Intervistë me “Mjeshtrin e Madh”  Osman Mula : Ju tregoj fëmijërinë me Zef  Dedën, Bashkim Alibalin, Zef Çobën dhe ikonat e artit shkodran 

346
Sigal

Kujtimet për festivalet e Këngës në RTSH-së,  spektaklin “Kur vjen pranvera” dhe bashkëpunëtorët që shkruan historinë e kulturës kombëtare si Shanaj, Hajati, Deda, Minga, Kapexhiu, Qiriaqi si dhe këngëtarët e papërsëritshëm: Vacce Zela,  Avni Mula, Mentor Xhemali, Luan Zhegu, etj

 

“Mjeshtri i Madh” Osman Mula: Ftesa në “Portokalli” ishte një eksperiencë e re dhe shumë entuziaste

Si regjisor kam drejtuar Festivalin e 15-të në RTSH me Albert Mingën

-Fëmijëria ime kaloi me Zef Dedën, Bashkim Alibalin, Nazmi Lishin, Zef Çobën, Kujtim Shkrelin

Ka fituar kënga “Nënë moj, do pres gërshetin” teksti Hysni Milloshi, kënduar nga Vaçe Zela dhe e kompozuar nga Avni Mula.

– Kujtimet me Albert Mingën, Mevlan Shanaj, Niko Kanxherin, Agim Qirjaqin, Pëllumb Kullën, Bujar Kapexhiun

-Si realizuam spektaklin “Kur vjen pranvera” me Marash Hajatin, Ferdinand Dedën, Spartak Tilin dhe Rexhep Alian

Gazeta Telegraf

Fisi Mula një fis i lidhur tërësisht me artin, me muzikën. Një fis që nuk ka hapësira boshe në këtë drejtim. Vetë Osmani është një nga regjisorët më të njohur në Radiotelevizionin Shqiptar, drejtues i dhjetë festivaleve, qindra emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime. Festivali i parë si regjisor së bashku me Albert Mingën është ai i 15-ti. Festivali u mbajt në datat 25, 26 dhe 27 dhjetor të vitit 1976 në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Fituesja e këtij edicioni ishte Vaçe Zela, tashmë mbretëreshë në këtë ngjarje të muzikës, kjo prej numrit të lartë të fitoreve. “Nënë moj, do pres gërshetin”, titullohej kënga fituese e shkruar nga Hysni Milloshi dhe kompozuar nga Avni Mula. Osmani është artisti që ka zbuluar me dhjetëra talente dhe që e ka ngritur spektaklin në nivelet më të larta të kohës, duke respektuar traditën dhe duke e harmonizuar me modernen. Në këtë intervistë për gazetën tonë ai përcjell shumë aspekte të jetës së tij të papublikuara ndonjëherë më parë….

“Portokalli” është spektakli më i madh i humorit në Shqipëri, që lidhet me ngjyrën portokalli të semaforëve të rrugës që nuk të lejon as të shkosh përpara e as të kthehesh mbrapa. Si u ndjetë Osman?

-Shumë mirë. Ishte një eksperiencë e re. Një eskperiencë e bukur. Unë isha i ftuar nderi në koncertin e fundit. “Portokalli” tashmë ka një histori të rrallë. Ka një ndjekje të jashtëzakonshme dhe ka një orkestër profesioniste. Ishte një vlerësim për punën time dhe për jetën time. Situata të tilla janë të rralla në jetë. Aq më tepër kur jetojmë me stresin e Pandemisë dhe aktivitetet janë të rralla. Të jesh pjesë e një spektakli të tillë është vlerësim. Siç e ndoqët unë bëra dhe një homazh për të madhin Koço Devole, i cili ka qenë ndër humoristët më të mëdhenj në Shqipëri. Figura të tilla duhet të nderohen dhe kujtohen. Në atë spektakël unë isha mes miqsh, pasi shumë prej tyre janë miqtë e mi ndër vite. Stafi ka një përbërje profesionistësh të shkëlqyer. Luajta me orkestrën dhe m’u duk vetja i ri. Një orkestër që të frymëzon dhe plot ritëm. Dua të flas për shumë vetë aty, për shumë arstistë dhe instrumentistë, por kam frikë se mos harroj ndokënd dhe kjo më bën që të mos përmend emra. Aty çdo gjë funksionon në mënyrë perfekte. Nga regjisori deri tek aktori fundit. Orkestra ka status tjetër.

-Një familje e lidhur me artin. Po për Osmanin kur mori drejtim rruga drejt artit?

