Ju pastë shpirti dritë, Kasëm Hysenbelli !

494
Sigal

Shuhet themeluesi i “Fax News” dhe pishtari i Fjalës së Lirë, Kasëm Hysenbelli. Përfaqsuesit më të lartë të shtetit, personalitete, kolegë, miq dhe qytetarë i shprehin ngushëllimet familjes dhe të afërmve për humbjen e madhe të Presidentit të Fax News, jeta e të cilit u vu në shërbim medias së pavarur

 

Kasem Hysenbelliu u nda nga jeta, reagimi i të vëllait, Irfanit: Dhimbje që s’mund të përshkruhet me fjalë

Mesazh i z. Irfan Hysenbelliu, për ndarjen nga jeta të vëllait Kasëm Hysenbelliu:

Të dashur miq dhe të afërm të familjes Hysenbelliu, kolegë dhe bashkëpunëtorë të vëllait tim të ndjerë! Një falenderim kolektiv për të gjithë ju do të ishte shumë pak, për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë mesazhet e ngushëllimit dhe mbështetjes që na keni ofruar në këtë ditë dëshpërimi. Situata që po kalojmë më detyron t’ju drejtohem publikisht e t’ju kërkoj ndjesë që s’mund të komunikoj dot me secilin prej jush. Sot familja humbi Kasëmin, në një dhimbje që s’mund të përshkruhet me fjalë: ne humbëm djalin e përkushtuar e babain model, bashkëshortin ideal e vëllain e pazëvendesueshëm, xhaxhain e dajën e dhimbsur, një njeri zemërbardhë. Ju, në një solidaritet unikal, na treguat se Kasëmi s’ishte vetëm “familjari model” por edhe një shok e mik i çmuar, drejtues i aftë, koleg e bashkëpuntor i vyer, njeri vizionar e i përkushtuar, mik i të gjithëve.

Faleminderit nga zemra secilit prej jush!

Jam thellësisht i tronditur nga kjo humbje e rëndë dhe të ndahemi prej tij do të jetë tepër e vështirë, por nuk do të na mungojë forca për ta mbështetur fort trashëgiminë e Kasëmit si edhe të gjitha projektet e nisura prej tij, në mënyrë që ato të shkojnë përpara, në veçanti televizioni ‘Fax News’. Pas humbjes së vëllait tim të shtrenjtë, do të jem gjithashtu në mbështetje të plotë të fëmijëve të tij të mrekullueshëm, që të çojnë përpara aspirarat dhe në përmbushje të vullnetit të vetë Kasemit. Ai iku për të na lënë të gjithëve në trishtimin e mungesës së tij, pa humorin e hollë, e planet e pafundme. Por edhe pse s’mundemi ta kemi më fizikisht Kasëmin, asgjë s’do ndryshojë në vazhdimin e misionit të tij. Bashkëshorja dhe fëmijët, gjithë familja e tij e madhe, jemi të gjithë bashkë, për të përjetësuar projektet dhe veprën e tij. ‘Fax news’ dhe ‘Fax web’, produktet e shpirtit e mendjes së Kasëmit, do të mbështeten pa kursyer asgjë për të përmbushur ëndrrën e Kasëmit, vëllait tim të paharruar!

U prehtë në paqe!

Kasem Hysenbelli, na pikëllove të gjithëve o vëlla!

Engjëll Musai

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

Drejtor i Gazetës ‘Telegraf’

Kishim ditë që prisnim që t’i të ktheheshe pranë familjes dhe miqve të tu të shumtë Kaso. Të prisnim si përherë, buzagaz dhe fjalëmbël. Por nuk ishte e thënë miku ynë i veçantë dhe me zemër të madhe, pasi kjo flamë që ka mbërthyer mbarë globin të ndau fizikisht por jo shpirtërisht nga ne. Do u mungosh të gjithëve miku ynë. Nënës që aq shumë e doje dhe preokupoheshe për shëndetin e saj, familjes tënde të ngushtë, të afërmve, stafit, shokëve, por edhe mijëra shikuesve të televizionit “Fax Neës”, në Shqiperi dhe kudo në botë. Do u mungosh bashkëpatriotëve të tu Kaso! Ata të donin Kaso, se tek ti kishin një derë të hapur për hallet e tyre. Kemi Kasem Hysenbelliun thoshin. Sepse ekrani i televizionit “Fax Neës” ,u kthye në misionar dhe qytetarët e shikojnë si Kryegjyshata, Meka e Vatikani, si dhe e vetmja mundësi ku bënin thirrje për drejtësi dhe zgjimin e atyre që flinin gjumë me veshët të taposur. Si bir i Skraparit, Ju kishit vendin tuaj të nderuar në Kryesinë e Shoqatës Atdhetare Kulturore  “Tomorri” . Ndaj me shumë dhimbje në emër të Shoqatës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes duke qenë pranë Jush, në këtë dite të trishtë. Ju ishit nderi, dhe njeriu zemërbardhë, i pastër si vetë bora që mbulon Malin e Tomorrit. Kaso! Ju ishit dhe do të mbeteni shembulli dhe frymëzimi i fjalës së Lirë dhe respektimit të të Drejtave të Njeriut, dhe jo rastësisht, por falë vizionit tuaj, kamera e Tv. ‘FaxNeës’,  ishte mes njerëzve të varfër dhe ku padrejtësia dilte lakuriq, pikërisht prej vendosmërisë suaj dhe mos bërjes së kompromiseve dhe kulisave me batakçinjtë e pushteteve. Ju me mënccurinë dhe finesën tuaj, triumfuat Kaso, ndaj harbutëve  dhe injorantëve që duan të na kthejnë në Mesjetë, ndaj shpirti Juaj nuk vdes kurrë. Ju ishit me studentët, ishit me banorët që u prisheshin shtëpitë, ju ishit në spitale, ju ishit përballë krimit dhe shtetarve hajdutë që bënin pazare me votën dhe të ardhmen e shqiptarëve, ishit përballë injorantëve dhe administratës nepotike, ishit përballë persekutove të neveritur që nuk arritën dot të të fusnin nën kthetrat e tyre. Ndaj të gjithë do të kujtojnë përjetsisht dhe Ju për ne do të mbeteni përherë në zemrat tona, vëllai ynë. Ju pastë shpirti dritë, Kasem Hysenbelli!

