Historia e Parasë dhe Bankave

1196
Sigal

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

 

Së fundi doli në qarkullim Monografia “Paraja, Bankat dhe Shoqëria” e Profesor Aristotel Pano dhe Profesor Anastas Angjelit. Kjo Monografi u promovua në ambientet e Bankës Qendrore të Shqipërisë, nga Banka Qendrore, Akademia e Shkencave dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Recensentë të saj janë Guvernatori, Zoti Gent Sejko dhe Prof. Muzafer Korkuti. Vlerësimet dhe konsideratat nga të pranishmit ishin me tone maksimaliste. Kjo Monografi e meritonte këtë shkallë vlerësimi.

Monografia e profesorëve Pano-Angjeli nuk ishte rastësore, ata kanë shkruar edhe një sërë monografish të tjera, ndër të cilat e vlen të përmendet monografia me titull “Ndërhyrja e Shtetit në Ekonomi”. Kjo monografi ishte dhe mbetet, një nga veprat më të mira dhe më të plota të analizës së tregut. Në monografi janë bërë analiza të situatës konkrete ekonomike, janë dhënë mendime e rekomandime, janë nxjerrë konkluzione të cilat pasurojnë më tej mendimin ekonomik shqiptar.

Prof Aristotel Pano është përfaqësues tipik i plejadës që themeluan mendimin ekonomik shqiptar dhe një nga pedagogët në zë të Fakultetit të Ekonomisë. Ai ka një aktivitet të spikatur për më shumë se 50 vjet si pedagog, shkencëtar, punonjës shkencor, publicist, etj. Është autor dhe bashkautor i një sërë monografive, ndër të cilat përmendim “Tregjet Financiare”, “Marksizmi nga shkencë në utopi”, Fjalorin me terma ekonomike” etj, etj. Profesor Pano i ka bërë një përkthim brilant veprës së J. M. Keyns “Teoria e përgjithshme e punësimit, interesit dhe parasë”, etj.

Prof Anastas Angjeli është nxënës, bashkëpunëtor dhe vazhdues i plejadës së ndritur të ekonomistëve shqiptar. Është anëtar i Akademisë së Shkencave Evropiane, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i shumë institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Është autor dhe bashkautor Monografish, tekste universitare, artikuj shkencor të publikuar në Revista shkencore ndërkombëtare. Është përkthyes i “Ligjëratat Nobel në Ekonomi” në disa vëllime. Së bashku me Profesor S.Ilminë është autor i tekstit të Parë “Financat Publike” në Shqipëri, publikues i Monografisë së Haxhi Shkozës, etj,. Pra nuk ishte rastësi bashkëpunimi Pano-Angjeli për të na dhënë një Monografi të një niveli ndërkombëtar, një Enciklopedi shumëdimensionale.

Në këtë analizë, në interes të publikut do analizojmë se çfarë të veçanta ka kjo monografi dhe pse është vlerësuar me tone maksimaliste, nga profesorë, studiues dhe pedagogë të universiteteve.

Monografia përbëhet nga II Vëllime, Vëllimi I ka 8 Krerë. Në Vëllimin I në Kreun I jepen sistemet e para monetare, në Kreun II, Sistemet monetare në Greqi, në Kreun III Sistemet monetare në Romën antike, në Kreun IV Sistemet monetare në perandorinë bizantine, në Kreun e V Sistemet monetare në perandorinë osmane dhe në Kreun VI Sistemet monetare në Evropë nga shekulli V deri në shekullin XVI.

Monografia ka strukturë të veçantë në krahasim me shumë monografi të tjera të fushës monetare, të cilat e bëjnë atë të veçantë dhe me interes. Veçojmë:

Monografia ka një shtrirje kohore shumë të gjatë, prej vitit 2250 para Krishtit dhe deri në ditët e sotme.

Monografia përfshin një territor shumë të gjerë të analizës së sistemeve monetare dhe të parasë, ajo fillon me Kodet e Hamurabit, me Mesopotaminë, Qytet-Shtetet e vendosura në Greqinë e sotme, me Republikat e shtrira në territorin e sotëm të Italisë, si Republikën e Venedikut, Xhenovës, Fiorentinës etj, kalon në perandorinë bizantine dhe përfundon në perandorinë osmane.