-Familja jonë nuk mund të kuptohej pa artin, muzikën. Që i vogël fillova të merrem me shumë aktivitete si gjimnastikë, futboll. Në mbarimin e adoleshencës në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër diku në dhomat me vegla, unë gjeta një saksofon. Fillova vetë t’i bija me ndihmën e ndonjë mësuesi më të vjetër që kishte kohë që i binte saksofonit. Duke qenë se Shkodra kishte shumë institucione muzikore, ku rinia mund të të aktivizohej, pata mundësinë që të vazhdoj saksofonin, më vonë kitarën, pastaj dhe baterinë sepse ishin instrumenta që ndodheshin aty, dhe duke qenë një fëmijë shumë kurioz, kaloja nga një vegël, tek tjetra. Gjithë bateritë e shpirtit i derdhëm aty. Kemi qenë një grup shokësh shumë të mirë si: Zef Deda, Bashkim Alibali, Nazmi Lishi, Zef Çoba, Kujtim Shkreli, të gjithë njerëz që kanë mbaruar Konservatorin, por që kanë ardhur nga shkolla e mesme e përgjithshme, sepse liceu në Shkodër u hap pas viteve ‘70-të. Mbasi mbaruam shkollën e mesme, formuam grupin “Vau i Dejës” ku na mblodhi Xhosho Vasia. Aty u inkuadruan shumë aktorë, aty Zef Deda nisi të hidhte hapat e para si aktor. Në këtë atmosferë artistësh nuk kishte si Osmani të bëhej ndryshe. Unë punoja si saksofonist në këto grup dhe njëkohësisht dhe në darkë jepja koncerte. Unë erdha në Tiranë për të vazhdar Institutin  Lartë të Arteve, në degën e artit dramatik. Studiova për interpretimin skenik gjë që e kisha  shumë me pasion për një arsye tjetër, duke qenë shumë show dhe duke e dashur shumë varietenë, duke i rënë veglave, duke kërcyer si natyrë duke interpretuar si actor, gjithnjë mendoja se do vinte koha për një teatër muzikall. Këtë e kam patur ëndërr. Por kjo gjë nuk u bë dot realitet, sepse me të mbaruar shkollën unë u caktova regjisor në RTSH.

-Në atë sistem Festivalet e RTSH-së ishin festat më të mëdha të muzikës. Në sa festivale të RTSH-së  keni marrë pjesë si regjisor dhe në sa si kompozitor?

Janë disa. Së pari, si regjisor kam marrë pjesë në dhjetë festival, kurse si kompozitor në 12. Kam marrë pjesë në shumë evenimente të rëndësishme muzikore. Kam një lidhje shumë të bukur me këngëtarin e madh Luan Zhegu. Po të shohësh spektaklet e mia do vëresh se protagonist është drejtimi i muzikës dhe një analizë e hollësishme se ku po shkojmë me muzikën. Një pjesë e madhe e jetës sime i kalon kompozimit të këngës. Kam nisur në ’86-ën me Tonin Tërshanën me të cilin kam marrë çmimin e tretë, më pas me Luan Zhegun “Alo Alo” dhe në ‘92 me një treshe, ku kam fituar çmim të parë. Kam patur këngën e Luan Zhegut dhe Ledina Çelos, më pas një këngë e kënduar nga Kamenica dhe shumë këngë më pas që janë kënduar nga vajza ime, që ka fituar dhe ajo shumë çmime. Në të gjitha festivalet unë jam pjesmarrës

Mos ndoshta nuk e kuptova mirë….Si u bëtë regjisor kur mbaruat shkollën për aktor?

Një sqarim. Në atë kohë nuk kishte shkollë regjisure. Ne që punuam regjisorë në atë periudhë dhe një pjesë e madhe e atyre që kanë punuar si regjisorë si: Albert Minga, Mevlan Shanaj, Niko Kanxheri, Agim Qirjaqi, Pëllumb Kulla, Bujar Kapexhiu, kanë mbaruar për aktorë. Shkolla e regjisurës është hapur vonë, pasi ne kishim bërë 20 vjet punë.

Si e prite vendin e punës si regjisor?

E prita me shumë interes dhe pothuajse në regjinë time janë vetëm spektakle, koncerte dhe festivale.

Cila ka qenë puna juaj e parë?

Spektakli i parë që kam realizuar ka qenë grupi karakteristik i Korçës në vitin 1976. Pastaj kam bërë një portret artisti të Prenk Jakovës, artistit të madh, kompozitorit të madh të Mrikës, Margjelos e shumë pjesëve të famshme shqiptare. Pastaj kanë filluar festivalet.

