Myfyt Qorduka: Nga bankat e gjimnazit të Gjirokastrës kanë dalë personalitetet më të larta të letërsisë, si Kadare, Agolli dhe Shehu

269
  • Flet ish-oficeri madhor i Flotës Luftarake Detare, Kolonel në rezervë Myfit Qorduka
  • -Nga bankat e gjimnazit të Gjirokastrës kanë dalë personalitetet më të larta të letërsisë shqipe, si Kadare, Agolli, Agim Shehu dhe qindra të tjerë mjekë, historianë, inxhinierë, politikanë.
  • Në muajin maj 1959, kishim hartimin. Por ajo ditë përkoi me vizitën e Hrushovit në Shqipëri.
  • -Na lajmëruan të dilnim në Sheshin e Çerçizit për të pritur delegacionin, ndërsa hartimin do ta bënim pasdite.
  • – Hrushovi, solli jehonën e planeve ogurzeza për ta kthyer Ksamilin në bazë të nëndetëseve dhe në këtë mënyrë të ktheheshin në zotër të Mesdheut.
  • -Si më vlerësoi Agim Shehu shkëlqyeshëm në provimin e letërsisë.
  • -Kisha dëshirë të bëhesha mësues letërsie dhe detar, por koha e solli të nisesha për officer detar
Sigal

Albert Z. ZHOLI

Myfit Qorduka, ish kapiten i rangut të parë si fillim, si kuadër i FLD, ka shërbyer me detyra të rëndësishme, jo vetëm në Sarandë, Vlorë, Sazan e Pashaliman, por dhe në Durrës e Shëngjin. Në kujtimet e përjetimet, nga jeta, puna, shërbimi e drejtimi në Flotën Detare ai ka mjaft ngjarje tronditëse. Hapësira e rrëfimit të tij është e gjerë, pasi përfshin ngjarje, episode, tregime e portrete për detarë të thjeshtë, për kuadro të shquar të FLD, si Abdi Mati, Zeqir Mero, Dashamir Ohri, Petrit Myftiu, etj, ashtu siç hedh dritë e portretizon edhe drejtues të tjerë të shtetit në ato mote, si E. Hoxhën, M. Shehun, K. Hazbiun, H. Çako etj. Ndërkaq, të gjithë të përmendurit, kuadro detarë, apo drejtues e udhëheqës pasqyrohen në lidhje drejtpërdrejt me ngjarje e fenomene të marrëdhënieve, kundërshtive e ballafaqimeve, si me agjenturat e huaja, ashtu dhe ish miqtë tanë, dikur jugosllavë e më pas sovjetikë e kinezë.

Në kujtimet e tij lexuesi do të ndjekë me interes sidomos vizitën e Nikita Hrushovit, të Malinovskit e më pas të Zhukovit, të cilët teksa marrin frymë ndjejnë etje, jo thjesht për bukuritë e mahnitshme të bregdetit tonë, por synojnë e nuk ngurrojnë të pëshpërijnë me shoshoqin ëndrrën për të gllabëruar Pashalimanin, Karaburunin, Orikumin, Sazanin e pse jo edhe Vlorën! Kuptohet, siç edhe rrëfehet koloneli, superfuqia sovjetike dhe Traktati i Varshavës, veç synimeve të tjera, donte të dislokonte në Karaburun 25 anije luftarake atomike, që të “krekosej” më tepër, përballë Flotës së Gjashtë amerikane, që mbizotëronte në Mesdhe. Historia e flotës sonë nis me Ilirët, të cilët, edhe pse me mjete të thjeshta detare, zotëruan ujrat e Adriatikut e Jonit, përballë piratëve të shteteve fqinje. Por u desh që FLD në Shqipëri të krijohej vetëm në vitin 1925. Kurse më vonë, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar FLD u rrit e u shtua me anije, nëndetëse, katera silurues dhe armatim bashkëkohor. Pas kthimit nga studimet, M. Qorduka tashmë kuadër i mirëpërgatitur, caktohet në anijen me komandant Spiro Koten, heroin e filmit “Duel i heshtur”, skenarin e të cilit e hartoi po aty shkrimtari Nasho Jorgaqi.

Me origjinë nga Kuçi i Vlorës, por shkollën e mesme e mbaruat në gjimnazin me emër të Gjirokastrës ku kanë mësuar gjenitë e letërsisë shqipe si Kadareja, Agolli dhe mjaft të tjerë, çfarë kujtimesh ruan nga Gjirokastra?

 

Këto ditë tek shikoja fotografitë e bëra ndër vite, sytë më mbetën tek njëra prej tyre, që mban shënimin: “Klasa e shtatë, dalë më 01-03-1955”. Nisa kështu t’i thërras kujtesës. Kujtoj shokët dhe shoqet e klasës, mësuesit tanë të mrekullueshëm, që me aq përkushtim e përkujdesje vunë gurët e themelit për edukimin tonë dhe na orientuan për të ecur përpara. Kështu erdhi data 1 shtator e vitit 1948, dhe e nisëm klasën e parë në shkollën e Kuçit.

Shkolla ishte objektivi im kryesor i jetës. Pa shkollën jeta më dukej e zbrazët, e thatë, pa ngjyra. Pas përfundimit të 7-vjeçares doja me çdo kusht të vazhdoja studimet. Në ëndërr më dilnin vetëm libra. Dhe ëndrra ime u realizua kur u regjistrova si nxënës në gjimnazin e famshëm të Gjirokastrës. Ai ishte ndër gjimnazet më të mirë të vendit që diskutohet dhe sot me aq bujë dhe histori. Nga bankat e atij gjimnazi kanë dalë personalitetet më të larta të letërsisë shqipe, si Kadare, Agolli, Agim Shehu dhe qindra të tjerë mjekë, historianë, inxhinierë, politikanë, veterinerë, ushtarakë, mësues, pra nga të gjitha degët. Ndoshta ai gjimnaz duhet të dekorohet me urdhër special për vetë vlerat dhe historinë që mbart mbi vete.

Flitet shumë për këtë gjimnaz, mund të na thoni se si i hodhi themelet gjimnazi i Gjirokastrës…?

