Ismail Kadare: “Vendi i Shqipërisë është në Europë”

252
Sigal

 Sindroma antiintelektuale mori gjatë këtyre viteve përmasa të paparashikuara.

Kthimi im ishte i kushtëzuar absolutisht nga një gjë themelore: nga vendosja e demokracisë

Mendoj se përfytyrimi i Europës për Shqipërinë dhe i Shqipërisë për Europën ka pasur gjithmonë diçka të mangët.

 

Në fillim të muajit maj 1992, u kthye në Shqipëri nga ekzili politik në Francë, shkrimtari Ismail Kadare. Ikja e tij nga Shqipëria në tetor të vitit  1990, përshpejtoi lëvizjen antikomuniste që do të kurorëzohej me demonstratat e fuqishme të dhjetorit dhe lejimin e pluralizmit  politik pas dy muajsh. Ato ditë të dhjetorit 1990 studentët mbanin shpesh në duar portretet e Kadaresë dhe të Qosjes, një gjest që donte të thoshte se ata ishin më shumë se shkrimtarë dhe figura të shquara të kulturës kombëtare. Atyre iu kërkohej në ato momente të vështira të ishin përveçse udhëheqës shpirtërorë, edhe udhëheqës politikë të popullit. Kadare, pra, po kthehej…Gjatë një viti e gjysmë të mungesës së tij, në Shqipëri kishin ndodhur zhvillime të vrullshme e të rëndësishme, kishte ndodhur përmbysja e madhe dhe kishin ndryshuar raportet politike, ndërsa kudo mbizotëronte një entuziazëm i admirueshëm.

Për të pritur Ismailin në aeroport kishin dalë shkrimtarë, artistë, gazetarë, miq e dashamirës të tij, disa anëtarë të Qeverisë së re si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Dukja e Ismailit dhe Elenës te dera e avionit, u prit me duartrokitje nga të pranishmit në pistën e Rinasit. Dikush qante nga gëzimi… Gazetarët, si zakonisht në raste të tilla, u turrën t’i merrnin Kadaresë ndonjë deklaratë.

E ndjej veten shumë të lumtur, – u tha ai gazetarëve. – Shqipëria  është e lirë. Kjo është një fjalë që njeriu mund ta mendojë me vete qindra herë dhe çdo herë ajo ka një bukuri të veçantë.

Kadare qysh në aeroport deklaroi mbështetjen e tij të plotë për zhvillimet që kishin ndodhur në Shqipëri pas 22 marsit. E përkrah pa asnjë rezervë demokracinë shqiptare, tha ai, përkrah pa asnjë rezervë institucionet legale të demokracisë, drejtuesit e rinj të Shqipërisë.

Kronika që dhashë me këtë rast u transmetua e plotë në Zërin e Amerikës. Veçse nga fjalia e parë e kronikës Shkrimtari i shquar Ismail Kadare u kthye sot në atdhe…, ishte hequr me kujdes cilësori i shquar. Ndoshta nuk do ta kisha vënë re këtë imtësi, por ky epitet që iu hoq Kadaresë, u përdor nga Biberaj te Zëri i Amerikës për një shkrimtar të rëndomtë që hyri ato ditë në parlament si deputet i listës i Partisë në pushtet.

Disa ditë më vonë, më saktë më 18 maj, në shtëpinë e tij në Tiranë i mora një intervistë Kadaresë për Zërin e Amerikës. Duke sjellë ndërmend incidentin që më ndodhi me Rexhep Qosjen, po vrisja mendjen se si t’i thosha shkrimtarit të fliste sa më shkurt, ndërsa ishim ulur në studion e tij që shikon nga bulevardi dhe unë po bëja gati magnetofonin. Por, Kadare më nxori vetë nga sikleti. I mësuar me intervista të lloj-llojshme, ai më pyeti vetë paraprakisht se sa minuta më kërkohej intervista. Dhe kështu filluam…

Nga kronikat.

– Zoti Kadare, ju u kthyet në Shqipëri, siç keni deklaruar, më shpejt nga ç’e kishit parashikuar. Çfarë e përshpejtoi kthimin tuaj?

