Klaidi Çitozi: Kompania “Sigma” ka paguar për dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit mbi 4.5 mln euro. Koha për sigurim të detyrueshëm

255
Sigal

 

Flet Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i ‘SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group’

Pandemia zbehu disi vëmendjen nga tërmeti, duke bërë që diskutimet për mundësinë e sigurimit të detyrueshëm të zhvendosen. Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i ‘SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group’, vlerëson se përpos efekteve të përgjithshme që ka pasur COVID-19, puna ka vazhduar dhe dëmet janë paguar. SIGMA ka paguar për ngjarjet e tërmetit 4.5 milionë euro.

 Kur jemi një vit nga tërmeti, si e shihni tendencën për sigurimin e pronës në tregun shqiptar. A vini re ndërgjegjësim apo efekti i panikut dhe frikës janë zbehur, duke i lënë vend indiferencës për këtë lloj sigurimi? Si shfaqet tendenca te bizneset dhe individët?

Në të vërtetë, pritej më shumë rritje në sigurimin e banesave. Kishte një rritje interesi dy muajt e parë pas tërmetit dhe një rritje në sigurimin e banesave, por aktualisht, shifrat tregojnë që jemi në të njëjtat nivele me vitin e kaluar.

Pavarësisht dëmtimeve të mëdha që shkaktoi tërmeti, dhe jo vetëm financiare, ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e sigurimeve është ende i vakët. Individët kanë shfaqur interes më shumë se bizneset, duke qenë se një pjesë e bizneseve janë të siguruara, disa prej detyrimit nga bankat, dhe pjesa tjetër prej kulturës dhe ndikimit të investitorëve të huaj.

 Sa janë dëmet e paguara deri më sot nga SIGMA të lidhura me ngjarjet e tërmetit të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019? 

Fatura e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit për të siguruarit e kompanisë tonë, arriti shifrën e 4.5 milionë euro. Ekspozimi ishte i lartë, puna për vlerësimin e tyre ishte shumë e madhe, pasi asnjëherë nuk ishim gjendur përpara një numri kaq të madh dëmesh të ndodhura njëherësh.

Gjithsesi, një kompani e mirëkapitalizuar si Sigma, ia doli që të vlerësojë dhe paguajë dëmet e ndodhura në kohë rekord, duke mos cenuar vazhdimësinë e biznesit dhe jetën normale të familjeve që kishin zgjedhur të siguronin banesën e tyre në kompaninë tonë.

Asnjë qeveri nuk duhet të marrë përsipër rindërtimin në rast katastrofe. Qeveria krijon një buxhet për emergjencat civile për të shpëtuar jetët njerëzore dhe gjënë e gjallë, ndërsa rindërtimi duhet të jetë përgjegjësi e gjithsecilit

 Sa dosje janë në shqyrtim lidhur me këtë ngjarje dhe sa individë apo subjekte janë prekur nga ngjarja?

Janë shqyrtuar të gjitha dosjet e aplikuara deri tani. Kanë qenë rreth 660 dosje të trajtuara, por duhet thënë që 85% e tyre kanë qenë të siguruara prej detyrimit nga bankat. Vetëm 15% e këtyre rasteve janë siguruar për shkak të ndërgjegjësimit të tyre, apo se është në praktikën e biznesit që ata kryejnë.

Pandemia ka zhvendosur vëmendjen sa i takon pjesës së sigurimit të detyrueshëm të pronës nga tërmeti, një temë që u lakua shumë në muajt pasi ndodhi ngjarja në nëntor. A mendoni se ka nevojë për të rikthyer edhe një herë debatin dhe vendosjen e një skeme të përshtatshme në funksion të sigurimit nga ngjarje si tërmeti?

Është shumë e vërtetë që pandemia e ka zbehur disi vëmendjen nga sigurimi i detyrueshëm për katastrofat, por për ekonomi të brishta dhe me buxhete të vogla si ky i yni, sigurimi duhet të jetë përparësi absolute. Një katastrofë ndikon jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit, dhe prandaj është domosdoshmëri që të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

Asnjë qeveri nuk duhet të marrë përsipër rindërtimin në rast katastrofe. Qeveria krijon një buxhet për emergjencat civile për të shpëtuar jetët njerëzore dhe gjënë e gjallë, ndërsa rindërtimi duhet të jetë përgjegjësi e gjithsecilit. Nëse kjo përgjegjësi transferohet te kompanitë e sigurimeve, atëherë kemi një përfitim të shumanshëm, nuk preket buxheti i shtetit, qytetarët dëmshpërblehen në afate të arsyeshme për dëmin e ndodhur dhe kemi dhe një zhvillim të tregut të sigurimeve. Shteti duhet të mbajë përgjegjësi vetëm që ndërtimet të jenë brenda standardeve të përcaktuara dhe duke përmbushur të gjitha kriteret.

 Si ka ndryshuar sjellja e risiguruesve në tregjet e huaja në raport me riskun që përfaqëson Shqipëria pas ngjarjeve të tërmetit?

Edhe përpara tërmetit të 26 Nëntorit, Shqipëria ka qenë e klasifikuar si zonë me risk të lartë sizmologjik. Sigurisht që pritet një rritje e tarifave në vitin 2021, e shkaktuar nga tërmeti por e ndikuar edhe nga pandemia. Kjo rritje nuk u bë që në vitin 2020, pasi marrëveshjet e risigurimeve ishin lidhur përpara se ndodhi tërmeti.

Gjithashtu, risiguruesit presin nga ne që të bëjmë një inspektim më të kujdesshëm të pronës së siguruar, në lidhje me vendndodhjen e pronës si dhe me protokollin e ndjekur në ndërtimin e saj. Kjo do të sjellë një ndryshim edhe në sjelljen tonë ndaj klientëve, veçanërisht në procedurat e marrjes në sigurim.

Gjithsesi, kompania jonë është pjesë e një grupi të fuqishëm si VIG, si dhe mbështetet nga risigurues lider në tregun botëror të sigurimeve, dhe politikat e tyre të qëndrueshme, garantojnë që ne do të jemi pranë klientëve në rast katastrofash të mëdha. monitor