Ilirian Lluri: Pengesat e ‘çuditshme’ në përvjetorët e Pavarsisë

485
Sigal

Pavarësia e Shqipërisë në fillimin dhe fundin e 100 –vjetëve, 1920-2020

 Kodi i festimeve dhe pengesat në përvjetorët e Pavarësisë 

Pengesat “e çuditshme”, në përvjetorët e Pavarësisë 

 

 Fjala e përhapur se ceremonitë festive për festat e Nëntorit do të zhvilloheshin pa masivitetin e dikurshëm, nxiti më shumë se kurdoherë kërshërinë time për të qënë medoemos pjesëmarrës, qoftë kjo pjesëmarrje edhe e “paligjshme”. Qesha me veten në fakt kur mendova mbi “paligjshmërinë” e një rasti të tillë. Imagjinoni se si mund të quhet i paligjshëm, apo të përbëjë kundravajtje civile, pjesëmarrja e dikujt në festën e Shpalljes së Pavarësisë së vendit të vet.

Por rrethanat ekstreme shpesh sjellin edhe zgjidhje ekstreme. Aq më tepër që gjithçka bëhet në emër të ruajtjes së shëndetit të njeriut.

Festa e pavarësisë 100- vjet më parë…

Dorëheqja e Qeverisë së Ismail Qemalit disa muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e vendosi drejtimin e vendit në autoritetin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Kjo e pasuar edhe nga shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe më pas i Luftës së Parë Botërore, bënë që Pavarësia e Shqipërisë të mbetet e shpallur “de juro”, por e pezulluar “de facto”. Ushtri shumëngjyrëshe e pushtuan Shqipërinë nga jugu në veri. Por pavarësisht kësaj, shqiptarët për asnjë çast nuk e harruan ditën e madhe të 28 Nëntorit, kur pas 500 vjetësh flamuri i Skënderbeut u ngrit përsëri mbi tokën shqiptare. Megjithë kushtet e rënda për shkak të pushtimeve, festimi i 28 Nëntorit ka qënë një nga ato akte ceremoniale që patriotët shqiptarë nuk e neglizhuan asnjëherë dhe e kanë ndjekur e zbatuar pa marrë parasysh edhe rrezikun. Por shpesh për shkak të rrethanave, kjo ditë është përkujtuar edhe fshehtas, përmes kodeve e zakoneve vendore.

Në Gjirokastër, dikur, një shtëpi që kishte gëzim dhe festonte, dallohej nga të tjerat nga drita e qirinjve apo kandileve të cilat i vendoste natën pranë dritareve, që ato të dalloheshin së largu. Natyrisht vetëm një festë e përbashkët mund të sillte ndriçimin në të njëjtën kohë të shumicës së dritareve të shtëpive të qytetit. Kjo sigurisht mund të ndodhte vetëm në festën më të madhe, atë të Pavarësisë. Kështu ndodhte në qytetin e gurtë dikur, në pamundësi të ngritjes së Flamurit Kombëtar në kalanë e qytetit.

Që pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor të 1912, duhet pohuar se çdo përvjetor i pavarësisë sonë ka qënë i rrethuar prej trishtimit të përgjithshëm për shkak të pushtimit të vendit. Por përvjetori më i dhimbshëm pa dyshim ka qënë ai i vitit 1919. Jo vetëm për faktin se Vlora dhe në përgjithësi Shqipëria e jugut, ishte nën pushtimin italian, por kjo ishte e para herë që dita e ngritjes së flamurit do të kujtohej e festohej pa plakun e urtë, Ismail Qemalin të ndarë nga jeta muaj më parë në Itali, ndërkohë që pritej të diltë në një konferencë shtypi. Sikur të mos mjaftonte kjo, provokimi i ushtarëve italianë me një gjest fyes ndaj Flamurit tonë Kombëtar, e ktheu ditën e 28 Nëntorit 1919, në një ditë përleshje masive midis popullsisë vendase dhe pushtuesit.

