Hyqmet Zane: 23 gusht si dëshmi edhe për genocidin grek mbi Çamërinë

341
Sigal

Kujtesa e viktimave të nazizmit dhe stalinizmit

Dita europiane në kujtim të viktimave të stalinizmit dhe nazizmit është një ditë e shënuar për të vlerësuar kujtesën e së shkuarës që të mos përsëritet në të ardhmen. Sa herë vjen 23 gushti,  menjëherë mendja më shkon tek vuajtjet e popullit shqiptar  nga viktimizimi që i krijoi diktatura staliniste dhe nazifashizmi. Por veçanërisht nuk mund të harroj popullatën çame  të martirizuar keqas në një shekull të tërë. Për fatin e keq kjo ditë e shënuar në kalendarin historik të ngjarjeve botërore, aq më shumë në Europë ku edhe jemi pjesë fizike e saj, kjo ditë sikur na është fshehur, edhe pse kemi kaq shumë për të thënë. Nuk e di se kush ndjehet keq nga ky fakt, por ne shqiptarët do të duhej që t’i kujtonim një herë vitkimat e nazifashizmit dhe të stalinizmit, si dora e zgjatur  në fatkeqësitë e kombit shqiptar. Aq më tepër ku bëhet fjalë për popullatën e Çamërisë. Çdo vit që kalon nga ai 27 qershor 1944, e bën më të qartë atë çfarë ka ndodhur në tokën e Çamërisë, por edhe qartëson përse u hesht dhe përse vazhdon të mos vihet dorë mbi një padrejtësi me çnjerëzore  emrin “genocid”. Edhe pse i pranuar nga vetë dëshmitarët okularë dhe komisioni i ngritur miks europian në atë vit që dëgjoi rrëfimet dëshpëruese dhe tronditëse të familjeve që vuajtën masakrat fashiste të shovinistëve grekë. Ishte një ngjarje që herë pas herë është pranuar edhe nga vetë akademikët grekë para disa vjetësh. E megjithatë, Greqia dhe qarqet progreke, vazhdojnë të mos flasin dhe të mohojnë këtë genocid që mori mijëra jetë njerëzish. Por krah kësaj heshtjeje ka edhe një Europë që përsëri hesht, edhe pse dihet dhe njhet që në Çamëri u shkelën mizorisht të drejtat e njeriut dhe pati masakra ndaj popullatës së pambrojtur civile çame. Janë ngjarje që janë tipike si ato të viktimave të nazizmit dhe të stalinizmit të cilat kujtohen në një datë të shënuar, siç është 23 gushti. Është për të ardhur keq që Greqia ka pasur Europën në mbështetje dhe krah për të qenë avokate e çdo padrejtësie që mund të bënin grekët, aq më tepër ndaj shqiptarëve. Akuzat me dëshmitarë dhe me fakte që grekët bënë ndaj çamëve janë absurdi që në shqiptarët e Çamërisë kemi 76 vjet që i dëgjojmë, por i dëgjojnë edhe kanceleritë europiane që gjithnjë e mbajnë peng genocidin grek në Çamëri, në mungesë të një projekti për të dhënë drejtësi. Dhe kur vjen ky 23 gusht i kujtesës historike, ndjen se sa hipokrizi ka në këtë botën europiane kur bëhet fjaël të japë drejtësi.

Që nga pushtimi i Shqipërisë nga Greqia pas padrejtësisë së Konferencës së Londrës më 1913 që e ndau tokën shqiptare në pesë pjesë, Çamëria është toka europiane që nuk është çliruar asnjëherë deri më sot. Edhe gjatë pushtimit fashisto-nazist të Greqisë 1940-1944, ligjërisht Çamëria nuk është bashkuar me Shqipërinë, siç u bë me Kosovën. Në këtë mënyrë, Ligji i Luftës që ende mbahet nga grekët midis Shqipërisë e Greqisë, nuk ka asnjë lidhje me ne shqiptarët e Çamërisë, sepse edhe në atë kohë ne ishim dhe ligjërisht ende jemi shtetas grekë, sepse Greqia nuk ua ka hequr zyrtarisht çamëve shtetësinë greke. Atë e hoqi arbitrarisht dhe brenda një nate, qeveria e Tiranës në vitin 1953, ku çamët ishin të vendosur si refugjatë. Nga ana tjetër edhe akuza greke ndaj çamëve, është një tjetër absurd dhe një padrejtësi që europianët e dëgjojnë dhe nuk reagojnë, kur arkivat europiane e dinë shumë mirë se cila është e vërteta e asaj që ndodhi në Çamëri 76- vjet më parë. E dinë këtë edhe arkivat e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë që e bënë këtë luftë, po aq sa edhe arkivat e Aleancës Antifashiste. Se si ka mundësi që të ndodhë një masakër çnjerëzore në mes të Europës dhe të mos kenë dijeni drejtuesit e shteteve, kur ata ishin në Korfuz, ishin në Janinë, ishin në Athinë, ishin në Shqipëri dhe kur vetë forcat e EAM-it e dinin se do të bëhej një genocid i tillë i spastrimit etnik.

Gjithashtu, duhet thënë se gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore në Greqi ka pasur vazhdimisht qeveri kuislinge greke dhe ata kanë administruar edhe Çamërinë. Ne çamët s’kishim si të ishim bashkëpunëtorë me pushtuesin, kur bashkë me pushtuesit gjermanë, ishte vetë  “qeveria greke” e Ralisit.  Pikërisht këto fakte dhe këto të vërteta, janë një gong i fuqishëm që komuniteti çam në Shqipëri, por edhe në SHBA i bie fort, por që përsëri heshtet, nuk thuhet asnjë fjalë, në një kohë që drejtësia europiane e Hagës e kërkon tanimë të kriminalizojë Kosovën për hatër të Serbisë, në një kohë që duhen gjetur  në çdo brimë ku të ishte futur kriminelët e Serbisë. Kjo Hagë europiane si edhe Stasburgu e dinë që Napoleon Zerva ishte një ideator dhe zbatues i politikës zyrtare greke me miratimin edhe të kishës greke, dhe nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme ,se si është e mundur që të ngrihet një monument në Çamëri, për një kriminel që ka vrarë foshnjat në bark të nënës, qoftë edhe për një rast të vetëm, e jo më për një popullatë të tërë 50 mijë vetëshe!

Nëse ka një shtet që bërtet më shumë në botë për respektimin e të drejtave të shtetasve të tij në botë, ajo është Greqia. Njëherazi e them me gojën plot, se nëse ka shtet që shkel me të dy këmbët të drejtat e njeriut brenda vendit të tij, ajo është Greqia. Çfarë emri i duhet vënë kësaj ? Për fatin e keq, çështja çame është njëra nga më të vjetrat në Europë e pazgjidhur dhe me një problematikë të gjerë. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon para së gjithave mirëkuptimin bilateral mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes komisioneve të përbashkëta që do të merren me trajtimin dhe gjetjen e pikave ku do të mbështeten për zgjidhjen e problemit.  Para së gjithash në mes dy vendeve, duhet të ekzistojë vullneti i mirë për futjen në agjendën zyrtare për zgjidhjen e çështjes çame veçanërisht nga Greqia. Një nga rrugët është edhe hedhja në gjyq e Greqisë për çështjen e pronave të çamëve të cilat duhet t’i kthehen të zotëve, por që kjo gjë nuk mund të ketë sukses me gjyqe individuale për shkak të shumë faktorëve që janë në disfavor të çamëve. E rëndësishme është të themi se kërkohet një dënim i genocidit të ndodhur në Çamëri në vitet 1944-1945, në fund të Luftës II Botërore dhe pranimi i tij nga shteti grek në mënyrë zyrtare. Por mospranimi nga ana e shtetit grek e këtij genocidi e vështirëson zgjidhjen. Hapja e kufijve përmes liberalizimit të vizave dhe hyrjes së Shqipërisë  në BE, është një shans që ndihmon në zgjidhjen e këtij problema, tashmë  76 -vjeçar. Duhet thënë gjithashtu se zgjedhja e një partneri ndërkombëtar të fuqishëm si SHBA, dhe ndikimi dhe mbështetja e tij për çështjen çame dhe njëherazi presioni ndaj shtetit grek për të pranuar çështjen në fjalë dhe zgjidhjen e saj, mendohet të jetë një nga rrugët efikase. Por demi duhet kapur prej brirësh dhe kjo do të thotë, se ne vetë si komunitet çam, kemi nevojë për një gjetje mes vetes, si me thënë duhet të lajmë zemrat para Zotit e me një zë të vetëm, duhet t’u themi botës se tani e kemi gjetur çelësin e aksionit politik dhe juridik.  Memorandumi si ai i  73- vjetëve më parë që Komiteti Antifashist Çam i drejtoi Lidhjes së Kombeve (sot OKB) shoqëruar me dosjen e krimeve dhe aftësimin e personave që do të jenë interlokutorët e saj në Hagë e Strasburg, në Bruksel e në Kongresin Amerikan, kërkon sot zbatimin e një rezolute si ai i 17- vjetëve më parë, nëse me të vërtetë ishte një rezolutë ligjore dhe jo një copë letër për t’u hedhur hi syve komunitetit çam.  Dhe e gjitha kjo kur Rezoluta e parë që doli nga Parlamenti Shqiptar, nuk dihet se në cilin sirtar të parlamentit ndodhet e harruar, e zhubrosur dhe pa asnjë efekt. Këtu më duket se qëndron sekreti i një nisjeje të mbarë në shërbim të zgjidhjes. Nuk është koha më për të qarë në Qafë Botë, por për të “qarë” nëpër botë tek shtetet që kanë zë e fuqi më shumë, për të dalë në krahun e drejtësisë së komunitetit çam. Kur heshtet edhe më 23 gusht për të kujtuar viktimat e nazizmit dhe të stalinizmit aljazh, enverizmit në Shqipëri, kësaj i thonë “e keqja nis nga vetja”.  Nëse për një moment do të mendojmë se e gjithë egërsia naziste dhe staliniste gjeti paqen e botës, drejtësia e atyre që bëjnë këtë paqe, duket se nuk po vepron edhe pas 76 vjetësh ndaj një shteti që u soll si nazist dhe stalinist bashkë ndaj popullatës së Çamërisë. Ja se si shprehet Aleksandër Lambert : “Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe Malit të Zi në kurriz të shqiptarëve. Asnjera nga Fuqitë e Mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare, kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, ata u lanë në baltë nga të gjithë”, që nuk ka nevojë për komente.