Monografia nuk fillon menjëherë me shtjellimin e sistemeve monetare, me lindjen e parasë dhe të formave të saj, por ajo fillon me përshkrimin historik të vendeve apo trevave që analizohen. Ajo analizon sundimtarët e kohës, sistemet ekonomike të kohës dhe analizën e sistemeve monetare dhe të parasë e bën pikërisht në këto kontekste.

Monografia nuk merret me analizën e lindjes si koncept veprimi dhe lehtësimi të qarkullimit të produkteve, me koincidencën e dyfishtë të parasë, nuk merret me guaskat, gurët, shigjetat, cigaret, drithin etj, etj, të përdorura si mete këmbimi. Ajo këto koncepte i përdor për të ilustruar veprimet e nevojshme pas lindjes së monedhave të para. Ajo jep të dhëna dhe fakte që pak njerëz dhe studiues i dinë, ose kanë lexuar për to.

Monografia ka vlera jo vetëm për përshkrimin e historisë së sistemeve monetare por edhe sepse autorët japin edhe specifikat e këtyre sistemeve, se çfarë inovacionesh ndodhën në këto vende, apo treva në fushën e bankave, në organizimin dhe drejtimin e tyre, në fushën e kontabilitetit e të parasë, në fushën e këmbimit, që vazhdojnë të funksionojnë, në bazë të tyre edhe në ditët e sotme.

Monografia ka vlera për studiuesit e arkeologjisë dhe të numizmatikës, sepse përfshin periudha kohore shumë të gjata dhe me një shtrirje që fillon nga Azia dhe përshkon gjithë Evropën, vendet më të zhvilluara të kohës. Ajo, në analizën e saj sipas periudhave shoqërohet me foto të monedhave dhe vendet ku janë zbuluar.

Autorët e fillojnë analizën me përshkrimin e shkrimeve kuneiforme në Mesopotaminë e lashtë, ata japin sipas autorëve të ndryshëm arsyet e lindjes së parasë, në vende të ndryshme të botës në kohë të ndryshme.“Shkak kryesor i lindjes së parasë primitive ka qenë nevoja e përballimit të vështirësive, të rrjedhura nga thellimi i ndarjes shoqërore të punës dhe shtimi i llojeve të produkteve që merrnin pjesë në këmbimin në natyrë, etj”.

Kush kanë qenë karakteristika të parasë primitive?

Së pari, paratë luanin rol të dyfishtë, nga njëra anë ato janë objekte material që mund të përdoren njësoj si të gjithë mallrat e tjerë, dhe nga ana tjetër një instrument ekonomik me funksione të caktuara monetare.

Së dyti, përdoren për shprehjen e nivelit të çmimeve të mallrave të tjera në një ekonomi që ruan akoma elemente të ekonomisë natyrale, së treti, në krahasim me paratë e sotme paratë primitive kanë një shumë llojshmëri të madhe, që nga produktet e zakonshme ushqimore e deri në bizhuteritë më artistike metalike”.

-Vendi i parë që përdori paranë primitive në formën e metaleve të peshuara ka qenë Kapadokia, në pjesën Qendrore të Azisë së sotme. Kapadokia ka qenë atdheu i popullsisë Hitite, kjo popullsi që nga vitet 2250-2150 kishte përdorur lingotat e arit dhe të argjendit për shlyerjen e detyrimeve.

Në mbretërinë e Lydias, në Azinë e Vogël, mbreti Alyattes (shek. V-VI para erës së re) preu monedhën e parë quhej Electrum trite (4.71gr me përmasa 13/10/4mm). Në këtë periudhë monedhat kishin raportin 55/42/3 ar, argjend dhe të tjera. Monedha ishte e stampuar në një anë me një kokë luani. Monedha të tilla janë gjetur në Tempullin e Artemisit në Efes më 1908. Pas Alyattes në Lydia erdhi mbreti Krisos, (560 per) i cili ka meritën se nga sistem monometalik e ktheu bi metalik. Ndaloi prerjen e Electrumit dhe urdhëroi prerjen e monedhave të pastra prej ari dhe argjendi. Luani ishte stampuar në monedhën e arit, ndërsa bualli në monedhën e argjendit, luani përfaqësonte diellin ndërsa bualli përfaqësonte hënën. Për shkaqet e lindjes së monedhave autorë të ndryshëm kanë dhënë tre motive:

Teorinë komerciale,

Teorinë e pagesave dhe

Teorinë fiskale.

