Vendlindjen e kish burim bindjesh për hapat e jetës
Rrahman Celibashi kishte lindur më 8 janar 1936 në fshatin e lashtë historik të Therepelit të rrethit Skrapar në një familje me shumë fëmijë, punëdashëse e atdhetare. I shtrirë në një pllajë me lartësi 800 metro mbi nivelin e detit, Therepelit natyra nuk ia kurseu bukuritë, burimet e ujit jetëdhënës, bregoret, çukat e kodrinat e ëmbla, qafat që mbeten të tilla edhe në historinë e luftrave, bimësi e faunë të pasur. Me një shtrirje thuajse paralele me Tomorrin madhështor, me Osumin që rrjedh qetësisht në thellësi, këto bukuri duket sikur kërkojnë të bëjnë karshillëk me Malin “Fron të Perëndisë” nga Veriu dhe me Trebeshinën nga jugëperëndimi. Nga Qafa e Shkozës, me famë fitoresh kundër furtunave dhe armiqve, vështrimi të rrok shumë fshatra të Skraparit e të Dëshnicës, deri në afërsi të Beratit. E bukurinë më të madhe këtij fshati ia japin njerëzit e tij, banorë të hershëm, të njohur për punë, penë dhe pushkë. Është ky fshat ku u krijua Brigada 16 Sulmuese Partizane, ndërkohë që familjet e këtij katundi i kanë dhënë shtatë dëshmorë luftës për çlirim nga fashizmi e nazizmi. Therepeli ka nxjerrë dhjetra kuadro e intelektualë të sferave të ndryshme të ekonomisë, kulturës e mbrojtjes si mësues, mjekë, oficerë, inxhinierë, agronomë etj. Një nga plagët e jetës së këtij fshati, si edhe gjetkë, ka qenë emigracioni. Edhe Ali Celibashit, i ati i Rrahmanit, në vitin 1930 iu desh që të emigronte në Francë, ku provoi punë shumë të rënda në miniera me orar e pa orar, në kushte tepër të vështira, në Marsejë e në Lion. Kur u kthye ai u rrëfente fëmijëve: “Shkova në Francë se kisha dëgjuar se atje fitohej më shumë, por me atë punë aq të rëndë që bëra atje, unë: këtu në Therepel, në tokën time do të ‘kisha nxjerë flori’! Atëkohë ai krijoi bindjen e plotë se punën, lumturinë e begatinë çdo njeri e gjen në atdhe. Ndaj edhe poeti i ka kënduar vendlindjes se vetëm në atdhe e ndjen veten mbret, si shqiponjë mali në fole të vet”. Këtu pranë tokës, në këtë mjedis edukues familjar e në bankat e shkollës ai mori arsimin fillor, shtatëvjeçar e më pas të mesmin me mund e vështirësi; në vitin 1957 u titullua mësues- profesion që ai më shumë e konsideronte mision të veçantë për t’i shërbyer shoqërisë, familjes, atdheut. Dhe qe ndikimi i tij i drejtpërdrejtë që të tërë fëmijët e asaj familjeje u arsimuan e u diplomuan me shkollë të lartë. Edhe pse në të ardhmen ai kreu detyra si mësues, si inspektor arsimi rrethi dhe më tej shef administrate në Kombinatin e Poliçanit, ai kurrë nuk e harroi vendlindjen dhe njerëzit e saj.
Intelektual me cilësi të veçanta
Rrahmani ishte frymëzues, racional dhe organizator. Tepër i veçantë është fakti ai ka qenë mësues edhe i motrave dhe vëllezërve të tij, gjithësej gjashtë vëllezër e dy motra. Një familje e tillë ishte kthyer realisht në një model arsimimi për gjithë atë trevë, duke përmendur faktin që Përparimi dhe Refideja mbaruan shkollën e lartë dhe u diplomuan po mësues për matematikë. Ndërkaq Përparimi vijoi të shërbente edhe si pedagog dhe shef katedre në shkollat ushtarake në Tiranë. Zamiri mbaroi studimet në Universitetin Bujqësor Kamëz dhe u diplomua agronom, duke punuar për shumë vite mësues biologjie dhe kimie në shkollën e mesme bujqësore Vëndreshë dhe në atë nëntëvjeçare Therepel. Vëllai tjetër, Ajeti mbaroi Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, duke shërbyer gjatë si ushtarak në struktura të ndryshme të ushtrisë dhe policisë.
