Vexhi Buharaja dhe fati i klerikëve të tjerë në sistemin monist

658
Sigal

Abedin Çiçi, ishte lejuar t’i mbante ata flokë aq të gjatë me porosi të vetë Enver Hoxhës

  • Vexhi Buharaja thoshte, pse duhen përvetësuar dituritë, si ta duam atdheun, si duhen respektuar prindërit
  • Vexhi Buharaja dhe fati i klerikëve të tjerë në sistemin monist
  • Si beberi ja preu mjekrën duke qarë Riza efendiut dhe habia ime në ato vite
  • Në fakt, qarkullonte një dyshim i bazuar, se zhdukja e fesë ishte një iniciativë e kryeministrit Mehmet Shehu,

Nga Arshin Xhezo

Meqenëse ishte e pamundur që çdo shqiptari t’i vihej nga një gardian për t’i mbyllur gojën, u mendua se fshirjen e Zotit nga kujtesa mund ta bënte mbyllja apo prishja e të gjitha kishave e xhamive dhe shpronësimi edhe i shtëpive të Zotit; ndëshkimi i klerikëve.

Zhveshja nga besimi dhe bindjet fetare ishte ndërmarrja më donkishoteske. Kjo  privatësi, krejt intime dhe e shenjtë, nuk shënohej në asnjë census dhe pasaportë të vendeve të qytetëruara.

Më 15 shkurt të vitit 1967, në orën 10.00, në të gjitha dyert e kishave  dhe xhamive të Shkodrës ishin vendosur fletë-rrufe, siç quheshin, letra, në të cilat shkruhej: Mjaft keni mashtruar! Hyni në punë, dhe fitojeni bukën me djersën e ballit!

Iniciativa u përhap shpejt në të gjithë Shqipërinë, dhe, për një kohë të shkurtër, shumicës së kishave dhe xhamive iu vu kazma, kurse një pjesë e tyre u kthyen në depo mallrash, teatro apo shtëpi kulture.

Njëherësh, por ndoshta edhe përpara se të orientohej gjymtimi dhe tjetërsimi i kishave dhe xhamive, u orientua edhe gjymtimi, tjetërsimi, fyerja dhe poshtërimi i tyre: të ndërrojnë veshjet dhe të rruajnë mjekrat të gjithë.

Në të vërtetë, klerikët ishin kontingjenti i fundit që kishte mbetur me mjekra e mustaqe. Duket e pabesueshme, por, menjëherë pas çlirimit, sipas një orientimi që nuk u mor vesh kurrë nga erdhi, askush nuk mund të mbante më mjekra e mustaqe. Në arkiva nuk  mund të gjesh asnjë vendim qeveritar apo partiak. Në gazeta dhe fjalime filluan të quhen shfaqje të huaja borgjeze, dhe kjo ishte e mjaftueshme që njerëzit të merrnin vetë masat.

Revista satirike Hosteni sulmonte me shkrime dhe karikatura cilindo që guxonte të provonte. Madje, në disa raste u ironizuan në shtyp jo pak aktorë të Kinostudios, të cilët, nën justifikimin se kishin role të tilla, zunë të mbanin mjekra e mustaqe.

Ishte i vetmi vend në botë, ku nuk shihje, qoftë edhe një të tillë. Që të jem fare i saktë, një i tillë ishte në Tiranë. Ishte një burrë rreth të gjashtëdhjetave. I gjatë, i pakët në trup, me pamje fisnike dhe me një ndriçim intelektual në sy, ai ishte i vetmi që mbante, jo vetëm mustaqe, por flokët e tij tepër të gjatë i vareshin goxha mbrapa, poshtë jakës së xhaketës. Ishin vitet shtatëdhjetë dhe shumica e atyre që e shikonin këtë burrë të ecte i qetë rrugëve të Tiranës e merrte për turist të huaj. Nuk ishte turist; ishte profesori i njohur dhe i nderuar i Agronomisë, Abedin Çiçi, për të cilin thoshin, se ishte lejuar t’i mbante ata flokë aq të gjatë me porosi të vetë Enver Hoxhës. Kjo fjalë qarkullonte gjithandej, por të vërtetën nuk e dinte askush.