-Greqia antike ka historinë e vet në fushën monetare dhe të parasë. Antikiteti grek ka filluar që nga vitit 800 p.e.r. Ka kaluar tre etapa, periudhën arkaike, periudhën e lulëzimit klasik të ekonomisë së tregut dhe periudhën e pushtimit romak. Për herë të parë në periudhën arkaike(Ksenofonata) përmenden termat ekonomia dhe ekonomisti, si administrim i ekonomisë shtëpiake, nën shembullin e administrimit të një ferme private në rrethinat e Athinës.

Një nga paratë primitive të përmendura të Iliada është Tallanto, pllakë metalike që peshonte 26 kg me përmasa 60/34cm. Kjo ju jepej edhe fitimtarëve në ndeshje, por këtu rolin e parasë e luanin edhe produktet ushqimore si në trevat e tjera. Më e përhapur ka qenë sëpata dhe 6 shtiza. Shtizat u përdorën si monedha dhe pesha e një shtize shërbeu për peshën e një Drahme. Vetë fjala dhrahmi simbolizon aftësinë e pëllëmbës së dorës për të mbajtur të shtrënguar 6 shtiza që quheshin Obolla.

 

Cilat ishin karakteristikat kryesore të antikitetit grek?

 

            E para, shtimi veprimtarive tregtare dhe përdorimi monedhës në të gjitha funksionet e saj në veprimtarinë e njësive ekonomike, të financave publike dhe veprimtarive bankare.

            E dyta, rritja e ekonomisë dhe e investimeve publike.

            E treta rritja e mirëqenies dhe e pabarazisë ekonomike. Në vitin 431 Athina kishte 305 mijë njerëz, 39.4% skllevër, 52.4% qytetarë të lirë.

Në vitin 517 u morën këto masa;

Dhënia hua me norma të ulëta fshatarëve,

vendosja e tatimit mbi të ardhurat 10%,

inkurajimi eksporteve dhe importeve,

financimi ndërtimit të rrugëve nga shteti, etj.

 

Monedhat e para në Athinë

 

Monedhat e para në Athinë janë prerë rreth vitit 545 p.e.r. U quajtën drahma me peshë 4.3 gr. Në faqen e parë ishte perëndesha Athina dhe pas ishte një kukuvajkë. Këto e kanë shoqëruar Athinën për rreth 5 shekuj. Kukuvajka mendohej se zotëronte mençuri dhe fat. Athina zotëronte minierën e Lavrios, e cila prodhonte argjend që në 520 p. e. r. Athina kryesonte një aleancë ushtarake me 140 shtete, i shtoi monedhës së saj Tetra dhrahminë dhe Deka dhrahminë. Monedhat e stilit të vjetër u ndanë në tre grupe në raport me dhrahminë.

            Sparta në 431 i shpalli Luftë Athinës dhe u bë beteja e Peleponezit që zgjati 30 vjet. Fitoi Sparta dhe Athina u detyrua:

Të shkrijë disa monumente të arta të Akropolit. Me këtë ar preu monedha të arta.

Athina ktheu një pjesë të arit në argjend dhe prodhoi tetra dhe dekadhrahma (406) bronzi të lyera me argjend. Ky ishte falsifikimi parë i monedhave që satirizohej nga Aristofani.

Athina uli pagat e ushtarakëve deri në 33.2% nga mungesa e mjeteve monetare.

U morën masa për rindërtimin e ekonomisë.

Sparta në shek V kishte 252 mijë banorë prej të cilëve mbi 50% ishin skllevër. Likurgu (V) ishte në nga shkruesit e Ligjeve të Spartës.