 

Unë për këtë pyetje do të përgjigjem me një shkrim të një shokut tim Alqi Jani,

që e kam të ruajtur edhe sot. Ja si shprehet ai: “Historiku i shkollave është i hershëm në Gjirokastër, duke filluar nga shkolla e parë në lagjen Pazar i Vjetër, e vitit 1633, pranë Mitropolisë, në atë të vitit 1753; në ato të lagjes Varrosh të 1778-s dhe atë të vajzave me 1851, shkolla “Iliria” më 1908 e Labovës së Madhe, e deri më 1923, kur u çel i pari gjimnaz në rrethin tonë. Pra, është një vazhdë e tërë përpjekjesh për arsim, për shkollë. Me historinë e shkollës shqipe në të kaluarën në Gjirokastër lidhen një radhë figurash të arsimit në rrethin tonë, si Dhimitër Haxhiu, Leon Haxhi Qirici, Dhimitër Polizoi, Haxhi Londo Kristo, Panajot Dhimua e deri te Koto Hoxhi, Shefki Kallajxhiu, Nane Panajot Meksi, Lele Noçka, Vasil Konomi me shokë, të cilët u shkrinë për shkollën dhe mësimin e gjuhës shqipe. Këta u shquan midis bashkatdhetarëve të tyre, po duhet thënë se populli ynë, posaçërisht populli i rrethit të Gjirokastrës, kurdoherë ka treguar se është arsimdashës, që për shkollën nuk ka kursyer dhe kafshatën e gojës. Dhe faktet e vërtetojnë një gjë të tillë. Ato flasin hapur. Le të nisemi nga një rast konkret: Kush i ngriti shkollat në Gjirokastër? Mos vallë pushtuesi anadollak? Kush derdhi mund, djersë dhe kush kërkoi të hapen shkolla? Përgjigjja është gjithnjë një: populli, ngaherë populli. Kush i ngriti themelet e kësaj shkolle në Gjirokastër? Popullin e Gjirokastrës dhe  rrethet me kohë e kanë interesuar hapja e shkollave. Nuk është rasti të flasim për gjendjen e rëndë të arsimimit dhe të kulturës nën pushtimin turk, kur drita e arsimit sa niste dhe ndizej, shuhej me egërsinë më të madhe. Autoritetet e pushtimit nuk mendonin për shkolla, por populli syrin e kishte drejtuar tek librat, shkollat. Ne do të na interesonte fakti se si ngriheshin dhe hapeshin këto shkolla. Nga vileshin fondet e nevojshme? Nga një dokument që më ka rënë në dorë, kopja e lutjes paraqitur Vilajetit me Nr. 287 dt. 26 qershor, thuhet shprehimisht “…me ndihmën e popullit në këtë krahinë të gjërë po formohen qysh prej kohe shkolla në gjuhën shqipe…”

Dhe kjo ngjau, sepse, siç vazhdon më poshtë dokumenti në fjalë, “duke marrë parasysh gjerësinë e kësaj prefekture, aftësitë dhe zgjimin në një shkallë të mrekullueshme të individëve myslimanë dhe jo myslimanë në rrugën e arsimit, dhe faktin se ata që janë të aftë për arsim dhe më të shumtët, ose shkojnë në kurbet jashtë Gjirokastrës, ose zhyten në injorancë, gjithashtu edhe se për ata që shkojnë për arsim në shkollat e mesme të Stambollit ose të qendrave të tjera të vilajeteve, shuma e shpenzimeve të nevojshme vjetore i kalon të 1500 lirat… Kur u kalua në problemin e çeljes së gjimnazit, sipas dokumenteve të kohës, nga të gjithë u tregua një zë dhe dëshira serioze dhe u gjet me vend që në rast pamundësie nga ana e buxhetit, ndërtimi i shkollës së përmendur të bëhet me anë ndihmash nga vetë populli. Fillimisht gjimnazi ishte menduar asaj kohe të ndërtohej në kala. Në pjesën e sipërme, në një vend të abandonuar prej kohësh, po me kusht që të mos dëmtohej gazerma, depua e rezervistëve dhe  veçanërisht burgu! Për të gjitha këto, iu paraqit lutja madhërisë së tij, padishahut, e cila shprehte dëshirën e të gjithëve për të filluar mbledhjen e ndihmave. Qysh nga kjo lutje për të hedhur themelet e gjimnazit dhe derisa u bë realitet, kaluan shumë kohë. Shumë vite, u shkëmbye një korrespondencë zyrtare dhe çuditërisht e gjerë. Po sikur të kishte thënë Allahu që dhe ndërtimi i shkollës të financohej nga Porta e Lartë, patjetër s’do të kalonin shekuj! Çfarë u bë pas lutjes? Sigurisht, për shkak të indiferentizmit të organeve qeveritare ndaj ndërtimeve arsimore, është qesharake kur mëson se për një ndërtesë dykatëshe me 10-12 dhoma, u desh mëse një 5-vjeçar i tërë! Jo vetëm kaq, por shteti nuk investoi asnjë grosh, por iu la gjithçka vetëm ndihmave nga populli i varfër! Nga ato shtresa që gdhiheshin pa ngrënë dhe ripeshin në taksa nga të katër anët. Thirrjes për të dhënë ndihma në favor të ndërtimit të një godine për gjimnazin e Gjirokastrës, iu përgjigjën të gjitha krahinat në jug. Nga defteri i ndihmave të Kurveleshit kemi shumën prej 102 lira, të cilat i dhuruan fshatrat e kësaj krahine si vijon:

1-Golemi  25 lira

2- Progonati 23 lira

3-Nivica  18 lira

4-Picari 8 lira

5-Rexhina  7 lira

6-Gusmari 6 lira

7- Lekdushi 5 lira

8-Kolonja 4 lira

9- Verniku 3 lira

Në vitin1906 merret vesh se në Gjirokastër janë mbledhur të holla të mjaftueshme për ndërtimin e godinës së një gjimnazi, dhe megjithëse janë plotësuar konditat, mosndërtimi i godinës është për t’u çuditur. Buxheti otoman për arsimin është gjithnjë me deficit. Rrugëdaljen e gjen tek ndihmat. Pra të hollat mjaftojnë. Ndihma u kërkuan dhe nga të mërguarit jashtë Shqipërisë. Një të mërguari në Stamboll, në një letër private, i shkruhej: “Godina e shkollës do të kushtojë 1200 lira dhe meqenëse i nderuari personi juaj, e çmon më shumë se çdo njeri rëndësinë e kësaj vepre, për të mos mbetur përgjysëm, kërkojmë nga ju ndihmën tuaj të çmueshme.” Megjithatë autoritetet turke e zvarrisnin problemin e shkollës, në vitet 1907, 1908… Erdhën në fuqi turqit e rinj, por shkolla ende nuk po ndërtohej, ndonëse kishin kaluar vite qyshkur nisi puna. Po ndërtimi ecte në hapin e breshkës. Turqit e rinj nuk e ndryshuan gjëndjen. Ata bërtisnin se duhej ndërtuar shkolla, por në fakt nuk bënin asgjë. Shoqëria “ITIHAT E TEREKI” për Libohovën, bën thirrje për ndihma dhe deklaron: “Regjistrimi i ndihmave zbukurohet çdo ditë me emra të rinj, kurse nga fondet qeveritare nuk parashihet asnjë cantim! Deri në këtë kohë punimet me mur guri kanë marrë fund dhe është gati të mbetet binaja në të katër muret…” Ndaj kësaj gjendjeje shteti i kalbur turk në greminë e sipër, nuk vë dorë, ai nuk ndihmon më për asgjë. Vetëm këshillon të vazhdojë mbledhja e ndihmave. Si përfundim pas pak viteve, pas shumë peripecish, mundi të ndërtohej plotësisht pas një pesëvjeçari e ca ndërtesa e shkollës sonë. Kjo qe godina, ku më 23 nëntor u çel i pari gjimnaz miks për djem e vajza në Shqipëri. Me djersën dhe paratë e popullit të krahinës sonë u hodhën themelet e kësajë shkolle”.

