Edhe pionerët luftonin shqiptarisht dhe binin dëshmorë burrërisht!

2523
Sigal

10 shkurti 1942 shënon krijimin e organizatës së parë të pionierëve shqiptarë, “Debatik”-“Djemtë e Bashkuar Anëtarë të ideve komuniste

Edhe pionerët luftonin shqiptarisht, dhe binin dëshmorë burrërisht!

Me rastin e 78 vjetorit të  organizatës së pionierëve, “DEBATIK”

-Kjo ditë shënon fillimin e veprimtarisë antifashiste të organizuar të tyre, që e kurorëzuan me pushkë në dorë duke rënë dëshmorë të LANC!…

Zogj shqiponje, që “fluturonin nëpër gjak”!

“Zogj shqiponje”!, kështu quheshin si me “përkëdheli” pionierët nga shqiponjat partizane, bashkë më të cilët “fluturonin nëpër gjak”. Të vegjël, por mendonin e luftonin si të mëdhenj. Nuk pyesnin për jetën e tyre të re, por për çlirimin e Atdheut! Dhe në sy u flakëronte “krenaria, me rrënjë në thjeshtësi e në degë me bukuri”. Numërohen 70 dëshmorë debatikas.  Nga i pari dëshmor debatikas Aleko Qirici deri tek të fundit, që ranë për çlirimin e vendit, rruga është skuqur edhe me gjakun e tyre dhe u përjetësua në filmin “Coli” të këtij djaloshi  14 vjeçar nga Delvina. Ishte fëmijë i varfër dhe erdhi në Tiranë të gjente ndonjë punë për bukën e gojës. Endej rrugëve. Bënte punë prej hamalli. Varfëria e shtyu në rrugën e luftës antifashiste. Shpërndante trakte të Partisë për luftën. Një ditë duke ngjitur trakte atje ku sot është Teatri Kombëtar, e pa një gjerman dhe e ndiqte pas. Coli e kuptoi dhe vrapon t’i shpëtojë, kalon me vështirësi telat e një oborri aty pranë, por nazisti e vrau. Trupi i tij u shtri përtokë. Një shok debatikas e çoi në spital, por zemra e tij pushoi.

Në këtë rrugë antifashiste të gjakosur për çlirimin e vendit ecën edhe shumë pionierë të tjerë. Dy ditë para çlirimit të vendit ra Heroi i Ppullit Celo Sinani, të cilit iu këndua “Dhe dy ditë vinte liria/ duhej mbrojtur istikami/ barikadë trupi tija/ barrikadë Çelo Sinani , djaloshi picariot, që kishte bërë shumë përpjekje për të dalë partizan, por nuk pranohej se shkonte nga një cetë në tjetrën, në fillim në çetën “Cerciz Topolli”, pasaj në Cepo, takoi dajo Shefqet Peçin, të cilit iu lut ta merrte partizan, por iu dha përgjigja se “je i vogël”. Çeloja u zemërua. U kthye me kokë të varur në Picar, por me mendje partizan. Pas ca muajsh u nis e shkoi përsëri në Cepo, këtë radhë me pushkën e tij si bari!  Po përsëri s’u pranua. U bë pik e vrer dhe mallkonte trupin e vogël e të shkurtër të tij! Pas shumë përpjekjesh, pa pritur u pa fytyrëqeshur në rreshtat partizane! Ideali i tij ishe: “Ja do bëhet demokraci, ja Shqipëria gur e hi”!- Dhe ra heroikisht në luftë kundër tradhtarëve të vendit në Malësinë e Dukagjinit më 23 nëntor 1944.

Radhët partizane shtoheshin githnjë edhe me pionierë e adoleshentë. Met Hasa, nga Ndroqi i Tiranës ishte 14 vjeç. Nëna e la 5 vjeç. Nga varfëria shkoi për ndonjë punë në qytetin e Durrësit. Nisi të shpërndante trakte dhe ishte korrier ilegal partizan. E zbuluan spiunët e nazistëve duke ngjitur fletushka dhe e kapën, e atestuan në vend. Presioneve dhe torturave të tyre nuk u trembej. Asgjë nuk tregonte. E nisën për në burgun e Tiranës. Rrugës ndodhi një alarm ajror. Meti e përdori këtë rast dhe u iku gjermanëve nga duart! Vrapoi dhe shkoi në Pezë, më vonë në Brigadën XXII Sulmuese. Në një luftim u tregua trim. Me gjoksin e njomë të tij mbuloi tytën e mitralozit gjerman që të pushonte zjarrin e tij e të mos vriste partizanët, pa pyetur se dhe vetë do vritej! Nazistët, kur e panë aq të vogël, u çuditën me trimërinë e një vocërraku shqiptar. E nderuan sikur të ishte luftëtar i tyre…

 “Unë nuk e nis sot luftën, shoku partizan!”