Ka ca të vërteta të tilla të asaj kohe, të cilat, të rinjtë e pasviteve ’90 i kanë të gjitha arsyet t’i marrin si fictione. Ndoshta, vetëm arkivat dhe shtypi i kohës mund t’u krijojë bindje.

Po me priftërinjtë e hoxhallarët, ç‘patën?! Në fund të fundit, si kudo në botë, mjekrat dhe mustaqet e tyre ishin institucionale dhe profesionale.

Sapo ishte mbyllur xhamia e lagjes sonë.

I ulur në njërën nga karriget e rrojtores duke pritur radhën, dëgjova berberin, i cili, njërit prej hoxhallarëve të ulur përpara pasqyrës, me lot në sy dhe i ngashëryer, i thoshte:

– Aman, hoxhë Efendi, ma bëj kabull! Nuk më bëjnë duart të heq mjekrën e zotërisë sate!

Sigurisht, në ato vite, ne fëmijët skena të tilla si ajo në rrojtore nuk i gjykonim si “ mohim të së drejtës universale për të ushtruar lirinë e besimit fetar”, “ mbi bazën e konventës x, y,…,” etj. etj. Përkundrazi, ato skena na dukeshin si shkak për “gallatën” që do të fillonte, kur hoxha, tanimë pa mjekër dhe i veshur “civil”, rrugicë më rrugicë, do të shpejtonte të futej në shtëpi, i ndjekur nga të qeshurat dhe romuzet e disave që mezi i prisnin raste të tilla për batutat e tyre. Kurse unë vetë, duke e parë atje në rrojtore përpara berberit,  përfytyroja se çfarë do të bënte tani e tutje hoxha ynë. Do të shkonte në kinema si të gjithë të tjerët? Do të lahej në lumë i zhveshur në brekë si gjithë të tjerët? Do të hante akullore duke ecur rrugës? Po Hafiz Rizait, si do t’i thërrisnin tani,- shoku Riza? Po Atë Vangjelit, Papu do ti thërrisnin edhe tani? Se edhe Atë Vangjeli, si Hafiz Rizai ishte bërë.

Këtë fat patën të gjithë klerikët e qytetit.

Dhjaku simpatik i lagjes Goricë, At Vangjel Xoxa, mjekra tepër e zezë e të cilit në fytyrën shumë të bardhë të tij krijonte një grafikë të rrallë, pas operacionit u mbyll në shtëpi për një kohë goxha të gjatë. Pastaj, doemos u detyrua të dalë për të nxjerrë bukën e gojës. Filloi punë si marangoz në zdruktharinë e qytetit, dhe im vëlla, që punonte atje, tregonte se At Vangjeli punonte me shumë sedër të bënte normën që në ditët e para.

Njerëzit e famshëm: shkrimtarë, artistë, shkencëtarë etj., për opinionin që i do, duken simpatikë dhe nga ana e jashtme, edhe kur nuk janë fare të tillë. Por Vexhi Buharaja ishte realisht burrë simpatik, prandaj dhe asnjë ndryshim në pamje nuk mund t’ia dëmtonte imazhin. I gjatë, me një trup të drejtë dhe të ecur elegante, sikurse kostumi e kravata që mbante veshur; brun, me një mjekër të zezë e të mbajtur bukur – ato vite ishte klerik – ai binte menjëherë në sy. Në lagje, sigurisht, por edhe në gjithë qytetin.

Më është ngulitur në kujtesë fakti që, kur ai dilte nga shtëpia, në fund të rrugicës sonë, dhe merrej vesh se do të shkonte tek xhamia e lagjes, gratë dhe vajzat e lagjes hapnin portat me ngut dhe lajmëronin njera-tjetrën: Zonja, shpejt, vishuni të shkojmë në xhami, sepse sot do të rrëfejë vas Vexhiu.

