Kozma Gjini: “Këpuca…” e shkrimtarit Visar Zhiti, ecja e Shqipërisë…

199

Lushnja, ku u rrit, e shpall “Qytetar Nderi”

Kozma GJINI
Sigal

– Nga Kozma GJINI –


Njeriun/

Sa pak gjej tek njeriu,/

Prandaj u drejtohem pemëve,/

Mësoj nga heshtja plot fruta..

Janë vargje të poetit Visar Zhiti, të shkruara në ferr, kanë dëshpërim dhe shpresë, duket sikur e përjashtojnë mesazhin e unitetit mes njerëzve, (për momentin), përvijuar nga Rilindasit tanë. Më saktë: Mesazhi i unitetit s’ishte pjesë e filozofisë “kritike”, mishëruar në kontekstin e vargjeve, që godasin diktaturën. Po kritika këtu është dhe universale. Do të thoni, pse? Sepse realiteti, koha është matësi i qendresës dhe i kumteve të krijimtarisë artistike…

Sot, koha ndaloi.Vetëm për disa minuta.Ndoshta për një orë. Ndaloi, e “turpëruar” prej vargjeve të poetit? Apo vargjet u “tërhoqën” nga “llogorja” për t’i lënë rrugë unitetit. Unitetit të kujt? Të popullit?… Në pluralizëm ka shumë parti dhe populli duket është bërë copa-copa sot. I gjori popull: S’ di as vet se në ç’strehëz të fus kokën që të mos laget…Prandaj rrjetet sociale (pak muaj më parë…), çaheshin duke shprehur vullnetin e lirë të njerëzve shqipfolës se simboli më i mirë i unitetit “Presidenti”, besohej, firmosej e propozohej të ishte shkrimtari Visar Zhiti… Ai perbashkon veçantësitë në tërësinë kombëtare fare mirë. E dëshmon dhe krijimtaria e tij si shkrimtar.

Romani i ri “Këpuca e aktorit” e Visar Zhitit, sot theu çdo rekord dhe përmbysi çdo “tymnajë” që cënon unitetin. Festat e pavarësisë dhe të çlirimit i gjetën shqiptarët të “përçarë”. Të përçarë për punën e një date. Atë të ikjes së gjermanit të fundit nga Shqipëria. Dhe ç’ndodh në shkallë republike? Ditën e festës së pavarësisë e të çlirimit, te varrezat e dëshmorëve çuan lule e mbajtën fjalime vetëm ata të pozitës.Asnjë nga opozita. A, ndjesë, se vunë lule te busti i “Nebi Sefës”, “Nënshkruesit të Pavarësisë…” S’është ndonjë risi kjo. Se, kështu e ka bërë edhe pozita, kur ishte në opozitë. Ky ritual…”më 28 apo më 29…”  vazhdon gërr-vërr… 30 e kusur viteve, saqë populli është mërzitur nga politikanët.Sikur  ata, (të rënët për atdhe), të ishin vetëm të palës që është në pushtet! Nuk do ta lodh më tej lexuesin tonë të nderuar.

“Këpuca…” e Visar Zhitit e rrëzoi “Murin e Berlinit”. Pra: i bashkoi  në një sallë, të majtë e të djathtë. Se libri është “pa parti”. Ose më mirë: Libri është “partia “ e bashkim-vëllazërimit të njerëzve. Libri e sfidoi kohën, apo koha librin?!

Këto ditë, krijuesit lushnjarë dhe jo vetëm, patën mes tyre shkrimtarin shumëdimensional,

Visar Zhiti, më të mirin e tyre, (por më përpara, më të mirin sa i përket rrezatimit shpirtëror). Vet autori, përmes ligjëratës së tij, shfaqi virtytet më të larta të një intelektuali e krijuesi me në qendër njeriun.Djalin e qytetit tonë e ka vlerësuar kritika letrare botërore me nota maksimale.Ishte ndoshta një koincidencë e bukur që promovimin e librit në qytetitn ku ka kaluar rininë e vet, ta bënte këto ditë, kur kritika botërore do ta shpallte atë në listën e poetëve më të shquar të globit. Njëherësh i urojmë dhe përvjetorin jubilar të ditëlindjes!