Kthimi im ishte i kushtëzuar absolutisht nga një gjë themelore: nga vendosja e demokracisë. Meqënëse në Shqipëri demokracia u vendos, meqenëse ajo u vendos në mënyrë të pakthyeshme, përfundimisht, unë vendosa që ditën e parë kur dëgjova rezultatin e zgjedhjeve, e ndjeva këtë gjë, e deklarova këtë pa kurrfarë mëdyshje.

– Ju tashmë jeni takuar dhe kini biseduar me udhëheqësit e rinj të Shqipërisë. Ç’mendim keni për ta?

Unë jam takuar kryesisht me presidentin Berisha. Jam takuar dy herë me të. Siç e kam deklaruar këtu në Shqipëri dhe në shtypin botëror, unë kam mendimin më të mirë për ekipin që do të udhëheqë Shqipërinë. Nuk i njoh ende të gjithë, por njoh frymën e tyre. Unë presidentin Berisha e konsideroj një mikun tim. E kam patur mik edhe më përpara, vendosja e tij në postin e presidentit nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në marrëdhëniet e mia me të. Jam takuar si me një mik, kemi folur haptaz, sinqerisht, për probleme të ndryshme, kemi patur të njëjtin mendim për gjërat. Kam besim se ai do ta kuptojë këtë kohë dhe kam besim gjithashtu se do të ketë mirëkuptim midis ekipit që drejton vendin sot dhe popullit shqiptar. Sepse koha është mjaft e tensionuar dhe gjërat nuk do të jenë të përsosura. Demokracia shqiptare nuk është e përsosur, shteti shqiptar nuk mund të jetë i përsosur, udhëheqja e tij s’mund të jetë e përsosur, asgjë nuk mund të jetë e përsosur. Për mua mjafton që ky ekip, kjo demokraci, këto institucione e çojnë përpara Shqipërinë ose jo. Në qoftë se ato e çojnë përpara Shqipërinë, në atë mënyrë, me ato mundësi që ka Shqipëria sot, unë i konsideroj si diçka të përkryer. Sepse e përkryer është ecja përpara dhe jo ngecja në vend. Po për këtë duhet të ketë një mirëkuptim të të gjithëve. Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk do të ecet përpara në qoftë se kërkohet ajo çka është e pamundur, atë çka koha nuk ta jep dot. Nuk mund të ecet përpara pa një vështrim ndërtimtar, pa një koncept konstruktiv të gjërave. Sepse, për fat të keq, në Shqipëri krahas konceptit konstruktiv, është tepër i pranishëm sot një koncept desktruktiv. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe stabiliteti është një nga dimensionet themelore të demokracisë së sotme shqiptare.

– Shqipërisë i janë hapur portat e Europës, ku ajo kërkon të hyjë me shumë dëshirë. Ç’kërkohet ende nga Shqipëria, por edhe nga Europa, për realizimin e kësaj aspirate?

      – Është një problem mjaft i ndërlikuar, ka qenë dhe do të mbetet në marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën, që është e vështirë të shpjegohet në një intervistë. Por komplikimi vazhdon. Mendoj se përfytyrimi i Europës për Shqipërinë dhe i Shqipërisë për Europën ka pasur gjithmonë diçka të mangët. Të dy palët kanë patur vizione të gabuara për njëri – tjetrin. Shqipëria herë e ka idealizuar Europën, herë është nervozuar së tepërmi me të. Domethënë, ka patur dy qëndrime të skajshme. Europa gjithashtu, herë e ka parë me indiferencë Shqipërinë dhe herë është interesuar për të. Prandaj këtu ka vend për të korigjuar në këto dy optika, në të dy anët dhe, mendoj se themelore për Shqipërinë, vendimtar është mirëkuptimi i saj me Europën. Një mirëkuptim realist, i bazuar mbi të vërtetën dhe jo mbi iluzione, një marrëveshje konstruktive, në mënyrë që Shqipëria ta ndjejë veten në familjen europiane me dinjitet, në mënyrë që të mos ketë as rolin e arrogantit që ka pasur dikur dhe as rolin e lypsarit që mendojnë disa.

Gjithashtu, kjo optikë realiste, e shëndetshme, e Shqipërisë do të shoqërohet se s’bën nga një optikë e shëndetshme e Europës. Një marrëveshje, një mirëkuptim i dyanshëm do të hapi shumë porta të mbyllura, do të sqarojë shumë gjëra të pasqarueshme, do të kapërcejë shumë vështirësi që duken të pakapërcyeshme tani për tani.