Në atë kohë – fëmijë 8 apo 9-vjeçar – unë nuk e kuptoja se kjo e thirrur intime e grave e vajzave të lagjes, thjesht në emër, pa mbiemrin, por edhe pa fjalën zoti, apo titullin fetar përpara emrit, ishte afeksion që vinte nga si i lagjes, si yni, apo sepse ai që do të dilte dhe do të predikonte përpara besimtarëve, domethënë, përpara tyre në xhami, ishte jo një teolog, por një burrë simpatik. Por e kam të fiksuar mirë në kujtesë: kur rrëfente vas Vexhiu, gratë dhe vajzat e lagjes e mbushnin dingas mafilin – një formë llozhe e gjerë në katin e dytë të xhamisë, posaçërisht për gratë dhe vajzat, të cilat përmes grilave prej druri, bënin sehir. Pastaj se ç‘i thoshin në vesh njëra-tjetrës, kushedi … Megjithëse, vetë Vexhi Buharaja në historikun e lagjes sonë shkruan se djemtë dhe vajzat e lagjes, sidomos, kur ishin në një sokak, quheshin vëllezër e motra dhe nuk mund të martoheshin me njëri-tjetrin

Çfarë “rrëfente vas” apo predikonte Vexhi Buharaja kur hipte në podiumin me shkallare në xhami? E vërteta është se ne nuk kishim asnjë qejf  të shkonim në xhami dhe nuk shkonim. Megjithatë, nja dy herë, nga kurioziteti kemi hyrë brenda dhe  kemi dëgjuar për disa minuta si “rrëfente vas” Vexhi Buharaja që kishte nam.

U çuditëm! Ne prisnim të fliste turqisht por ai fliste shqip, dhe na u duk sikur nuk ishim në xhami por në shkollë. Sepse “vas-i” që ai tregonte ishte si lënda e edukatës morale, edhe histori, edhe letërsi. Thoshte, pse duhen përvehtësuar dituritë, si ta duam atdheun, si duhen respektuar prindërit, pse muslimanët dhe të krishterët e qytetit janë vëllezër dhe duhet të shkojnë mirë me njëri- tjetrin, etj. etj. Shkollë. Tamam shkollë, vetëm shtoji Zotin, që në shkollë nuk ishte.

Gjithsesi, lufta kundër mjekrave të priftërinjve e hoxhallarëve vazhdoi. Nuk i pamë më të hynin nëpër rrojtoret e qytetit, sepse dëgjuam se, nga që u vinte turp, i thërrisnin berberët nëpër shtëpitë e tyre.

Po kujt i shkoi mendja, xhanëm, për t’i telendisur në këtë mënyrë klerikët e nderuar?

Nuk ishin të mjaftueshme mbyllja e kishave e xhamive, dhe mbushja e burgjeve me ta? Ç’ishte kjo luftë dhe urrejtje patologjike kundër mjekrave e mustaqeve?

Formulimi shfaqje e huaj që përdorej në gazeta dhe fjalime për mjekrat dhe nuk ju dukej hiç  bindës. Të na kenë ardhur nga të huajt?!

Për t’u treguar më të matur e objektivë, njerëzia fillonte të kërkonte shkaqet me fakte e argumente më thellë; tek rrënjët e tek tradita kombëtare. Asgjë, përkundrazi, sepse shqiptarët, brez pas brezi – babai, gjyshi, stërgjyshi – të gjithë me mustaqe e mjekër, dhe nuk i kishin marrë nga të huajt. Shikoni, po deshët, fotografitë e vjetra dhe albumet familjare.

Për t’u bërë akoma më bindës, le të hidhemi nga baballarët tanë tek Baballarët e Kombit – të famshëm e me këngë.

Vetë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, së pari – një herë i krishterë, dhe, kur i dukej, mysliman – por në të dyja rastet, me mustaqe e me mjekër, ku e ku më të mëdha nga ato të sotmet.

Rilindasit tanë, gjithashtu: treshja e vëllezërve Frashëri – Abdyli, Samiu e Naimi – të tre me mjekra të mëdha e të bukura; për të vazhduar me Jeronim De Radën e të tjerë arbëreshë në Itali, apo Pashko Vasën në Liban, Fan Nolin e madh në Amerikë, Bajram Currin, Isa Boletinin. Të gjithë.

I tmerrshmi Pashai i Janinës nuk mund të përfytyrohet dot pa mjekrën si mjegull e bardhë, aq sa të duket sikur kënga nuk është ngritur për të, por për mjekrën e tij. I qethur, i rruar, 80 e ca vjeçari plak do të dukej si një i vdekur, i shëmtuar, që nuk mund të trembte dot as pulat e fshatit, jo më një taborr me turq, t’i bënte ballë për vite me radhë një perandorie të tërë. Kurse Vasiliqia, grekja e bukur, vetëm të ishte idiote t’i rrinte tek koka një koke të tillë.