 

Fati sot na ndau pa mëshirë, miku im Kasëm Hysenbelli!

Agim Çiraku

Botues i ‘Telegraf’

Kur njerëzit humanë, solidarë dhe plot vlera individuale në shërbim të kombit, ndahen nga jeta, mbrapa mbesin vlerat e mira që ata kanë lënë për familjen, shoqërinë dhe  në veçanti për fushat ku kanë kontribuar. Të tillë vlera kishe dhe rrezatoje edhe ti, shoku dhe miku ynë, Kaso. Në këtë ditë të trishtë, me dhimbje Ju shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmëve për ndarjen nga jeta të kolegut dhe modelit të medias dhe shtypit të pavarur, Kasëm Hysenbelliu!

Presidenti Ilir  Meta: Vdekja e themeluesit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, njw lajm tronditës

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka reaguar i tronditur, duke e quajtur të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu. Presidenti Meta thotë se: “Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze. Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme. Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe ‘Fax web.al,’ të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar!”

 

Familja Hysenbelliu shpreh falenderimet për mesazhet ngushëlluese: Kaso nuk ishte vetëm ‘yni’

Familja Hysenbelliu ka reaguar pas ndarjes nga jeta të të dashurit të tyre, Kasem Hysenbelliu.

Ata falenderojnë të gjithë ata që iu gjenden pranë në këto momente të vështira, duke ua bërë më të lehtë dhimbjen.

“Familja Hysenbelli falenderon të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirësit, familjen e madhe të ‘Fax News’ që na u gjendët  pranë në këtë ditë shumë të vështirë të humbjes së njeriut tonë, djalit, babait, bashkëshortit, vëllait tonë të shtrenjtë Kasem Hysenbelli. Janë me mijëra mesazhe, ngushëllime, vlerësime për ikjen e parakohshme të Kasemit. Na qëndruat pranë, na e bëtë më të lehtë dhimbjen. Sot e kuptuam më shumë se kushdo tjetër, se Kaso siç e thërrisnim të gjithë, nuk ishte vetëm “Yni”, ishte i të gjithëve, të njohur e të panjohur u përlotën për këtë ikje të beftë. Ne shprehim besimin se ëndrra e madhe e njeriut tonë të dashur do vazhdojë, ashtu siç ai dëshironte. Familja jonë do jetë mbështetje e pakufishme në këtë mision të lirisë për të cilën Kasemi investoi gjithë energjitë e tij. Ju faleminderit të gjithëve. Familja Hysenbelli.”, thuhet në reagim.

Fjalë zemre për njeriun që i meritoi…!

Ramis Hamzollari – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

Sa e vështirë qenka që si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, në emrin tim, por kryesisht edhe në emër të Shoqatës, të shkruaj këto rreshta! Nuk mendoja kurrë që do flisja për Kasemin në një mënyrë jo si zakonisht! Nuk e mendoja kurrë që takimi i asaj dite, vetëm 3 ditë para se shenjat e këtij “armiku të tmerrshëm” do të pushtonte Ty, ai do të ishte takimi i fundit! Ky “armik” të mundi TY, ekselentin e studentëve të shkollës ushtarake! Kasem, do na mungosh! Do t’i mungosh padyshim dhe pa asnjë mëdyshje Shoqatës sonë! Si anëtar i Kryesisë së Përgjithshme, si një njeri me prjeardhje nga trevat rreth malit të Tomorrit, Ti ishte aty, TI, ishte në çdo aktivitet, TI, ishte me stafin tënd mediatik sa herë që NE, kishim nevojë për mbështetjen tënde! TI, ishe një dritare e hapur për promovimn e vlerave artistike të ansamblit artistik të Shoqatës sonë! Ndjehem i privilegjuar personalisht, që TI, ishte aty, në aktivitetet që unë zhvilloja si Kryetar i Degës Tiranë. Ndihem shumë i trishtuar dhe do ndjej dhimbje, kur në takimin e radhës, Ti, nuk do jesh…Jo, sigurisht që do jesh! Ti, Kasem Hysenbelli do jesh përherë anëtar i kryesisë së kësaj Shoqate! Ti, Kasem Hysenbelli do jesh gjithnjë në bisedat tona, në bisedat e mija me Kryetarin, Engjëll Musai, që kurrë nuk të harronim, edhe kur TI, nuk ishte prezent atë çast! Fjalët nuk dalin më…! Ti, NDERI i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” do kesh të skalitur emrin Tënd  në historikun e saj! Lamtumirë miku i mirë! Lamtumirë në emër të gjithë anëtarëve të Shoqatës! Lamtumirë nga: Tirana, Durrësi, Lushnja, Vlora, Gramshi, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Përmeti, Saranda, Berati, Shkodra, Pogradeci e padyshim nga Skrapari!

Lamtumirë…!