Ilirjan Lluri: Kuvendi i Gjirokastrës dhe porta e Topullarëve

494
Sigal

Jeta, nderi dhe pasuria e vëllezërve të krishterë,  është  edhe e muslimanëve, dhe këta do ta mbrojnë me çdo therror

 Nga Ilirjan Lluri

Kuvendi i Gjirokastrës dhe porta e Topullarëve

Në 1811 Ali Pashë Tepelena shtiu në dorë Gjirokastrën, por jo kalanë. Mehmet Karagjozi, kundërshtar i pashait të Janinës, mbyllur brenda saj, i rezistoi sulmit deri në Maj të 1812. Përmes tradhëtisë forcat e Aliut hynë në kështjellë nga porta sekrete, por Mehmeti  mundi të shpëtojë. Ai u strehua në një kështjellë më të vogël, në shtëpinë e tij.  208- vjet më parë nga Dullga e kalasë, topat e pashait e vunë në shënjestër këtë strehë trimash të ngritur mbi shkëmb. Megjithëse u godit për  40 ditë me rradhë, as shtëpia dhe as i zoti i saj nuk iu dorëzuan egërsisë dhe dhunës së pashait. Thonë se kjo ngjarje u bë shkak që Mehmet Karagjozit, nga ky çast e tutje, për ta dalluar nga Karagjozatët e tjerë, e thërritën Mehmet Topi (Topulli). Më mirë se kushdo këtë e thonë edhe vargjet e këngës popullore:

Shtëpia karshi në shkëmb

Topi bum, po dot se shëmb

Mehmet topi, Mehmet palla

I dole Aliut para…

 

Me sa dukej numri 40,  i rëndësishëm në ritin e paslindjes dhe të pas vdekjes, po merrte në qytetin e magjishëm një kuptim krejt të ri…

140 -vjet  më parë delegatët pjesmarrës në Kuvendin e Gjirokastrës, ngjiteshin nëpër rrugët e përpjeta të qytetit, për të shkuar në shtëpinë e njohur të familjes Topulli. Të hypur mbi kuajt e lartë, të veshur me kostumet e tyre popullore, ata kishin ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kuvendi  madhështor kryesohej nga figura më e shquar e Rilindjes sonë Kombëtare, Avdyl Frashëri. Në shtëpinë rrënjëse të qytetit i priste i zoti i saj, një nga mbrojtësit e Koto Hoxhit, patrioti  Ago Topulli. Djali i tij, Mustafai, kishte dhënë jetën në Luftën e Lëkurësit në Shkurt të 1878, tre muaj përpara organizimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Në odanë e madhe të kësaj shtëpie të madhe u dëgjuan më parë se kudo, vargjet e këngës popullore :

Kurvelesh e Gegëri

Ç’u mblodhnë në Ergjëri

Këto mendoja duke shkuar tek Topullarët në ditët e para të korrikut të këtij viti. Diku, mbrapa shtëpisë së Karagjozatëve, mbi gurët e zinj të kalldrëmit të vjetër, syri  të kap gjurmë në formë vijash të shkurtra, lënë nga patkojtë e kuajve gjatë ngjitjes apo zbritjes, në terrenin e vështirë për shkak të pjerrësisë. Për një çast mendoj se ato vija kanë mbetur ashtu të gdhendura mbi gur, që nga ajo kohë e largët. Zhurma e trokut  të një kali mbi kalldrëm, i dha krahë fantazisë dhe unë krejt pa pritur, e ndjej veten pjesë të asaj kohe, pjesë të atij grupi delegatësh që shkonin për tek Topullarët, por duke e parë gjithçka me syrin e 140- viteve më vonë…

Askush nga ata delegatë ndoshta nuk e vuri re se, me sa admirim e ndiqte gjithë këtë ceremoni mikpritëse një djalosh 7- vjeçar.  Vargu i gjatë i krijuar nga karvani i kalorësve në monopatet e ngushta që të çonin në lagjen më të largët të qytetit, dhe në shtëpinë më me histori të tij, do të mbeteshin të fiksuar gjatë në sytë e djaloshit. Por, sigurisht të gjithë të pranishmëve ju ra në sy fakti se gruaja e të zotit të shtëpisë, Agos, ishte shtatëzanë. Në shtëpinë e luftëtarëve pavarësisht kohëve dhe zakoneve të ashpra, gratë asnjëherë nuk kanë qenë të mbuluara, ato ishin pjesë e luftës.