Debatikasit kalonin si nëpër një shkollë luftarake para se të dilnin partizanë. Vepronin guximshëm në ilegalitet kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Është e njohur veprimtaria e gjerë dhe e shumëllojshme e tyre, që ishte e vështirë ta kryenin  më të rriturit.Fato Berberi është një nga dhjetë pionierët e Gjirokastrës që doli malit partizane. Sa shkoi në çetën “Koto Hoxhi” një partizan i moshuar, që nuk ia mbushi syrin për partizane i tha komandantit:   “Po ne s’kemi enë për t’i mbushur me ujë e të na i sjellë kjo çupë, o shoku komandant!  Këtu kemi pushkë dhe luftë”. “Po duro, o i duruar,- ia ktheu komandanti. Do të kesh kohë ta shohësh edhe duke luftuar”.

Partizani i moshuar iu drejtua Fatos:   -Je menduart mirë, moj vajzë e xhaxhait!  “Po unë nuk e nis sot luftën, shoku partizan,-ia ktheu Fatoja. Kam kohë që e kam filluar këtë rrugë të gjatë. Kam punuar në qytet e fshatrave, edhe kjo luftë është. Por tani erdha partizane, të luftoj me armë, si shokët e shoqet partizanë”.   “Mirë, mirë, këtu jemi, do ta shohim”,- e mbylli fjalën partizani. Dhe Fato Berberi luftoi me heroizëm. Në valët e Operacionit armik të Qershorit 1944, në malet e Kurveleshit, rrëshqiti dhe ra në humnerë në zonën ku vepronin gjermanët, të cilët e gjetën pa ndjenja dhe filluan torturat më të egra kundër saj. E burgosën,  e nisën në kampin e Selanikut. E provokonin, e kërcënonin dhe i bënin presion. Oficeri nazist, hodhi në tokë kapelen me yll dhe i tha: – Shkele me këmbë! Fatoja  bëri të kundërtën: E mori kapelen me dorë dhe yllin e puthi! Nazistët u egërsuan. I hodhën litarin në grykë. Fatoja, me gjakftohtësi, me duart e saj të njoma, rregulloi lakun  dhe thirri me sa fuqi që kishte “Rroftë liria”! Do të vazhdonte të fliste akoma, por ushtari gjerman shkelmoi arkën dhe litari mbyti trimëreshën Fato Berberi.

Abdyl Koka, nga fshati Sallmone i Shijakut, 14 vjeç. Gjeti një bombë dore italiane mbuluar me baltë. Kështu gjetën edhe 7 shokë të tjerë. Dhe mbushën një trastë. Abdyli i pastroi dhe i ruante. Në shtëpinë e tij hynin e dilnin partizanë. Donte të dilte edhe ky partizan, por s’ e pranonin se ishte i vogël. Një herë e dërguan në mal me një letër për komisarin. E çoi dhe ata e përgëzuan. Pastaj bëri një kërkesë të thjeshtë: të qëllonte një herë më pushkë. Sa shumë gëzoi! Iu shtua dëshira të jetë partizan dhe ato ditë do shkonte në mal. U nis në mëngjes. Rrugës ia mori këngës partizane nga gëzimi, por kënga u dëgjua dhe iu ndërpre.  E vranë armiqtë…Ëndrra për partizan i mbeti pa realizuar…

“O partizan, o unë nuk kthehem në shtëpi”!

