Hyqmet Zane: Alfred Moisiu – Presidenti i çështjes kombëtare

Mesazhi – I paharruar qoftë kontributi i patriotëve të Çamërisë. Kujtesë për patriotin antinazifashist Nuri Emin Zanen

Ish Presidenti shtoi se “Grekët nisur nga qëllimet e tyre revanshiste, fqinjit të tyre me më shumë ngjashmëri në rajonin e Ballkanit, që në fillim të Luftës Italo-Greke paturpësisht dhe padrejtësisht shpifën ndaj popullsisë Çame, se gjoja ajo bashkëpunoi  me pushtuesit fashistë italianë, për të arritur qëllimet e tyre. Sigurisht kjo nuk qëndron fare, përkundrazi, shqiptarë e çamë luftuan me armë në dorë ndaj tyre, krah fqinjëve të tyre grekë, njëlloj si ata. Kjo vërtetohet edhe nga fakti si rasti i patriotit Nuri Zane , i cili u kap dhe u internua në kampet e përqëndrimit nëGjermani.

NOA

Përkujtimi pas 20 vjetësh i dekorimit të një pjesëtari të shqiptarëve të Çamërisë Nuri Emin Zane, ish internuar në kampet e shfarosjes në Gjermnai, ishte rasti që ish Presidenti Alfred Moisiu të ishte në takimin mes çamëve dhe elbasanasve në Elbasan. Për pak retospektivë duhet thënë se i pari nga Çamëria që u dekorua nga një Presient shqiptar ishte im atë me motivacionin “ “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqëndrimit të Dakaos”. Edhe pse në një moshë mbi 95 vjeçare dhe me probleme shëndetësore, ish Presidenti u prit me shumë respekt dhe ngrohtësi nga pjesëmarrësit në sallën e takimeve tek Turizmi “Skampa” duke pasur rastin të shprehë mendimet e tij në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro – grekë dhe kauzën e Çamërisë, si presidenti i interesave mbarëkombëtare që nuk ka bërë asnjë vizitë në shtetin fqinjë Greqinë, si djali i gjeneralit të luftës Spiro Moisiu që iu bë barikadë pushtuesve italianë, që donin të pushtonin këtë vend.

Çfarë tha Alfred Moisiu ?

Ndër shumë mendimeve dhe qëndrimeve që ai ka mbajtur Moisiu u shpreh :

“ … kujtojmë sakrificën e ish qytetarit dhe patriotit Nuri Zane. … Ai është dekoruar në kohën e Presidencës time me urdhrin e lartë, për luftën që ka bërë kundër pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Më tej ish Presidenti shtoi se “Grekët nisur nga qëllimet e tyre revanshiste ndaj nesh, fqinjit të tyre me më shumë ngjashmëri në rajonin e Ballkanit, që në fillim të Luftës Italo-Greke paturpësisht dhe padrejtësisht shpifën ndaj popullsisë Çame, se gjoja ajo bashkëpunoi  me pushtuesit fashistë italianë, për të arritur qëllimet e tyre. Sigurisht kjo nuk qëndron fare, përkundrazi, shqiptarë e çamë luftuan me armë në dorë ndaj tyre, krah fqinjëve të tyre grekë, njëlloj si ata. Kjo vërtetohet edhe nga fakti si rasti i patriotit Nuri Zane , i cili u kap dhe u internua në kampet e përqëndrimit nëGjermani, prej ku u lirua nga forcat aleate”.

Duke iu referuar të vërtetave historike të kohës Moisiu vazhdoi më tej duke thënë: “Është e njohur publikisht se Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e saj përmes territorit të aneksuar të shtetit shqiptar, pra kjo ka ndodhur kur Shqipëria ishte një vend i pushtuar. Kur edhe flamuri ynë kombëtar u ndryshua sipas dëshirës dhe pikëpamjeve të Italisë Fashiste. Pra, shteti shqiptar ekzistonte vetëm si kukull. Qeveria shqiptare e asaj kohe ishte bashkëpunëtore e njëllojtë si qeveria Greke e formuar pas pushtimit të territorit grek nga fuqitë e boshtit, e cila në fillim kryesohej nga gjenerali Tsolakoglu, që ishte një nga gjeneralët më të suksesshëm në Luftën kundër Italianëve, por pas ndërhyrjes së ushtrisë gjermane dhe kapitullimit të Greqisë me 29 prill 1941, pranoi të merrte detyrën e kryesimit të qeverisë kuislinge Greke të emëruar nga gjermanët. Qëndroi në këtë post nga 29 prill 1941 deri 2 dhjetor 1942; pas tij kryesimin e mori  Logothetopoulos, nga 2 dhjetor 1942 deri 7 prill 43 , të cilin e pasoi Ioannis Rallis(rridhte nga një familje e njohur politike greke), që qëndroi në atë detyrë deri 12 tetor 1944. Ralis vdiq në burg, ndërsa më vonë, në vitin 1980-1981, djali i tij u bë kryeministër i Greqisë”.

Ish Presidenti me logjikën e ftohtë shtron pyetjen se “pse Shqipëria duhet të paguajë, edhe pas 86 viteve të atij akti, për të cilin mund të kenë qenë pjesëtar edhe politikanët shqiptarë të kohës. Edhe ata për tradhëtinë e kryer u dënuan nga gjykatat e kohës së pasluftës. Ndërsa dihet qëndrimi i vërtetë i popullit shqiptar si këtej dhe andej kufirit, po ashtu edhe i ushtrisë shqiptare të asaj kohe ndaj agresionit italian në Greqi.

