Hysen Caka: 16 Tetori: ” Dita Ndërkombëtare e Bukës”

109
Sigal

Nga Hysen Caka

Ekspert në indrustrinë ushqimore

Buka është një nga bashkëshoqërueset më të vjetra të njeriut, hershmëria e saj daton në kohët e Egjiptit të Lashtë. Si një ushqim parësor, ajo përbën një traditë të zakonshme të njerëzimit ndër shekuj. Ajo vlerësohet si një nga produktet më të vjetra të kulinarisë. Buka është elementi më themelor i ushqimit të njeriut. Ndërsa gatimi i saj ka shoqëruar njeriun që në ekzistencën e tij, me format nga më primitive dhe më të shumëllojshme. Prodhimi i saj në mënyrë indrustriale i ka fillesat në Gjermani, në vitin 1931, atëhere kur në Munih u ngrit furra e parë e prodhimit të bukës. Është kjo ngjarje që ka shënuar edhe 16 Tetorin si “Dita e Bukës”…! Kërkesa dhe nevoja për këtë produkt do të bënte që edhe zhvillimi i kësaj industrie të ishte nga më të zhvilluarat krahasimisht me degët e tjera të industrisë së kohës. Përpos se buka, mban njerëzit me “bukë”, ajo e kryen këtë funksion edhe duke punësuar një numër të konsiderueshëm në industrinë e prodhimit të saj. Mijëra njerëz punojnë në prodhimin e bukës. Ajo është e pasur me proteinë dhe karbohidrate të nevojshme për jetën dhe rritjen njerëzore. Raporti Global i Industrisë së Bukës, e liston në vendin e parë të ushqimeve më të konsumuara në botë. Produktet e bukës nuk janë vetëm të shijshme, por edhe me vlera ushqyese. Historia e bukës është e njëjtë me atë të njerëzimit, sepse është buka që ka “rritur” njerëzimin, fillimisht. Edhe në vendin tonë industria e prodhimit të bukës është nga më të hershmet dhe më të zhvilluarat. Në vitin 1937 në Qarkun e Durrësit numëroheshin rreth 7 mullinjë bloje, ndërsa në Qarkun e Fierit 9 të tillë, por ata ishin me kapacitete të vogla dhe të regjistruar. Prapambetja e vendit nuk e ka mundësuar dokumentimin e fillesës “zyrtare” të kësaj industrie, por si “dallandyshe” e parë e dokumentuar mbahet fabrika e miellrave  “Vëllazëria Shijaku”. Ajo u themelua nga dy vëllezërit Jonuz e Nexhmi Shijaku dhe mban si datë të themelimit nga Fletorja Zyrtare e kohës 9 nëntorin 1938. Fabrika ka qenë një nga më të mëdhatë në vend dhe kishte edhe një degë të saj në Korçë. Qëllimi i saj ishte grumbullimi dhe përpunimi i çdo lloj mielli të vendit. Në vitin 1938 kjo industri filloi të përhapej jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra dhe kjo si rezultat i përfitimeve që sillte ky produkt. Ishte koha që nëpër fshatra dhe zona të thella u ngritën mjaft mullinj bloje me ujë, apo edhe me motorra. Kështu Aranitasi dhe Fratari në Mallakastër, Bishqemi i Kërrabës, Plasa në Korçë, Kozarja në Kuçovë, Selenica në Vlorë apo Azizataj në Belsh do të sillnin “revolucionin” e kësaj industrie duke thyer të gjitha pritshmëritë e kohës me ndërtimin e mullinjve të blojes me motorra… Sot në vendin tonë numërohen mbi 3000 furra buke nga të cilat mbi 1000 janë përqëndruar në Tiranë, të cilat plotësojnë sipas standarteve evropiane nevojat e popullsisë me të gjitha asortimentet e mundshme të brumit.

