Ilmi S.Qazimi: Një telefonatë me erë baruti nga Tenda e Qypit

49
Sigal

Ilmi S.Qazimi


Kujtime të veteranit Qemal H.Bego. M’u kujtua lufta në Tendën e Qypit, ku pasi më ishte vrarë shoku im korrier,Ilmiu nga Muzhencka, shkova përpjetë drejt majës ku kërciste dyfeku e mortaja. M’u kujtuan shokët si Zylyftari, Sabriu, Iljazi, Skënder Malindi, Petrefi, burizani.

Qemal Hysen Bego

“Telefonata e tij pushoi. E falënderova me gjithë zemër dhe sa u bëra gati t’i thosha edhe unë urimin që më ka mbetur për një të tillë njeri-lis shekullor:”Të rroni sa Mali i Tomorrit”, ai më ndërpreu prapë:”Këto ditë hapja ato albumet dhe koleksionet e gazetave që kanë shkruar për Grupin e Skraparit ku isha unë dhe për batalionin e tretë të Brigadës së Parë  që komandonte Mehmet Shehu.”

Luftimet e Tendës së Qypit njihen në literaturën historiko-ushtarake edhe me emërtimin ‘Beteja e Tendës së Qypit’, sepse kështu quhet vendi ku janë zhvilluar ato luftime. Është një mal i lartë rreth 1600 metra mbi nivelin e detit në vijën e kreshtës malore ujëndarëse midis  Skraparit dhe Dëshnicës, krahinë e Përmetit. Fshatrat më të afërt janë Nishica, Spathara, Sharova, Munushtiri, Veleshnja, Osoja, Kajca,Shelqi, e më tej Zhepova, Prishta, Çepani.

Një ditë me dëborë deri në 80 cm trashësi. Luftimet u zhvilluan midis forcave gjermane dhe forcave partizane. Beteja zgjati gjashtë orë, në 20 janar 1944. Nga ana e forcave partizane morën pjesë grupi i tretë i Skraparit i posakrijuar dhe batalioni i tretë i Brigadës së Parë Sulmuese me komandant Xheladin Beqiri. Luftimet u drejtuan nga një shtab operativ i ngritur aty për aty nën drejtimin e Mehmet Shehut atëkohë komandant i Br1S. Ndër forcat armike ishin kollona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë të divizionit 100-të, me armatim të fuqishëm dhe organizim të fortë.

Pas gjashtë orësh luftimesh të ashpra kreshta malore u sundua nga forcat partizane. U shënua kështu një fitore tjetër e madhe, e cila bëri jehonë dhe pati ndikim pothuajse vendimtar në dështimin e operacionit të mëtejshëm armik të dimrit. Fitorja e Tendës së Qypit, tek e fundit, u arrit me heroizmin partizan. Aty derdhën gjakun 17 dëshmorë: Mefail Rozani, Sotir Beçka (Bulgareci), Sulo Buxheli, Ago Topulli, Sabri Caka, Leke (Aleks) Babaliu, Piro Gazepi, Fiqret Struga, Mario Kronika, Maksut Hyseni (Dobrenja), Gani Agolli, Xhuzepe Riki, një partizan me emrin Franko (italian), si dhe pati 12 të plagosur. Nga pala armike numurohen rreth njëqind të vrarë dhe humbje të mëdha armatimesh e materiale.

