Ilirjan Lluri: Ora e mësimit me “Abetare gjirokastrite”, 100 vjeçare

999
Sigal

Thoma Papapano ishte pjesmarrës i Kongresit Arsimor të Lushnjës në vitin 1920,

100 vjet  “Abetare gjirokastrite” 1919 -2019

Si u çel klubi “Drita” më 5 nëntor 1908, ku kryetar i klubit u zgjodh Petro Poga

Ilirjan Lluri -regjisor

 

Ashtu si të gjithë gjirokastritët edhe mua më ndodhte jo rrallë zëvëndësimi i gërmës (Ll) me (Dh) dhe (I) me (Y) gjatë bisedave të ndryshme. Një nga miqtë e mi të mirë, Gëzim Çuçi, student i degës së aktrimit një ditë, kur unë sapo e kisha bërë një gabim të tillë më tha:

“Ilir, sikur alfabeti i gjuhës shqipe të ishte bërë nga një gjirokastrit do të kishim dy shkronja më pak. Në abetare do mungonin me siguri shkronjat (Ll) dhe (Y). Ne qeshnim me të madhe dhe shpesh për shaka ai i bënte vetë, qëllimisht këto “ngatërresa”, pasi për një periudhë kohe kishte banuar në Gjirokastër dhe e njihte mirë të folurën e saj.

– E ke bërë detirën (detyrën) e kursit? ose –  E fike dhambën? (llambën)

Këto shaka studentore mu kujtuan pikërisht në çastin, kur rastësisht më ra në dorë Abetarja e mësuesit gjirokastrit Thoma Papapano. Nuk e dija që basho Thomai, kështu e thërrisnin në qytet, kishte krijuar një abetare. Muzeu i arsimit të qytetit kishte gati 30 vjet që nuk funksiononte dhe informacione të tilla sot, fatkeqësisht mund t’i dinë shumë pak njerëz. Isha kurioz ta shfletoja sa më parë këtë libër dhe të shikoja, se sa gjuha gjirokastrite kishte zënë vënd në të. Mos kishte ajo vallë vërtet dy shkronja më pak ashtu siç më thoshte dikur shoku im i kursit ?

Kush është Thoma Papapano

Thoma Papapano lindi në 17 mars 1884 dhe u rrit në Gjirokastër në një familje me ndjenja të forta patriotike. Babai i tij, Stafrovori, ishte prift dhe kishte shërbyer në katundet e Pecës, Shtëpëzit dhe Suhës. Më vonë emigroi në Stamboll. Pas shpalljes së hyrjetit më 1908 e la Stambollin dhe u kthye me famlije në Gjirokastër. Këshilli i arsimit grek EFORIA e caktoi At Papapanon të ushtronte detyrën e priftit në një nga kishat e qytetit, ndërsa djalin e tij, Thomanë e caktuan të jepte mësim në shkollën greke të lagjes “Varrosh”. Por ky vendim u anullua pasi, babë e bir morrën pjesë në pritjen madhështore që ju bë Bajos dhe Çerçizit në qytet pas shpalljes së konstitucionit. Babai i tij u detyrua të emigrojë përsëri, ndërkohë që Thomai qëndroi në Gjirokastër.

Çelja e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër

Në Gjirokastër ai u lidh me patriotët gjirokastritë që luftonin për gjuhën shqipe. Këto takime kulmuan me çeljen e klubit “Drita” më 5 nëntor 1908. Kryetar i klubit u zgjodh Petro Poga, ndërsa zv/ kryetar Hysen Hoxha. Papapano u ngarkua të kryejë detyrën e sekretarit të këtij klubi. Një nga detyrat e para që patriotët i ngarkuan klubit ishte hapja e shkollës shqipe. Deri në atë periudhë mësimdhënia e shqipes bëhëj në ilegalitet të plotë nga mësuesi dunavatas Mesud Çami, i cili e kishte nisur aktivitetin që në vitin 1905. Thoma Papapano i mbështetur nga patriotët Andrea Konomi, Elmaz Boce, Basri Beqiri, Iljaz Hoxha, Kapo Topulli, dhe Shemsho Hajro çeli shkollën e parë shqipe në Gjirokastër. Shkolla u pagëzua me emrin domethënës, “Liria”. Para hapjes së saj, në qytet funksiononin vetëm shkollat në gjuhën greke dhe turke. Shkolla e parë shqipe e Gjirokastrës u hap pas një sërë pengesash. Sipas kujtimeve të vetë Thoma Papapanos në muajin mars të 1911, shkollla u njoh edhe me dekret imperial nga sulltan Reshiti. Madje ajo, sipas tij, ishte e vetmja shkollë, leja për hapjen e së cilës, erdhi përmes një fermani sulltanor. Por shkolla “Liria” funksionoi vetëm për një periudhë pesë vjeçare. Në 15 mars të vitit 1913, Gjirokastra u pushtua nga grekët. Shkolla “Liria” u mbyll dhe fermani i lejes nga sulltani u sekuestrua. Ja si e kujton Papapano këtë moment:

Natën e 15 marsit 1913 duke gdhirë dita 16 mars 1913, kryetari i qeverisë provizore të Shqipërisë Ismail Qemali më thiri nga Vlora në zyrën e postelegrafit të Gjirokastrës dhe më diktoi një letër në gjuhën greke për komandantin e përgjithshëm të forcave greke. Në telegram uronte për triumfin e ushtrive ballkanike kundër armikut shekullor të përbashkët, turkut, dhe i lutej të lëshonte sa më parë tokat shqiptare të shkelura. Letra nuk u dorëzua kurrë për mungesë guximi përpara terrorit të ushtrive greke.

Në këtë periudhë mësuesi Papapano për shkak të përndjekjes, si mbrojtës dhe përhapës i gjuhës shqipe, u largua për në qytetin e Vlorës së bashku me familjen, gruan, prindrit dhe gjyshen. Edhe në Vlorë kontriboi në arsim duke dhënë mësim në shkollën fillore të lagjes Muradie. Thoma Papapano ishte pjesmarrës i Kongresit të Elbasanit për çeljen e shkollës normale në 1909. Ai ishte edhe anëtar i delegacionit të Qeverisë së Vlorës për mbrojtjen e të drejtave kombëtare në vitin 1913. Në 21 gusht ky delegacion takoi në Vjenë ministrin e punëve të jashme të Austro-Hungarisë, Graf Berchtoldi i cili i siguroi se Gjirokastra dhe rrethi i saj do t’i mbeteshin Shqipërisë. Ishte zakon në ato vite që lajmet apo kronikat nuk shkruheshin, këndoheshin. (edhe sot pyesin : e këndove gazetën ?) Prandaj pas kthimit të Papapanos populli ngriti këngën:

Thomai një çelo djalë

Ja hipi vate në Italë

Për të shpëtuar vatanë

Thomai një mëndje hollë

Nga shqipja s’hoqi dorë

Datëlindja e një libri

Pushtimi i Gjirokastrës nga Italia në vitin 1916 e ktheu mësuesin Papapano në Gjirokastër. Në vitin 1917 ai organizoi çeljen e shkollës së vajzave “Koto Hoxhi” në lagjen “Varrosh” të qytetit dhe e drejtoi atë për  tre vjet me rradhë. Më pas këtë detyrë e kreu mësuesja Urani Rumbo. Por nga Vlora nuk u kthye e gjithë familja. Aty u ndanë nga jeta gjyshja dhe bashkëshortja e tij shtatzënë. “Fëmija i tij” i vetëm do të lindte në 1919. Ajo ishte Abetarja me titullin: “Shkëndilat e para”. Fjala shkëndilat në vënd të “shkëndijat” më kujtoi menjëherë të folurën e gjyshes sime.

  • Mu futën shkëndilat e zjarrit në si (sy) – thoshte ajo, pasi i frynte zjarrit në oxhak dhe drutë kërcisnin duke nxjerrë shkëndija.

