Jaho Cana: Veprimtaria patriotike e Mustafa Matohitit në 1942-1944

1459
Sigal

Veprimtaria patriotike e Mustafa Matohitit, në vitet 1942 – 1944

Me rastin e 75-vjetorit te rënies

Prof.asoc.Dr. Jaho Cana, Universiteti “Eqerem Cabej”

Heroi i Popullit Mustafa Matohiti, u rrit dhe edukua në një nga fshatrat me tradita të theksuara patriotike, në Lekdush, të Kurveleshit të Sipërm. Ambienti ku u rrit dhe sidomos kontaktet e tij të përhershme me elementët antizogistë si Ali Kelmendi, Asim Vokshi, Vasil Shanto etj., brumosën tek ai ndenja të theksuara jo vetëm komuniste, por edhe atdhetare e patriotike, prandaj mbi të gjitha ai u përkushtua me mish dhe shpirt çështjeve që kishin të bënin me fatin e atdheut dhe kombit.

Qysh me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, Mustafai u bë një nga aktivistët më të spikatur të saj për të gjithë Jugun e Shqipërisë, aktivitet i cili në radhë të parë u fokusua në drejtim të demaskimit të pushtuesve fashistë si dhe në ngritjen e çetave dhe celulave të partisë jo vetëm në malësinë e Kurveleshit por edhe më gjerë. Gjatë kohës së internimit të tij në fshatin e lindjes në Lekdush, ai ngriti jo vetëm celulat e para por mbi të gjitha kaloi edhe ne veprime konkrete për organizimin e qëndresës antifashiste, duke grumbulluar rreth vetes mjaft të rinj e të reja të zonës, për këtë ndikoi se tepërmi jo vetëm kultura dhe shkolla që kishte bërë, por mbi të gjitha edhe aftësitë e tij oratorike, aftësi këto që shumë shpejt do ta bënin të njohur në të gjithë vendin. Nuk do të vonojë gjatë, dhe pikërisht, më 18 mars të vitit 1942, do të vijë edhe aksioni i parë politik i tij në dobi të çlirimit të vendit nga pushtuesi italian. Në këtë datë me porosi të Komitetit Qarkor të Partisë për Gjirokastrën, në fshatin Mashkullorë organizohet një mbledhje e hapur ku merrnin pjesë në mënyrë masive populli dhe sidomos rinia e qytetit dhe e rrethinave. Në këtë mbledhje protagonist ishte pikërisht Mustafa Matohiti, i cili me oratorinë e tij bëri thirrje të hapur për luftë pa kompromis kundër fashizmit, si e vetmja rrugë për të shpëtuar nga kjo mynxyrë që kishte pushtuar vendin. Menjëherë pas këtij aksioni për Mustafanë, do të fillonte jeta e vështirë e ilegalitetit, por edhe njëkohësisht aktiviteti të tij ethshëm patriotik, i cili tash e tutje do të merrte përmasa të reja. Si rezultat i kësaj veprimtarie, brenda një kohe të shkurtër nga marsi deri në maj, në të gjitha fshatrat e Kurveleshit u ngritën Këshillat Nacional-Çlirimtare dhe pranë çdo këshilli u ngritën njëkohësisht edhe njësitë e armatosura ose siç quheshin ndryshe, çetat territoriale. Po në këtë kohë ngrihet edhe celula e parë e partisë për Kurveleshin ku Mustafa Matohiti, zgjidhet sekretar i saj dhe njëkohësisht edhe komisar i të parës çetë partizane të kësaj krahine. I gjithë ky aktivitet nuk mund të mos binte në sy të armikut. Prandaj, më 4 nëntor të këtij viti prefektura e Gjirokastrës nxjerr një urdhër ku midis të tjerash thuhej se “ …kushdo që vret, zë ose lehtëson zënien e ndonjërit prej personave të mësipërm merr një shpërblim prej 10 mijë frangash ari shqiptare.” Dhe në krye të kësaj liste figuronte emri i Mustasfa Matohitit.

Më 28 Nëntor të vitit 1942, ditën e 30-vjetorit të pavarësisë mbi 250 kryengritës kurveleshas të udhëhequr nga Mustafa Matohiti e Bexhet Mema sulmuan garnizonin italian të Gusmarit dhe përmbysën kështu pushtetin fashist për të gjithë krahinën dhe në vend të tij ngritën pushtetin e Këshillit Nacional-Çlirimtar. Kështu që krahina e Kurveleshit të Sipërm u bë nga krahinat e para të çliruara nga fashistët. Armiku pas kësaj u përpoq disa herë për ta ripushtuar atë, me anë të organizimit të disa operacioneve ushtarake, siç qe ai i dhjetorit të viti 1942, dhe i prillit të vitit 1943, por ato u zmbrapsën me turp, përballë qëndresës të organizuar nga Mustafa Matohiti me shokë. Ashtu sikurse e theksuam, ai mbi të gjitha ishte edhe një orator i zoti i cili dinte që me zgjuarsi dhe argumente bindëse t’i bënte për vete dëgjuesit, prandaj populli me të drejtë do ta mbiquante “Bilbil Matohiti”, sepse nëpërmjet oratorisë dhe fjalës ai arriti të ngrejë në këmbë jo vetëm popullin e Kurveleshit, por kudo që ai shkoi në popull përcolli mesazhin e idealeve të lirisë dhe çlirimit të menjëhershëm të vendit. Dhe ku nuk u dëgjua fjala e tij, në Kurvelesh, në Mesaplik, në Paraspuar, e Dëshnicë, Gjirokastër, e Tepelenë, Mallakastër, Kardhiq, Zagori, Poliçan e Rrëzom, Konispol e Bregdet. Therëse qenë gjithmonë fjalët e tij kur demaskonte bashkëpunëtorët e armikut. Pra zëri i komisar “Mariglenit” u dëgjua gjithë andej duke ndezur tek dëgjuesit ndjenjën e lirisë dhe të patriotizmit. Si rezultat i gjithë këtij aktiviteti të ngjeshur patriotik e atdhetar ai fillimisht caktohet me detyrën e komisarit në grupin e IV të Çamërisë, kurse me formimin e Brigadës VI Sulmuese, në 26 janar të viti 1944, ai caktohet komisar i këtij formacioni të lavdishëm partizan. Detyrë të cilin ai e kreu derisa ra heroikisht në betejat e ashpra që kjo brigadë zhvilloi për marrjen e kalasë së Margëlliçit, më 29 mars të vitit 1944. Duke rënë kështu dëshmor i Atdheut për të mos u harruar kurrë nga kujtesa popullore. Figura e tij jeton e gjallë në zemrën e popullit që e lindi e rriti dhe edukoi. Prandaj ai me të drejtë e ka përjetësuar këtë figurë, simbol të lirisë me shumë vargje ku midis të tjerash do të veçoja:

Mustafa me derte

nga ata që s’ lenë për vete.

i rritur me të keqe

i vrerosur që në djepe

Luftës për liri ju qepe.