– Çfarë kujtimesh ruan nga gjimnazi? Cilat janë më pikantet?

 

Në gjimnaz kam kujtimet më të bukura të jetës time. Kujtime që i ruaj të freskëta edhe sot. Pra, këtu mësova dhe këtu në këtë gjimnaz u bëra maturant, në gjimnazin me emrin e ndritur të “Heroit të Popullit”, Asim Zeneli, një gjimnaz ky me tradita dhe me kërkesë të lartë llogarie. Në muajin maj 1959, kishim filluar sezonin e provimeve dhe në fillim na u desh të jepnim gjuhën me shkrim, dmth, hartimin. Por ajo ditë përkoi me vizitën e Hrushovit në Shqipëri dhe na lajmëruan të dilnim në Sheshin e Çerçizit për të pritur delegacionin, ndërsa hartimin do ta bënim pasdite. Shkuam te sheshi grupe-grupe. Ne ishim një grup shokësh, si: Zeman Lala, Enver Isufi, Kristaq Pavli, Daut Gumeni, Thoma Zhano, Martha Xhani, Muharrem Ymeri, Vasil Zhapa, Aliqi Dhrami, Lejla Bakiri etj. Sheshi gumëzhinte nga muzika, këngët ruse e shqiptare, kurse prania e kostumeve të grave dropullite i jepte atij sheshi pamjen e një kopshti me lule shumëngjyrëshe. Anëtarët e delegacionit hipën në tribunë. Pamë që Hrushovi nuk ishte, dhe atë e kryesonte ministri i BRSS-së, mareshalli Malinovski, i cili e kishte gjoksin të mbuluar me dekorata. Ai, pasi foli për miqësinë, falenderoi për pritjen e ngrohtë, për ndihmën që do i jepte Bashkimi Sovjetik Shqipërisë etj. Foli diçka edhe për perspektivat e zhvillimit të detarisë në Shqipëri, për bazën e Vlorës etj. Ne nuk e dinim se ai, duke ardhur në Gjirokastër nga vizita në Sarandë, bashkë me Hrushovin, sillte jehonën e planeve ogurzeza që bënin, për ta kthyer Ksamilin në bazë të nëndetëseve dhe në këtë mënyrë të ktheheshin në zotër të Mesdheut, duke kërcënuar gjithë vendet e rajonit përreth.

Erdhi pasditja dhe ne u ulëm për të bërë hartimin. Mendja na punonte për rezultatin që do arrinim, sepse përgatiteshim për të vazhduar shkollën e lartë. U hap zarfi i Ministrisë së Arsimit dhe na u lexua tema nga profesori i letërsisë, poeti Agim Shehu. Tema ishte: “Komentoni një nga vjershat e “Albumit” të Fan Nolit, që ju ka pëlqyer më shumë” (temën dhe fletoren me hartimet e vitit të 4-t i kam të ruajtura në bibliotekën time dhe i lexoj herë pas here). Fillova të fantazoj dhe të zhvilloj temën. Ndoshta nga fshati Kuç, nga jam unë dhe Gjirokastra ku shkollohesha, që s’kanë lidhje me detin, ishte normale që imagjinata ime si adoleshent të drejtohej nga e panjohura, te deti dhe të fshehtat e tij, te kurioziteti për ta njohur atë ndoshta i ndikuar nga tregimet për detet dhe detarët. Unë notin dhe biçikletën i kam mësuar kur shkova në shkollën e lartë. Midis të tjerash, në hartim shkruajta: “…Vapori në të cilin ndodhesha unë, mengadalë çante detin dhe prapa mbeteshin qytete dhe fshatra të bukur bregdetare. Një gëzim i madh shprehej në fytyrat e marinarëve, se shpejt do të zbrisnin në tokë. Maja e mprehtë e vaporit çante pa mëshirë dallgët rebele, që përplaseshin në të dhe linte një rrip të zgjatur shkume valesh. Për një çast fërshëllen sirena e vaporit tonë dhe ne të gjithë dolëm në kuvertë. Sytë tanë lëviznin nga të gjitha anët dhe era valëviste shiritat e kapeleve tona. Para nesh një shesh i madh, i mbushur me gra, burra e fëmijë, që presin me ankth lajmëtarin e fitores. Dhe mua m’u kujtua një vjershë që kisha mësuar dikur në shkollë për maratonomakun:

“rend or rend, rend e u thuaj,

se u çthur hordhi e huaj,

se betejën e fituam

dhe qytetin e fituam!”

Dhe hartimin e përfundoja: “Besnike e orarit tingëllon zilja e xha Myftarit (rojës së konviktit) mbi kokën time të përgjumur, për të më takuar edhe me një mëngjes të ri të jetës time.“

Profesori në vlerësimet e tij, më pat shkruar: “Hartimi më i mirë është i juaji, do të lexohet para klasës. Fantazinë derdhe me lustër e kursim”. Unë e kuptova se fantazinë vërtetë e kisha lëshuar pa frena, gjë që do të reflektohej dhe në kërkesën time që do të bëja për në shkollë të lartë.

Në kohën e sezonit të provimeve na u kërkua të formulonim kërkesën për shkollë të lartë dhe të përcaktonim tre degët që na pëlqenin më shumë. Në kërkesën time shënova edhe degën e detarisë (Kapiten i lundrimeve të largëta). Me mbarimin e provimeve shkuam një muaj në prodhim në fermën e Goranxisë të Gjirokastrës. Të çliruar nga tensioni i provimeve, ia kalonim mirë me njëri-tjetrin dhe nuk e ndienim lodhjen e punës fizike, me të cilën nuk ishim mësuar.

 

-A ju plotësua dëshira? Si erdhi lajmi për t’u shkolluar si detar i marinës luftarake shqiptare?

Kishin kaluar vetëm disa ditë dhe mua e shokët e mi, Zeman Lala e Polo Guga, na thirrën në degën ushtarake të rrethit, ku na priti kryetari i degës, i cili na komunikoi se na kishte dalë e drejta e studimit për në BRSS. Për ne ishte gëzim i madh, aq më tepër që do studionim jashtë shtetit ku, përveç mësimeve, do njiheshim me kulturën e jetën e popullit të madh, siç ishte Rusia me gjithë ato republika. Masat ishin marrrë dhe ne u nisëm me autobus për në Tiranë, ku na priti gjeneral Petrit Dume. Aty, të grumbulluar nga gjithë rrethet, bëmë analizat mjekësore dhe na nisën për në portin e Vlorës; prej nga do të niseshim me vaporin “Irgiz” për në Odesë. Pasi u ndava me Sadikun, vëllain tim jurist, dhe me kushërirën time, Fatime Idrizi (atëherë studente në mjekësi), që kishin dalë të më përcillnin, ngjita shkallët dhe u futa në anije. Ajo ishte një anije e tonazhit mesatar, kish qenë më parë një anije luftarake dhe e kishin adaptuar si anije transporti malllrash dhe për pasagjerë. Ky ishte kontakti im i parë me detin dhe detarët. Nuk ishim veçse 18-vjeçarë dhe të veshur të gjithë me rroba civile.

