Nënat çame, dëshmitare të dhimbjeve të mëdha njerëzore

98
Sigal

Hyqmet Zane

Për kujtesën tragjike të 27 qershorit 1944 kur shovinizmi grek bëri genocid në Çamëri

Sa mijëra e miliona fjalë të mira dhe me shumë dashuri janë thënë për nënat dhe të gjitha janë të merituara se të atilla janë ato. Janë thurur vargje, janë shkruar poezi, tregime dhe romane. Por fjalët e shpirtit dhe të zemrës për nënat më shumë se  të shkruara, ato janë të skalitura  përjetësisht. Nëse një njeri përmend fjalën “nënë”, ndjen një përgjërim të veçantë, sidomos kur nuk i kemi më në jetë. E kam fjalën për nënat që janë qenia më jetësore, që gjenerojnë trashëgiminë dhe ato nuk kanë nevojë për medalje, as për fleta lavdërimi. Për ato medalja më e mirë është kur asaj i mbushet shpirti me mirësitë e fëmijëve, ndaj dhe nënat kur bëhen gjyshe janë aq shumë të dashura dhe u mbushet shpirti kur për to kujdesën fëmijët e fëmijëve.

Por kur vjen fjala për nënat çame, jo vetëm mendimi im ndalet dhe meditimi shkon larg, shumë larg në vite në kohë dhe në hapsirë. Si djalë Çamërie jam bir i një nëne aq shumë të mirë, po aq sa edhe të sakrtifikuar. Por jo vetëm ajo. Nënat çame janë ato të dhmbshurat deri në amshim, janë ato të bukurat në shpirt edhe më të bukura në pamje, janë ato shamibardhat si pamja e tyre bardhoshe, janë ato të mençurat me aq shumë nasihate (këshilla). Por më shumë se gjithëçka ato janë zemërthyrat dhe të sakrifikuarat, që në 100 vitet e fundit përjetuan shumë halle dhe shumë fatkeqësi. Të mirat Nënat çame, janë dëshmitare të dhimbjeve të mëdha njerëzore. Nuk i ndaj nga nënat e tjera shqiptare brenda në Shqipëri dhe në trojet amëtare, por mbi shpatullat e nënave çame, si edhe ato kosovare rëndoi pesha e vuajtjeve nga fatkeqësitë e madha që iu krijuan nga keqpërdorimi që iu bë popullatës çame nga politikat e Athinës zyrtare, si edhe të Beogradit, por sidomos ato të genocidit grek nga Napoleon Zerva dhe banda e tij vrastare., si edhe ato të Millosheviçit me bandat e çetnikëve. Nënave çame iu dogj shpirti nga humbjet e jetëve të fëmijëve, të burrtave dhe nuseve. Dora vrastare ua dogji xhanin, jua thau shpirtin nga fatkeqësitë. Kujtoj me aq shumë dhembje atë nënën çame që ia vranë djalin, ia hodhën në zjarr, qentë ia shqyen dhe ajo mundi të ruajë si shenjë të djalit të saj vetëm një copë lëkurë të skalpit të kokës  me flokët që nuk iu dogjën. E futi në gji, e ruajti dhe kur erdhi koha ia paraqiti komisionit miks ndërkombëtar që asnjëherë nuk u gjykuan drejtë dhe drejtësia nuk u vendos. Do të kujtoj nga nënat çame atë të mjerën, që duke shkuar me vrap me djalin e hypur goçi (mbi kurriz) që i kërkonte ujë për të pirë dhe nana i thoshte “ja edhe pak, se arritëm, ja edhe pak”. Ndërkohë andarti grek e ndoqi dhe ia preu kokën të birit me një shpatë, por nëna nuk e mori vesh se ajo ikte me (me vrap) për t’i shpëtuar vrasjes. Veç kur ndaloi dhe donte ta zbriste djalin çfarë të shihte, mënxyrën e parrëfyer dhe mendja e asaj nëne mori arratinë. Një nënë tjetër nga qindra raste të ngjashme, duke mbajtur në një dorë fëmijën dhe në dorën tjetër një bohçe me rroba, ecte në këmbë duke marrë arratinë nga masakrat e përjetuara buzë detit në Sajadhë dhe u lodh shumë. Mendoi ta hidhte bohçen, por aksidentalisht hodhi fëmijën. O Zot çfarë bëri ajo nënë nga një pakujdesi nga hallet që po iknin për t’i shpëtuar vrasjeve. I iku mendja nënës së shkretë.

Paramithia dhe banorët e saj janë dëshmitarët okularë se si nënat çame panë me sytë e tyre vrasje pa fund, gjakun që rridhte rrëke, panë djegiet e fëmijëve, çnderimet e vajzave, masakrimin e burrave dhe hataja e madhe që i gjeti se humbën gjithëçka. Sanije Bollati ka mbetur simbol i masakrimit shumëplanësh që iu bë një vajze çame, një gruaje, një nëne si krim kundër njerëzimit që ndodhi në atë qytet. Nënat çame i panë të gjitha, i vuajtën të gjitha, të gjitha nuk i ngushëlloi askush dhe drejtësia nuk u zbatua asnjëherë. Vajza greke, Tulla e kërkoi dhe nuk e gjeti motrën e saj, shoqen e fëmijërisë Hasije Çapari se ndrroi jetë gjatë rrugës pasi ikën nga shtëpia e tyre në Luarat se do i vrisnin andartët gjakpirës dhe nëna e Hasijes e varrosi vajzën e saj gjatë rrugës sapo u futën në kufirin shqiptar. Janë ngjarje të ndodhura, pra edhe janë të treguara.

E çfarë të kujtoj më parë nga ajo mënxyrë që shkrimtari Adem Istrefi e shkruan poezinë me zemër të vrarë :

“ O zot,ç’mënxyrë e ç’barbari qe kjo!

Krejt si në Trojë grekët grekçe na therën!

Iku kush iku,të tjerët zjarri i përvëloi.

Rri,o zot,mos fol,

në bri të kaut s’u fshihka dhembja

dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia.

Mizori si kjo kujt tjetër i panë sitë,

atje çam i ndyrë, këtej çam i djegur,

vallë veten të bindnim se hak kishim

mizorinë?!”

Në Shqipëri këto nëna u bënë heroina se familjet kërkonin të jetonin dhe ia nisën nga e para, ndërtuan furra për bukë e byreqe, ngritën katandinë, lindën famijë dhe i rritën me copa e çika që vetëm ato dinin t’i sajonin mundësitë. I rritën ashtu keq e keq fëmijët nëpër barake ku u vendosën familje të tëra. Duruan këto nëna edhe kur burrat ua internoi Enver ziu në Llozhan e Maliq më 1949 se nuk pranuan burrat të bëheshin mish për top për grekun. Më pas nënat çame me nikoqirat (kujdesin e veçantë) u bënë edhe viktima të fyerjeve dhe depersonalizimit, prekjes në dinjitet dhe fukarallëkun kur më 1960 u sajua ai i ashtuquajturi “grupi çam” dhe burrat vuajtën në punëra të rëndomta, nënat përballonin vuajtjet në shtëpi për të ushqyer, veshur e mbathur fëmijët mes skamjes dhe pamundësive. Veç ato dhe Zoti e dinë se si ia arrinin të përballonin ngarkesat e kohës. Eh, kjo “ehh” që del nga shpirti se edhe nëna ime përballoi mungesën e burrit nga internimi në Gjermani dhe u gëzua që erdhi gjallë, por u desh edhe burgosja në Shqipëri. Në pleqërinë e shpejtë i dridheshin duart nga kazma dhe lopata, tezga e karroca në ndërtim apo në ferma bujqësore. Por asnjëherë këto nëna të mrekullueshme nuk harruan të kishin vëmendjen dhe kujdesin, me krenari dhe të pastra për familjet dhe veçanërisht për fëmijët. Edhe një saksi manxura (Majorana hortensis L – latinisht) duhej të potisej (vaditej) që të jeshillonte e të mbushte me erë të mirë shtëpinë dhe ishte si lulja nishan e Çamërisë. Edhe një qumushtor çam e donte shtëpia, edhe një pjatë llapsana (lakra të egra) e donte sufraja, por edhe rrallë e për mall ndonjë sapunhallva apo bakllava që e tresnin me ato duart e tyre të arta ato nëna. Shkrimtari Fahri Dahri, një intelektual i nderuar mes çamëve, shprehet kështu: “ Pasqyrimi i Nënave çame në rrjetet sociale, për mua ka disa kuptime! Deri dje i kishim nëpër shtëpi, i donim dhe na donin, sot ato na mungojnë. I shofim në ëndërr, i kemi në disa foto, por jo shumë, se bërja foto në ato kohë, kur Nënat tona rronin, ishin të rralla, kryesisht foto për letra-njoftimi, rrallë, tek-tuk bëheshin foto. Ishin vështirësitë e kohës, teknologjia e pa zhvilluar, etj. Nga këto nëna u garantua vazhdimësia e genit. Besoj ju ndodh të gjithëve kur genet (nipat e mbesat) e Nu-ve (kështu thirreshin nënat çame), afrohen tek fotot e atyre, ata që janë pranë habiten për ngjajshmërinë. Uaa sa i ngjan gjyshes, stërgjyshes… Ruhet respekti ndaj të parëve tanë. Kujtohet vendi nga kanë qenë ato Nu-të e menduara, të hijshme, të fisëshme, zemërbardha, me mandile të bardha mbuluar kokën, jelekët qëndisur aq bukur me tumane copa të shtrenjta të blera tek tregtarët hebrej të Janinës që i ruajtën nëpër sepete. Po, vërtet të veçanta. Ato na ndjekin dhe ne ndjehemi  krenar për ato Nëna të pashoqe. Kur i shofim në këto rrjete sociale, menjëherë përfytyrimi fluturon atje, në vendin e lindjes të atyre Nu-ve. Në krahinën etnike shqiptare të Çamërisë. Sa shumë kujtime na sjellin ndërmend këto fotot e Nu-ve  çame!!”.

O Zot sa mall, por edhe sa dhimbje, sa dashuri dhe sa sakrifica dhe sot nuk i kemi ato nëna, na ikën ndër vite me brenga në zemër se nuk e panë më vatanin e lindjes dhe shtëpitë e tyre stërgjyshore. Nuk ishte mallkim, por padrejtësia tragjike e një shteti shovinist që barbarisht i vrau bijtë e nënave çame dhe ato nuk panë ditë të bardha, po aq sa përjetuan dhimbjen e fyrjeve se fjala “çam” u bë fyerje, përçmim, u bë emër pezhorativ edhe shtetërisht në kohën e diktaturës. Por në kujtesën dhe shpirtin tonë, në trashëgiminë dhe historinë e Çamërisë, po aq sa edhe në memorien e çdo shqiptari, që i njohu dhe jetoi pranë tyre, nënat çame dhe burrat çamë mbetën të nderuar dhe kryelartë, të papërsëritshëm për të cilët krenohemi dhe kemi gjithnjë dashuri.