Pionierë e adoleshentë shkonin te komandanti i çetës më të afërt, kërkonin të pranoheshin partizanë. E kuptonin se mund të mos pranoheshin, për shkak moshe, por kishin menduar edhe përgjigjen që do të jepnin.  Hasan Axhemi, 14 vjeç. Shprehej: “Luftës i duhet edhe pushka e një jetimi si unë”. I vuajtur, por te partizanët gjente ngrohtësi. Miqësohej me ta. Hasanit të vogël iu plotësua dëshira. Janar 1944. Partizanët po iknin nga Mallakastra. Hasanin e lanë në fshat si ndërlidhës. U dërgua me shërbim sekret në Klos, andej në Hekal. Përmes errësirës kreu detyrën. I lodhur e zuri gjumi në anë të një ledhi. Pushkën e mbante midis gjunjëve. Por një hije e zezë si gjarpër i vinte rrotull. Një krisje si degë u dëgjua. Ishte pushka e armikut që e vrau…

E thellë ishte urrejtja për pushtuesit fashistë. Bashkim Kokona ende pa mbushur 14 pranvera. Nëna i vdiq dhe e la 3 muajsh. Filloren nuk e mbaroi për shkak të varfërisë. Dallohej për zgjuarsi, shkathtësi, trimëri. Në  lagje fëmijët e quanin “kryetar” të tyre. Ishte i pari në demonstrata. Një ditë hyri fshehurazi në kuesturë dhe la një letër paralajmëruese antifashiste! Maskohej si të ishte kikirikashitës në Gërhot, në ushtarë italianë. Ishte si “Mik” i vogël i tyre. Shkëmbente kikirikë me bomba dore e fishekë. Dëshmori mblodhi dhe u dha partizanëve 20 bomba dore, 300 fishekë, një pushkë dhe dy revole!Kështu vepronin dhe antifashistë të  tjerë: Plaku Vasil Puci nga Mashkullora, baba dëshmori, kishte një mitraloz të rëndë “Breda” dhe ua dhuroi partizanëve në Cepo.

Azbi Shehu, nga Samatica e Beratit, duke punuar në tokat e një pronari, u lidh me njerëz të lëvizjes dhe kishe siguruar disa bomba e revolverë, të cilat ia dha vëllai Aqifit, duke i thënë: “Ruaj se do të na duhen”. Por rrugës, forca italiane e kontrollojnë dhe ia gjetën. E dënuan 6 muaj burg. Pasi doli, me formimin e Brigadës XVI Sulmuese bashkë me 16 të rinj të fshatit shkoi partizan. 6 tetor 1944. Luftoi në fshatin Çukas, afër Fier-Sheganit, duke i prerë rrugën një autokolone gjermane me mbi 30 makina. Skuadra ku bënte pjesë Azbiu me 40 luftëtarë zunë vend afër xhadesë. Lufta u ndez e ashpër deri turp me trup. Ishte beteja e fundit ku luftoi e ra trimja Liri Gero dhe, tek po derdhte lot para trupit të saj, Azbiu mori zemër dhe hak, duke luftuar e rënë dëshmor. Emri i tij u radhit me 14 dëshmorë në lapidarin madhështor të Çukas, bashkë me Heroinën e Popullit  Liri Gero.

Heroik ishte qëndrimi i pionieres Lejla Malo. partizania më e vogël e batalionit “Thoma Lula”. Luftonte me gjermanë e ballistë në Delvinë. U plagos rëndë në këmbë dhe nuk arriti të tërhiqej si bashkëluftëtarët. Iu vërsulën ballistët. E kapën, e masakruan barbarisht vajzën e re. Kërkonte ujë, i jepnin goditje me kondakët e pushkës. E shanin, e kërcënonin. Synonin të trembnin popullin. Donin vdekjen e saj.   Pas gjithë atyre torturave çnjerëzore morën dhe masën e paparë:  e zvarritën në rrugët e qytetit. Ujqërit ballistë nuk e mposhtën dot Lejla Malon. Ajo ra dëshmore trimërisht!

“Mos më shikoni me trup,
por me pushkën në sup”!