 

 

 

D ketuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu

 

U nisëm në oren 12 të natës, kur ishim në gjumë. Filluan lëkundjet e para. Neve filloi të na zinte deti. Filluan të vjellat. Ato janë të rënda derisa mësohesh, por për t’u mësuar duhet disa kohe. Ndërsa po lundronim nëpër Mesdhe disi të qetësuar nga të vjellat, papritur mbi ne kaloi një aeroplan luftarak. Gati sa nuk i prekte direket tanë. Ishte shumë e frikshme, t’i ndalonte të vjellat menjëherë. Pastaj fluturuan mbi ne nja katër a pesë të tjerë njëri pas tjetrit. Me siguri ata u ngritën nga ndonjë aeroplanmbajtëse amerikane, që ndodhej diku afër, sepse në krahët e aeroplenëve dukeshin qartë shenjat e ushtrisë amerikane. Kuptohej që pilotoheshin nga pilotë të zotë dhe energjikë. Gjithsesi diçka ishte e saktë: avionet e NATO-s e dinin që anija “Irgiz “nuk transportonte prodhime tregtare.

Pas një lundrimi 4-5 ditor arritëm në Odesë të Ukrahinës. Shokët tanë, Robert Bali, Zeman Lala, Azem Lamaj e Kasem Spahiu, u ndanë me ne. Ata u nisën në drejtim të Rigës dhe Leningradit, ku do fillonin mësimet në akademinë për nënujsa e specialitete të ndryshme; ndërsa ne vazhduam për në Baku. Unë për Bakunë kisha dëgjuar nga një poezi e mrekullueshme e Eseninit, rreth vrasjes së 26 komisarëve të Bakusë, ku kishte shpëtuar vetëm Mikojani, i cili më vonë u bë dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të kohës së vet. Treni, me të cilin ne udhëtonim nga Odesa, linte prapa stacione qytetesh e krahinash si Tragauroz, Rostov mbi Don, etj. Në Rostov ndaluam për të ndërruar trenin dhe u futëm në një restorant për të drekuar. Na shoqëronte një kolonel i marinës. Megjithëse kuptonim mirë nga gjuha ruse, për t’u shprehur e kishim të vështirë. Mbasi ne mbaruam porositë me kamerieren, një shoku ynë, Taqo Aleksi, me humor  pyeti, për kolonelin: “Po ky qafiri çfarë do marrë për të ngrënë?“ “Po, po, kifir“ u përgjigj koloneli. Ne, duke qeshur, i thamë kamerieres që edhe neve të na sillte “kifir“, por pa e ditur çfarë ishte. Kur na e solli porosinë pamë se “kifiri“ ishte kosi… Pra  mësuam se kosit në rusisht i thoshin kifir. Kështu vazhduam, pak e nga pak, duke komunikuar me njerëzit, të mësonim rusishten. Kaluam afër qytetit Pitigorks, qytet i lindjes së poetit të madh rus Lermontov, i cili u vra në një duel nga majori Martnov me 15 korrik 1841, kur ishte vetëm 27 vjeç. (Gazetat për këtë ngjarje patën shkruar se dueli nuk kishte qenë i rregullt).

Qyteti ishte shumë i bukur, me 140.000 banorë. Rreth 20 km në veri të tij, afër një aeroporti, ndodhej një qendër me ujë mineral. Pas katër ditësh udhëtim me tren, na u shfaq Bakuja me pamjen e tij të mrekullueshme, me platformat e naftës që shtriheshin në det. Bakuja, qytet i madh, kryeqytet i Azerbajxhanit me një popullsi 1.700.000 banorë.

Por, më vonë, gjatë viteve të qëndrimit atje, kur ne dilnim shëtitje buzë Kaspikut na trishtonte fakti që deti ishte i ndotur nga mbeturinat e naftës dhe njerëzit nuk mund të laheshin në atë det shumë të bukur e tërheqës.

 

Ku u përgatitën kuadrot e par të Flotës? Vetëm në ish Bashkimin Sovjetik?

 

 

Jo! Për të qenë korekt kudarot e para u përgatitën në ish-Jugoslalvi. Por para shkurajes në Jugosllavi u shënua ditlindja e Flotës Ushtarake Detare. Në vitin 1945 u nxorrën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur dhe në datën 15 gusht 1945, shënohet data e ringritjes së flotës sonë detare. Këta motoskafë, me nga një mitroloz 20 mm në bash, nisi për patrullim atdheu i sapoçliruar. Ata motoskafë drejtoheshin nga partizanët tanë. Krahas vështirësive të panumërta, nisi kështu rruga e mundimshme e ringritjes dhe modernizimit të flotës, që do kulmonte me anijet e mëdha luftarake dhe nëndetëset. Në vitin 1948, flota, me ato mjete primitive, zhvilloi operacionin e parë luftarak, betejën e parë për mbrojtjen e atdheut nga deti. “Kjo betejë, -tregonte veterani Selam Qejvani, – u zhvillua në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia. Ne dinim vendin e zbarkimit, idenë e operacionit, muajin, mjetet e numrin e njerëzve që do vepronin. Nuk dihej ora dhe mënyra e veprimit. Prita u organizua me idenë që forcat e mbrojtjes do vepronin në tokë dhe flota do vepronte në det me komandant Çelo Arzën dhe komandant grupi anijesh Selam Qejvanin. Ideja e përgjithshme ishte të lejohej afrimi i anijes diversioniste terroriste, depërtimi i saj në thellësi të gjirit, zbarkimi i diversantëve dhe, kur forcat e bregdetit të hapnin zjarr, atëherë do të futeshin në luftim anijet tona, aksion ky që do të realizohej në befasi në dy krahët e pritës e në mënyrë të skalionuar. Anija greke në dhjetor 1948, duke shfrytëzuar errësirën e natës pa hënë, uli shpejtësinë në afërsi të bregut 100-150 m dhe, pasi u bind se nuk ishte diktuar, uli lanxhen (sanallin) me dy diversantë në bord e iu afrua bregut pa zhurmë. Sapo lanxha arriti 10-15 m larg, nga pakujdesia e një ushtari të mbrojtjes sonë, u rrokullisën gurë në det, të cilët shkaktuan zhurmë duke dekonspiruar pritën tonë dhe ata u larguan drejt Korfuzit, duke u shoqëruar nga breshëritë e armëve tona“. Këtu përfundon tregimin e tij Selam Qejvani.