Qemal Hysen Bego 1944

Për këtë betejë, ndër të paktat ku ka pasur zhvillim real të luftimit trup me trup midis partizanëve shqiptarë dhe nazistëve pushtues gjermanë, kanë shkruar disa pjesëmarrës si gjeneral Mehmet Shehu, kolonelët Xhafer Peçi, Skënder  Malindi e Petref Therepeli, heroi i popullit Zylyftar Veleshja, veterani Iljaz Sevrani, gazetari erudit Kristaq Llaka etj. Kjo betejë përkujtohet çdo vit nga pushteti vendor e posaçërisht nga Komiteti i Veteranëve të LANÇ të rrethit të Skraparit me veprimtari të shumta atdhetare, historike e artistike. Në  janarin e këtij viti, 2024, kur kjo betejë kujtohet në 80 vjetorin e saj, kemi të gjallë ish-partizanin Qemal Hysen Bego 97 vjeç, i cili  jep me telefon sadopak kujtime, por rrëqethëse. Rutina plot ngjyra e urimeve telefonike të vitit të ri, sa standarde aq të larmishme herë-herë na lodh gjersa, o e mbyllim telefonin, o i themi dy fjalë ose një mesazh me shkurtim të paskrupullt të fjalës tejet të bukur shqipe ‘faleminderit’ në ‘film’. Nga kjo lloj sëmundjeje janë infektuar edhe jo pak të moshuar. Mirëpo ja që ka edhe çudira të tjera. Para ca ditësh pata një telefonatë origjinale. Plak unë që e dëgjoja, shumë më plak ai që fliste. Dhe siç dihet, s’ka plak që di pak! Na mburren këta krerët e sotëm të qeverive, partive e bizneseve për një lloj marifeti të ri ‘inteligjencie artificiale’! U duket sikur po çoroditin brezat që të mos e kenë mendjen te lufta për çlirim real nga prangat  shtypëse e shtrydhëse të kapitalit duke u marrë me broçkulla helmatuese të celularëve që riformatohen çdo muaj. Por kot e kanë, se plaku e di që teknologjia është krijesë e inteligjencies së njeriut, sidoqë të jetë e çfardo emri që t’i vërë asaj klasa sunduese e shfrytëzuese. Pse nuk i respektojnë pleqtë, por i tallin!? Madje ndonjëri thotë “oh ç’na lodhën këta rugjot!” Pse i harrojnë pleqtë, apo pandehin se vetë do mbeten gjithnjë të rinj! Neise! Le të kthehemi tek telefonata. E njoha edhe nga zëri, jo vetëm nga emri në ekranin e telefonit tim të vogël e të vjetër jo nga këta ‘me gisht në të’po nga ata ”me vajguri”. Nuk ishte thjesht telefonatë për urim, por për një reflektim, për një alarm! Ishte krejt e papritur, befasuese.

Ai nuk e nisi me fjalët “Gëzuar Vitin e Ri!”. Jooo! Ai filloi krejt ndryshe:” Ishte 4 janar; një ditë me dëborë mbi një pëllëmbë në fshatin tonë. Erdhi Abaz Rogu, veshur me një jambullëk të gjatë dhe një maliher në krah dhe që nga dera e jashtme e avllisë së shtëpisë tonë dykatëshe më thërret:” Hajde se do nisemi! “ Vesha një xhybele të trashë, mbatha edhe opingat, hodha patickën në sup, ca fishekë nëpër xhepa. U përcolla me nënën, që dha një torbë me bukë, lakror, dy rripa pastërma dhe një pagure nga ato të grekut me pekmez. Nënia më tha:’Lufta kërkon kokë, or bir! Ki mendjen! Udhë e mbarë! U kthefsh i fituar!”

Po e dëgjoj me kujdes. Ishte goditëse si bisedë që m’u duk se nuk kish të bënte fare me vitin e ri 2024. Ndaj pa nxituar që ta ndërpres, ndala hapat dhe u ula në një karrige te lokali buzërruge. Kamerieri më pa me telefon në vesh dhe nuk u afrua. I bëra shenjë për një kafe. Telefonata vijonte:” U nisëm dhe qëndruam në Siticë. Aty erdhi edhe Skënderi.Vaipi që na kishte mësuar se si të përdornim bombat e dorës, kish ikur dy ditë më parë. U bëmë nja dhjetë a dymbëdhjetë vetë. Të tërë  të rinj. Unë isha  17 vjeç. Nuk dinim se çfarë do bënim, por dinim që po shkonim në luftë kundër gjermanit, që kishte pllakosur tërë dynjanë!” Pushoi pakëz dhe filloi prapë: “Kur vajtëm në Liqedh ishte mezi i ditës dhe dëbora kishte pushuar…!”

“Beteja qe fytafyt. Atje o vdisnje o shpëtonje. Pashë me sytë e mi se si çëngëlizeshin trupat  e vdekur apo gjakosur nëpër dëborë. Në atë luftë u plagosën Iljazi dhe Zylyftari. Po u plagos edhe skuadërkomandanti im Abaz Rogu. Dhe komandanti i kompanisë Sabri Muzhaka.”

Meqë njihemi drejtpërsëdrejti prej shumë kohësh, pavarësisht se atij i duhen edhe dy vjet të kapë moshën me tri shifra, pra shekullin, mora guxim dhe e ndërpreva: “Të lutem nuk më ke thënë në cilin vit ishin këto ngjarje?!” Për habinë time ai nuk reagoi, nuk u ngatërrua, por vijoi qetë:”E, ja kështu, ta dish mirë ti e të tjerët, se kështu e festova unë vitin e ri para 80 vjetësh! E ku kish festë atëherë? E kush kish ngé të festonte vit të ri e vit të vjetër! Kishte vetëm varfëri, pushkë dhe luftë  kundër pushtuesit gjerman e italian.”