   Rexhep Zebi, nga Ushelenza e Dibrës, djalosh me ndjenjën e punës, i zgjuar, që punonte në bujqësi, ishte i interesuar të dëgjonte tregime antifashiste partizane. I frymëzuar nga trimëria e tyre, u nis e shkoi në Brigadën e IV Sulmuse. Mori pjesë në luftime si në Shengjergj, në Qafë Kërrabë, në Arbanë, në çlirimin e Elbasanit. Trim, sulmonte i pari, shokët e këshillonin “kujdes se je i vogël”, por ai u përgjigjej: “Mos më shikoni në trup, por me pushkën në sup”!  Brigada iu afrua Tiranës me luftë. Rexhepi ishte në pozicion duke hapur zjarr. Para tij ra një shok. Rexhepi shkon dhe merr trupin e tij për të mos rënë në duar të armikut, plumbat e e të cilit dendësohen dhe Rexhepi plagoset rëndë, u vra trimërisht duke luftuar

   Nimete Progonati, Heroinë e Popullit, nga Luzati i Tepelenës. 14 vjeçare. Shkoi partizane në Brigadën e V Sulmuese. E vogël, por trime! Sintezën e trimërisë së saj e ka bërë komandanti i Brigadës V gjeneral Shefqet Peçi. Kur e pa në sheshin e luftës duke zënë pozicion të ri, i thirri komandantit Dane Mehmetit: “Ktheje atë vajzë. Ajo është tepër e vogël për këtë luftë”. “Nuk kam ç’t’i bëj, shoku Shefqet- ia ktheu Dania. As ajo, as të tjerët nuk m’i zbatojnë urdhrat, kur është fjala për t’i hequr nga sulmi”! Dhe Nimetja e vendosur vazhdoi të luftonte dhe u vra bashkë me pesë shokë në luftën e Sinjës kundër forcave mercenare të tradhtarit Halil Alisë.

Antifashisti tiranas Qazim Alimemeti, bashkë me shokë kreu një aksion: dogji mullarët me bar të ushtarëve italianë, që ua kishin marrë fshatarëve. Dogji dhe dy automjete të armikut në Qafë Kërrabë. Armiqtë e gjurmonin. E plagosën dy herë. Herën e dytë derdhi gjak ditën që do të pranohej në Rininë Komuniste. Shokët ishin mbledhur e ai s’po dukej. Sa mbërriti ata e panë të zverdhur e të gjakosur dhe e pyetën çka ndodhur.  Qazimi u tha “Jam plagosur, por s’kam hallin e plagës, por që erdha me vonesë në mbledhje”. Në janar 1943 shkoi në Pezë, në Brigadën XXII, luftoi në Kukës, Shkodër e në Tuz-Deçiç. Iku nga spitali ku ishte shtruar dhe shkoi te shokët të vazhdonte luftën!. Ishte në frymëmarrjen e fundit…

Nga fshati Shtigjen i Kukësit doli partizan djaloshi Rustem Shehu. Nxënës i shkollës. Në Bicaj u formua Brigada e 24-t Sulmuese. U bë efektiv i saj. Pushkën e zotëronte mirë. U përlesh në beteja në kodrat e Kamzës për çlirimin e Tiranës. Tirana u çlirua. Brigada mori detyrën të luftonte në Urën e Zezë, afër Krujës, në Milot, në Lezhë e në Bërdicë, kundër nazistëve në tërheqje. Në luftimet që u zhvilluan në Bajzë, u plagos rëndë, shokët e çuan në spitalin e Shkodrës. Këtu, me gjithë mjekimet e shërbimin, pushoi zemra e këtij djaloshi trim.

***

Shënuam këtu simbolikisht vetëm pak partizanë pionierë dëshmorë, të cilët sikur të jetonin, sot do të ishin rreth 92 vjeç, veteranë. Këta nuk mundën ta shohin të lirë Shqipërinë, por rojnë emri, trimëria, heroizmi, lavdia e tyre, që frymëzojnë breza të rinj. Kur vjen 5 maji jemi në familjet e tyre, në lapidarët dhe varrezat e tyre. Rrimë bashkë me ta. I kemi në sofrat tona. Është dita e tyre. U dhurojmë lule të freskëta të pranverës, se pranverë ishin dhe ata, ishin dhe mbetën lulja më e bukur e Atdheut. E populli është “marrë vesh me Tokën Mëmë”: “O Toka jonë e shtrenjtë, që dëshmorët i mban në gji, mos ua prish atë bukuri!”. Dhe dëshmorët janë të gjallë, janë në krye dhe ndriçojnë si yje, rrojnë e do të rrojnë në zemrat tona!…

*