Rrahmani i martuar me Gjyrxhi Hasanaj nga Zabërzani, kanë lindur e rritur pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë, që të gjithë të shkolluar dhe edukuar në nivelet e kohës. Leonardi, përveç studimeve në shkollën e mesme të ndërtimit në Tiranë, vijoi studimet edhe në shkollën e kuadrove rezervistë në Zall Herr të Tiranës, si dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në kryeqytet. Për vite me radhë punoi në Përmet dhe Skrapar si oficer, dhe tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Djali tjetër, Dashamiri u diplomua ekonomist i lartë dhe kryen detyrën e shefit të transportit në Bashkinë e Elbasanit. Ndërsa tre fëmijët e tjerë Berti, Veriu e Djana, vazhduan studimet në shkollën mekanike të Poliçanit dhe punuan për shumë vite aty ku punoi babai i tyre i dashur, në Kombinatin mekanik të Poliçanit. E gjithë familja Celibashi, e gjerë dhe me shumë anëtarë, e ka konsideruar Rrahmanin si mësuesin dhe krenarinë e saj, sepse ai ishte frymëzues dhe ndjekës i kujdesshëm i përparimit në shkollë të të gjithëve. Ai e kishte kuptuar dhe përjetuar vetë se sa rëndësi ka shkollimi dhe edukimi i brezit pasardhës për të vijuar ngjitjen më lart të ekonomisë, jetës familjare dhe tërë shoqërisë. Prandaj ai shërbeu për ata si model jo vetëm në rrugën e arsimimit, por edhe të një jete sa më të virtytshme e sa më të vlefshme për interesat e atdheut, shoqërisë, familjes. Rrahmani mësues, ishte edhe themeluesi dhe anëtari i formacionit të parë të ekipit të futbollit “5 Shtatori”, krahas emrave të tillë të mësuesve dhe kuadrove aq të respektuar e të paharruar Emir Qafa, Myslim Hotova, Hektor Bregasi, Syrja Carkani, Muharrem Memollari, Bardhyl Dardha, Enver Kahremani, Zenel Dyrmishi, Zihni Hasanaj, si dhe Xhevdet Shallari. Dhe më e rralla histori është ajo që ditën e dasmës, 31 korrik 1960, kishte ndeshje futbolli, dhe fill pas saj, Rrahmani lojtar u nis për në dasmën e tij!? Ai gëzonte respekt të madh e të merituar në qytetin e Çorovodës dhe në tërë ato anë ku ai kishte lënë gjurmë të pashlyera mirësie, atdhetarie dhe njerëzore. Më pas ai, natyrshëm zgjodhi të mos mbetej futbollist, por roli i tij ishte si përgjegjës ekipi dhe organizator i futbollit të skuadrës “5 Shtatori”. Dhe këto janë pasqyruar nëpër libra e shkrime të ndryshme. Në tërë udhëtimin e vet jetësor 86 vjeçar, Rrahman Celibashi ka manifestuar dy cilësi kryesore, që ishin edhe pjesë themelore e karakterit të tij: korrektësia dhe ndershmëria, mirësia dhe edukata e tij, ishin tipar dallues që e kanë gdhëndur në memorien e tyre shumë nga nxënësit për ish-mësuesin e dashur dhe të respektuar Rrahman Celibashi. Puna e tij këmbëngulëse, sfidonte edhe vështirësitë e kohës dhe në tërësi ai nuk lejonte që nga duart e tij të delnin asnjëherë nxënës të papërgatitur. Ishte njeri me edukatë, urtësi dhe të ushqente shpresë, durim e guxim me fjalët dhe veprimet si edukator.”Korrektesa, rigoroziteti, ndershmëria në punë dhe ndihma që iu jepte të tjerëve, ishin tiparet e atij njeriu që tani nuk e kemi më midis nesh. Mbasi u bëmë miq unë mësova se shpirti i kunatit tim ishte gjithnjë i prirur për të vendosur e forcuar ura sa më të shëndosha miqësie duke ruajtur traditat më të mira të krahinës,”- thotë Novruz Zaimi.”Tek Rrahmani shikoje njeriun e mirë dhe zyrtarin korrekt, që gjithnjë shpaloste kulturë dhe komunikim të veçantë njerëzor. Problemet i zgjidhte pa nerva, pa ngritur zërin dhe gjithçka shkonte konformë normave e rregullave në administratën ku ai drejtonte. Ishim fqinjë shumë të respektuar me njëri-tjetrin dhe kujtoj se ai qe edhe një kryefamiljar shembullor,”- tregon me tronditje shpirtërore inxhinieri Zenel Çeço.“Njeri tepër korrekt, shumë i kujdesshëm dhe mjaft i vëmendshëm. Pas shkollimit dhe kualifkimit tim, mu dha mundësia të punoj në disa ambasada të Shqipërisë. Kudo ndoqa ato porosi dhe rregulla që më mësoi mësuesi im i jetës, njeriu që gjeneronte kurdoherë pozitivitet dhe marrëdhënie të ndershme njerëzore,”-rrëfen Zenel Myslimi. Edhe një tjetër e veçantë e rastësishme, por tepër e përveçme tek Rrahmani ynë i paharruar: ai lindi më tetë janar 1936 dhe zemra e tij pushoi së rrahuri, mbas 86 vjetësh po më tetë janar, 1922.
