- Si u njoha në kampin e pionierëve në Durrës me Ahmet Shqarrin, Gjovalin Gjokën, Fatos Kongolin, Flamur Topin
- Si më ndihmoi shkrimtari i madh Nonda Bulka të botoja poezitë e para në revistën “Pionieri”.
- Në gjimnazin “Vasil Shanto” u njoha me Agron Çobanin dhe Bashkim Pitarkën njeri gazetar i shquar tjetri diplomat i spikatur.
- -Shkrimtarët e mëdhenj janë dhe njerëz të mëdhenj.
Pas mbarimit të vitit shkollor të klasës së gjashtë Begatori më dërgoi përsëri në Kampin e pionierëve në Durrës. Kësaj here nuk pati ndonjë turne si herën e parë, dhe zura shumë shokë, sidomos nga Tirana. Me sa mbaj mend, Ahmet Shqarrin, Gjovalin Gjokën, Fatos Kongolin, Flamur Topin etj. Në vila më vete kishte dhe pionierë nga vëndet socialiste. Të gjithë mbanin në qafë shall të kuq, vetëm ata të Gjermanisë Lindore e kishin blu. Drejtori i Kampit, zëtrashë dhe tepër autoritar, Pëllumb Gjebrea (babai i Arditit) ishte komshi tek Moskatet. Po ashtu dhe aktori Gjon Karma ,me të cilin isha bërë mik, banonte në Moskatin përballë meje. Gruaja e tij Vitoria punonte tek banaku i hollit të Teatrit Popullor, ku linin palltot e çadrat spektatorët. Ajo më fuste pa biletë në shfaqjet e Teatrit, të cilat i shikoja i mahnitur. Edhe kësaj here në kamp u regjistrova në rrethin e teatrit tek Gjon Karma. Ai kishte lexuar në Tiranë fletoren time me disa vjersha dhe më këshillo të shkoja në rrethin letrar, që drejtonte atë verë shkrimtari i madh Nonda Bulka. (çudi me këta të mëdhenjtë !…I lexon dhe i përfytyron gjigandë, kur i shikon fizikisht nuk të besohet që janë ata.) Profesor Nonda na hoqi emocionet me buzëqeshjen dhe bisedën plot humor, që nisi me ne të rrethit letrar. Pastaj na pyeti me radhë si quheshim dhe çfarë gjëra të bukura kishim shkruar. Disa u përgjigjën me gojë. Unë dhe ca të tjerë i dhamë fletoret tona. Të nesërmen ai thirri mënjanë secilin që kish dorëzuar fletoren dhe diskutonte me të. Kur më erdhi radha mua, më tha se i kishin pëlqyer disa nga vjershat, sidomos ajo për Nënën. Nxori nga xhepi një fletë ku ishin dy tituj me vargje dhe më tha :- Pa shiko t’i rregullosh me rimë këta rreshta ! Gjithë mbasditen i ndreqja dhe i prishja , deri sa m’u mbush mendja se diçka kisha arritur. Kur ia dhashë profesorit, ai i hodhi një sy dhe, pa më thënë asnjë fjalë, e futi letrën në xhep. Mua , sikur më ra mbi kokë pisha që na bënte hije. Pas dy- tre ditësh, tek ishim mbledhur, iu drejtua të gjithëve : – Sot kemi festë, se një nga shokët tuaj ka botuar dy poezi në gazetën “Pionieri”. Dhe profesori përmëndi emrin tim. Të gjithë kthyen kryet nga unë. Sa u shpërndamë, iu afrova me ndrojtje profesorit dhe i thashë që ato vargje m’i kishte dhënë Ai. – Jo, djalë, ato rreshta ti i bëre poezi !- ma ktheu profesori me sytë që i shndrisnin nga mirësia. Kur u ktheva nga Kampi i Pionierëve, i fola i entusiazmuar Begatorit se si kishte botuar me emrin tim dy poezitë i madhi Nonda Bulka. – Shkrimtarët e mëdhenj janë dhe Njerëz të Mëdhenj..- më tha vëllai.
***
Në gjimnazin “Vasil Shanto” qëndrova vetëm vitin e parë.