Përveç modernizimit të mjeteve, koha kërkonte edhe përgatitjen e kuadrove që do t’i drejtonin ato. Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare që në mujat e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane. Fillimisht, menjeherë pas Luftës, në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës Jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhenieve, pas vitit 1948 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë sovjetike, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarake që ruhen në arkivin e FLD-së, efektivave tona detare, krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, si dhe pajisjes me teknikë dhe armatim bashkohor, iu desh të përballonin edhe incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptare të vënë në shërbim të agjenturave të huaja. Në këto incidente, pati edhe viktima detarësh e oficerësh, por që u përballuan me sukses.

Në prill të vitit 1954, në përgëzim të realizimit të detyrave me sukses nga efektivat detare, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin, kalon pranë ishullit të Sazanit, duke dhënë njëkohësisht edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detare.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit, kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e ishin vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nisi menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Për të realizuar kërkesën për përgatitjen e kuadrit të flotës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë zgjodhi nga radhët e saj ish-ushtarakë (shumica me arsim fillor) dhe, në dhjetor të vitit 1946, dërgoi në Dyvulje të Jugosllavisë 84 kursantë të shoqëruar nga kapiteni i parë, Abdi Mati. Baza e vjetër detare e Duvuljesë ishte bazë edhe për hidroplane. Afër kësaj baze ndodhej qyteti i vogël Trogir, aty ku kursantët mësuan se veprat e artit të kishës së qytetit ishin bërë nga piktorë shqiptarë dhe përballë qytetit ndodhej fshati me emrin “Albania”.

Në fillim të vitit 1947, dërgohen në një kurs njëvjeçar në Dalmaci, një grup ushtarakësh për t’u përgatitur si specialistë për anijet luftarake. “Ndër kuadrot e para të detarisë ushtarake që u përgatitën në Jugosllavi, kujtoj Selam Qejvanin, Petro Trenin, Rami Mborjen, Xhavit Selimullarin, Hajri Binaj, Vaske Themelin, Isuf Mullaj etj. Kur këta u kthyen në Shqipëri para kohe, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, në kinema “Iliria” të qytetit të Durrësit, u organizua ceremonia e gradimit të studentëve që u përgatitën në Jugosllavi. Të gjithë morën gradat dhe emërimet, përveç Isuf Mullait, të cilit nuk iu dha emërimi. Isuf Mullai iu drejtua Kadri Hazbiut për sqarim dhe ai iu përgjigj: “Mos u shqetëso se ti do të marrësh një detyrë shumë të rëndësishme”. Dhe me të vërtetë, Sigurimi i Shtetit e dërgoi atë me mision special në oborrin e mbretit Zog që ndodhej në Francë. Kështu, më vonë, Isufi do të bëhej personazhi kryesor në romanin “Mërgata e Qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Këta kursantë, falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan mjaft nga përvoja e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”, – kujton Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën Jugosllave të detarisë, punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke patur rastin të jenë edhe drejtues të këtyre njësive. Njëzetë e një prej këtyre kursantëve, mbasi kryen 11 muaj studime, i ndërprenë ato dhe u kthehen në Shqipëri për të drejtuar një grup prej tre dragaminash të përdorura e gati të amortizura, që qeveria shqiptare ia bleu asaj jugosllave. Këto mjete u pritën me entuziazëm në portin e Durrësit, ku ishin të pranishëm gjeneral Mehmet Shehu dhe ministri Nako Spiru. Komandant i dragaminës 14 u vu Anastas Qendro e zëvendëskomandant Pandi Sterjo;  në dragaminën 16 komandant Avdulla Hoxha e zëvendëskomandant Sadik Gërxhalliu, ndërsa në dragaminën 18 komandant Bari Dyrmishi e zëvendëskomandant Selam Qejvani. Filluan menjëherë çminimin e Kanalit të Korfuzit.

 

***

 

-Si vazhdoi përgatitja e oficeravë tanë detarë?

 

 

Ish-BS u bë shkolla e madhe e detarëve tanë ushtarakë. Që nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri- BS në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura sovjetike të marinës ishin vendet ku u përgatiten breza të tërë kuadrosh të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe, në detyra të ndryshme në flotë, në  vjeshtë të vitit 1949. Ish-ushtaraku, Qemal Hysaj, kujton se grupi i parë i kuadrove shqiptarë të marinës u përgatit në kryeqytetin e Republikës se Azejbarxhanit, Baku, buzë Detit Kaspik. Kuadrot e parë që studiuan për marinë në BS, ishin 10 vetë: Xhemal Shani, Aziz Hasa, Mark Plani, Stavri Çika, Arqile Papadhimitri, Piro Kola, Muharrem Lulolli, Mehmet Karashabani dhe Shefqet Pinari,- shton më tej Hysaj.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kolegëve që jetojnë ende, qysh me ardhjen në atdhe, kuadrot e përgatitura në BS u emëruan në detyra të rëndësishme. Kështu, Xhemal Shani u emërua komanandant i Flotiljes e më pas, komandant i Brigadës së Nëndetëseve; Mark Plani shef i shtabit të Flotiljes e komandant baze; Aziz Hasa komandant i Ishullit të Sazanit, etj.

Në vitin 1948 u dërguan dy grupe të tjerë studentësh detarie për në BS, njëri prej 23 vetësh në Baku e tjetri prej 5 vetësh në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Detare në Leningrad  (sot San Peterburg). Ndërsa nga mesi i viteve 50 deri në fillim të vitit 1960, në Akademinë Ruse (Sovjetike) u dërguan dhjetëra ushtarakë të tjerë për marinën shqiptare.

 

-A i vizitonin udhëheqësit tanë  bazat ushtarake detare dhe si vinin me lajëmrim paraprak apo të befasishëm?

Sipas rastit. Ardhja e kuadrove të parë të shkolluar jashtë vendit në krye të FLD-së shqiptare e njësi të tjera të kësaj arme, sipas rrëfimeve të ushtarakëve të flotës, solli përmirësim rrënjësor të nivelit të gatishmërisë në mbrojtjen e ujërave tona detare. E veçantë në këtë periudhë të fuqizimit të FLD-së dhe të përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe në Ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim,Vangjel Nano, një nga drejtuesit e efektivave detare, në kujtimet e tij shkruan se më 24 prill 1954, nga Vlora afër Sazanit, Enver Hoxha, i shoqëruar nga silurëhedhësja “Heroi”,  komanduar nga ekuipazh krejtësisht shqiptar, mbërriti para efektivit të detarëve të Sarandës, ku, midis të tjerave, theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e Partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se detarët do t’i  ruajnë e mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë të dashur.“

 

Në vitet 1957 -1958, kur Flota Luftarake u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse e armatim bashkëkohor, siç tregojnë dokumentet zyrtare të kohës, Qeveria Shqiptare, në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga Bashkimi Sovjetik të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçem për përzgjedhjen e kontigjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t`u përgatitur në akademinë detare të Bashkimit Sovjetik. Ky kontigjent kalonte në një “sitë“ tepër të imët, duke zgjedhur më të mirët midis gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve dhe shërbimeve të ndryshme. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdher të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës.