Pas disa promovimeve të “Këpucës…” në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë, etj, Visari e priti me kënaqësi ftesën tonë për të mbyllur ciklin e përurimit të “Këpucës…” në qytetin e tij të adoleshencës dhe të rinisë së parë, në Lushnjë. Dhe kjo finale, ishte kurora e artë e manifestimit të unitetit mes njerëzve të “depolitizuar”. Libri ishte i tillë. Të pranishmit i bënë jehonë librit dhe autorit të tij, Visarit, ndërsa politikën e lanë pas krahëve, atëhere kur të jetë momenti për të shprehur vullnetin e lirë, para kutisë së votimit.

Kishin ardhur për të marrë pjesë në përurimin e librit të Visarit: mësues te letërsisë, dashamirës të librit, shkrimtarë, banorë e fqinjë të autorit, ish-moshatarë, gjimnazistë dhe politikanë. Ndodheshin edhe kryetari i këshillit bashkiak të Lushnjës ing. Ferdinant Gjermeni dhe deputeti, avokat Saimir Korreshi me një grup miqsh. Shkurt, “Këpuca e aktorit” e Visar Zhitit mblodhi në hollin e Muzeut të qytetit një auditor te kualifikuar profesionalisht e pluralist. Në emër të kryesisë së krijuesve të qytetit, autorin e përshëndeti Kozma Gjini.

“Mirë se keni ardhur, të çmallemi, të shikojmë e të bisedojmë me Visarin tonë, të dashur miq! Mire se keni ardhur në qytetin tuaj, z. Visar!

Sot, nuk jemi ne që nderojmë Visarin, por është Visari ai që na bën neve një nder të madh me personalitetin e tij, me letërsinë brilante, me rezistencën heroike ndaj regjimit diktatorial,  qëndresën burrërore 10 vjet në burg dhe vargjet e vrarë që të rininë passhkollore. Ndërkaq vepra e tij mbart liri dhe art europian…

Visari është djali i artistit të papërsëritshëm të estradës së qytetit të Lushnjës, aktorit e krijuesit, humoristit që improvizonte  në skenë dhe bënte spektatorin të mbante brinjët me duar nga të qeshurat e gazi që shpërthente pas fjalës e batutave të tij…djali i të madhit Hekuran Zhiti.Pas gjimnazit në qytetin  tonë, Visari kreu Institutin për letërsi në Shkodër. Në Lushnjë nisi vargjet e para, në Shkodër ra edhe në “grackën” e metaforës së vargjeve “reaksionare” që do ta prangosnin për agjitacion e propagandë… kurdisur nga sigurimsi… në një rrugicë të përbaltur të Kukësit (1979) teksa shkonte t’u jepte mësim vocërrakëve të tij… (Në ditë festash ishin të ndaluara arrestimet, por për poetin, regjimi bëri një “përjashtim”…?! Ku-ku…breee!” ). Ku ta dinin që i brishti poet i kishte hapësirat e lirisë poetike shumë e shumë më larg se kufiri që  kishin vënë (!) Vëllimi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” kishte kaluar në sitën e plenumit famëkeq të 4-t dhe ishte vënë në rreth të kuq, me porosi nga lart, nga Komiteti Qendror i PPSH, nga vetë zv/diktatori i Enver Hoxhës. “Po, ç’deshe more bir, që  kërkoje një diell të dytë?” Sa një kokër breshëri duhej të ishte pika e fshehtë e lotit, teksa shikonin atë të ri të kryqëzuar.Në të vërtet, (mesazhi i autorit), ishte që të kishte një tjetër diell, për më tepër dashuri mes njerëzve, por kjo alegori e çoi 10 vjet burgjeve të vendit, deri sa më 1987, ku e lirojnë. Mbushi afatin, se me punën prej skllavi në minierë e ndonjë amnisti mjerane që u bë, uli dhe ca kohë nga dëmimi mizor. Me trastën e poezive në sup, e sollën mësuesin e ri, poetin që donte të përmbyste pushtetin  nëpërmjet vargjeve … të punonte në fabrikën e tullave, por pa të drejtë botimi e votimi. Por nuk iu ndanë, prapë e përndiqnin dhe ai si të paktit qendrestarë, me forcë të lartë morale guxoi dhe refuzoi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Vetëm lirine e ajrit…sa për të marrë frymë kishte… dhe priste ta kthenin sërisht në burg!