Edhe sot ruaj shoqërinë me disa prej shokëve të asaj klase. Miqësinë e ngushtë adoleshente në atë vit të parë të gjimnazit e lidha me tre prej tyre, aqsa na thërrisnin me inicialet ABBB: A-ja (Agron Çobani), kishte prirje për oratori dhe u bë radiokronist e gazetar i shquar, si dhe drejtori me jetëgjatë i Televizionit Shqiptar. B-ja e parë (Bashkim Pitarka) kishte prirje për gjuhë të huaja e diplomaci dhe arriti te bëhej Ambasador i Shqipërisë në OKB.B-ja e dytë (Bashkim Kozeli) kishte prirje për letërsi dhe u bë shkrimtar profesionist. Ndërsa B-ja e tretë, (Bardhyl Llagami) ishte i çuditshëm. Nuk merrej vesh nga do i anonte busulla e jetës! Vërtet unë ia kaloja në hartime, por ai fliste më bukur e më rrjedhshëm se unë. Më rrëfente për shkrimtarë e kompozitorë të mëdhenj, që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Zotëronte frëngjishten dhe italishten si gjuhën e nënës. Shkëlqente në matematikë dhe, më e pabesueshmja, kishte njohuri të thella për astronominë, historinë, gjeografinë…Agroni, Bashkim Pitarka dhe unë çoku mburreshim me prindërit tanë ose vëllezërit e mëdhenj, që kishin luftuar. Madje ndonjëherë edhe grindeshim kush kishte ardhur më parë në Tiranë. Ndërsa Bardhyli, tiranas den baba den, i qetë dhe tepër paqësor, na pajtonte. Urtësinë e tij ia merrnim për drojtje, ngaqë kishte një “kleçkë” në biografi…Ne tre të tjerëve na dukej vetja më kryeqytetas, meqë jetonim në apartamente pallati, ndërsa Bardhi, në një shtëpi të thjeshtë me qerpiç. Por kur hyra në atë shtëpi me oborrin me lule e kopshtin me pemë frutore dhe vura re dhomat që shndrisnin nga pastërtia, raftet plot libra, muret me piktura, pllakat e gramafonit me muzikë klasike, m’u duk vetja një idiot. Humba i tëri në atë univers me qetësi shpirtërore e mençuri qytetare.
SKËNDERBEGAS
Muajt e parë në shkollën „Skënderbej“, mezi u ambientova. Më qethën kokën zero, më futën në dush, duke më dhënë një palë brekë e këmishë ushtari, së bashku me një uniformë të përditshme po si të ushtarit. Në mëngjes, kros deri në rrëzë të malit të Dajtit, zhveshur nga mesi e lartë. Gdhiheshim e binim në gjumë me sinjalin e bories. U bëra pishman që kisha vajtur, po kujt t’i qahesha ? M‘u gjendën pranë shokët e klasës, që ishin një vit më parë në këtë shkollë. Sidomos Kristaq Çito, e Fadil Neni, të cilët qenë komshij me mua në Tiranën e Re. Rregullimin e krevatit, larjen e fjetores, pastrimin e territorit dhe të ëc-ve, e deri tek qerimi i patateve kur kisha radhën e postës së guzhinës, nuk i kisha problem, sepse më kishte „stërvitur“ Nanaja në shtëpi. Ushqimin e kishim shumë të mirë, veçanërisht drekën, ku nuk mungonte mishi dhe ëmbëlsira. Madje, para se të hynim në mencë , rreshtoheshim dhe pinim nga një lugë vaj peshku. Profesorët ishin vërtet kërkues, por në kohën e lirë bisedonin me ne si të ishin prindër. Mësuese letërsie kisha Sadete Kasën, e cila filloi të më donte, po, me thënë të drejtën, ku e ku ajo me profesor Thanasin e Nonda Bulkën. Tremujorin e parë rashë goxha në mësime. Kur vajta në shtëpi me uniformën e bukur të liridaljes Begatori, pa e fshehur kënaqësinë, tha : – Ne kolonjarëve, sepse na ka hije uniforma e ushtarakut.Pastaj më pyeti: – Po me mësime si dukesh ? – Këtë tremujor nuk jam dhe aq mirë. – Sa katra ke marrë ? Besoj dy ose tre. Duhet t’i bësh të gjitha pesa. Më ke dhënë fjalen se nuk do t’më turpërosh. Vërtet kisha dalë me dy tri katra, po notat e tjera i kisha jo pesa, por tresha. Rezultati i notave vajti me zarf në shtëpi. (kështu dërgohej tek kryefamiljari që të kishte në kujdestari). Dy javë me radhë nuk dola liridalje. Prisja si pulë e lagur të vinte Begatori në shkollë dhe të më „telendiste“. Ai nuk erdhi. Me siguri kish gjykuar vështirësitë e mia të fillimit dhe më la kohë të merrja veten. Heshtja e tij më vuri më shumë në sedër për të mos e turpëruar tjetër herë.