Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Nderim për Epopenë e Vlorës 1920

949
Sigal

bën pjesë edhe epopeja legjendare e Vlorës e vitit 1920, e cila, pas Kongresit Historik të Lushnjës, shënoi një nga faqet e ndritura në historinë e popullit shqiptar. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore 1914-1918, midis Fuqive të Mëdha, Gjermanisë e Austro – Hungarisë nga njëra anë dhe në anën tjetër, Fuqive të Antantës: Angli, Francë e Rusia Cariste, Shqipëria u ndodh në këtë udhëkryq historik, duke u bërë një nga vatrat e lakmive të fuqive ballkanike dhe synimeve të tyre për ta eliminuar vetëqenien e shtetit kombëtar shqiptar. Fuqitë Ndërluftuese, me miratimin e Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare i pushtuan, duke krijuar një dramë të re historike. Në vjeshtën e vitit 1914 Greqia pushtoi viset jugore të vendit, Italia u vendos në ishullin e Sazanit dhe pushtoi Vlorën, në qershor 1915 Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi, zaptoi viset veriore. Në kundërshtim me këto fuqi luftarake, në fillim të vitit 1916 drejt trojeve shqiptare vërshuan edhe ushtritë austro-hungareze e ato bullgare, ndërsa ushtritë franceze u vendosën në rajonin e Korçës. Lufta e Parë Botërore krijoi një dramë të re në fatin e jetën e shqiptarëve, fshatra të tëra të djegura e shkatërruara, u rrënua bujqësia e blegtoria, mijëra të vrarë, plagosur e internuar, mijëra të vdekur nga uria dhe epidemitë. Personalitetet e shquara të Evropës si: Miss Durham, Herbert, Berthold e të tjerë, i bënë thirrje Fuqive të Mëdha për të ndalur këtë dramë fatkeqe të shqiptarëve në Ballkan. Pas debateve të ashpra në Konferencën e Paqes në Paris 1915-1919, shqiptarët ngritën zërin e tyre për mbrojtjen e të drejtave kombëtare përballë barbarive të ushtrive të huaja. Një varg protestash, mitingjesh e memorandumesh të vitit 1919 -1920 iu drejtuan Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris, jo vetëm nga qytetet kryesore të vendit, por edhe mëmëdhetarët në Evropë e Sh.B.A., ku kërkohej largimi i ushtrive pushtuese nga trojet shqiptare dhe bashkimi i krahinave të Vlorës me pjesën tjetër të Atdheut. Qysh në verën e vitit 1919, nëpërmjet shtypit të huaj, vlonjatet mësuan për marrëveshjen Titoni –Venizellos, e cila kërkonte aneksimin e viseve shqiptare nga fqinjët ballkanikë. Për të kundërshtuar këto synime shoviniste, me nënshkrimin e atdhetarëve më në zë të Vlorës si Osman Haxhiu, Et’hem Vlora, Spiro J. Koleka, Tol Filipi, Jani Minga, Hamza Isai, Halim Xhelo, Abaz Mezini, Tol Arapi, nënshkruar edhe nga parësia e qytetit dhe e krahinave më 24 shtator 1919, i dërguan një memorandum kryetarit të delegacionit anglez në Konferencën e Paqes në Paris z. Lloid Xhorxh, ku i shkruanin: “ Prej kaq shekujsh po vuajmë martirizime të tmerrshme për të fituar lirinë tonë dhe kemi derdhur pa pushim gjakun tonë kundër popujve invazorë dhe, megjithëse të dobët dhe të pakët si numër, nuk e kemi përkulur kurrë kurrizin dhe nuk kanë mundur kurrë të na sundojnë, duke treguar në shumë raste se edhe ne ishim të denjë për të jetuar të lirë dhe të pavarur si fqinjët tanë…” Ky memorandum iu dorëzua edhe komandës së ushtrisë italiane, gjë që e tronditi gjeneral Piacentinin. Më 28 Nëntor 1912, atdhetarët e Vlorës me në krye Osman Haxhiun, demonstruan tek xhamia e Tabakëve duke manifestuar për ditën e shenjtë të flamurit kombëtar. Ky manifestim dhe përleshja e vlonjateve me ushtrinë italiane nëpër rrugët e qytetit, e tronditi mjaft komandën e ushtrisë italiane. Në mbështetje të manifestimit të Vlorës u organizuan protesta e manifestime edhe në mjaft qytete të tjera të vendit, në Berat, Skrapar, Lushnjë, Gjirokastër, Shkodër, Krujë, Elbasan e gjetkë.