 

Vendi i Shqipërisë është në Europë dhe Europa e ka Shqipërinë pjesë të saj”.

 

 

Intervista me Kadarenë u transmetua e plotë po atë ditë. Megjithatë, unë nuk mund të mos vija re një lloj rezerve që mbahej ndaj tij në qarqet politike në Shqipëri. Edhe nga pushtetarët. Edhe nga Zëri i Amerikës. Është e pamundur të mendohet se shkrimtari me intuitën e tij të mprehtë, të mos e ketë vënë re këtë lloj rezerve të politikës në përgjithësi ndaj tij dhe, në mënyrë të veçantë të politikanëve shqiptarë, në opozitë apo në pushtet. Secila palë, sikurse e ka pohuar edhe vetë shkrimtari, priste që Kadare të radhitej në anën e tyre. E ky angazhim i tij me njerën palë, nënkuptonte luftën kundër palës tjetër. Shkrimtari, i cili edhe larg Shqipërisë ndiqte me vëmendje skenën shqiptare, është prononcuar herë pas here për zhvillimet politike në vend, duke qenë i pakënaqur dhe shpesh mjaft kritik sidomos ndaj klasës së politikanëve, ndërsa ka kërkuar prej tyre më tepër përgjegjshmëri dhe seriozitet në drejtimin e shtetit dhe për fatet e popullit.

Por, kritikën më të rreptë Kadareja e ka bërë për opozitën socialiste që pretendonte marrjen e pushtetit. Këtë qëndrim ndaj opozitës socialiste, Kadare thuajse nuk e ndryshoi asnjëherë. Madje edhe pas zgjedhjeve të dhunuara dhe të kontestuara botërisht të 26 majit 1996. Ismail Kadare ka ardhur shpesh gjatë këtyre viteve në Shqipëri dhe ka dhënë plot intervista. Një ndër intervistat që i nervozoi pushtetarët demokratë, ishte ajo që Kadare i dha më 20 nëntor 1994, pra dy javë pas referendumit për kushtetutën. Në atë intervistë, Kadare midis të tjerash i kërkoi presidentit Berisha lirimin nga burgu të Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos. Por ky apel i Kadaresë ra në vesh të shurdhër dhe nuk u dëgjua nga Berisha. Përkundrazi, Kadare u sulmua nga një pjesë e shtypit më afër pushtetit.

Në fillim të majit 1995 u sollën nga SHBA në atdhe eshtrat e Faik Konicës. Për të marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Konicës erdhi në Tiranë edhe Kadare. Mirëpo, pjesëmarrja e tij në atë ceremoni kaloi thuajse pa u vënë re. Në atë ceremoni foli Berisha, foli Rugova, foli ministri i Kulturës Laço, këndoi edhe hoxha, por Kadare jo, nuk e tha fjalën e tij… Në mbrëmje, ndërsa ndiqja në TV kronikën e varrimit të eshtrave të Konicës vura re se kamera kishte punuar “me shumë kujdes” që të mos vihej re prania e Kadaresë në ceremoni. Disa ditë më vonë, Rexhep Qosja kritikoi mënyrën se si u zhvillua ajo ceremoni, ku folën vetëm pushtetarët, por asnjë përfaqësues i shquar i kulturës kombëtare. Dhe përsëri shtypi i partisë në pushtet nuk i kurseu fyerjet dhe sharjet ndaj profesor Qosjes… Shqetësimi që më lindi ato ditë të shkurtit të vitit 1992, tashmë nuk përbënte thjesht një dyshim.

Sindroma antiintelektuale mori gjatë këtyre viteve përmasa të paparashikuara.

