërime. Myhibët, antarë spiritual bektashian të mos kursehen nga vdekja për atdhe. Gjithsesi, Statuti i parë i bektashinjve shqiptarë, lozi një rol të veçantë jo vetëm për zhvillimin e besimit bektashian në Shqipëri dhe më gjerë, por ishte edhe një model i shkëlqyer për hartimin e statuteve të tjera për komunitetet fetare të cilat shërbenin për unifikim kombëtar. Rëndësia historike e Kongresit, i cili u mbajt në Prishtë, ishte e madhe, e jashtëzakonshme për bektashizmin. Për herë të parë u krijua Komuniteti Bektashian Shqiptar. Në këtë mënyrë u krijua institucioni i parë dhe i organizuar pas kaq shekujve për ardhmërinë e besimit bektashian. Ndërsa populli i këndon kuvendit të Prishtës: “Ky Skrapari me bedena,/ Dilni se po i vijën levena,/ Dilni se po i vijën drangojnë,/ Se në Prishtë do kuvendojnë/ Bektashian kudo që janë,/ Në viset e kombit tonë,/ Do kërkojnë mëvetësinë,/ Si në Vlorë në 12 mëdhjen,/ Bektashian kudo në botë,/ Nisen drejt për në Prishtë,/ Me statut e me nene/ Komunitetin formojnë!”

 

Kujtim BORIÇI

Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj: Kongresi

i Prishtës, ngjarje e rëndësishme për bektashizmin

 

Kongresi i Parë Bektashian, i mbajtur nga 14 deri 17 janar të vitit 1921 në Prishtë të Skraparit, 100- vjetorin e të cilit ne përkujtojmë këto ditë, është një ngjarje historike në historinë e bektashizmit. Vendimet e këtij Kongresi, krijuan një bazë të fuqishme për shtrirjen e këtij besimi të paqtë, funksionimin organizativ të tij dhe rritjen e rolit të klerikëve si predikues shpirtëror tek besimtarët, rritjen e besimit në Zot dhe forcimin e ndjenjës atdhetare. Ishte roli misionar, fetar e atdhetar i klerikëve Ahmet Turani, baba Hysen Prishta, baba Ali Turabiu, anëtarëve të ‘Këshillit Atnor” që u zgjodhën në këtë Kongres, gjysh Sulejman baba Gjirokastra, Ahmet baba Elbasani, Xhemal baba Përmeti, Mustafa baba Frashëri, Kamber baba Prishta, Hajdar baba Turani etj, që bënë gjithçka deri në këtë ngjarje të rëndësishme. Ne i kujtojmë sot ata me nderim e respekt, për këtë kontribut që kanë dhënë. Statuti i hartuar në këtë Kongres të Parë të Bektashianëve shqiptarë luajti një rolë të veçantë për zhvillimin e bashkësisë bektashiane në trevat e Shqipërisë. Në këtë status synohej çelja e shkollave për klerikët e këtij tarikati, përkthimi i literaturës bazë bektashiane etj. Për të përkujtuar sot këtë ngjarje të rëndësishme, në datat 14-17 janar 2021, që është në vazhdën e shumë aktiviteteve që ne organizojmë në kuadër të “Vitit të Naim Frashërit”, ne kemi planifikuar dhe do të zhvillojmë një sërë aktivitetesh.

 

DETAJ 1

Klerikët që kanë shërbyer ndër vite në teqenë e Prishtës

 

Ndër dekada, në teqenë e Prishtës, kanë shërbyer klerikët: Baba Tahir Kotobelli (viti 1815);baba Xhaferi (viti 1898); baba Shabani; baba Hysen Guma nga Panariti i Beratit (1918-1923); baba Kamber Meço (Kryegjysh, 1944-1945); dervish Abaz Hilmi Elezi, 1929 (Kryegjysh 1945-1947); gjysh Kamber Ahmet; dervish Riza Dure; dervish Mustafa Xhaferi; dervish Ahmet Mersin; dervish Sabri Fetah; dervish Ali Mehmet; dervish Et`hem Ibrahim; dervish Dino Xhafer; dervish Zejnel Hasan; dervish Isuf Mehmet; dervish Hasan Myftar; dervish Hasan Xhafer; dervish Sali Mustafa (në vitin 1940); gjysh Iljaz Bakaj; dervish Teme Vëndresha; dervish Haxhi Bënça; dervish Bajram Hamonikaj; dervish Islam Shelku; Besim Nazmushji, kandidat per dervish në vitin 1950; gjysh Iljiaz Halilaj; dervish Hetem Vëndresha; dervish Teki Dautaj; dervish Haxhi Bënça; dervish Islam Bregu; dervish Hajredin Rabija në vitin 1955; gjysh Iljaz Halilaj; dervish Islam Bregu; dervish Haxhi Osmani; dervish Hatem Halilaj; dervish Hajredin Suli; dervish Hamza Xhelilaj në vitin 1956; baba Amet Hajdëraj (1955-1963); baba Sherif Canaj në vitimn 1963; zëvendës gjysh i zonës Riza Gllaniku (Qato) në vitin 1966; baba Sabri Kalaja; dervish Ferik Çaushi; dervish Zylfo Sherifi, në vitn 1967.

 

DETAJ 2

 

Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës

 

 Ali Turabiu*

Varf Ali Prishta (14-1 7 janar 1921, në Prishtë.)

 

Lavdi Zotit, gjithësisë,

Në udhë të bektashisë,

Të bijve të Shqipërisë

Që ra dita me shkëlqim!

 

Ne të mbarë kemi qenë

Të drejtat i kemi thënë

Se kështu na kanë lënë

Pleqtë tanë, me bashkim!

 

Njerëzia është besë

Dashuria është shpresë

Këto kemi vullëndesë

Natyra dha këtë zgjim!

 

Gjithë besët një i kemi

Njerëzisë shok i themi

Gjetkë s’kemi ku të vemi

Ne s’lëmë gjë në harrim!

 

Falur në zotrinjtë e mirë

Me zëmër e me dëshirë

Nuk jemi n’errësirë

Paskëtaj vjen Përparim!

 

Sot është Mbledhja e Shënjtë

E mbluadhën të gjithë mëndtë

Zot’ i vërtetë e dhëntë

Kjofshim, në Qytetërim!

 

 

 

Për në faqen e parë njoftimi me foton e dede Mondit:

 

NJOFTIM

Në datat 14-17, Selia e Shenjtë Bektashiane, përkujton 100-vjetorin e Kongresit të Parë Bektashian, që u bë në Prishtë të Skraparit, një ngjarje me rëndësi fetare e kombëtare. Përkujtimi i kësaj dite bëhet me një seri aktivitetesh, ndër të tjera dhe:

-Pelegrinazh në Teqenë e Prishtës, në datat 14-16 janar 2021

-Konferencë përkujtimore në Selinë e Shenjtë-Tiranë, të dielën më 17 janar 2021, ora 11:00

 

Kryegjyshi Botëror Bektashian,

Hirësia e tij,

Haxhi Dede Edmond Brahimaj