Kongresi i Lushnjës, janar 1920, me vendimet e veta, shënoi një kthesë të re në jetën historike shqiptare, ai hodhi poshtë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për copëtimin e trojeve shqiptare, duke rritur ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Në ditët e para të gushtit 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës, duke kuptuar rreziqet që po i kanoseshin fatit të Shqipërisë, lëshoi një thirrje ku kërkohej “një besë e përgjithshme” për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në këto kushte, pas Kongresit të Lushnjës, atdhetarët vlonjate u mblodhën në fshatin Armen më 23 shkurt, ku diskutuan për organizimin e rezistencës anti – italiane. Një rol të veçantë në organizimin e Luftës së Vlorës 1920 kundër pushtuesve italianë ka luajtur Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës dhe i krahinave të tjera në Mallakastër, Tepelenë, Kurvelesh, Gjirokastër e Përmet. Sipas Prof. Muin Çamit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua në Vlorë, më 10 mars 1920 “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të zgjidhej me armë…”. Këtë gjë e dëshmojnë në kujtimet e tyre edhe H. Xhelo, A. Agalliu, G. Iljazi, etj, të cilët shënojnë se “një muaj pas Kongresit të Lushnjës në Vlorë, në shtëpinë e Osman Haxhiut, u krijua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili kishte për qëllim përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Osman Haxhiu dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, në ditët e fundit të marsit dhe fillimin e prillit 1920, dërguan përfaqësuesit e vet në Mallakastër, Tepelenë, Berat e Përmet për të biseduar me parësinë e krahinave. Krahas kësaj veprimtarie, edhe Qeveria e Sulejman Delvinës, deklaroi hapur “Për marrjen e masave dhe sigurimin e pavarësisë së vendit dhe bashkimin politik dhe administrativ të krahinave.”

Në fillim të majit 1920, komanda e ushtrisë pushtuese italiane, duke parë përgatitjet për luftë që bëheshin në Vlorë dhe krahinat e saj, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, bëri arrestime dhe urdhëroi bllokimin e rrugëve që lidhnin Vlorën me krahinat. Nga ky shkak shpërthyen protesta e mitingje në qytete të ndryshme të vendit. Disa nga anëtarët e Këshillit Kombëtar propozuan që të bëheshin edhe bisedime me Komisar Kastoldin, por përfaqësuesit e Vlorës, Qazim Koculi e Spiro J. Koleka, kundërshtuan çdo marrëveshje që mund të bëhej në dëm të sovranitetit kombëtar dhe sidomos ndaj Vlorës. Më 18 maj 1920, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, dërgoi për bisedime në Tiranë, me Qeverinë e Sulejman Delvinës, një delegacion të përbërë nga: Osman Haxhiu, Rexhep Sulejmani dhe Gani Aliko. Pas takimit me Osman Haxhiun, në mbledhjen e senatit të 23 majit, kryeministri do të deklaronte: “Qeveria e jonë, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës…” Pas takimit me kryeministrin Sulejman Delvina, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u përqendrua në krahinën e Mesaplikut. Aty Osman Haxhiu mori dhe letrën e Sulejman Delvinës, i cili më 25 maj, e vinte në dijeni se Qeveria e Tiranës kishte ndërprerë marrëdhëniet me Komisar Kastoldin duke i deklaruar atij “bashkimin politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit.”

