Hyqmet Zane: 20 shkurti i 4 datave; datëlindja e Havzi Nelës, pushkatimi i Patër Anton Arapit dhe Lef Nosit dhe rënia e diktaturës

31
Sigal

 

Prolog

Jo shpesh, por ndodhin koicidenca në jetën tonë, që krijojnë habi dhe mbeten në mendje të pashlyera. Bëj një paralelizëm me 20 shkurtin 1934 kur ka lindur mësuesi dhe poeti Havzi Nela, që u dënua me varje nga diktatura, pa harruar atë 20 shkurtin 1946 kur toga e pushkatimit vrau dy korifejtë e kombit si Patër Anton Arapi dhe Lef Nosi, por edhe atë 20 shkurtin 1991 kur revolta popullore shqiptare rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës: si i fundmi në Europë. Por kurrsesi nuk mund të shmang së fundmi atë protestë-revolte të 20 shkurtit 2024 kur shqiptarët përsëri duan të rrëzojnë një monument të gjallë të neodiktaturës që ka instaluar pinjolli i baballarëve stalinistë Edi Rama.

Pak retospektivë

Ishte fundgushti i 1988 dhe sapo kishim filluar të shkonim në shkolla mësuesit para fillimit të vitit shkollor. Sapo erdha nga shkolla ku punoja, u përshëndeta me babain e sëmurë nga vuajtjet dhe sakrificat dhe kur u qetësua më pyeti se si kalova nga puna. Dhe pa pritur përgjigjen time që e merrte me mend, shtoi :

Erdhi ai miku ynë nga Peshkopia vjehrri i Athinasë, (komshia jonë në Cërrik) që si me gjysmë zëri ma tha gjermanisht se në Kukës ka ndodhur një ngjarje, kanë varur në shesh një mësues se fliste e shkruante. Shenjë e keqe kjo, – më tha im atë me atë zërin e tij të bukur, por të mekur. Dhe menjëherë si për merak shtoi Ja shih, të kesh kujdes kur bën muhabete me shokët se mos të rrëshket goja e thua ndonjë fjalë se të vrasin këta (stalinistët e diktaturës e kishte fjalën). Janë bërë si të çakërdisur se u vdiq qafiri (për Enver Hoxhën e kishte fjalën) dhe tani nuk dinë nga ta kapin punën se popullit i ka vajtur në majë të hundës shtoi ai si me vështirësinë e të folurit nga azma.

E dëgjova me vëmendje dhe mbeta pa fjalë. U habita që im atë po më flsite aq troç, jo si herë të tjera që thoshte ndonjë sentencë historish.

Isha vetëm për vetëm me babain në dhomën ku ai rrinte shtrirë se azma ishte bashkëudhëtare e vuajtjeve komplekse. E qetësova, si për t’i thënë që të rrijë i qetë se nuk bëj muhabete me njeri, edhe pse herë pas here i jepja gojës. Pas nja dy muajsh im atë ndërroi jetë dhe pas nja dy vjet e ca u “var” edhe vetë diktatura. Në atë 20 shkurt 1991 u tërhoq zvarrë edhe statuja e diktatorit. Sot, nga një postim i të nderuarit Bujar Leskaj, deputet i PD dhe njëherazi edhe miku im, mora vesh se më 20 shkurt 1934 kishte lindur i pavdekshmi poet Havzi Nela.

Refleksione

Eh, thashë me vete, ky 20 shkurti i lindjes së një poeti dhe mësuesi, që ishte si pëllumb paqeje dhe ky tjetri 20 shkurt rrëzoi një diktator, por nuk ka rrëzuar ende filozofinë e një diktature, që sot mbahet në këmbë nga një pinjoll i etërve të ditkaturës që sot mbahet në këmbë nga patericat e një lobingu sorrist amerikan brenda administratës së DASH dhe që detyrimisht është implementuar nga ambasadorët.

Nëse do të ishte gjallë sot Havzi Nela do të duhej të festonte në sheshin e protestës datëlindjen e vet dhe rënies të diktaturës, që i mori jetën në moshën 54 vjeç. Kaq ishte mosha e babait tim kur e futën në burg dhe vuajtjet e tij e kishin bërë të nxirrte mësime dhe të më kujtonte se si fëmija i vetëm i tij të mos pësoja fatin e Havzi Nelës.

Sot Shqipëria është në një neodiktaturë, që e nisën me emrin “Rilindje”, por që varrosi shpresat e shqiptarëve, që do e kishte zili edhe vetë qafiri Enver, sepse Edi Rama doli më i zoti se bëri për vete sorristët amerikanë për të varur të ardhmen e këtij populli dhe që të ikë pa orientim nëpër botë me kokën varur rinia e tij me ndihmën e sjelljeve të një grushti sorristash në administratën e sotme amerikanë me Biden dhe Blinken që ndihmojnë bijtë e atyre që e shanë Amerikën dhe u vranë mijëra shqiptarë pse donin Amerikën, bënë burgje me mijëra e mijëra vite shqiptarë të pafajshëm dhe të tjerë që u internuan apo që nuk u dihen kockat se ku kanë rënë!

Të gjitha këto m’i kujtoi 20 shkurti i datëlindjes së poetit të dashur dhe të vdekjes së një diktature të urryer.

 

Epilog

Asnjë kujtesë nuk iu bë asaj ngjarje të 20 shkurtit 1946 kur u pushkatuan Patër Anton Arapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati (ish kryeministër në kohën e Italisë). Asnjë televizion nuk e pati në fokusin e tij atë ngjarje kur këtij kombi do i mungonin korifejtë e mirënjohur. Duket se edhe kjo është në vazhdën e pushkatimit të demokracisë dhe “varjes në litar” të të ardhmes së një kombi.

E megjithatë kujtesa historike nuk mund të zbehet nga interesat e disa të ashtuquajturve akademikë, që mund të merren me gjithçka të dorës së dytë, por jo me këto realitete që janë të spikatura.

Aldo Hakslej, një shkrimtar anglez dhe filozof jep disa konkluzione se : “Diktatura perfekte do ketë pamjen e një demokracie. Një burg pa mure ku të burgosurit nuk do ëndërrojnë të arratisen. Një sistem skllavërie ku falë zbavitjes dhe konsumit skllevërit do lëpijnë prangat e  tyre”. është një sinkronizim që po ndodh në Shqipëri.