Ligji “Për Policinë e Shtetit”/ Presidenti Ilir Meta: Policia mund të mbikqyrë kundërshtarët politike në zgjedhjet e 25 Prillit 2021

302
Sigal

 

Në Komisionin e Sigurisë u rrëzua dje dekreti i Presidentit Ilir Meta për Policinë e Shtetit. Deputetët kanë votuar kundër, duke rrëzuar argumentet e Metës. I hapet rruga policisë të përdorë  mbikëqyrjen  ndaj çdo qytetari të dyshuar pa marrë leje paraprake nga Prokuroria.  Presidenti Ilir Meta njoftoi mesditën e së martës se vendosi të kthejë për rishqyrtim ndryshimet që iu bënë së fundmi ligjit për policinë. Sipas Presidentit, ndryshimet ligjore bien në kundërshtim me pavarësinë e garantuar nga Kushtetuta të strukturave të drejtësisë. Ndër argumentet kryesorë ligjorë që rendit kreu i shtetit në dekretin e tij, është se nëpërmjet këtij ligji, krijohet shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ajo që bie në sy, është fakti se, referuar Raportit të Komisionit të Ligjeve, nisma e parë nga Këshilli i Ministrave është depozituar në Kuvend që në datën 6 shkurt 2020. Ndërsa 22 shtator 2020 është futur një propozim i deputetit Alket Hyseni, që lidhet ekskluzivisht me shtimin e një paragrafi që përcakton rolin e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor. Kjo nismë është shqyrtuar përfundimisht nga Kuvendi në muajin tetor, mbi 8 muaj pas depozitimit të nismës nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimet sipas propozimit të Hysenit përveç “mundësive ligjore shtesë policisë për të përdorur masa të veçanta në luftën kundër krimit të organizuar”, u përfshi edhe një paragraf që flet për rolin e policisë në zgjedhje. Presidenti Meta thotë se me ndryshimet ligjore, shkelen parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe rrezikon ta kthejë policinë në një organ që “gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal konform organeve të drejtësisë”. Presidenti Meta thotë se ligji për Policinë e Shtetit i propozuar nga mazhoranca krijon  shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Në mbledhjen e sotme të Komisionit ka marrë pjesë dhe këshilltari i Metës, Bledi Dervishaj, i cili ka pasqyruar dhe njëherë gjithë pretendimet e kreut të shtetit.

Në arsyet për kthimin në Kuvend të ligjit, Presidenti Meta liston se ai:

1- Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2- Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me garancitë për ruajtjen e privatësisë;

3- Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;

4- Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.

Kundër socialistëve dhe në mbështetje të këshilltarit të Metës ka dalë deputeti Myslim Murrizi, i cili ka thënë se afërsia me datën e zgjedhjeve, bën që këto propozime të mazhorancës të kompromentohen.