Urdhri për studentët e flotës, tërhiqte vëmendjen e organeve përgjegjëse për kujdesin që duhej të tregonin, kriteret që duhej të ndiqnin në seleksionimin dhe përzgjedhjen që duhej të bënin, që në Rusi të shkonin studentët më të mirë.

Muhedin Brokaj, i cili ka qenë vetë student në BRSS, kujton:  “Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavine, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik. Vendimi i Qeverisë Shqiptare në vitin 1957, me nënshkrimin e Enver Hoxhës, për përzgjedhjen e veçantë të studentëve tanë që dërgoheshin si kontigjent i flotës, bëri që nxënesit më të shkëlqyer të shkollës “Skëndërbej”në Tiranë, si dhe nga nxënësit më të mirë të gjimnazeve të Shqipërise, të përqafonin profesionin e bukur e të vështirë të ushtarakut detar. Këtë pivilegj ndër vite (deri në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik), e patën dhjetëra e qindra djem të talentuar, që atë kohë kryen deri dy apo tri shkolla e akademi në BS, duke shërbyer më pas ndër dekada si komandues nënujësash (nëndeteseje), në anijet e bazat ushtarake, që nga Saranda, Pashalimani, Sazani, Durrësi, Vlora e deri në bazën veriore të Shëngjinit. Jo pak prej tyre, si Robert Bali, Beqir Gërbi, Ndue Jaku, Muharrem Kuçana, Perikli Xhixho, Tasim Meçe, Astrit Sevrani etj, u bënë ndër drejtuesit kryesorë të bazave tona ushtarake-detare, të flotës  e deri në Ministrinë e Mbrojtjes.

Përkujdesja e Petrit Dumes dhe e Teme Sejkos për ne, ishte e veçantë. Problemet e gatishmërisë së FLD-së e, në këtë kuadër, edhe  përzgjedhja e përgatitja e kuadrove që dëgoheshin për shkollim në BS, mbanin të angazhuar drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu Petrit Dume, që ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, jo vetëm interesohej vazhdimisht në hollësi për problemet deri në hallkën më të ulët të njësive luftarake detare, por shpesh gjendej midis tyre, duke u dhënë udhë vetë problemeve të ndryshme. Ndërsa kundëradmirali Teme Sejko, i cili në janar 1958 u emërua Komandant i Flotës Luftarake Detare, deri sa qe në krye të saj, për dy vjet (pasi në korrik të 1960-es u arrestua së bashku me Taho Sejkon, Tahir Demin etj., si agjent i rusëve dhe amerikanëve, dhe u pushkatua në maj 1961), nga ushtarakë e detarë të flotës mbahet mend si njeri i aftë dhe i përkushtuar, që bëri jo pak për këtë shërbim të rëndësishëm në ato kohë të vështira. Njëkohësisht në kujtesën e pashlyer të dhjetëra studentëve që niseshin për shkollim në akademinë sovjetike, ai mbetet, midis të tjerave, edhe për porositë e shumëpërsëritura që ne (studentët) të mësonim e të përvetësonim dijet e profesionit deri në imtësi, pasi shumë shpejt do të zëvendësonim brezin që ishte në drejtim.

Ishte qershori i vitit 1959, kur unë, isha midis të përzgjedhurve për studime në akademinë  e Bakusë për detari, së bashku me Robert Balin, Xhafer Rrokaj, Fadil Nika, Agim Halili, Llazar Isaku, Ferid Gjinali, Ilmi Bregasi, Todi Gerveni, Shezai Skëndaj,Tom Kola dhe Beqir Hila. (Beqiri, nga Zhulati, shoku im i ngushtë, shkonte për inxhinieri kimie, por fatkeqsisht, ai u nda nga jeta në moshën më të re, kur ishte student në BS. Por më ka mbetur merak që, as familja, as unë, nuk e mësuam të vërtetën e vdekjes së tij. Këtë ma ka pohuar edhe prokurori sovjetik që hetonte çështjen e tij në atë kohë.)

Pasi u përcollëm e u porositëm gjatë nga Petrit Dume, u nisëm për në Vlorë, ku para nisjes, patëm një takim të gjatë me kundëradmiralin e komandantin e Flotës, Teme Sejko. Do të udhëtonim me vaporin Rus “Irgiz”, por detyrat e fundit do na i jepte Teme Sejko! Pasi dha porositë e zakonshme që lidheshin me korrektesën dhe nevojën e përkushtimin në studime në vendin mik, ai vazhdoi: “Ju shkoni në një vend të madh, me një ekonomi të zhvilluar, me shkencë konkurruese me shume vende perëndimore. Duhet të përfitoni sa më shumë e të bëheni kuadro të mirë, se ju do na zëvendësoni ne.” Fjalët e tij të thëna në sallën e vaporit “Irgiz” i mbajmë mend edhe sot, se në ato vite, kur kuadro të tillë të dalë nga lufta e të kthyer gati në “mite” në ushtri e  popull, që mendoheshin si të pazëvendësueshëm në funksionet e larta që kishin, shprehja “do na zëvendësoni”, ne ish-studentëve që sapo hidhnin hapin e parë të shkollimit në rrugën e vështirë të detarisë luftarake, na dukej si ëndërr. Në të vërtetë, pak vite më pas, do të ishin këta studentë që do të zëvendësonin gjeneralët e njohur shqiptarë në poste e detyra të ndryshme. Por, vite më vonë, kuadro të tjerë në armë e shërbime të ndryshme të ushtrisë, fatkeqësisht u zëvendësuan nga brezi i ri jo në rrugë normale, por nëpërmjet një kalvari të stërmundimshëm, sepse një pjesë e mirë e ushtarakëve madhore u penalizuan nga regjimi i kohës si “armiq” e disa dhjetëra të tjerë bënë shumë vite burg e internim.

 

Si ishte jeta studentore në ish-BS, si ishin kushtet si ju trajtonin?

