Para viteve 1990, fitimi nga përpunimi në Ballsh, arrinte në miliona USD në vit. Prishja e 4 rafinerive, dëmi më i madh që ka parë ekonomia shqiptare. Nga 700 rafineri në botë, vetëm Shqipëria kishte 5.
– Fitimi nga përpunimi i Kombinatit në Ballsh, arrinte në vlerat rreth10-15 milionë USD në vit.
- – Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, ishte një uzinë moderne për kohën, krenaria e Përpunimit të naftës në Shqipëri!
- – E gjithë sasia që nxirret eksportohet nga pronarët, sipas leverdisë së tyre!
- -Nafta jonë përmban rret 40 përqind gazoil (ose naftë për motorrat Diesel dhe rreth 10 përqind benzinë.
- -Nëse përpunohej në Ballsh, do të përfitonim rreth 350-360 tonë gazoil (naftë Diesel) dhe rreth 90 mijë tonë benzinë
- -Prishja e 4 rafinerive të naftës është dëmi më i madh që ka parë ekonomia shqiptare
- – Në Shqipëri prodhohej më shumë naftë nga kapaciteti i Uzinave të Përpunimit ndaj pjesa tjetër e naftës bruto, që prodhohej, eksportohej e papërpunuar.
Albert Z. ZHOLI
Shqipëria po vuan rritjen e çmimeve. Rritja galopante e tyre ka irrituar masën popullore. U rrit buka, të gjitha ushqimet e shportës, por më shumë nafta. Nafta pësoi për dy ditë një çmim që askush nuk e ka besuar 270 lekë për litër. Por erdhi dhe reagimi…Ka disa ditë që shoqëria civile proteston para Kryeministrisë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, kundër rritjes së çmimeve. Demonstruesit nga sheshi “Skënderbej”, marrshojnë drejt Kryeministrisë dhe më pas kalojnë kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” pranë Gjykatës së Lartë. Kjo revoltë e qytetarëve ka ardhur pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë, por jo vetëm…Protestuesit në Tiranë marshuan drejt Kryeministrisë me banderolën “Boll na vodhët!”. Cili është realiteti i sotëm i naftës shqiptare? Sa naftë prodhohet në vend dhe sa përpunohet? Për këto çështje do të flasë Prof Jorgji Hanxhari
-Në një situatë të tillë ku çmimi i naftës rritet në mënyrë galopante, populli do një informacion më të plotë. Sa naftë prodhohet aktualisht në Shqipëri dhe çfarë përmbajtje ka bruto nafta jonë?
Në Shqipëri sot nxirret rreth 900 mijë ton naftë në vit, nga e cila vetëm rreth 10 përqind nga Albpetroli (shteti) dhe 90 përqind nga kompanitë private. E gjithë sasia, që nxirret eksportohet nga pronarët, sipas leverdisë së tyre! Nisur nga përqindjet mesatare, nafta e jonë përmban rreth 40 përqind gazoil (ose naftë për motorrat Diesel, ose në gjuhën e shoferëve, naftë) dhe rreth 10 përqind benzinë. Pra, nëse përpunohej në Ballsh, do të përfitonim rreth 350-360 tonë gazoil (naftë Diesel) dhe rreth 90 mijë tonë benzinë. Nga kjo naftë bruto, nëse do të përpunohej në vend, do të mund të prodhoheshin të gjitha nënproduktet, që nxirreshin nga përpunimi në Ballsh, deri në ekzistencën e saj dhe shfrytëzimin brenda rregullave! Sipas një studimi të kolegut tonë, ekonomistit Dr. Vladimir Mici, me naftën që prodhohet sot, mund të plotësoheshin nevojat e vendit për nënprodukte nafte.
Në Shqipëri ka pasur disa rafineri nafte në Cërrik, Kuçovë, Fier dhe Ballsh. Cili ka qenë kapaciteti prodhues i tyre dhe a ishin moderrne për kohën? Si punohej dhe çfarë përpunohej? A ishin moderrne për kohën dhe sot a mund të përmirësoheshin për të patur prodhime të stadarteve Europiane?