Po ra Muri i Berlinit edhe perandoria komuniste. Pas ardhjes së demokracisë, (ai ka pjesën e vet të kontributit për ardhjen e demokracisë ), punoi si gazetar, në parlament, ambasador, ministër e deputet i Kuvendit. Ah…! nuk deshën ta bënin President! Visar Zhiti ka botuar  mjaft libra si: “Kujtesa e ajrit”, ”Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, “Mbjellja e vetëtimave”, “Dyert e gjalla”, “Si shkohet në Kosovë”, ”Kohë e vrarë në sy”, etj, burgologjitë monumentale “Rrugët e ferrit” dhe Ferri i çarë”, tregime dhe ese e studime, romanet “Funerali i pafundmë”, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, “Në kohën e britmës”, etj, për të ardhur te romani më i fundit tani, “Këpuca e aktorit”.

Poezia e Visarit është e mbrujtur me të gjithë elementët e frymëzimit, me dhimbje, me lot, me dritë dhe shpresë, me dinjitetin e njeriut. Krijimtarinë letrare artisike të Visarit e kanë vlerësuar jo vetëm në vend si: shkrimtarët e mëdhenj Ismail Kadare, poeti Ali Podrimja, kritiku Ali Aliu, etj, por edhe personalitete të kulturës në botë, ku ai është përkthyer në shumë gjuhë, që nga anglishtja e italishtja e në të gjitha gjuhët e ballkanit, etj, e së fundmi dhe ne Esperanto, si filozofi dhe semiologu më i madh i shekullit XX, Umberto Eco, poeti Mario Luzi, kandidat për Nobel, shkrimtarët dhe kritikët si Aurel Baros, Enino Grassi, etj, ndërsa albanalogu i madh kanadezo-gjerman, Rober Elisie do të shkruante: “…jeta dhe vepra e Visar Zhitit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij”. Një rastësi e bukur është fakti që ndërsa me miqtë e tij në Lushnjë përuronte librin në fjalë, kritika letrare e huaj do t’i sillte sihariqin, se Visar Zhiti është listuar si një nga poetët më të mirë botërorë.Ja, pse është nder të kesh përballë shkrimtarin Visar Zhiti.

Në takim e Lushnjës si mes miqsh vlerësuan krijimtarinë letrare dhe staturën e shkrimtarit Visar Zhiti edhe mjaft të tjerë poetë, mësues e ish-fqinjë të autorit, shumë prekës ky takim me lule dhe kujtime.  Folën Ermelinda Myzeqari, Valter Dauti, Zhaneta Këmbora, Amarda Sulo, Liri Bello, Pëllumb Zela, dr..Koli Prifti, Rrapi Prendi, Sheqere Sina, Zija Cela etj, ndërsa këngëtari lirik Gëzim Xhaxhai këndoi një baladë.

Përmes romanit të ri “Këpuca e aktorit”, autori zhbiron njeriun shqiptar në tri kohët e historisë së tij të re, një periudhë mbi 100 vjeçare, duke i bërë skanerin periudhës së mbretërisë së Zogut I, diktaturës komuniste dhe demokracisë… romani enden nëpër atdhe, që nga Lushnja jonë, në kryeqytet e shkon deri në SHBA. “Këpuca…” në mënyrë metaforike është rrugëtimi i Shqipërisë…me zig-zaget e saj… ku të gjithë jemi nga pak personazhe, por edhe përgjegjës… ka luftë dhe paqe dhe dashuri, histori kolektive dhe e secilit prej nesh.