Jeta studentore kishte larmitë e saj. Krahas punës që bënim në fakultetin e inxhinierisë navale për të përvetësuar artin e lundrimit, të themi të vërtetën, vitet e para ishin të vështira. Ndërsa aktivitetet në kohën e lirë i bënim të larmishme dhe kjo na argëtonte dhe na jepte një kënaqësi të veçantë. Fakulteti ynë, ku bënim pjesë ne studentët shqiptarë, kishte një skuadër të mirë futbolli, lojtarë cilësorë, që vazhdimisht dilte “kampion” midis studentëve dhe, si fakultet, së bashku me studentë të tjerë të huaj, si bullgarë, rumunë, gjermanë, vietnamezë e kinezë, ishte në krye të skuadrave të akademisë. Për këtë, herë-herë skuadra jonë zgjidhej për të zhvilluar ndeshje me kombëtaren e Azerbajxhanit. Këto ndeshje i trasmentonte edhe televizioni i Bakusë. Të mos harrojmë se në ato vite, as emrin nuk ia dinim televizorit në Shqipëri…

Mbahen mend studentët futbollistë që bënë emër në ato aktivitete: Lek Lleshi e Vaskë Ziu, që dalloheshin për kombinacionet që bënin me rumunët Popa e Francesku; mesfushorët Kristaq Çito, Gezim Begaj e Luan Gjonçaj; qendërmbrojtësi “postbllok” i skuadrës, Faik Sinani, që me ndërhyrjet e tij në kohën e duhur e me vendosmëri, bënte që të largohej rreziku nga zona e rreptësisë dhe skuadra me të ndjehej e sigurtë. Ndue Jaku, si portier kur nuk pësonte gol, shokët e ngacmonin: “Qëndrove në portë si shqiptar. E nderove Shqipërinë“, se vërtet  ai luante me shumë sedër e me emocion të veçantë dhe çdo rezultat ai e lidhte me atdheun, Shqipërinë. Ndërsa Shpëtim Idrizi bënte pjesë në skuadrën e voleibollit të akademisë. Ai, para se të shkonte në BS, kishte qenë volibollist i kombëtares sonë. Dhimiter Thomai dhe Agim Halili bënin pjesë në ekipin e mundjes dhe ishin kampionë për peshat e tyre; Hasan Onuzi, Arqile Broka e Spiro Gjika, basketbollistë të shkëlqyer, madje Spirua për shumë vjet mbrojti ngjyrat e skuadrës së Partizanit. Por ne nuk mbeteshim prapa edhe ne aktivitetet artistike, në mënyrë të veçantë dalloheshin për interpretimin e këngëve e për zërin plot ngrohtësi Todi Gerveni, Bardhyl Shehu e Leonidha Dhima, ndërsa Taqo Aleksi, jo vetëm këndonte bukur, por ishte edhe kitarist i mirë. Vëmendjen në koncerte e tërhiqnin më shumë Hamza Koçiu e Fadil Zeqiri, që recitonin krijimet e tyre poetike në rusisht. Më vonë Hamzai u bë një poet i shquar dhe Fadili shkrimtar me emër, por të dy kanë qenë pedagogë të nderuar në Akademinë e Detarisë në Vlorë dhe gjithashtu të dy kanë shkruar me frymëzim e dashuri për detin e detarët, për heroizmat e tyre, prandaj dhe Flota Detare i pret me kënaqësi krijimet e tyre.

 

Kemi biseduar para disa vitesh për aktorin e madh Raxh Kapurin e famshëm, si dhe ku u njohët me të? Si u lidh miqësia?

 

Kjo është një nga ditët më të bukura të jetës time. E kisha ëndërr ta takoja dhe e takova. Dekada më parë e deri vonë, aktori i famshëm indian, Raxh Kapuri, nëpërmjet filmave “Vagabondi”, “Zotnia 420”etj., si kudo në botë, u bë idhull edhe për rininë shqiptare. Interpretimi dhe kënget e tij u bënë “modë“ në gjuhë e variante të ndryshme, por pakkush e di se ai ka qenë mik i ngushtë i studentëve shqiptarë të detarisë që studionin në vitin 1959-1961. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet njohjes me ne, Raxhi i famshëm dhe i shumëkërkuar në të katër anët e botës, shprehu dëshirën dhe u përgatit për të ardhur në Shqipëri, vizitë e cila, fatkeqësisht, për shkaqe të klimës politike të kohës, mbeti vetëm dëshirë. Është e vërtetë se filmat e tij të mësipërm kanë lenë mbresa të paharruara në mendjet e të gjithë atyre shqiptarëve që kanë patur rastin t’i shikonin. Më kujtohen e më kalojnë nëpër mend si në një film bardhezi pamjet e rrëmujës që bëhej përpara kinemasë “Çajupi”, e vetmja kinema në Gjirokastër, që “kuqua” Qani i nxirrte afishet e filmit në vende të caktuara, paçka se për të njëjtin film në një vend  shkruhej “fililm indian”, e në tjetrin “egjiptian”, siç thotë diku Ismail Kadareja, por kjo askujt s`i prishte punë. Turmat e mëdha të njerëzve të grumbulluar para saj, si dhe radhët e gjata për bileta, nuk respektonin asnjëfarë rregulli… Në “betejat” që zhvilloheshin çdo ditë për blerjen e biletave aq të çmuara, të parët që fitonin, pa dyshim, ishin më të fortët. Njerëzit e shumtë, të bërë lëmsh, për të arritur gjer pranë sportelit të biletashitëses, shtynin, ulërinin, hipnin mbi njëri-tjetrin e griseshin gjer në gjakosje.

Filmat e Raxh Kapurit kishin magjepsur shqiptarët, të cilët, të stërngopur me filmat luftarakë sovjetikë, “zbuluan” para tyre një kinema krejt të panjohur, me subjekte sentimentale e personazhe mjaft të këndshëm. Nuk gaboj po të them, se seancat e atyre filmave që nisnin që nga ora nëntë e mëngjesit e përfundonin në mesnatë, s`besoj se do t’i ketë ndjekur një masë aq e madhe spektatorësh, ndoshta në asnjë lloj filmi tjetër të shfaqur  në Shqipërinë e asaj kohe.

Para disa vitesh, qyteti i Kanës në Francë, i kushtoi atij një homazh të merituar. Në një festival të organizuar me këtë rast, filmat e parë të Raxh Kapurit qenë më të bukurit dhe ata meritojnë epitetin e autorit të tyre të quajtur “djaloshi eteruxx”, emër me të cilin është cilësuar ai. Ndërkohë nuk mund të mos flas për partneren e tij të përhershme, Nargiz, e cila me portretin e saj universal të femrës së dashuruar, me këngët e saj të mrekullueshme, të cilat duke qenë larg stilit operetë, mbeten gjjithmonë si një shprehje e pasionit, gëzimit dhe lumturisë njerëzore… Raxh Kapuri (Raj Kapoor), emri i vërtetë i të cilit është Ranbir Raj Kapoor, lindi me 14 dhjetor 1924, në Pakistan dhe vdiq më 3 korrik 1988, i sëmurë nga  një astmë kronike. Në çastin e vdekjes ai ishte duke punuar për filmin e tij “Henna“ që kishte në qendër të subjektit dashurinë mes një vajze pakistaneze dhe një të riu indian. Ky film pastaj u përfundua prej djalit të tij të madh, Randur Kapoor. Djemtë e tij, ose më mirë të themi dinastia Kapoor, vazhdoi të ecte përpara, sepse të tre djemtë: Randur, Rishi dhe Rajev si dhe dy mbesat Karena dhe Karisma, realizuese e aktore të njohura, vazhduan traditën e atit të tyre e sot drejtojnë kompaninë e njohur filmike “Raj Kapoor Production“ në Bollyvood (kështu quhet krijimtaria popullore e Bombeit dhe Indisë, duke bërë paralelizëm me “Mekën“ e filmit botëror, Hollyvood-in amerikan.)