1.Në Shqipëri ka patur gjithsejt 4 uzina përpunim nafte, një në Kuçovë (që në kohën kur u zbulua vendburimi i Kuçovës, pra që në prag të viteve ’30 të shekullit të 20-të), një në Fier dhe një në Cërrik, të cilat u ndërtuan në vitet ’50-’60 të shekullit të 20-të. Në vitin 1978, përfundoi dhe u vu në punë Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, një uzinë moderne për kohën, krenaria e përpunimit të naftës në Shqipëri!
- Kapaciteti i tre uzinave të para ishte rreth 250 mijë tonë karburante, të cilat me ndërtimin e Uzinës në Ballsh, dërgoheshin atje për një përpunim më të thellë. Kapaciteti i KPTHN Ballsh ishte për të përpunuar 1 milion tonë naftë bruto. Kjo sasi nafte plotësonte më së miri nevojat e vendit, si para 1990, ashtu edhe pas vitit 1990, si në sasi, edhe në cilësi! Me sa di unë, importohej vetëm karburant për avionët. Me sa më kujtohet, fitimi në Ballsh, arrinte në vlerat rreth10-15 milionë USD.
Duke qënë se në Shqipëri prodhohej më shumë naftë nga kapaciteti i uzinave të përpunimit dhe plotësoheshin nevojat e vendit me karburante, pjesa tjetër e naftës bruto, që prodhohej, eksportohej e papërpunuar.
Shqipëria arriti kulmin e nxjerrjes së naftës në vitin 1974, me2.248.227 tonë naftë dhe 217,5 milionë Nm3 gaz, dhe në vitin 1990 u prodhuan 1.067.256 tonë naftë dhe 243,1 milionë Nm3 gaz dhe vendi i plotësonte më së miri nevojat e tij me naftë dhe me nënprodukte të saj, si në sasi dhe në cilësi!
Po ju jap një shembull të prodhimit dhe përpunimit të dy vjetëve në Shqipëri.
Në vitin 1978 u prodhuan 1.458.167 tonë naftë brutto dhe209 milionë Nm3 gaz dhe nga përpunimi I 1.392.117 tonë naftë, u prodhuan: 97.554 tonë benzinë, 178.689 tonë gazoil, vajguri 45.200 tonë, bitum nafte 241.922 tonë, solar e distilat 94.968 tonë, mazut 415.530 tonë, vajra lubrifikante 3.300 tonë. Graso 1.500 tonë, solvent 2.000 tonë,valvolinë 2.000 tonë, sapun naftenik 100 tonë, koks nafte 134.000 tonë, gaz i thatë dhe gaz i lëngshëm përkatësisht 26.000 tonë dhe 4.000 tonë. Në vitin 1979, nga KPTHN Ballsh u prodhuan edhe 5.900 tonë squfur (një produkt tepërt i vlefshëm dhe i shtrenjtë).
Në vitin 1990, u prodhuan 1.067.256 tonë naftë dhe243 milionë Nm3 gaz dhe nënproduktet si më poshtë:
Benzinë 81.000 tonë, gazoil (naftë Diesel) 239.000 tonë, vajguri 56.000 tonë, solar e distilat 135.500 tonë, vajra lubrifikante 15.720 tonë, graso 1.500 tonë, solvent (viti 1988) 3.500 tonë, valvolinë (viti 1987) 2.628 tonë, bitum nafte 54.225 tonë, koks nafte 129.500 tonë, mazut 231.400 tonë, squfur 11.000 tonë (viti 1987), gaz i thatë dhe i lëngshëm, përkatësisht 30.810 dhe 3.883 tonë. Për nevojat e ekonomisë, janë prodhuar edhe artikuj që i u duheshin ndërmarjeve të ndryshme, si aromatikë, acide naftenike, sulfonate, sapun naftenik.
Këtu nuk kemi llogaritur mazutin që prodhohej nga rërat bituminoze, që filluan nga shfrytëzimi në vitin 1981.