Mungesa e grurit…

Sot në vendin tonë kjo industri është nga më bashkohore dhe rivale me atë të vendeve të Evropës si në cilësi ashtu edhe në shumëllojshmërinë e saj. Investimet në këtë industri i kalojnë ato të qindra million eurove. Fabrikat e miellit në Tiranë, Fier, Berat, Shkodër, Korçë etj i plotësojnë të gjitha parametrat e xhirove të korporatave. Në kushtet kur kjo industri ka avancuar përtej përpunimit të prodhimit vendas del e nevojshme rakordimi i politikave unifikuese të këtij raporti prodhim-përpunim dhe kjo vjen duke stimuluar prodhimin vendas, sikurse është ai i mbështetjes së fermerëve shqiptarë duke mbjellë sipërfaqe të konsiderueshme për të plotësuar kapacitetet e fabrikave të blojës, që duhet thënë se janë nga më bashkëkohoret. Aktualisht fabrikat e blojës në vend punojnë në më pak se 40% të kapacitetit. Sektori vuan nga mbi investimet, pasi edhe në ditët më të mira, kapacitetet janë shfrytëzuar vetëm 70%. Industria ka investuar mbi 100 milionë euro, nga të cilat, sipas Unionit të Prodhuesve të Miellit, gjysma e tyre janë kredi në bankat e nivelit të dytë. Është kjo arsyeja që sot spekullohet me prejardhjen e grurit, sepse edhe kapacitetet e prodhimit vendas janë përtej minimumit të plotësimit qoftë edhe të një fabrike bloje. Edhe pse nga fabrikat e blojës ka filluar subvencionimi i blerjes paraprake të prodhimit vendas duke i ndihmuar paraprakisht fermerët, sërishmi kjo është e pamjaftueshme për të plotësuar kapacitetet e fabrikave. Politikat shtetërore duhet të konsistojë në ngritjen e fermave me sipërfaqe të konsiderueshme, sepse sot çmimi i grurit është në nivele shumë të larta dhe interesi i këtyre fermave i plotëson pritshmëritë e fitimit. Duke i plotësuar kërkesat me grurin vendas rritet edhe pavarësia e kësaj industrie. Sot ne furnizohemi kryesisht me grurin e vendeve të lindjes, me miell dhe grurë nga Serbia dhe më së shumti nga Rusia. Shkaku i rritjes së çmimit të bukës është i varur nga çmimi në blerje i këtij produkti. Për të mos nxjerrë prodhimin e saj nga vendi, si rezultat i krizës së përgjithshme, Rusia i ka shtuar një vlerë të shtuar çmimit për eksportin çka ka sjellë edhe rritjen zinxhirore të çmimit deri tek produkti i fundit buka.

Energjia shkak i rritjes së kostove

Problematikave të kësaj industrie i shtohen sot edhe ato të ndërprerjes dhe të çmimit të energjisë elektrike. Përtej rritjes së çmimit të grurit në tregun ndërkombëtar, rritja e çmimit të energjisë është një alarm që duhet të shqetësojë organizmat përgjegjës për të gjetur një rrugë të mesme, që të ruajnë kostot e prodhimit jo vetëm në mes të “rrugës” së prodhimit, por edhe në fund të saj, në furrat e pjekjes. Subvencionimi i tyre është një realitet që nuk duhet shmangur.

Fuqia punëtore

Shqiptarët në përgjithësi janë nga më tradicionalet e zanatit të pjekjes së bukës. Zanatçinjtë shqiptarë kanë “pushtuar” furrat e bukës në vendet e Evropës. Kështu mund të përmendim se në Kroaci në dominancë: furrëpjekësit janë me kombësi shqiptare, po kështu në Bosnje, Mal të Zi, Turqi, por jo më pak këtë zanat e kanë “zaptuar” shqiptarët edhe në Itali, Gjermani apo Francë…Shpërblimi i kënaqshëm në këto vende ka bërë që tregu vendas të ndiejë në mënyrë të thellë mungesën e zanatçinjve të bukëpjekjes. Kjo është një “vlerë” e shtuar e problemeve që kanë kapur këtë sektor kaq jetik.