Me sa dukej shoku im i shkollës, Gëzimi kishte pasur të drejtë. Abetare e Papanos kishte diçka nga e folura gjirokastrite që në titullin e saj. Abetarja u përgatit për botim nga shtypshkronja italiane e Vlorës. Dalja në dritë e saj dëshmon se intelektualët gjirokastritë ishin gjithmonë në krye të luftës për gjuhën shqipe. Datëlindja e një libri në pikpamjen time është po aq e rëndësishme sa data e lindjes së çdo njeriu. Për më tepër që këtu, nuk bëhet fjalë për një libër të çfardoshëm, por për librin e gjuhës së nënës; Abetaren e gjuhës shqipe.

Babai në gjurmët e të birit?!

Dy vjet pas botimit të abetares, Thoma Papapano organizoi në fshatin “Labovë të Zhapës” kursin e përgatitjes dhe përmirësimit të mësuesve shqiptarë. Por dukej se e gjithë kjo përpjekje e tij zbehej përpara faktit se, ndërkohë që ai luftonte për gjuhën shqipe, babai i tij, prifti Papapano, meshonte në gjuhën greke. Ashtu siç ndodh fare rrallë, prova se “babai po ecte në gjurmët e të birit” erdhi shumë shpejt. Në datën 8 shtator 1921 prifti Papapano organizoi për herë të parë një ceremoni kishtare në gjuhën shqipe. Ceremonia u zhvillua në kishën e manastirit të Tërbuqit (fshat nga rridhte familja e nënës së tij)  dhe pjesmarrës ishin 96 arsimtarët e kursit të Labovës dhe banorët  e fshatrave përreth. Një vit më vonë, në 1922 në Kongresin e Beratit, në të cilin u shpall Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë. At Papapanos ju ngarkua detyra e Mitropolitit të Dioqezës së Gjirokastrës.

VULA E SHKOLLËS SË KOTO HOXHIT

Se sa përpjekje ishin bërë për mbrojtjen e përhapjen e gjuhës shqipe, Thoma Papapano e dinte më mirë se kushdo. Gjatë punës për dokumentimin e këtyre përpjekjeve ai mundi të gjejë edhe vulën e shkollës që donte të çelte Koto Hoxhi në Gjirokastër. Në shkurt të 1913, pas premtimit se do të hapej muzeu kombëtar në Tiranë, ai ja dha vulën Mitat Frashërit gjatë vizitës që ky i fundit bëri në shtëpinë e tij. Por pas 13 vjetësh, në vitin 1926, kur e pyeti Mitatin në Tiranë se ç’bëhej me vulën e Koto Hoxhit, ai i tha se ajo kishte humbur.

DEPUTET NË MBRETËRI DHE DIKTATURË

Papapano ishte pjesmarrës i Kongresit Arsimor të Lushnjës në vitin 1920, ndërkohë që në Kongreset arsimore të Tiranës në vitet 1922 dhe 1924 kryente detyrën e sekretarit të kongresit. Ai u emërua shef i arsimit fillor dhe të mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë përgjatë viteve 1926-1928. Nga shtatori i 1928 deri në nëntor të 1932 ai ishte deputet. Edhe pas çlirimit për meritat dhe autoritetin që përfaqësonte në fushën e arsimit, ai u zgjodh deputet i Gjirokastrës për një legjislaturë.

GUIDA E DIKURSHME TURISTIKE

Shtëpia “Papapano” në fund të lagjes Varrosh ka qënë portë e hapur për dhjetra miq vendas dhe të huaj. Një pjesë e tyre përmes kujtimeve të botuara, na kanë lënë në një farë mënyre edhe “guidën” e dikurshme turistike të një vizitori në Gjirokastër. Ajo, shumë mënçurisht, ndryshe nga sot, lidhej me shumë me historinë, se sa me bukurinë e qytetit. Vizitoheshin Kalaja, rrugica ku u vra Bimbashi, teqeja e “Baba Manes” dhe shtëpia “Papapano”. Në mënyrë kronologjike po japim vetëm disa vizitorë që kanë provuar mikpritjen e banorëve të kësaj shtëpie:

1913 – Mitat Frashëri, Aleandro Kastrioti, Nikolla Lako.

1921 – Politikani francez Justin Godart.

1923 – Fan Noli qëndroi në 26 Gusht në kohën e fushatës elektorale.