Ishte 23 korriku i vitit 1880.  Dy vjet pas Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Gjirokastrës mblodhi ajkën e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë nga të katër anët e vendit, nga veriu në jug. Ishin ata që prishën pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë.

Abdyl prishe pasurinë,

Një torbë flori

“Hani i Kashahut” në hyrje të pazarit të qytetit, u kthye në tavolinën e rrumbullakët të këtij kuvendi, ndërkohë që mbarëvajtja e punimeve të tij, sigurohej nga  500 forca të armatosura të pozicionuara në pazarin e qytetit. Kuvendin e çeli Avdyl Frashëri. Fjalët e tij dëgjoheshin edhe jashtë. Dritaret e hanit, për shkak të temperaturave të larta qëndronin të hapura. Kuvendi i Gjirokatrës apo Ergjërisë, hodhi poshtë vendimet e Kongresit të Berlinit që coptonte trojet shqiptare. Prandaj pazari i qytetit ushtonte nga thirrjet ; “Hakmarje” dhe “Poshtë”. Punimet zgjatën dy ditë. Në një raport të datës 6 Gusht 1880, dërguar ministrit të jashtëm në Vjenë, midis të tjerash thuhej:

“Jugu dhe Veriu duket se janë të bashkuar në aspiratat e tyre kryesore.”

Në zbatim të vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 10 Qershorit 1878,  edhe në Gjirokastër ishte formuar një degë e saj, ku bënin pjesë Muharrem Topulli, Vasil Hido, Elmaz Boce, Ibrahim Vasjari, Mehmet Gorishani, Mihal Harito, Petro Meksi, Thanas Ekonomidhi etj. Një aktivitet dedikuar 140-vjetorit të këtij  Kuvendi do të ishte mjaft domethënës, dhe kjo për dy arsye :

  1. Një nga pikat e programit të dalë nga Kuvendi, dukej se i adresohej më shumë se kujtdo, qytetit ku ai u zhvillua.

“Të krishterë dhe muslimanë janë vëllezër. Jeta nderi dhe pasuria e vëllezërve të krishterë është edhe e muslimanëve, dhe këta do ta mbrojnë me çdo therror.”

 

  1. Dy objektet kryesore ku u përqëndruan dhe lëvizën delegatët , “Hani i Kashahut” dhe shtëpia e “Topullarëve”, vijojnë ende të befasojnë me arkitekturën e tyre madje duke ruajtur deri diku të njëjtat funksione.

Përjashtimi i vetëm është se, shtëpia e Topullarëve u ringrit si godinë për tu kthyer më pas nga Lefter Dilo në Muzeun e  “Rilindjes Kombëtare”, i njohur më së shumti si muzeu  “Vëllezërit Topulli”.

Shpresa  e madhe e gjetjes së ndonjë materiali dokumentar apo fotografik në këtë ish-muze, u kthye në zhgënjim të madh, jo vetëm për gjendjen ku është katandisur ai, por edhe për mënyrën e menaxhimit të saj nga të zotët e banesës, pasardhës të Topullarëve të famshëm. Me shumë trishtim pohoj se 140- vjet pas Kuvendit të Gjirokastrës, dera mikpritëse e Topullarëve qëndron e mbyllur. Përpara se të jetë thjesht arkitekturë, Gjirokastra është histori.  Por përpara se të  jetë thjesht pjesë e një historie familjare, historia e vëllëzërve Topulli, është pjesë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare. Dhe të gjithë këtë, nuk mund ta ç’bëjnë interesat pronësore ndaj godinës ku ajo është ngritur. Sot ka mundësi të shumta për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe kthimin e Muzeut të Rilindjes për vizitorët vendas dhe të huaj. Dera e mbyllur e Topullarëve, më kujton pa dashur momentet e trishta kur gjirokastritët, nga frika e djegjes së shtëpive prej pushtuesit otoman, i mbyllën dyert  Çetës së  Çerçizit kur ajo u kthye nga Lufta e Mashkullorës. Por sot porta e Topullarëve e cila ndryshon nga të gjitha portat e qytetit, i është mbyllur jo vetëm Gjirokastrës dhe Shqipërisë, por mbarë trojeve shqiptare. Dhe kjo ndodh atëherë kur Korriku i këtij viti, më shumë se ç’do muaj tjetër, është i lidhur me disa ngjarje të kësaj familjeje të bekuar e patriotike.