Kur ka qenë festivali i parë për ju?

Unë kam bërë festivalin e 15-të në vitin 1975. Festivali për mua si regjisor ka qenë përgjegjësi e madhe, por unë e shihja veten shumë mirë në drejtimin e festivalit, sepse vija nga një eksperiencë e gjatë në tavernat e Shkodrës. Isha muzikant. Në anketën e parë të Shkodrës kisha marrë një çmim të parë me këngën “Përsëri pranë jush do kthej” me një këngë të kënduar nga Tonin Tërshana. Kisha  marrë pjesë dhe në anketat Kombëtare me Afërdita Laçin me këngën “Pranverë”. E kam pasur shumë për zemër regjinë e festivalit, sepse me gjithë këngëtarët njihesha, sepse ata vinin jepnin koncerte në Shkodër në pallatin e sportit, ku unë isha në orkestër. Më vonë u bëmë dhe pjesë e festivalit, edhe si kompozitor.

-Në festivalin e parë që ju keni drejtuar, kush ka fituar dhe lidhja juaj me redaksinë e muzikës së radios?

-Ka fituar kënga “Nënë moj, do pres gërshetin” e kënduar nga Vaçe Zela dhe e kompozuar nga Avni Mula. Pastaj unë kam patur shumë marrëdhënie me redaksinë e muzikës së radios ku punonte Kujtim Laro, Gjon Simoni, etj. Unë e doja shumë atë redaksi, sepse duke ndenjur atje mua gjatë gjithë ditës në trurin tim lëvizte delli për të shkruar këngë. Unë kam punuar në televizion, por hapin e kam pasë pranë radios sepse ishte redaksia e muzikës. Unë pothuajse dhe shokët i kam patur në këtë redaksi. Unë punoja në televizion, por kafen e pija me ata të radios.

-Sa festivale keni bërë si regjizor?

-Si regjisor kam bërë dhjetë festivale në RTSH dhe jam një ndër inisiatorët kryesorë të festivalit “Kur vjen pranvera”. Ideator ishte Marash Hajati që thirri Ferdinand Dedën, mua si regjisor, Spartak Tilin udhëheqës artistic, dhe Rexhep Alia ka qenë skenograf. Më pas u bë festivali i interpretuesve. U morën këngët më të bukura të viteve të kënduara nga këngëtarë të rinj.

-Kur filloi festivali i pranverës?

-Festivali i pranverës ka filluar në 1985, ndërkohë u çel era e spektakleve në Radio Televizion. Filloi spektakli “Bashkë me ju” filluan anketat muzikore, koncerti “Kur vjen pranvera” ai i interpretuesve të rinj, festivali i dhjetorit dhe koncertet e Majit, ku RTSH-ja paraqitej me një koncert simfonik  dhe me një formacion të vogël me këngë të reja. Pra në atë kohë, pati një “bum” krijimtarie, e cila e modernizoi këngën dhe spektaklin e televizionit. Më ‘82 dhe ‘83 pas festivalit nga fundi i janarit filluan regjistrimet e dhjetë këngëve më të bukura të natës finale të kthyera në video. Dhe gjatë këtyre viteve janë bërë 20 video të xhiruara nga Stefan Gajo dhe Pali Kuke. Marashi ka qenë skenarist dhe unë regjisor. Unë jam pjesë e rritjes së këtij institucioni, ku jam rritur dhe unë vetë. Unë bëj plot 34 vjet pa ndërprerje punë në RTSH.  Dhe gjatë kësaj kohe nuk jam marrë vetëm me festivalet, por dhe me gjini të tjera. Kam incizuar dhjetë opera, teatër, komedi, koncerte simfonike, spektakle të ndryshme në studiot e televizionit duke përfshirë që nga koncertet e dhomës deri tek spektaklet e plota të muzikës së lehtë deri tek spektakli “Koha në pentagramin tim” me 20 spektakle rresht, disa recitale e shumë e shumë evenimente të tjera muzikore.

Një jetë të tërë me artin. Sigurist ka ditë të bukura por dhe stresante. Kush ka qenë dita më e bukur e krijimtarisë suaj që ju e veçoni edhe sot?