Gjurmë që sigurojnë vazhdimësinë
Në homazhin përkujtimor të njëvjetorit të largimit fizik të Rrahman Celibashit nuk marrin pjesë vetëm fëmijët, vëllezërit, motrat, nipër e mbesa. Janë edhe ish-nxënësit e tij, shokët e punës dhe të njohurit e tjerë jo të paktë. Novruz Naska, një mësues i atyre viteve të largëta kujton me respekt punën sistematike të Rrahmanit me dokumentacionin, sqarimet e sinqerta dhe pa u lodhur me të gjithë punonjësit që paraqesnin ankesa e probleme, etj. Ish-nxënësja e tij Liri Naska flet me admirim të veçantë për mënyrën se si mësues Rrahmani i shpjegonte mësimet e lëndës së gjuhës ruse.“Unë dhe të gjithë ne fëmijët e Rrahmanit,-shkruan Berti nga Greqia ku jeton familjarisht, jemi e do të jemi kurdoherë krenarë për babain tonë. Për mua ai ka qenë burim drite që na ka ndriçuar kudo udhën e jetës, madje edhe këtu në emigracion. Ai kishte karakter të fortë, vullnet e ndershmëri, dhe jetoi me plot dinjitet. Ndaj mbetet burim frymëzimi për ne dhe ata që do të vijnë pas nesh.”E patëm prind, edukator, shok dhe mësues”- thotë me brengë në zemër Dashamiri, i biri i tij në Elbasan, që i qëndroi pranë deri në çastin e fundit. Nuk do ta shohim më nën qiellin e kësaj bote, por kemi të skalitura porositë e tij për të qenë të ndershëm, punëtorë dhe për të kapërcyer me vullnet vështirësitë”. “Xhaxhai im Rrahmani kishte edhe një cilësi që e kanë pak njerëz. E kishte aq të theksuar sa mua më dukej sikur ishte i lindur me pasionin e veçantë për të ndihmuar njerëzit, kushdo e kudo që të ishin ata. Sa herë që dëgjoja fjalët e tij, më dukej sikur dëgjoja këmbana, fillimisht me kumbim të paktë e pastaj plot gjëmim për të qenë kurdoherë të ndershëm e punëtorë. Këtë tregon një nga nipërit e tij, Gëzim Celibashi.”Për mua ka qenë kënaqësia më e madhe dhe krenari që jam nipi e Rrahmanit. Ndonëse nuk jemi të përjetshëm fizikisht, ajo çka mbetet, kujtimet, gjurmët, pesha e fjalëve, veprat, vlerat dhe dashuria, koha nuk mund t’i harrojë, por i lartëson dhe i kalon nga brezi në brez…” -flet Orgesa Zaimi. Një tjetër mbesë e tij, Garentina, shkruan : “I shtrenjti xhaxha Rrahmani! Ishim aq shumë të lidhur bashkë. U linde mësues, punove mësues dhe do të mbetesh përgjithmonë mësues për të gjithë ne!” Të gjithë pasardhësit e tij thonë diçka por gjithnjë të lidhur edhe me gjyshe Gjyrxhinë, e cila edhe ajo, plot virtyte, si edukatore dhe bashkëshorte, nënë e dhëmbshur dhe gjyshe e ëmbël. Për një rastësi tepër të rrallë, ajo u nda nga jeta në të njëjtën datë me atë që ishte martuar me Rrahmanin. Mbesa Uendi shkruan:”Na ike papritur. Po ne nuk e harrojmë porosinë tënde se shkollimi, puna dhe profesioni i japin njeriut freski, gjallëri e lumturi në jetë!” Le të jetë ky shkrim një homazh për njeriun që la gjurmë të pashlyera kudo ku punoi intelektualin e përkushtuar Rrahman Celibashi.