-Nëse i bëhej një rikonstruksion uzinës së Ballshit a mund të prodhonte Euro 5?
Pyetjes se nëse bëhej rikonstruksioni I KPTHN Ballsh, I përgjigjem që me siguri bëhej, por se sa do të kushtonte, nuk di të them! Për këtë, ju rekomandoj specialistin e mirëfilltë të përpunimeve, i cili ka qënë edhe drejtor i KPTHN Ballsh dhe doli në pension në Ministrinë e Energjetikës, Inxh Nako Petron. Ai mund t’ju përgjigjet edhe për atë se nga importohen sot karburantet, për sasitë përkatëse, llojet e taksave, përqindjet e tyre dhe për eksperiencat në vendet e tjera.
-Cilat kanë qenë gabimet që qeverive postkomuniste për naftën?
Prishja e innstitucioneve shkencore të naftës, që neve e konsiderojmë si trurin e industrisë së naftës, Instituti Gjeologjik i Naftës dhe Instituti i Teknologjisë së Naftës, është goditja më e madhe, që i është dhënë kësaj industrie, mbasi i hoqi trurin udhëheqës dhe i la të hallakaten mashtruesit e të livadhisin më mirë, pa asnjë kontroll dhe drejtim! Rezultatet tashmë dihen:
-Në kërkim-zbulimin e vendburimeve të rinj, nuk ka asnjë rezultat konkret, edhe pse kompanitë e huaja kanë shpuar disa puse kërkimi në tokë dhe në det.
-Në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese nuk ka asnjë njësi kompetente, që të kontrollojë e të drejtojë shfrytëzimin racional të tyre, duke zbatuar teknologji dhe teknikat, që ata dëshirojnë, pa bërë asnjë analizë dhe pa nxjerrë përfundime shkencore, për ecurinë e mëtejshme të tyre.
-Kuadrot drejtuese dhe personeli teknik e shkencor, një pjesë u shpërndanë nëpër botë, një pjesë dolën në pension, një pjesë i pushuan partite, që vinin në pushtet, ata që i konsideronin si përkrahës të partisë kundërshtare, etj dhe i mbushën administratat me militantë, që nga drejtuesit teknikë e deri poshtë në bazë. Po të shikosh evidencat e të emëruarve nga partitë e rradhës në pushtet, do të vëresh se atje ku përpara kishte inxhinier apo teknik nafte, mund të gjesh ndonjë agronom, ndonjë gjeometër, ndonjë ish- ushtarak, ndonjë person që di vetëm anglisht dhe njeh kompjuterin, do të gjesh djem të moshave sapo mbaruar shkollën, pa asnjë përvojë, përveç militantizmit. Kjo ka qënë dhe është përvojë e keqe e të tre partive që kanë patur pushtetin qëndror dhe lokal!
-U eleminuan specialistët dhe zanatçinjtë e punëtorët me përvojë, duke i nxjerrë të papunë, në forma të ndryshme. Kështu, në sektorin e përpunimit kishte rreth 2.200 punonjës, të cilët sot janë pa punë, ose në pension, ose kanë ndërruar jetë.
-Si e cilëson si një eskpsert për naftën këtë shkatërrim që i është bërë pasurisë sonë kombëtare?
Shkatërrimi i industrisë së Naftës në tërësi dhe i Instituteve të saj, në veçanti, përfshi eleminimin e kuadrove tekniko shkencore në naftë, si dhe shkatërrimin total të uzinave të përpunimit të naftës, për mendimin tim, përbën një krim të rëndë shtetëror të të gjitha qeverive të pas 1990, ndaj duhet të hetohet dhe të dalin edhe përgjegjësitë individuale të Kryeministrave dhe të Ministrave përkatës, për sa thamë më lart, por edhe për mungesën e dëshirës për të mëkëmbur dhe drejtuar këtë industri, që është lënda strategjike, për të cilën janë bërë luftra dhe që po ndodh edhe sot! Nuk i falet një drejtuesi, aq më tepër një Ministri apo Kryeministri, që të mos ketë njohuritë më elementare për pasurinë më të rëndësishme të vendit e të thotë që “naftën tonë, që ne prodhojmë, e shesim, sepse nga ajo nuk mund të prodhohet as benzinë dhe as naftë Diesel!” Kjo është skandaloze, mbasi në statistikat e shtetit janë të gjitha prodhimet e vendit, gjatë gjithë ekzistencës së tij!