 

 

Si u njoha me Raxhin? Ku dhe si?! Njohja me Raxh Kapuri, fillimisht qe një rastësi, falë miqësisë që ne studentët shqiptarë kishim lidhur me shkrimtarin e shquar vendës, Resul Riza dhe me këngëtarin e famshëm, “bilbilin” e këngës ruse, Rashid Bejbutov. Në përfytyrimin tonë, Bakuja, kryqyteti i Azerbajxhanit, që para nisjes nga Shqipëria njihej nëpërmjet poezisë së mrekullueshme të Eseninit “Balada e të 26-ve“, që u kushtohej komisarëve të vrarë të këtij qyteti, ku, si e kam thënë më lart, nga 26 kishte shpëtuar vetëm Mikojani. Por, që në kontaktin e parë me qytetin dhe me njerëzit hasëm në një metropol të stërmadh, nga më të mëdhenjtë në botë për nxjerrjen dhe eksportin e naftës. Por, mbi të gjitha, takuam njerëz të mrekullueshëm, që shqiptarët i donin dhe i respektonin tej mase. Fakti që midis nesh kishte edhe njerez të letrave, u bëmë miq, takoheshim shpesh, bisedonim e kalonim së bashku kohën e lirë, ndiqnim aktivitete të ndryshme edhe me shkrimtarin e njohur Resul Riza dhe me këngëtarin Bejbutov e shokë të tyre.

Gjithashtu me shkrimtarin Riza dhe këngëtarin Bejbatov, për shkak edhe të lidhjeve si krijues, më shumë rrinte poeti ushtarak Hamza Koçiu, si dhe studentët Kristaq Çito, Milto Xhillari, Baki Balili, Jani Nika, Todi Gerveni etj, të gjithë studentët e Akademisë Detare të Bakusë. Edhe para njohjes me ne, ata të dy kishin respekt për Shqipërinë e shqiptarët, por me sa duket, njohja dhe miqësia me ne ua shtoi edhe më shumë respektin. Mbaj mend se, në një koncert të madh që dha Rashid Bejbatov, në një pallat kulture, në mes të kryeqytetit Baku, qysh në fillim, ai tha se, në shenjë miqësie e respekti, dëshironte të përshëndeste studentët shqiptarë me një këngë. U befasuam të gjithë kur nga goja e këngëtarit të njohur nisën të përhapen në vargjet dhe tingujt e këngës së njohur shqiptare “Shkova  n’Elbasan,/ për me ble  fustan”, të cilën ai e interpretoi në dy gjuhë, rusisht dhe shqip. Pikërisht njohja jonë me këtë këngëtar do të sillte dhe kontaktin e parë tonin dhe miqësinë me Raxh Kapurin, i cili ishte mik i ngushtë i Bejbatovit. Njohja me Raxh Kapurin, siç thashë më lart, ishte e rastësishme. Në miqësinë e studentëve shqiptarë të detarisë luftarake në Baku, me bilbilin e këngës ruse Bejbatov, pati një ndikim edhe fakti se vetë këngëtari kishte qenë në Shqipëri, i kishte pëlqyer vendi, njerëzit dhe mikpritja e shqiptarëve, ruante kujtimet më të mira për këngën, artin në përgjithësi e kulturën shqiptare në veçanti. Shpesh në bisedat tona të lira, këto tema zinin pjesën më të madhe të kohës, ndërsa shoqëria jonë rritej më tej. Shpesh Bejbatovi shkonte bashkë me ne studentët shqiptare nëpër aktivitete të ndryshme, luanim së bashku bilardo, pingpong etj. Gjatë atyre ditëve mësuam se së afërmi do të vinte për koncerte e për një vizitë të gjatë në Baku, Raxh Kapuri, që në kujtesën tonë ishte i pashlyeshem nga loja dhe vija melodike e këngëve në filmat ”Vagabondi”e “Zotëria 420”. Madje, filmin e parë gjatë kohës që isha në Tiranë, kishte ndodhur që ta kisha parë me shokët deri në tri herë në ditë, duke e blerë biletën disa herë më shtrenjtë  nga sa shitej në sportele. Por as që bëhej fjalë që Raxhi, mes mijëra simpatizantëve, të takonte studentët shqiptarë, nëse nuk do të ishte këngëtari i madh, miku ynë, Rashid Bejbatov. Autoritetet ruse, në axhendën e përgatitur për pritjen e aktorit indian, një ndër pikat kishin parashikuar dhe takimin e tij me këngëtarin Bejbutov, takim i cili për të qenë një takim shokësh e sa më intim, ishte parashikuar të bëhej nëpërmjet një vizite që Raxhi do t`i bënte në shtëpi këngëtarit në fjalë. Si me shaka, teksa po luanim bilardo, i thashë mikut Bejbutov, se kisha dëshirë ta takoja Raxhin. Më premtoi se do ta takoja në kohën që ai do të ishte për vizitë në shtëpinë e tij, duke më caktuar edhe orën që do të shkoja.Takimi me Raxhin në shtëpinë e këngëtarit do të bëhej menjëherë sapo ai të më lajmëronte. Dhe këshu ndodhi. Për të dhënë imazhin e një jetese komode dhe mirëqenieje, gjatë vizitës që Raxhi do t’i bënte Bejbatovit, autoritetet ruse kishin vendosur që shtëpia e “këngëtarit”përkohësisht të ishte një vilë e bukur në periferi të kryeqytetit, e pajisur e mobiluar si ato të kolegëve të tij perëndimorë. U morën masat dhe këngëtari  shumë shpejt u transferua në “shtëpinë e re”.  Por “shtëpia e re“ e Bejbatovit, ku unë takova Raxhin, sipas urdhrit të dhënë nga qeveritarët vendas, pas ikjes së Raxhit nga Rusia, duhej të dorëzohej dhe këngëtari duhej të kthehej të jetonte në banesën e vjetër, që ishte një apartament i thjeshtë në një nga lagjet e Bakusë. Kjo më vonë solli peripeci, me të cilat do të njihemi më poshtë.

Bejbatovi na kishte caktuar orën që do të shkonim, por unë së bashku me kolegun tim, Kristaq Çito, nga padurimi e kurioziteti u gjendëm para kohe te vila e tij. Miku na priti te dera dhe na ftoi të hynim. E ndoqëm pas dhe u futëm në një dhomë të madhe. Përpara syve, i ngritur në këmbë, na zgjati dorën një djalosh i gjatë rreth dy metra… Ishte Raxhi, aktori i famshëm indian.