Më 29 maj 1920, në pllajën e Barçallait, të fshatit Dukat, u thirrën 200 përfaqësues të krahinave. Publicisti Halim Xhelo, në faqet e gazetës “Politika” e jep të gjallë kronikën e këtij kuvendi: “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29 maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…” Në Kuvendin e Barçallait u zgjodh edhe Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, për organizimin e luftës kundër pushtuesit: Osman Haxhiu (Kryetar), anëtarë: Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Luftës u zgjodh Ahmet Lepenica. Pas Kuvendit të Barçallait, sipas urdhrit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, forcat luftarake u përqendruan në pllajën e Beunit mbi Velçë. Më 2 qershor 1920, në Beun u zgjodh edhe Komisioni i Luftës i përbërë prej rreth 37 vetësh. Prej Beunit luftëtarët i dërguan një ultimatum Komandës së Trupave pushtuese italiane dhe gjeneral Settimo Piacentinit, në të cilin shënohej: “Sot, populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Evropës, si shpërblim italo-serbo-grek, vendosi të marrë armët në dorë dhe të cilat do ti dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare në Tiranë”. Ultimatumi, në radhët e tij, i kërkonte gjeneral Piacentinit përgjigje të prerë deri në orën shtatë të mbrëmjes, të datës 4 qershor 1920, për largimin e ushtrisë italiane nga Vlora. Luftëtari i shquar popullor Mehmet Selim Mallkeqi, mori këtë përgjigje nga gjeneral Piacentini: “Përgjigjen do t’ua japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…”

Në mbarim të afatit të Ultimatumit, Kryetari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, Osman Haxhiu, urdhëroi fillimin e luftimeve në Kotë, Gjorm, Llogora, të cilat pas luftimeve të përgjakshme ranë në duar të luftëtarëve. Në Luftën e Vlorës 1920, çdo fshat e krahinë, sipas traditës popullore, u organizua me çeta luftëtarësh, në krye të së cilave ishin kryetarët e tyre, nga atdhetarët dhe luftëtarët më të shquar popullorë. Krahas Vlorës, një kontribut të shquar dha Kurveleshi, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli, por edhe çetat e Çamërisë me Muharrem Rushitin dhe Alush Takën, çeta e Tiranës me Said Toptanin, si dhe çeta e Himarës me Nase Labin e Naqe Konomin. Në mbështetje të kësaj lufte, erdhën dhe 155 bashkatdhetarë nga Sh.B.A së bashku me Bandën Muzikore “Vatra”, me në krye kompozitorin Thoma Nashi, i cili kompozoi këngën e pavdekshme “Vlora –Vlora”. Në fazën e dytë të luftimeve kundër pushtuesit, në mes të qershorit, Komandant i Fuqive Vetëdashëse u caktua Qazim Koculi. Beteja e Drashovicës, e Vreshtave të Mëdha, Kalasë së Kaninës, Qafat e Vlorës, Batrovës, e Kuzumbabasë, dëshmuan qartë trimërinë dhe heroizmin e shqiptarëve për lirinë e atdheut të tyre. Humbjet e mëdha të ushtrisë italiane e detyruan Qeverinë e Romës të hynte në bisedime me shqiptarët. Bisedimet shqiptaro-italiane përfunduan më 2 gusht 1920, duke nënshkruar në Tiranë një protokoll, ku Qeveria e Romës “respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë.” Sipas këtij protokolli ushtria italiane u tërhoq nga Vlora brenda një muaji. Fitorja e Luftës së Vlorës, pasuroi më tej traditat luftarake e atdhetare të shqiptarëve. Krahas kësaj, në arenën ndërkombëtare, Protokolli i Tiranës, i dha një goditje të rëndë edhe pretendimeve të Romës ndaj protektoratit mbi Shqipërinë, që kishte kërkuar në Konferencën e Paqes. Lufta e Vlorës 1920, shkroi një epope heroike për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Me të drejtë publicisti Halim Xhelo në gazetën “Politika” të kohës, do të shkruante: “Kur në brigjet e Vlorës e të Kaninës binin dëshmorë për liri dhe në fushat e Koplikut, në Shkodër, në malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut kundër sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonim Atdheun. Viti 1920 është viti më i shënuar në përlindjen tonë, se pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrëshin, luftuan krah për krah kundër të huajve. Pra, nëse pati Greqia e moçme një Spartë dhe një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut.” Festimet e fitores së Luftës së Vlorës u bënë me madhështi më 3 shtator 1920.