– Çfarë mendimi keni aktualisht për prodhimin e naftës në Shqipëri. Ëfarë duhet të bëhet me këtë sektor strategjik që ndihmon ekonominë shqiptare?
- Megjithatë, unë dhe shumë nga kolegët, kemi këmbëngulur dhe këmbëngulim që vendburimet ekzistuese të naftës të rishtetëzohen dhe në rastin më të keq, të privatizohet jo më shumë se 49 përqind e aksioneve, me qëllim që shteti të mbajë jo më pak se 51 përqind, me qëllim që të jetë ai që të vendosë më në fund! Deri tani, shtetarët janë justifikuar se Arbitrazhi ndërkombëtar do të na gjobisë me shuma të papërballueshme! Por, ne themi që le të punojnë edhe një vit tjetër vendburimet, për të shlyer gjobat dhe pastaj do punojnë për vendin dhe për popullin! Po them se, sipas Kontrollit të Shtetit, më pak se 3 përqind të fitimit vjetor nga nafta përfiton shteti, në formën e rentës minerare! A nuk është turp?!
-Po a mund të realizohet sot rishtetëzimi kur çdo gjë që nga institutet dhe specialistët që nuk janë më? Jo vetëm kaq por asnjërit prej specialistëve të naftës në këto 32 vjet nuk i miret asnjë mendim, asnjë studim.
E kuptoj që do të jetë problem edhe për të siguruar personelin inxhiniero-teknik, por edhe kjo mund të kapërcehet, po të ekzistojë dëshira dhe vullneti i mirë i atyre që drejtojnë! Neve, si specialistë që na dhimbset ky sektor, ku kemi punuar me vetmohim, e kemi ngritur zërin, por deri në facebook ka arritur zëri ynë, duke ngushëlluar njeri-tjetrin, ndërsa qeveritë kanë qënë dhe janë pa veshë që të dëgjojnë mendimet tona, në interes të vendit!
Rafineria e Ballshit
Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nisi nga puna në vitin 1978. Rafineria zë vend në një sipërfaqe prej 90 ha dhe linjat e saj kryesore janë dy: përpunimi i lëndës së parë dhe sigurimi i nënprodukteve të naftës nga pikëpamja sasiore dhe përmirësimi i cilësisë. Uzina fillimisht ishte projektuar për të pasur një kapacitet prodhues prej 1 milion ton naftë bruto dhe 250000 ton karburante që do të vinin nga rafineritë që tashmë ishin vënë në punë. Rafineria e Ballshit ka të gjitha impiantet e nevojshme tekonologjike moderne të përpunimit të naftës gjithashtu edhe sistemet ndihmëse. Në uzinë punësoheshin dikur 2200 punëtorë dhe fitimi arrinte në rreth 10-15 milionë dollarë, kjo deri para privatizimit. Në shtator të vitit 2019 puna në Rafinerinë e Ballshit u ndërpre duke lënë në rrugë 800 punëtorë. Ndërkohë, gjatë periudhës 1 gusht 2015 deri në 1 shtator 2016 punëtorët nuk janë paguar. Vendimi nr. 7310 i formës së prerë iu njohu 505 punëtorëve të drejtën për 13 paga të prapamebtura. Ky vendim ende nuk është vënë në zbatim, pasi asetet e kompanisë ARMO që duhet të përdoreshin për të shlyer pagat u shiten në ankand për bankën Credins. Në 13 nëntor 2020, pas protestave dhe grevave të vazhdueshme, naftëtarët arritën të fitonin pagesën prej 40000 lekësh për një vit rresht, duke përfshirë edhe sigurimet shoqërore.