Ishte e natyrshme që viti pasardhës të shoqërohej gjithmonë e më shumë nga pritja e paduruar dhe ëndërra e përbashkët për ta festuar më në fund ashtu siç duhej ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Çlirimi i Vlorës në Gusht 1920 dhe hyrja triumfuese e forcave ushtarake shqiptare në qytet në 3 Shtator, e bënë edhe më të mundshme realizimin e ëndrrës se dita e 28 Nëntorit 1920 do të ishte më e bukura që pas asaj të 8 viteve më parë, kur plaku Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë. Festën do ta bënte më të bukur edhe fakti se ky ishte rasti i parë që populli shqiptar do ta festonte “de facto” pavarësinë e tij. Por fati jo gjithmonë ecën përkrah pritshmërive tona.

28 Nëntor 1920 

Festa e Pavarësisë dhe Tërmeti i Tepelenës

Dy ditë përpara festës së madhe të Pavarësisë, në 26 Nëntor 1920, një tërmet i fuqishëm tronditi vendin. Epiqendra ishte jugu. 40 vetë u vranë, ndërkohë që 150 të tjerë u plagosën. Me qindra shtëpi u shkatërruan. Tërmeti u ndje edhe në pjesë të tjera të vendit. Në Sazan pavionet e ushtarëve italianë u rrëzuan duke lënë të vrarë 30 vetë dhe të plagosur 10 të tjerë. Tërmeti u shtri gjatë në kohë dhe Elbasani u godit prej tij në muajin Janar. Rrëzimi i 180 shtëpive prej guri shkaktoi 10 të vrarë dhe 25 të plagosur në këtë qytet. Por le të kthehemi në Tepelenë ku ankthi qëndronte pezull dhe lëkundjet përsëriteshin shtatë herë në ditë. Diplomati francez, Justin Godarti që e vizitoi Tepelenën disa muaj pas tërmetit, flet për një numër më të madh të vdekurish dhe e përshkruan me disa detaje këtë ngjarje të dhimbshme :

  • Qyteti i lindjes së Ali Pashës, kështjellat e fuqishme të tij, nuk janë më. Dukuria ka qenë një furi e jashtëzakonshme. Qoshet e shtëpive, kollonat masive të punuara, janë rrotulluar rreth vetes nga forca sizmike. n/Prefektura është vendosur në një barakë. Nga banorët, 300 a më shumë kanë vdekur; 600 rrinë përkohësisht në kasolle të ndërtuara me materiale lloj-lloj. Toka lëkundet akoma (16 Prill 1921) dy- tre herë në javë. Nuk guxon të ngresh ndërtesën e të shtrosh çatinë. Tepelena ka qënë gjithmonë një qendër e emigracionit për në Amerikë. Rënimi i krahinës do ta shtojë akoma eksodin.”

 

Nga shkaku i Tërmetit, në të dalë të qytetit, kishte shpërthyer një burim sulfurik i cili tërhiqte vëmendjen me aromën dhe gjurmën e verdhë përhapur mbi barërat e thella të Vjosës. Më tej Godart vijon :

“Qendra e kataklizmës ishte fshati Bënçë në thellësi të një lugine aty pranë. Bënça, në të gjitha kohët ka qënë e rrezikuar nga tërmetet. Tërmeti i 26 Nëntorit shkatërroi 120 shtëpi dhe la të vrarë 14 vetë nga 480 banorë që kishte fshati.”

Gjatë kohës që Godart vizitonte Tepelenën, lëkundjet vijonin me një ritëm prej 10 deri 12 herë në ditë. Mbi rafshnalta barinjtë dëshmonin se kishin vënë re të çara deri në gjysëm metër në thellësi të tokës.

Për t’ju gjendur pranë fatkeqëve të tërmetit u mobilizua tërë vendi, madje edhe Janina organizoi mbledhje ndihmash. Tërmeti i 26 Nëntorit që tronditi jugun e Shqipërisë dashur pa dashur e pengoi disi festimim e shumëpritur të 28 Nëntorit 100 -vjet më parë.