Me sa kam ndjekur imazhin letrar e mediatik te Visarit, kurrë nuk e kam dëgjuar këtë burrë që të zbrazë mllefe e inate, por me logjikë të ftohtë, di ku e vë gishtin, drejtësi dhe dhëmbje, kujtesë dhe vision. Me fjalën e tij kaq të bukur, kaq natyrshëm, të lë pa frymë e të jep frymë, i bën të flasin dhe sendet, pa ua falur lapsin “Stalinistëve” e Co, të cilëve ua lë “inatin” shkrimor si një testament tek librat e tij.

Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij, falenderoi kryesinë e degës sonë të shkrimtarëve për ftesën, gjithë të pranishmëve, që mbushën sallën e madhe të Muzeut të qytetit, diskutantët, deputetin Saimir Korreshi, kryetarin e këshillit bashkiak, Ferdinant Gjermeni të cilët sollën mbresat dhe kujtimet, si për librin dhe krijimtarinë e tij letrare artistike, ashtu edhe për personalitetin e autorit.

“Unë e dua Lushnjën, tha Visari. – Babai im, ish-normalist, ka punuar mësues në Karbunarë dhe më pas u bë ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të qytetit të Lushnjës. Gëzohem që thatë fjalë të mira, tim atë njerëzit që e takonin rrugës, e thërrisnin me emrat e personazheve, që interpretonte, çka tregonte dashurinë që kishin për artin dhe artistin. Kam kaluar një pjesë të jetës në Lushnjë dhe ruaj respekt për njerëzit. Kam mbaruar shkollën “Kongresi i Lushnjës” gjimnazin “18 Tetori”, kam patur përkujdesin e mësuesve tanë të respektuar si Liri Kazazi e Faslli Haliti, etj. .Pra, Lushnja do të gjejë pjesën e saj në librin  “Këpuca e aktorit”.  Çdo njërit prej jush i uroj gëzime në familje e suksese në punë…”

“ Deputeti Saimir Korreshi në fjalën e tij solli disa kujtime nga puna dhe jeta aktive e deputetit, ambasadorit dhe ministrit të kulturës, zotit Visar Zhiti, i zgjedhur nga të dy kahet e forcave politike. Visari i përket elitës së shkrimtarëve që sollën risi në letërsinë shqipe të pasviteve ’90.” Librat e Visarit janë dëshmi të vuajtjeve dhe persekucionit te egër që ai përjetoi dhe të rrugës drejt Europës të Shqipërise tonë. Librat janë një aktakuzë e shkruar në mermer ndaj së keqes dhe duhet t’u shërbejnë brezave që  kurrë të mos përsëritet më e kaluara…pasi diktatura jo rrallë na vërtitet si hije e zezë për ta na dominuar. Librat e Visiarit janë liri dhe apele të dashurise njerëzore.

Ferdinant Gjermeni, kryetar i Këshillit bashkiak i dorëzoi  zotit Visar Zhiti titullin e lartë “Qytetar Nderi i Lushnjës”, miratuar njëzëri nga Këshilli bashkiak i qytetit, me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave dhe kulturës shqiptare. Duke rezistuar u ngrit mbi vuajtjen e persekutimit komunist, përfaqësoi popullin në kuvend dhe i shërbeu vendit si ministër dhe ambasador.Vepra letrare e shkrimtarit Visar Zhiti u botua dhe u vlerësua në Shqipëri dhe jashtë vendit. Shquhet për nivel të lartë artistik dhe për pasuri jetësore”  Titulli u shoqërua me medaljonin e Shtëpisë “Kongresi i Lushnjës.”

Aty përmblidhej zëri i gjithë qytetarëve të qytetit të tij dhe mirënjohja jonë e përbashkët.