Gjatë periudhës së tranzicionit, sikurse është quajtur shpesh periudha postkomuniste në Shqipëri, intelektualët kanë qenë pjesa më e mënjanuar e shoqërisë. Ishin pikërisht ata që nuk mundën dot të bëheshin tregtarë, që nuk mund të merreshin me kontrabandë, që nuk mund të bënin kompromise dhe ortakëri me injorantët, me revanshistët, me njerëzit pa skrupuj e të etur për pushtet. Ata që guxuan dhe thanë të vërtetën për dobësitë e regjimit të ri, që paralajmëruan dhe denoncuan kurrupsionin, ata që jepnin alternativa të ndryshme nga ato të pushtetarëve për zhvillimin e përparimin e vendit, për institucionalizimin e demokracisë, u flakën nga puna, lanë katedrat e universiteteve, ngelën pa përkrahje shoqërore. Dhe, shumë prej tyre me dhimbje u detyruan të merrnin rrugët e kurbetit, në një kohë që atdheu kishte më shumë se kurrë nevojë për aftësitë dhe personalitetin e tyre.

Nënvleftësimi i intelektualëve, përçmimi që u tregua ndaj tyre, duke i zëvendësuar me njerëz profesionalisht mediokër, por të shquar në militantizëm, për besnikëri dhe servilizëm ndaj pushtetit, krijoi një ngjashmëri fatale me ish-pushtetin e përmbysur. Dhe ky ishte një minus i madh për PD-në dhe për Berishën njëkohësisht. Sepse këtij populli që kishte vuajtur aq shumë nga mediokriteti, i kishte ardhur në majë të hundës dhe nuk mund të duronte një qeverisje prej mediokrish të rinj.

 

Associated Press / Shqipëria njeh Partinë e parë opozitare

Autoritetet shqiptare kanë njohur sot formalisht partinë e parë opozitare, duke i hapur rrugën zgjedhjeve shumëpartiake pas shumë dekadash me zgjedhje ku merrte pjesë vetëm një parti dhe ku qeveriste vetëm njëra në fjalë ajo Komuniste. Por qeveria ka vazhduar këtë me një dyshim dhe duke bërë akuza mbi dyshimet e marrjes pjesë në rebelim javën e kaluar. Shtypi zyrtar shqiptar ka raportuar se gjykatat kishin dënuar 18 njerëz me burgim deri në 12 vjet. Më shumë se 150 njerëz ishin në gjyq për akte kundër qeveritare pas dhunës së javës së kaluar në katër qendra provinciale, ka raportuar radioja shtetërore shqiptare. Ministri i Drejtësisë Enver Halili publikoi një dokument të firmosur dhe të vulosur duke njohur partinë e re në Shqipëri, Partia Demokratike saktësisht pas një jave nga formimi i saj ka theksuar zëdhënësi Genc Pollo. Aprovimi erdhi një ditë pasi partia e re aplikoi për regjistrim dhe presidiumi parlamentar kaloi një dekret duke formalizuar vendimin e Partisë Komunistë të javës së kaluar për lejimin e një partie politike të pavarur. Vendimi duket se reflekton ngritje të presionin tek autoritetet duke i bërë të nxitojnë reformat demokratike. Pas revolucionit demokratik i cili ndau bllokun Sovjetik vitin e kaluar Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë ende nën regjimin stalinist.

18 dhjetor 1990

 

Associated Press /Bashkimi i Tregtarëve shqiptarë braktis komunistët

Bashkimi i Tregtarëve Shqiptarë ka deklaruar sot pavarësinë nga qeverisja e Partisë Komuniste dhe premtoi të luftonte për një pagesë më të lartë dhe kushte më të mira për punëtorët, ka thënë një zyrtar i këtij bashkimi. Ky grupim është më i fundit që ka distancuar veten nga komunistët të cilët kanë qeverisur Shqipërinë qysh nga 1944. deklaratat erdhën disa orë më parë se të fillonte mitingu i parë legal opozitar në Shqipëri, i sponsorizuar nga një partia më e fundit jokomuniste.

22 dhjetor 1990

 

New York Times / Athina alarmohet nga refugjatët shqiptarë

Kryeministri Kostandin Mitsotakis ka thënë sot se eksodi i shqiptarëve në Greqi kishte marrë dimension e një “katastrofe kombëtare” dhe deklaroi një emergjencë shtetërore në kufij. Mitsotakis gjithashtu ju bëri apel shqiptarëve të rrinin në shtëpi dhe dërgoi ministrin e Jashtëm në Bruksel për të kërkuar ndihmë nga Komuniteti Europian.

2 Janar , 1991