Telefonata e tij pushoi. E falënderova me gjithë zemër dhe sa u bëra gati t’i thosha edhe unë urimin që më ka mbetur për një të tillë njeri-lis shekullor:”Të rroni sa Mali i Tomorrit”, ai më ndërpreu prapë:”Këto ditë hapja ato albumet dhe koleksionet e gazetave, që kanë shkruar për grupin e Skraparit ku isha unë dhe për batalionin e tretë të brigadës së parë që komandonte Mehmet Shehu. M’u kujtua lufta në Tendën e Qypit, ku pasi më ishte vrarë shoku im korrier, Ilmiu nga Muzhencka, shkova përpjetë drejt majës ku kërciste dyfeku e mortaja. M’u kujtuan shokët  si Zylyftar Veleshnja, Sabriu, Iljazi, Skënder Malindi, Petrefi, burizani. Beteja qe fytafyt. Atje o vdisnje o shpëtonje. Pashë me sytë e mi se si çëngëlizeshin trupat e vdekur apo gjakosur nëpër dëborë. Në atë luftë u plagosën Iljazi, Zylyftar Veleshnja. Po u plagos edhe skuadërkomandanti im Abaz Rogu. Dhe komandanti i kompanisë Sabri Muzhaka, Meçan Musai nga Vëndresha e Tretë etj. Gjermanët ishin ushtri e organizuar dhe me armatime të rënda, por ne kishim një  shpirt të fuqishëm dhe një urrejtje të madhe. Luftonim në tokën tonë. Ne partizanët e thjeshtë nuk dinim se si u mbyll ajo betejë, por kur dëgjuam që gjermanët po tërhiqeshin tutje nga Berati e kuptuam fitoren. Mua, si më i ri që isha, më caktuan që të shkoja në Kajcë se atje qenë shtruar për t’u mjekuar Zylyftari dhe Iljazi. Rrugën nuk e dinja, por më në fund vajta dhe u kam shërbyer tërë natën aq sa kisha mundësi pa vënë gjumë në sy, aty, me sa mbaj mend, në shtëpinë e Xhako Kajcës. Pastaj më caktuan me detyra të tjera, por betejën e Tendës së Qypit kurrë nuk e harroj. Edhe sot më dalin para syve trupat e gjakosur e të vdekur në dëborë. Tani që po shoh albumet e shkrimeve dhe fotografive, më dalin të tëra përpara. Desha që t’ia merrnja këngës me zë të ulët “Komandant Mehmeti NË SULM po thërret!”. Më paskëshin rënë lot, se u hap dera  e dhomës dhe hyri njëri nga nipërit e më pyeti:” Gjyshi, çfarë ke? A të dhëmb gjë? E kur i tregova albumin, nipi m’u hodh në qafë !”

Ishte telefonata më e zgjatur e javës së parë së këtij viti, e një veterani të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar; ish-partizani i Grupit të Tretë të Skraparit krijuar në Liqedh dhe që përurimin e parë të jetës njëvjeçare si partizan e bëri në luftimet e Tendës së Qypit. Ish-partizan i Br.10 S formuar në Karbunarë të Lushnjës e që mori pjesë edhe në luftimet për çlirimin e Tiranës; ish-nëntoger në brigadën e mbrojtjes në luftën kundër diversantëve që hidhnin armiqtë imperialistë, fashistë e shovinistë në truallin shqiptar që nga Hasi, Peqini, Tropoja, deri në Vlorë e Sarandë; ish-topograf i komitetit ekzekutiv të qarkut të Beratit; ish-kryetar i kooperativës së bashkuar të Kutallisë; ish-drejtor i stacionit të makinave dhe të traktorëve të  Urës Vajgurore (tani Dimal); Hero i Punës Socialiste, Qemal Hysen Bego nga Çepani i Skraparit. i lindur në  vitin 1927. Ai prej vitit 2000, banon në Tiranë dhe iu gëzohet me shpirt katër stërnipërve djem të djemve; të dy djemve të tij. Dhe a e dini se ai nuk merr ndonjë pension kushedi se çfarë? As që bëhet fjalë fare për pension të posaçëm! Por ai është i gjallë e i fortë, me mendje të kthjellët, me tik-taket e zemrës së tij te lufta për liri, te puna për  lumturi dhe te jeta me nder! Është i aktivizuar gjerësisht në organizatën e veteranëve, atë të dëshmorëve, në organizatat e tjera atdhetare e kulturore. I pakërrusur nga vitet, i patrembur nga vështirësitë dhe humbjet e shumta të të dashurve të tij, madhështor në thjeshtësi, ai shfleton albumet e jetës së  vet shekullore, pa bujë, pa teknologji moderne, pa intervista.Ai gëzohet  për arritjet që sheh nëpër Shqipëri, por thotë shpesh e më shpesh:”Nuk duhet harruar lufta që bëmë për t’u çliruar, gjaku i dëshmorëve dhe djersa e punëtorëve e fshatarëve tanë!