Ismail Shulku dhe Muharrem Gjoka, “Nderi i Qarkut të Dibrës”

599
Sigal

KËSHILLI I QARKUT VERILINDOR KONSIDERON PROPOZIMIN E KRYESISË SË OBVL

Halil RAMA

 

  • Kryesia e OBVL falenderon Këshillin e Qarkut Dibër dhe kryetaren, Valentina Haliti Doda, që konsideruan propozimin e saj për të nderuar të dy figurat e spikatura dhe dy njerëz me kontribute të mëdha në shërbim të Dibrës dhe Shqipërisë

Me propozimin e Kryesisë së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL), Këshilli i Qarkut Dibër ka nderuar me titullin “NDERI I QARKUT DIBËR”, kolonel Ismail Shulkun dhe nënkryetarin e OBVL Muharrem Gjoka. Dy burra të nderuar, dibranë dinjitoz, kontribues dhe të përkushtuar në vite, profesionistë të vërtetë në punën e tyre, njëri si ushtarak dhe tjetri si mjeshtër në kantieret e rrugëve dhe hidrocentraleve, janë nderuar kështu të premten më 17 prill në një ceremoni festive të organizuar në Peshkopi nga këshilli i Qarkut Dibër.

Kolonel Ismail Shulku – ish-komandant i Frontin Veri-Lindor dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe nënkryetar i OBVL Muharrem Gjoka, u vlerësuan për kontributin e tyre mbi 50 vjeçar, me titullin “Nderi i Qarkut Dibër”. Kryesia e OBVL i përgëzon të dy figurat e spikatura dhe falenderon Këshillin e Qarkut Dibër dhe kryetaren, Valentina Haliti Doda, që konsideruan propozimin e saj për të nderuar dy njerëz me kontribute të mëdha në shërbim të Dibrës dhe Shqipërisë.

Dhe këtu në Dibrën e “Nandë  Maleve” historike, me një pozitë shumë të mirë gjeografike, që shtrihet në luginën e Drinit të Zi nga Gjorica deri në Reç, në hapësirën mes Korabit e Runjës, këto dy burra të shquar të saj  ndjehen si në shtëpinë e vet. Gjithsesi  krenarë për historinë e lavdishme të Dibrës, ata kanë nostalgji për tokën pjellore, fushat, malet si dhe bjeshkët e larta të vendlindjes së tyre, ashtu si edhe për lumenjtë që e përshkojnë si Drini, Murra e Seta  dhe ca lumenj të vegjël, por të rëndësishëm.  Paraditen e 17 Prillit, koloneli i mirënjohur Ismail Shulku dhe promovuesi i vlerave etnokulturore dibrane Muharrem Gjoka do të ishin të rrethuar nga personalitete të Qarkut Dibër (që përfshin tri rrethet: Dibër, Bulqizë e Mat), si nga kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti Doda, prefekti Nexhbedin Shehu, nga ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv Defrim Methasani, nga  familjarë, miq e të afërm të tyre. Ata janë nderuar edhe herë të tjera, por Titulli i dhënë nga autoriteti më i lartë vendor i vendlindjes së tyre, “Nderi i Qarkut Dibër” i bën të ndjehen më krenarë se kurrë.