Lumturinë më të madhe unë e kam ndjerë kur kam marrë çmim në ’92-in. Qe një periudhë kur brenda dy- tre muajve unë pata vlerësim të shumëfishtë nga publiku. Në festivalin e dhjetorit kënga u këndua nga Aleksandër Gjoka dhe pas dy muajve Sandri merr çmim të parë me “Twist again”  kompozuar nga Luan Zhegu, ku unë dal me saks. Në atë periudhë bëj një video të re me këngën time të kompozuar për djemtë e rrugës ‘Bardhyl’. Ngacmimet kanë qenë shumë të mëdha. Më pas studiot ishin të hapura. Bëmë spektaklin e Sherifit, Ardit Gjebrea bëri një koncert në studion e televizionit. Janë të gjitha spektakle shumë të suksesshme. Kënaqësi shumë kam ndjerë dhe me këngën “E doni dashurinë” në festivalin e ‘95. Kënga është e imja dhe e këndoi Luani me Ledina Çelon. Të dhjetë spikerët e festivaleve që kam drejtuar unë, janë marrë nga bangat e shkollës. Anisa Markajan, Rezana Çeliku, Kasmi që sot është në Kanada, Dhimitër Gjoka, Mimoza Tafaj, Pirro Kitën, të gjithë spikerë që kanë dalë për herë të parë nëpër festivale.

‘Jetë dinamike….Por dita më e vështirë kur ju jeni ndjerë keq, kush ka qenë?

-Ditën më fyese unë e kam ndjerë ditën që më vodhën makinën para shtëpisë. E para, sepse nuk e meritoja dhe e dyta, nuk gjeta asnjë mbështetje tek asnjë person. Ka një vit që ka ndodhur. Ditë fyese sepse unë vjedhjen e urrej. Mua më mirë hajde të më kërkosh dhe të jap çfarë kam mundësi, se të më vjedhësh. Ma vodhën para derës së shtëpisë dhe këtu u fyeva për disa arsye. E para, sepse pashë zbardhje dhëmbësh, njerëz që gjoja po më pyesnin, por ndjenin dhe kënaqësi, organet e shtetit që nuk funksionuan kategorikisht. Inekzistencë e gjallë.  Madje më thanë: “Mos u shqetëso se të gjithëve ua vjedhin…” Kjo ishte fyerja më e madhe. Unë për vete kam lënë shtëpinë në fajde dhe bëra gabimin fatal si gjithë shqiptarët. Por ishte faji im në atë rast.  Por të vjedhin makinën para shtëpisë, është një tmerr. Pastaj kam ndjerë dhe disa herë fyerje në krijimtari. Arti ka mjaft reparte, ku gatuhen disa gjëra fshehurazi, ku përgatiten mjaft njerëz, të cilët krijojnë  grupazhe, pra klanizimi i artit bën që arti disa herë të mos ketë frymëmarrje, por kthehet në mjet vetëm për fitime. Formohen disa qeliza me grupime mafioze që nesër kontrollojnë tregun muzikor dhe kjo e dëmton shumë muzikën. Unë e kam vënë re shumë kollaj këtë gjë dhe e kam kundërshtuar. Po të shihni festivalin e fundit që unë kam bërë është në ’96-ën. Që nga ’96-ta e këtej mua më kanë sulmuar në formën më të egër dhe të paskrupullt që unë të mos jem regjisor i festivalit dhe ai kalon në dy tre duar, ndryshohet nga katër herë formula. Nuk është puna se unë kam ndonjë ëndërr të madhe të bëj festivalin. Unë kam ëndërr të kem këngë të bukura në festivale. Kënga quhet krijimtari, regjia është përshtatje televizive. Regjia është shërbesë, ndërkohë që kënga është krijim. Unë e ndjej veten më mirë në krijim, po kur ma bëjnë mua indiferentin, llogarite çfarë mund t’i bëjnë një njeriu që sapo ka filluar punë në RTSH. I thashë këto gjëra se nuk mund të lyejmë dorën në mjaltë dhe ta sheqerosim realitetin. Në krijimtari nuk është kështu. Raliteti është ndryshe. Ka mungesa të theksuara të pagesave të të drejtave të autorit, ka vjedhje të shumë artistëve poshtë e lart, por këro disa herë për të siguruar kafshatën. Por ka dhe artistë që duan t’i gjejnë gjërat gati. Unë mendoj se për ato që duan të punojnë ka vend për të gjithë.

-Megjithatë shihet se ato që i gjejnë më lehtë gjërat, janë një grup këngëtaresh të reja që nuk e kanë profesionalizmin e duhur, e megjithatë mbijetojnë dhe janë më të kërkuarat kur tregu është tjetër?