Duhet përmendur se me Italinë, e cila kreu agresionin ndaj Greqisë, gjendja e luftës midis dy vendeve u hoq, duke e zëvendësuar me Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve. Traktat që u firmos midis dy qeverive përkatëse që në vitin 1947, duke i dhënë kështu fund gjendjes së luftës.

Ndërsa kjo nuk ndodhi kurrë me Shqipërinë, megjithëse ne ishim vetë të pushtuar. Pavarësisht gjendjes faktike, vendi ynë në vazhdimësi cilësohej si agresor, gjë që vazhdon edhe në kohën e sotme, megjithëse të dy palët jemi antarë të NATO-s dhe bëjmë pjesë në nivele të ndryshme në politikat e BE-së.

Për këtë qëllim, për të qenë më bindës në argumentat e mia, kam shfletuar dhe studiuar Librin e botuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Italiane – “Shqiptarët në forcat e armatosura italiane (1939-1943)”, botim i vitit 2001dhe librin studimor të autorit Federico Eichberg, botim i vitit 1997- “Il fascio littorio e l’aquila di scanderbeg – Italia e Albania 1939-1945 (Fashio i liktorit dhe shqiponja e Skënderbeut  -Italia dhe Shqipëria 1939-1945). Në të dy këto dokumenta analizohet dhe flitet për zhvillimet e asaj kohe si dhe për arsyet e disfatës së ushtrisë italiane në Luftën Italo-Greke.

Përpara se të paraqes faktet e kohës, dua të theksoj se që pa filluar lufta, Komanda e Karabinerisë Mbretërore kishte bërë një studim tepër sekret të vlerësimit të oficerëve shqiptarë që u përfshinë në repartet shqiptare pas pushtimit fashist, botuar në librin që përmenda më lart. Në vlerësimin e paraqitur thuhet-“Morali i oficerëve shqiptar, në përgjithësi i mirë, por nuk tregohet ndonjë entuziazëm për një luftë të mundshme ndaj Greqisë, pavarësisht se nga ajo mund të realizohen aspiratat separatiste të shqiptarëve”(faqe 51- shtator 1940**).

Federico Eichberg shkruan, duke përmendur parimin, një inspektor i lartë i Partisë Fashiste në Shqipëri, se: ”Nga pala shqiptare argumentohej që lufta kundër Greqisë ishte një çështje pothuajse plotësisht italiane, pasi ishte një episod i luftës së madhe kundër Anglisë dhe për këtë arsye Shqipëria u interesua për të rastësisht”. Dhe ai shtoi “Kjo do të shpjegonte mungesën e vullnetarëve në mesin e intelektualëve biles edhe tek ata më të afërt me ne. Në fakt asnjë anëtar drejtues i partisë dhe asnjë ministër, apo zyrtar tjetër nuk është regjistruar si vullnetar”.(f.83, pragrafi 3*).

Dhe më tej ai thotë: “Kjo indiferencë pak a shumë e përhapur shkaktoi “fillimin e një frakture shumë të rrezikshme” midis italianëve që jetonin në Shqipëri dhe popullsisë vendase- pasi ata filluan të mendonin për të ardhmen e pasurisë së tyre, që kishin vënë që nga koha e ardhjes këtu. Atëhere pati edhe thash e theme për tradhëti që u përhapën në Shqipëri , të rrezikshme pasi mund të kishin gjeneruar “një reagim të dhunshëm të sedrës së shqiptarëve”. Për ta qetësuar gjëndjen u morën një seri masash sqaruese dhe ndërhyrëse. Por ato patën një jehonë të gjërë në Itali, veçanërisht pas fjalës së Musolinit në 10 nëntor 1940.(f.84*).

Në fakt, sikurse shkruan historiani Exelberg pritej që popullsia Çame të ngrihej kundra ushtrisë greke. “Duçe në mbledhjen e 10 nëntorit deklaroi se në momentin e sulmit tonë nuk pati asnjë shenjë kryengritje të popullit Çam ndaj ushtrisë greke. Në fakt ka pasur fenomene shumë të rënda të ushtarakëve shqiptarë kundër nesh. Tregon rastin e një karabinieri shqiptar, që ishte kapur në befasi duke prerë telat e telefonit italian, raste të dezertimeve të ushtarëve shqiptarë si dhe fletushkëve antiitaliane”(f84)”.

Në veçanti, italianët donin t’ia atribuonin disfatën në zonën e Korçës veprimeve tërheqëse të batalionit shqiptar “Tomorri” dhe në përgjithësi kontributit të pakët të shqiptarëve. (f.83, paragrafi 1. Batalioni Tomorri, që në atë kohë komandohej nga major Spiro Moisiu. Ishte i pari ndër 6 batalionet shqiptare në front, që i ktheu armët ushtrisë italiane, duke refuzuar të sakrifikohej për interesat fashiste”.

Alfred Moisiu me përgjegjësinë e tij si një ish gjeneral dhe njohës i mirë i historisë luftës vë në dukje edhe një herë“heroizmin dhe antifashizmin e popullit Çam si Akti i Nuriut me shokë, them që popullsia çame ka nevojë për një drejtim më të mirë politik, për një qëndrim të përbashkët për arritjen e aspiratave të tyre.