Por ajo që më detyroi të shkruaj rreth kësaj ngjarjeje është përsëritja e çuditshme, edhe pse në një formë tjetër, e rrethanave që çuan në kufizimet për një festim madhështor të kësaj dite, 100- vjet më vonë.

26 Nëntor 1919

99 vjet nga Tërmeti i Tepelenës

Po në 26 Nëntor të 99 viteve më vonë një tërmet goditi Shqipërinë, por epiqendra nuk ishte Tepelena, po Durrësi. Tërmeti u shoqërua nga viktima e të plagosur dhe mijra banesa të shkatërruara. Për shkak të datës së njëjtë të rënies me tërmetin që kishte lënë gjurmë në histori, ishte e vështirë për specialistët dhe historianët të mos kujtonin menjëherë tërmetin e Tepelenës. Ashtu si 99 vjet më parë edhe në këtë rast, për shkak të zisë kombëtare, u anulluan aktivitetet të cilat korespondonin me 75- vjetorin e çlirimit të vendit.

Të gjithë u ngushëlluan me faktin se koha do të kalonte shpejt dhe për më tepër, në sfond dukej mbritja e një përvjetori edhe më të madh festiv. Ishte ai i 100- vjetorit të Luftës së Vlorës, festimi “de facto” i pavarësisë së Shqipërisë të cilin e zbehu 100- vjet më parë tërmeti i Tepelenës.

Por edhe në këtë rast pritshmëria nuk eci në të njëjtat shina me fatin tonë.

28 Nëntor 2020

100 -vjetori i Luftës së Vlorës, pavarësia “de facto” e shqiptarëve

Përsëri, 100 -vjet më vonë nga 28 Nëntori i 1920, një “tërmet virusal”, që preku në fakt gjithë botën, do ta cënonte festimin e pavarësisë së Shqipërisë në kuadër të 100- vjetorit të Luftës së Vlorës.

Pandemia “Covid 19” e kufizoi deri në 10 vetë pjesëmarrjen e personave në një ceremoni, duke pamundësuar  kështu festimin masiv të kësaj dite të shënuar.

Por kësaj here gjirokastritët, ashtu si dikur ju kthyen në mënyrë krijuese kodeve të tyre.

Kjo më ra në sy kur disa ditë para festës, drita e dikurshme e qirinjve dhe fenerëve të vendosur në dritaret e shtëpive natën, ishte zëvendësuar nga flamujt e varur në ballkonet e dritaret e shtëpive  karakteristike  ditën.

Banorët në kushtet e kufizimit të festimit masiv, i ishin kthyer festimit individual.  Kjo u pasua nga mijra foto në rrjetet sociale ku njerëzit pozonin me flamurin kombëtar, apo me stampimet e tij të aplikuara në element të veshjes së përditshme. Madje prodhuesit shkuan edhe më tej, duke e stampuar simbolin tonë kombëtar, edhe në maskën mjekësore. Dizajni i saj Kuq e Zi, e kthente individin që e mbante në një pjesmarrës “aktiv” të festimit krejt të veçantë, por të detyruar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme të Pandemisë.

Porosia e Ismail Qemalit pas Shpalljes së Pavarësisë

Pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Ismail Qemali porositi që ceremonia e ngritjes së flamurit të zhvillohej në çdo qytet të Shqipërisë. Plaku i Vlorës donte që festa të festohej edhe në mënyrë lokale. Në zbatim të saj edhe Gjirokastra e ngriti flamurin në 4 Dhjetor 1912 në kalanë e qytetit. Pengesa e festimit masiv të kësaj dite, kur patriotët me në krye Hasan Xhikun ngritën flamurin në kalanë e qytetit, ndoshta do t’i shtyjë banorët e tij krijues të afrojnë zgjidhje të reja për të demostruar pjesëmarrjen e tyre në këtë festë.