Të vendosje në Kamaren e Turpit në mes të Stambollit atë kokë çilimiu për ta bërë sehir gjithë dynjaja, dhe për t’u thënë të gjithëve ja ç‘kokë kemi prerë, kushdo do të kishte të drejtën të mendonte se Turpi dhe Kamarja ishin jo për atë kokë që shihnin, por për kokat e atyre që e kishin vendosur aty.

Pra, secili përmendte kokat me mjekrat e mëdha që njihte të Kombit, por Ismail Qemali, themeluesi i Pavarësisë dhe i shtetit shqiptar, u duk sikur i vuri kapak muhabetit: mjekër e mustaqe më të mëdha e më të bukura se ato të Babait të Kombit nuk kishe ku gjeje për argument.

Mjekrat dhe mustaqet prej shekujsh ishin bërë pjesë e traditës kombëtare; njëherësh edhe simbol i burrërisë dhe i burrit. Djemtë shqiptarë mund të shkonin ushtarë apo të martoheshin, jo thjesht, kur mbushnin 16 apo 18 vjeç, por kur iu dirste mustaqja.

Ndërkaq, gjithë ky devijim apo përmbysje e traditës në gjysmën e dytë të shekullit XX, po ndodhte në një vend ballkanik, madje, në atë vend të Ballkanit, ku mjekra dhe mustaqet ishin nishane e simbole edhe të dinjitetit, krenarisë dhe sedrës së burrit, dhe ku, edhe thjesht prekja sado e vogël e mustaqeve nga tjetri, apo më keq, e shara: të dhjefsha mustaqet, konsiderohej çburrërim dhe paguhej me kokë.

Politika dhe ideologjia, jo vetëm nuk u gjet asnjë mbështetje e argument, por u konstatua se mjekra e mustaqe mbanin vetë themeluesit e doktrinës.Lenini dhe Stalini po se po, por, përpara tyre, dhe me mjekra shumë më të mëdha ishin teoricienët. Engelsi dallohej për mjekrën dhe mustaqet, që në rininë e tij, kurse koka e Marksit, “babait të komunizmit”, me mjekrën proverbiale, gjigande, më tepër se një kokë me mjekër, i ngjante një grumbulli të madh leshi, ku ishte vendosur një fytyrë.

Atëherë, cila, pra, mund të kishte qenë arsyeja apo arsyet e këtij urdhri të çuditshëm kundër mjekrave e mustaqeve, dhe kush, konkretisht, e kishte dhënë?

Në fakt, qarkullonte një dyshim i bazuar, se e gjitha kjo mund të ishte një iniciativë e kryeministrit Mehmet Shehu, dhe Enver Hoxha, ose nuk ishte vënë në dijeni për atë që ndodhte, ose, qëllimisht e linte vetë kryeministrin, për të parë sa larg do të shkonte. Hamendja nuk ishte pa bazë, po të kujtoje, se kryeministri dallohej për këto lloj iniciativash.

Le të mos ngutemi, tha dikush. Shpjegimet tuaja më duken ca naive. Ato janë thjesht historira, folklor. Mua më duket ca më i thellë shkaku. Pse pikërisht Mehmet Shehu është më i egri në këtë fushatë kundër mjekrave e mustaqeve? Ju duket i besueshëm fakti që më i flakti të shfaqet pikërisht Mehmet Shehu, i cili vetë ka pas lënë mustaqe që djalë i ri; pastaj në Luftën e Spanjës, po me mustaqe, dhe gjithashtu me mustaqe edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ishte komandant i Brigadës I Sulmuese? Shikoni fotografitë e Luftës. Në të gjitha rastet e keni me mustaqe; atë dhe shumicën dërmuese të ish-partizanëve.

Koha tregoi se ky grotesk, kjo shaka e madhe, u kthye në bumerang, dhe se në thelb qesharak dhe grotesk ishte vetë regjimi dhe ata që urdhëruan çmenduri të tilla, por kostoja ishte e madhe.

Fyerja është më e rëndë se varfëria.

Marrë nga libri “Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh”