Hyqmet Zane: Çamëria antifashiste, heronjtë dhe dëshmorët e saj

809
Sigal

A duhet ta kujtojë komuniteti çam përvjetorin e vrasjes së Ali Demit “Hero i Popullit”?

Çamëria antifashiste ka heronjtë dhe dëshmorët e vet që nuk meritojnë harresë

Nga Hyqmet Zane

Lufta antifashiste pati të angazhuar edhe bij nga Çamëria që luftuan në formacionet partizane, në çeta, batalione dhe brigadat e asaj lufte heroike. Kjo luftë pati edhe dëshmorët e saj si dhe “Heroin e Popullit” Ali Demi, ashtu siç pati edhe të zhdukurit në kampet e përqendrimit në Itali e Gjemani. Kjo është dëshmia më sublime e një krahine si Çamëria që dha kontributet e veta për lirinë e atdheut. E konfirmuar kjo nga qeveria dhe shteti shqiptar përmes nderimeve që u janë bërë figurave të Çamërisë.

Sa herë që vjen 19 dhjetori i çdo viti, mendoj se në Kaninë të Vlorës ra heroikisht biri i Filatit të Çamërisë, Ali Demi.  E kam detyrim moral se i përkas atij komuniteti, por edhe si intelektual e quaj detyrim madhor të ngre zërin për t’i thënë opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar se Çamëria jonë e dashur ka kontributet e veta për lirinë e atdheut si pjesë e antifashizmit ndërkombëtar. Por më shumë se unë, këtë gjë duhet ta bëjë Shoqata Çamëria dhe veçanërisht Komiteti i Veteranëve të Luftës dhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, si organizata që e kanë eksluzivitet këtë gjë.

Heshtja që shoqëron këtë ditë të shënuar në kalendarin kombëtar të vlerave të luftës antifashiste, duket sa e padrejtë, aq edhe abuzive, sa e pamerituar, aq edhe ofenduese. Fakti që Ali Demi, ky “Hero i Popullit” i Luftës së Dytë Botërore në radhët e antifashizmit shqiptar ka merituar një nderim të lartë me këtë titull, të çon në mendimin që ky bir i Çamërisë është edhe nderi ynë. Për hir të së vërtetës, këtë vlerësim e bëri edhe pushteti që erdhi në fuqi pas çlirimit, si i pari i serisë së dekorimeve që u bënë për 45 vjet me radhë. Ky dekorim merr vlerë akoma më të madhe kur dihet që Ali Demi dhe gjithë ata që luftuan si antifashistë, ishin nga Çamëria, përballë akuzave hipotetike dhe abuzive të sillogjeve greke dhe veçanërisht të atyre që duan të fajësojnë këtë popullatë me të ashtuquajturin “bashkëpunëtorë me nazistët”.

Përkundër këtij realiteti,  dokumentet e kohës flasin për lidhjet e kryeministrave grekë si Metaksai që, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, i dërgoi telegram urimi Duçes që e hodhi poshtë Pavarësinë e Shqipërisë si një mundësi greke për të marrë tokat e Vorio-Epirit.

Cili është Ali Demi ?

Ali Demi lindi në Filat, në 18 janar të vitit 1918. Atje përfundoi edhe shkollën fillore. Në vitin 1927, nëpërmjet një burse studimi vazhdoi studimet në konviktin “Çamëria” të Sarandës, ku kishte filluar të frekuentohej nga fëmijë çamë të cilët mësonin në gjuhën amtare. Më pas, ai ndoqi për katër vjet gjimnazin në Gjirokastër, ku organizoi edhe shoqatën “Skënderbeu” dhe “Qepa”. Pas ngjarjeve të kryengritjes antizogiste të Fierit, një vit më vonë, bashkë me shokët e tij Themo Vasi dhe Njazi Demi, Ali Demi organizoi revoltën e nxënësve për kushtet e këqija të jetesës, por Ministria e Arsimit i përjashtoi të tre nga shkolla. Pas kësaj ngjarjeje, u regjistrua në gjimnazin e Tiranës ku njihet me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton dhe anëtarësohet në Grupin Komunist të Shkodrës. Me përfundimin e studimeve, u bë punonjës provizor në Post-Telegrafën e Tiranës.
Në fillim të luftës italo-greke, Ali Demi u angazhua në batalionin shqiptar “Tomorri” dhe shkoi në front, por qëllimi i tij ishte organizimi i sabotimit të kësaj lufte. Ai ishte një nga organizatorët e manifestimit të madh antifashist në Tiranë. Më 7 prill të vitit 1942 bie në sy të spiunëve të kuesturës, të cilët e arrestuan dhe torturuan. U dënua me 23 vjet burg. Në shtator të vitit 1942 u organizua demonstrata e madhe e grave dhe e popullit të Tiranës para burgut, ku u vra edhe Mine Peza. Atje ai organizoi hapjen e kanalit nga të burgosurit politik dhe më 29 prill të vitit 1943, në tentativën e dytë për arratisje Ali Demi ia arriti qëllimit.

Pas një udhëtimi të gjatë në malet e Çermenikës, në vitin 1943, Ali Demi arriti në Vlorë në kohën e vështirë të luftës, ku u caktua sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Komitetit të Partisë së Qarkut të Vlorës, një nga qarqet më të mëdha të luftës së frontit nacional-çlirimtar. Në 19 dhjetor të vitit 1943, në një bazë të Kaninës së Vlorës, u rrethua dhe u qëllua për vdekje. Ali Demi vdiq në vitin 1943, në moshën 25-vjeçare.
Më tej, për të filloi një jetë e re si komisar i batalionit “Çermenika” ku mori pjesë në disa aksione. Pas një udhëtimi të gjatë në malet e Çermenikës, në vitin 1943, Ali Demi arriti në Vlorë në kohën e vështirë të luftës, ku u caktua sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Komitetit të Partisë së Qarkut të Vlorës, një nga qarqet më të mëdha të luftës së frontit nacional-çlirimtar. Në 19 dhjetor të vitit 1943, në një bazë të Kaninës së Vlorës, u rrethua dhe u qëllua për vdekje. Ali Demi vdiq në vitin 1943, në moshën 25-vjeçare.
Në 5 korrik të vitit 1945 u shpall “Hero Kombëtar” nga Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar, me motivacionin “Udhëheqës dhe punëtor i palodhur, shembull heroizmi dhe obligacioni të pashoq gjatë luftës nacional-çlirimtare. Ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të sotëm dhe të së ardhmes së popullit shqiptar”. Më tej, u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Urdhëri i Flamurit”, “Medalja e çlirimit”,” Medalja e Trimërisë”,” Medalja e Kujtimit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë, si edhe në institucione të ndryshme kombëtare. Në përkujtimin e veprës së tij janë ngritur disa buste.

Ali Demi “Hero i Populli” është njeri nga antifashistët e Çamërisë që na nderon si komunitet çam dhe, së bashku edhe me antifashistët e tjerë janë pjesë e krenarisë kombëtare. Përkujtimi i tyre është një vlerësim për luftën dhe sakrificat e tyre për lirinë e atdheut si dhe një mesazh për kohërat që vijnë.

Refleksione të domosdoshme

Më gjithë këtë aktivitet dhe me një emër të madh që pasuan komunitetin çam nga fisi “Demi” që nga Musa Demi e deri tek Vehip Demi, Tahir Demi apo edhe të tjerë, institucionet e shtetit shqiptar dhe organizatat e veteranëve të luftës duhet të jenë të parët si përgjegjës për nderimin e këtij Heroi, këtij biri të nënës Çamëri, por që nuk mund të falet që kalojnë në heshtje momente të tilla nderimi kombëtar.

Më gjithë këtë aktivitet dhe me një emër të madh që pasuan komunitetin çam nga fisi “Demi” që nga Musa Demi e deri tek Vehip Demi, Tahir Demi apo edhe të tjerë, institucionet e shtetit shqiptar dhe organizatat e veteranëve të luftës duhet të jenë të parët si përgjegjës për nderimin e këtij Heroi, këtij biri të nënës Çamëri, por që nuk mund të falet që kalojnë në heshtje momente të tilla nderimi kombëtar.

Të përkujtuar duhet të jenë gjithnjë edhe dëshmorët e tjerë si Bido Sejko, Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejselit etj. Sa do të doja që jo vetëm vrasja të na mbeste në kujtesën tonë, por edhe lindja e këtij Heroi, por edhe ditët e shënuara me shenjë në kalendarin historik kombëtar kur bëhet fjalë për luftën antifashiste. Do ishte e udhës që t’i propozohej Presidentit apo Qeverisë për transferimin nga Vlora të eshtrave të Ali Demit në Varrëzat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

Epilog

Fakti që emrin “Ali Demi” e mbajnë disa institucione si Lagja Ali Demi, Rruga Ali Demi, Shkolla 8 vjeçare Ali Demi, Kinema Ali Demi, që fatkeqësisht ajo u shemb si kinema dhe një bust i Ali Demit për tu bërë parking (?!), Fusha sportit Ali Demi që njihen nga gjithë, të githa këto janë një motiv më shumë për të ringritur atë vlerë të madhe që ka komunitetit çam si pjesë e historisë mbarëkombëtare. Nuk do të doja të thoja se sa e kanë pasur apo jo dëshirën për këtë aktivitet për Ali Demin, por një gjë është e qartë që po mungon orientimi drejt aktiviteteve që sjellin vëmendje jo vetëm të komunitetit çam, por të të gjithë opinionit qytetar shqiptar për figura që na bëjnë nder dhe që na japin shansin të krenohemi dhe të jemi dëshmi e rëndësishme për akuzat e gënjeshtrat greke.

Nuk i kemi të shumtë heronjtë dhe dëshmorët, por ata që i kemi, na takojnë t’i nderojmë se jo vetëm janë krenari për ne, por janë edhe dëshmi të pakontestueshme për tua përplasur në fytyrë shovinistëve grekë dhe atyre filogrekëve që asnjëherë nuk kanë arritur të besojnë se komuniteti çam ka qenë gjithnjë pjesë e kombit dhe e antifashizmit. Çdo harresë për t’i nderuar këta bij të Çamërisë  nuk është as dinjitoze dhe as e drejtë. Këtë duhet ta kuptojnë ata që pretendojnë se kanë më shumë merita për këtë çështje.