-Tregu është tjetër dhe të gjithë ato që vlerësojnë muzikën nuk e pëlqejnë këtë treg. Ata që kërkojnë muzikën e mirë nuk kanë gjë në dorë se nuk kanë as pare, as mbështetje, as stacionin radiofonik dhe as mundësi dogane për të frenuar të keqen. Ajo pjesa tjetër, e cila quhet një konsum i shpejtë, është një pjesë e madhe, e cila ka gjetur dhe tregun, pra ka kush ia blen, kush i kompozon dhe ambientet ku mund të këndojnë. Dhe ajo pjesë nuk është diçka që mund të luftohet kollaj. Kjo pjesë është bërë tani solide. D.m.th e mira që kërkohet nuk ka mundësi të depërtojë dhe të ketë forcë, e keqja që filloi gradualisht me disa kaseta rruge, tani është formur si shkollë dhe është e vështirë ta luftosh. Me kalimin e kohës vetëm me të drejtën e autorit mund të luftohet. Ajo do mbretërojë aq shumë, sa e mira, me kalimin e kohës do duket e vjetëruar dhe do duket si moral i tepruar. Me kalimin e kohës dhe ne që propagandojmë këtë gjë do lodhemi dhe tërhiqemi.

-Ku e gjeni veten më mirë si kompozitor, muzikant apo si regjisor?

-Si kompozitor unë e ndiej veten vetëm në festivalet e dhjetorit sepse aty qëndron më mirë dhe më hijshëm se disa aktivitete të tjera që janë komerc. Nuk është se festivali ka arritur kulmin, por aty akoma ruhet tradita. Aty mund të çosh një këngë baladë, një këngë të stilit klasik. Nuk mund ta çosh në aktivitete komerciale kur që në fillim porositet zhanri, sepse duan të shesin kasetën. Unë dua këngë që të ndihet bateria, këngë që të ketë tekst, që ai kalimtari që kalon të ndalet. Në një aktivitet privat mund ta kesh dhe këngën: “Oh ç’ma ke bythën e mirë” gjë që nuk mund ta kesh në festivalin e dhjetorit, se nuk ta pranon njeri. Është vizatur festivali i dhjetorit me një kërkesë të saktë. Ata që nuk shkruajnë për të, nuk shkruajnë se kanë frikë. Hajde atje dhe konkuro si gjithë të tjerët. Në këtë drejtim them se ai është më i mirë. Nuk do të thotë kjo se unë nuk kam shkruajtur dhe për festivalet e tjera, por përgjithësisht duke qenë se këngën e dua pak në stilin e zotnillëkut.

-Nëse do të thonin në festivalin e ardhshëm do sjellësh një këngë apo do jesh regjisor kë do zgjidhje?

-Në fakt në festival prania e regjisorit nuk prish punë që të ketë dhe këngë. Por do zgjidhja këngën, sepse kënga del para komisionit. Nuk është meritë e institucionit. Ajo depërton si  krijimtari e imja. Kënga më takon mua. Kënga jeton gjatë. A e dini ju se kush është regjisori i festivalit të Sanremos? Jo. Këngëtarët i di.

-Keni ndonjë peng?

-Kam vetëm një peng. Që ndofta ato vitet e famshme të ’90-ës mbase mirë do ishte të kisha shkuar në ndonjë vend perëndimor për të filluar dhe një herë jetën për herë të dytë.

-Është marrë Osmani me politikë?

-Kam mbështetur shumë lëvizjen për ndryshim në lëvizjen studentore dhe unë i takova atij krahu të një reforme tjetër. Shqipëria kishte nevojë për një tjetër tablo. Kishte nevojë të shkonte kah perëndimi. E përkraha me shumë forcë. Bile jo vetëm që e kam përkrahur, por kam folur shumë nëpër mitingjet e ’91-shit dhe 92-shit dhe përgjithësisht kam folur shumë për institucionin tim duke mbajtur si qëndrim faktin që nuk jam pajtuar me të keqen. Po kjo më ka kushtuar. Nganjëherë nisesh me thënë një fjalë për mirë, por shumë pista preken, shumë njerëz mund të preken nga fjalët e tua. Mua asnjëherë ndonjë krah tjetër politik nuk më afroi, sidomos krahu demokratik. Unë nuk di, ti ketë rënë njeri telefonit dhe të më ketë thënë që kam nevojë për ty. Për bashkëpunimin tënd si artist i njohur. Asnjëherë. Unë jam i lirë për dy arsye: Jam zog i lirë si natyrë, por dhe pse nuk më ka bërë askush ndonjë ofertë politike.