Sot, vizita në këtë banesë veç të tjerash do të shoqërohej edhe me shpjegimin se : në këtë shtëpi u ideua dhe realizua Abetarja e parë e gjuhës shqipe në Gjirokastër, e njohur ndryshe si  “Abetare e Papapanos”, si dhe u “belbëzua” po në gjuhën shqipe, mesha e parë kishtare. Të gjitha këto mu kujtuan jo rastësisht këtë fundviti 2019, i cili përkon me disa përvjetorë që lidhen me kontributin e rëndësishëm të kësaj familje në edukimin arsimor dhe fetar në gjuhën shqipe.

100 vjetori i abetares së Papapanos.           1919 – 2019

135 vjetori i lindjes së Thoma Papapanos.  1884 – 2019

80 vjetori i vdekjes së At Papapanos.         1939 – 2019

Pas një kontributi 55 vjeçar në arsim “Mësuesi i Popullit” Thoma Papapano do të deklaronte:

“Sa kam rrojtur, me sa kam mundur kam punuar dhe kam luftuar, por jo me ndonjë pallë të çeliktë. Palla ime ka qënë abetarja e gjuhës shqipe, tehun e së cilës s’ka kush t’ia mohojë fuqinë për të luftuar”.

QYTET ME ABETARE

Fillova të shfletoj Abetaren e basho Thomait. Në të janë përfshirë të dy shkronjat (I) dhe (Y), ndërkohë që shkronja (Ll) mungon. Nuk e di se, përse kjo bashkëtingëllore megjithëse e përfshirë në libër, aty ku  spjegohet ndarja e fjalëve në rrokje, mungon pikërisht në atë faqe libri, ku është shtypur alfabeti. Por kjo nuk më shqetësoi aspak. Kuptova për një çast se nuk kisha as dëshirë të kërkoja një shpjegim për këtë mungesë. Më mjaftonte ky fakt, dhe fjala “Shkëndilat” në kopertinën e Abetares një shekullore, që t’i jepja të drejtë mikut tim të mirë Gëzim Çuçi, i cili ka shumë kohë i ndarë nga kjo jetë.

– Eh miku im, kishe të drejtë! Diçka i mungon abetares së një autori gjirokastrit. Po pavarësisht “mungesave”, mua më pëlqen. Më pëlqen shumë. Ajo ka frymën e Gjirokastrës, fjalët e gjyshes sime të dashur, dhe të vërtetën e humorit tënd studentor. Prandaj, aq sa ç’është  Abetare e Papapanos, ajo është edhe Abetare e Gjirokastrës.

Ta gëzosh 100 vjetorin Abetare Gjirokastrite!

Janë të rrallë qytetet që përpjekjet e tyre për gjuhën kombëtare, t’i kenë konkretizuar në librin e gjuhës së nënës, në abetaren e gjuhës shqipe.

Ora e mësimit me abetaren 100 vjeçare

 

100 vjetori i Abetares së Thoma Papapanos u festua përmes një aktiviteti të veçantë në Gjirokastër. Tingulli i ziles, ftoi nxënësit e klasës së parë, të shkollës “Urani Rumbo”, në një orë mësimi që u zhvillua me Abetaren e këtij mësuesi gjirokastrit. Me këtë rast kryetari i bashkisë Flamur Golemi vlerësoi me “Certifikatë Mirënjohje” mësuesit, Angjelina Nasto, Dashmir Dalipi, Sherif Krishti dhe Nasho Shituni të cilët gjithë karrirën e tyre si mësues të fillores, ja dedikuan mësimit të Abetares.

Urimi për Vitin e Ri 2020 gjithë nxënësve të klasave të para ju shkoi përmes kartolinës së dizenjuar me faqen e parë  të kësaj Abetareje, një kujtim simbolik i kesaj ngjarje të shënuar jo vetëm për Gjirokastrën por edhe për historinë e botimit të librit arsimor në Shqipëri. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe deputetja Mirela Kumbaro, pasardhëse e patriotëve gjirokastritë e libohovitë, me kontribut në hapjen e shkollave të para shqipe në Gjirokastër e Libohovë.

Aktiviteti u organizua nga bashkia e qytetit, qendra kulturore “Musine Kokalari” dhe Zyra Vendore Arsimore.

Gentiana Brahimi (Lili)