Në korrik të vitit 1904 u nda nga jeta Ago Topulli, babai i Bajos dhe Çerçizit.

Në korrik të vitit 1915 u vra pabesisht në “Fushën e Shtoit” Shkodër, Çerçiz Topulli.

Në 9 korrik 1873,  lindi Bajo Topulli i cili u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930.

Të gjitha këto do të ishin një argument më shumë se përse porta e shtëpisë së madhe të familjes Topulli, duhej të ishte e hapur. Zakonet e reja  “pronësore ”duket se kanë  “ç’bërë” një sërë zakonesh të tjera të rëndësishme që lidhen me edukimin kombëtar dhe patriotik të brezave, për të cilat ishte ngritur edhe muzeu i Rilindjes.

Duke u kthyer përmes rrugës që degatët – kalorës bënë 140 -vjet më parë, padashur mendoj se ata kishin qënë më me fat nga unë. Jo vetëm se kishin takuar Ago Topullin, por me prezencën e tyre kishin zgjuar ëndrra të mëdha. Djaloshi 7 -vjecar që i kishte ndjekur me aq vëmendje në rrugëtimin e tyre, ishte djali i Ago Topullit, rilindasi i ardhshëm, kryetari i Komitetit të fshehtë të Manastirit, Bajo Topulli, ndërkohë që dy muaj pas largimit të tyre, në 20 shtator 1880, gruaja shtatzënë e të zotit të shtëpisë, kardhiqotja Haso, pruri në jetë prijësin e ardhshëm të çetës së parë kombëtare shqiptare, Çerçiz Topullin.

Dy përvjetorët :

  • – vetori i vrasjes së Çerçizit

90 – vjetori i vdekjes së Bajos

e bëjnë edhe më të pafalshme mbylljen e portës së Topullarëve në këto ditë të nxehta korriku. Por unë nuk e di pse shpresoj që ndoshta 20 shtatori që kemi përpara  do të jetë krejt ndryshe. Ndoshta të gjithë ne, veçanërisht trashëguesit e shtëpisë së madhe, do të reagojnë ndryshe për 140 -vjetorin e lindjes së Çerçiz Topullit.

Me shpresë megjithatë për për pak fat në të gjithë këtë rrugëtim, shikoj me vëmëndje gurët e zinj të kalldrëmit të vjetër se mos ndoshta diku mbi të, do të gjej vijat e bardha të lëna nga patkonjtë e kalit tim.  Një gur i shkulur dhe vendi i tij bosh në kalldrëm, më sjell në vete. Fati im ishte gjetiu.  Ishte takimi me librin  “Topullarët e Gjirokastrës” të Bajos së ri, të ndarë nga jeta disa vite më parë. Ndoshta vetëm ai, përmes pasionit dhe vlerësimit të historisë së të parëve të vet, do të na kishte ndihmuar në zgjidhjen e situatës së krijuar.

  • 208- vjet më parë nga Dullga e kalasë për 40 ditë me rradhë Ali Pasha qëlloi me top shtëpinë e njohur të Mehmet Karagjozit. Porta e mbyllur e shtëpisë i mbrojti banorët e saj.
  • 208 -vjet më vonë porta e madhe përsëri qëndron e mbyllur, duke kyçur brenda padrejtësisht, një pjesë të historisë sonë më të vyer.

Të jetë vallë kalaja e qytetit, aty nga ku nisi gjithçka, muzeu i ardhshëm i Rilindjes Kombëtare dhe vëllezërve Topulli ?