Një nga qytet shtetet e asaj kohe ishte edhe Aegina Korinthi me monedhën e tij. Aegina ka qenë qyteti i parë në Greqi dhe në Evropë që në vitin 540 p.e r, ka prerë monedhë me simbolin e vet të fuqisë detare që ishte breshka e detit. Ky sistem përmbante të gjitha nën ndarjet e staterit. Korinthi u bë qyteti më i pasur i Antikitetit. Aleksandri I mbretëroi 45 vjet (495-454), ndërmori reforma në organizimin e shtetit dhe të ushtrisë. Preu Okta dhe Tetra drahmen. Në stampime ka pasur kuaj dhe përkrenare. Më vonë në stampim ka qenë portreti Filipit II. Shpenzimet e Aleksandrit të Madh në luftën me Persët shkojnë 6014 milionë dollar me kursin e sotëm. Aleksandri nga thesari i qytetit Persopoli mori 2500 ton flori duke krijuar sistemin më të famshëm monetar të kohës, monedha unike që qarkullonin që nga Ballkani deri në kufijtë e Indisë. Aleksandri krijoi një sistem bimetalik. Në bazë të sistemit të tij kishte Staterin dhe nën dhe shumë) fishat e tij.

Veprimtaritë Bankare

 

Kalimi nga periudha arkaike në atë klasike greke bëri që monedhat të kryenin funksionin e tyre si njësi llogaritjeje dhe matëse e vlerës së mallrave, si instrument shkëmbimi e mjet pagesash, si mjet grumbullimi i thesareve. Monedhat filluan të përfaqësohen nga këmbyesit, depozituesit e huazuesit e parave që në antikitet u quajtën Trapezites, që do të thotë Bankierët.

Në antikitetin grek ekzistonin rreth 1500 qytet-shtete dhe secili ka prerë monedhën e vet, me simbolet dhe standardet përkatëse. Sot dokumentohen 150 monedha të qytet-shteteve të pavarura. Fillimisht monedhat ruheshin në Tempujt e shenjtë që nuk kërkonin dhe nuk merrnin pagesë. Në këtë periudhë kohe skllevërit bënin shkëmbime dhe nëpërmjet këtyre parave fituan lirinë e tyre.

Sistemi Monetar i Perandorisë Bizantine

 

Perandoria Bizantine ka qenë një perandori 1000 vjeçare. Monedha e saj Solidos është quajtur si “dollari mesjetës”.

Një nga pikat më të forta të kësaj perandorie ishte vendosja e kryeqytetit Kostandinopojës(527-565), nga Kostandini i Madh. Kostandinopoja me Solidosin e saj u kthye në qendër tregtare dhe luksi për gjithë Azinë dhe Evropën.

Pika e dytë e fortë ishte sistemi shtetëror i centralizuar që bazohej në pushtetin absolute të Perandorit.

E treta ka qenë aftësia diplomatike e specialistëve të saj të cilët përdornin edhe thesarin shtetëror.

Rol të rëndësishëm ka luajtur Perandori Anastas i cili u bë themeluesi i Sistemit Monetar të Perandorisë Bizantine. Reforma e tij konsiston:

Përforcoi dhe përmirësoi sistemin financiar dhe monetar, duke e vënë plotësisht në shërbim të rritjes ekonomike, të mbrojtjes dhe mirëqenies së vendit.

Përmirësimin e legjislacionit financiar dhe krijimin e një administrate me kompetenca të plota dhe mirëpërcaktuara.

U hoq dorë nga arkëtimi në natyrë.

Anulimin e tatimit të padrejtë për frymë të profesionistëve të qytetit.

Hoqi tatimin mbi ajrin që u vihej në formë gjobe shkeljeve në ndërtim.

Ndryshoi objektin e të ardhurave të tatueshme dhe sigurimin e fondeve suplementare buxhetore për financimin e veprave publike. Një financim i tillë ishte edhe muri rrethues i Kostandinopojës.

Mori masa në përmirësimin e sistemit financiar e monetar të themeluar nga Kostandini i Madh.

Monedha Solidos do pritej vetëm në ar 24 karat.

Në sistemin e standardit të arit Anastasi vendosi jo vetëm Solidosin, por edhe monedhat e tjera në raporte të caktuara, ky ishte një raport peshash.

Anastasi preu monedhën e re prej bronzi të quajtur Nummo.

 

Sistemi Monetar i Perandorisë Otomane

Në 1327 u printua monedha me emrin Akçe nga Sulltan Orhani. Në fushën monetare Mehmeti II pas Sulltan Orhanit, veproi në dy drejtime:

Inkurajoj përdorimin e gjerë të monedhave të forta të huaja për pagesën e detyrueshme ndaj shtetit, transaksionet e brendshme dhe të jashtme ndërkombëtare,

Aplikoi në të gjithë perandorinë monedhën Akçe. Krahas Akçes u pre edhe monedha Mangir. Në 1478 hodhi në qarkullim monedhën “Sulltan” kështu ajo përdorte, Sulltan, Akçe dhe Mangir.

            Sulejmani i Madhërishëm në 1500 bëri një sërë reformash në të gjitha fushat. Sulejmani hapi pranë xhamive shkolla, shoqëri kulturore, përkrahu artin, arkitekturën. Kjo periudhë u karakterizua edhe nga një qëndrueshmëri monetare e paparë. U forcua Sulltani ndaj Akçes nga 1/40 në XV në 1/54 në XVI.

            Perandoria Otomane ka një karakteristikë;

Në asnjë monedhë nuk ishte portreti Sulltanëve, kafshë apo shpendë. Kjo sepse ndalohej në mënyrë kategorike nga Kurani.

Këto kanë firma dhe shenja sekrete. Njëra ka shkrimin “Orhan i biri i Osmanit”.

Monedhat me mbishkrime të njëjta kanë pesha të ndryshme sipas punishteve ku ishin prodhuar.

Sulltan Mustafaj dhe Sulltan Ahmedi III në 1705 kuptuan se fuqia e monedhës nuk mund të vendosej dot më. Sulltan Mustafaj II bëri reformë në sistemin monetar që përfundoi në 1720. Në 1690 holandezët kishin hedhur sasi të madhe monedhë polake zlloti që ishte sa ¾ e Thalerit Holandez. Në fillim të Shek XVIII u prodhua një monedhë e madhe prej argjendi që mori emrin “Kurush” (përshtatje lokale e fjalës gjermane grosh). U prodhuan (nën dhe shumë) fisha të kurushit. Me përfundimin e reformës dhe me Kurushin bimetalik të pranuar nga populli u krijuan kushte për stabilizimin monetar. Lufta kundër Rusisë dhe Lufta kundër Egjiptit krahas rezistencës së vendeve Ballkanike shtuan rënien ekonomike të Perandorisë Osmane. Ato sollën një zhvlerësim drastik të monedhës Kurush.

Në 1839 Sulltani Abdulmeçit I shpalli Dekretin Imperial “Ligjin organik të sallonit të trëndafilave”. që premtonte reformimin e Perandorisë Otomane në shumë fusha të jetës dhe të institucioneve ekonomiko-shoqërore. Në 1843-1844 u vendos që paraja prej ari të emërohet Lira, 1 Lirë =100 Kurush. Lira dhe kurushi kishin (nën dhe shumë) fishat e tyre. Në 1850 Qeveria filloi të emetojë dhe të shesë Bono Thesari me një vlerë 500 kurush me afat 8 vjeçar. Këto quheshin Kaime dhe fillimisht shkruheshin me dorë. Këto u përdorën si mjet pagese dhe për huamarrje. Kaimet u shtypën edhe si monedha me vlerë nominale 20 kurush. Pas luftës së Krimesë në 1854 gjendja u përkeqësua, Qeveria u fut në bisedime me bankierë francezë e britanikë për themelimin e një banke me një kapital anglo-francez që do merrte monopolin e emetimit të monedhave në perandorinë otomane dhe do t’i siguronte asaj hua të jashtme. Sipas Marrëveshjes Qeveria e Perandorisë Otomane i dha bankës private anglo-franceze koncesionin e Bankës Qendrore të Perandorisë. Në 1863 ajo filloi veprimtarinë si bankë Qendrore e Perandorisë me emërtimin “La Banque Imperiale Ottomane”. Kjo Bankë çeli edhe në territoret shqiptare filialet e saj. Në 1876 Qeveria e Perandorisë Otomane, Veziri i Madh Mahmud Nedin Pasha, do shpallte moratoriumin e njëanshëm në lidhje me detyrimet e saj të jashtme. Turqia u detyrua të paguante dëmshpërblime Rusisë sipas Traktatit të Shën Stefanit. Në këtë periudhë u fut sistemi ndërkombëtar i standardit të arit, ai lindi pa ndonjë marrëveshje shtetërore, por vetëm me kërkesat e tregut. Në vijim monografia vazhdon me Republikat e Italisë, ndërsa në pjesën e dytë flitet për sistemin bankar pas viteve 1800 deri në ditët e sotme.