Korrupsioni dhe zbatimi i ligjit mbajnë larg investitorët e huaj

464
Sigal

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë

Ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, Per Strand Sjaastad në një intervistë për “Monitor” pohon se ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet. Shqipëria dhe Norvegjia janë kaq larg por dhe afër. Nga njëra anë, Norvegjia është një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, me të ardhura për frymë prej rreth 70 mijë dollarësh, matur sipas fuqisë blerëse, e treta në Evropë, ndërsa Shqipëria e ka këtë tregues vetëm 12 mijë dollarë, e fundit në Evropë. Nga ana tjetër, dy vendet janë të ngjashme sa u përket burimeve natyrore dhe hidrike. Shqipëria është e dyta në Evropë pas Norvegjisë, sa i përket potencialit hidroenergjetik, të dy shtetet kanë burime të shumta natyrore dhe një bregdet, që mundëson zhvillimin e sektorit detar. Pikërisht këto ngjashmëri mund të tërheqin interesin e sipërmarrësve norvegjezë. Por, ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, z. Per Strand Sjaastad, pohon se investitorët e huaj stepen nga niveli i ulët i zbatimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e barazisë në tenderë, problemet me të drejtën e autorit, trajtimin në Gjykata etj. Ai e përsërit disa herë gjatë intervistës që problemi kryesor që pengon zhvillimin e Shqipërisë dhe ardhjen e investimeve të huaja është zbatimi i ligjit, si dhe korrupsioni, dhe shton se ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj.

Ambasadori norvegjez Per Strand Sjaastad: Besoj se sfida më e madhe aktualisht në sektorin e ekonomisë është situata që ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe korrupsionin. Vendet dhe kompanitë i bëjnë vetes pyetjen se pse duhet të investojmë në Shqipëri, pse të mos shkojmë në një vend tjetër. Ata duhet të kenë një përgjigje të qartë për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që kanë. Ndoshta këto pyetje kanë të bëjnë me fuqinë punëtore të kualifikuar, ndoshta me situatën e zbatimit të ligjit, ndoshta me sigurinë që e drejta e autorit do të mbrohet dhe ndoshta të kenë sigurinë, që në rast se do të kenë një konflikt, ai do të trajtohet në mënyrë të ndershme në Gjykatë, ndoshta me doganat, apo me korrupsionin. Unë nuk mendoj se këto pyetje sot marrin një përgjigje të kënaqshme. Ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj. Shumë vende dhe kompani e shikojnë Shqipërinë potencialisht si një treg me interes. Vendi ka shumë potencial në sektorin e energjisë. Nga ana e Norvegjisë, ne kemi një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, Statkraft, në sektorin e energjisë dhe ata po planifikojnë që të zgjerohen në aktivitete të tjera. Besoj se ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet. Për momentin në sektorin detar, ne kemi një plan me dy faza. Në fazën e parë, ne kemi nisur tre projekte së bashku me autoritetet shqiptare. Qëllimi i këtyre projekteve është të rriten kapacitetet e autoriteteve që janë përgjegjëse për sektorin e marinës, të krijohet një sistem edukimi në mënyrë që të trajnohen njerëzit me njohuri në sektorin e marinës, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së lundrimit dhe komunikimit në det. Kur të zbatohen këto tre projekte, që ne po i zhvillojmë së bashku me autoritetet shqiptare, gjatë dy viteve të vazhdim, kjo do ta bëjë Shqipërinë më të përgatitur që të mirëpresë kompanitë që të investojnë në sektorin detar. Për momentin, mundësitë e investimit nuk janë shumë të larta, ka disa të tilla në porte, në marinë. Shpresoj që duke përmirësuar infrastrukturën dhe kapacitetet e navigimit dhe komunikimit, mjedisi i investimit në sektorin detar do të jetë shumë më i mirë dhe më pas, do të jeni në gjendje të tërhiqni kompani jo vetëm nga Norvegjia, por dhe nga shtete të tjera fqinjë. Shpresoj që autoritetet shqiptare të bëjnë gjënë e duhur për ta bërë Shqipërinë një nyje energjetike rajonale. Në mënyrë që të arrihet kjo, ata kanë nevojë të nxisin reformat e tregut, të krijohet bursa e energjisë, në mënyrë që të shkëmbehet energjia. Në momentin që bursa e energjisë do të jetë funksionale, kjo do të krijojë incentiva të reja për kompanitë e energjisë që të investojnë më shumë, pasi bursa e energjisë do të garantojë që ata të jenë në gjendje që të shesin produktin, jo vetëm në Shqipëri por edhe në tregun rajonal dhe do t’u japë atyre garanci që duhen për investime të tilla. Pra nëse autoritetet shqiptare vazhdojnë rrugën dhe zbatojnë mekanizimin e tregut, për të cilin ata po punojnë dhe krijojnë bursën e energjisë, kjo do ta lidhë Shqipërinë me tregun rajonal dhe do ta bëjë tregun e energjisë më funksional këtu. Si rrjedhojë, Shqipëria mund të ketë mundësinë që të kthehet në një nyje rajonale në sektorin e energjisë. Shpresoj të ndodhë kjo, e cila mund të ndodhë realisht. Kur jeni një vend me potencialin e dytë hidroenergjetik në Evropë, pas Norvegjisë, ky është një avantazh. Po ashtu dhe për energjinë diellore, veçanërisht në jug të Shqipërisë, që është i shkëlqyer për diellin. Ju keni po ashtu dhe bregdetin. Bregdeti në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar, përkundrazi është i nën zhvilluar. Kushdo e kupton që kjo është një mundësi e humbur. Shqipëria ishte një vend me marinë të zhvilluar para 100 vitesh, por mund të bëhet sërish i tillë. Duhet të filloni të përdorni bregdetin. Ju keni një bregdet që me shpresë, shumë shpejt, do t’ju japë mundësi për investime. Janë gjeografia dhe burimet natyrore, që përbëjnë interes për shumë vende, veçanërisht Norvegjinë që ka përvojë në marinë dhe burimet natyrore, si minerale, naftë dhe gaz, energji. Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni është të përmirësoni situatën me zbatimin e ligjit. Për bizneset është tepër e rëndësishme që procedurat tenderuese të jenë të drejta dhe të lira, që të sigurohet që është oferta më e mirë ajo që fiton kontratën. Kjo është shumë e rëndësishme, përndryshe investimet do të dekurajohen. Duhet t’i bëni investitorët të besojnë se ata mund të mbështeten në kuadrin ligjor tek autoritetet kombëtare, në sistemin e pavarur të gjyqësorit, që i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni. Shqetësimi im është se nëse këto politika kanë prioritet zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, atëherë shanset për të pasur më shumë investime do të jenë shumë më të larta. Pra Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të kapur ritmin. Është mjaft e natyrshme që kjo të kërkojë kohë. Por, mendësia duhet të ndryshojë dhe nuk ka ndryshuar ende tërësisht dhe kjo është ajo që e pengon zhvillimin tuaj. Ka të bëjë me të pasurit durim, por në të njëjtën kohë të mos keni shumë durim, përndryshe gjërat mund të mos bëhen. Për ta përmbledhur mund të them se besoj se situata në Shqipëri do të përmirësohet, por nuk duhet të habisë askënd që gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës.