Hazbi M. Shehu: Koço Plaku Pushkatohet me këngë në gojë!

219
Sigal

Kolegu im i kabinetit Koҫo Plaku dhe Milto Gjikopulli u pushkatuan, ndërsa Thanas Nasto, Beqir Alia, Protoko Murataj, etj., u dënuan me nga 23-25 vite burg.

Hazbi M. Shehu, Inxh. Gjeolog Nafte, Prof. Doktor i Shkencave Gjeologjike, ish shef i kabinetit të perspektivës për kërkimin e naftës. Instituti Studimeve dhe Kërkimeve Gjeologjike të Naftës Fier

Sipas të burgosurve politikë, Inxh. Gjeolog Nuredin Skrapari, shefi i kabinetit të projektimeve të puseve për naftë dhe gaz në ish-Institutin e Kërkimeve Gjeologjike, si dhe bashkëpunëtori i vjetër shkencor Inxh. Gjeolog Koҫo Plaku janë pushkatuar nga diktatura duke kënduar këngën: “Ngrihuni ju o të munduar. Unë po shkruaj, që ata dhe të tjerët të “ngrihen” nga varri në këmbë dhe të marrin frymë lirisht nga padrejtësitë, që ju janë bërë!

Kolegu im i kabinetit Koҫo Plaku dhe MIlto Gjikopulli u pushkatuan, ndërsa Thanas Nasto, Beqir Alia, Protoko Murataj, etj., u dënuan me nga 23-25 vite burg, por dhe këta si rrjedhojë i torturave në burg nuk jetuan gjatë në liri. Meqë unë jam gjallë do të paraqes faktet për punën madhështore të specialistëve të kabinetit në kërkim-zbulimin e vendburimeve dhe në rajonet perspective, që hodhën dritë për zbulimin e fushave të reja naftëgazmbajtëse dhe e renditën Shqipërinë një ndër vendet e pasura të Europës në nxjerrjen e hidrokarbureve. Unë kam punuar në Institutin Gjeologjik të Naftës që nga themelimi i tij në vitet 1964-65 në Qytetin e Kuҫovës dhe derisa u mbyll në vitin 2007 nga Qeveria Berisha. Lidhur me studimet gjeologjike, studimet përgjithësuese, projektimin e puseve dhe zbulimin e vendburimeve të reja të naftës, unë jam vlerësuar me urdhër pune nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë mbi zbulimin e vendburimit Cakran me pusin Ca-12, që shpërtheu fontan të hapur dhe që shënoi zbulimin e tij. Po ashtu, jam lauruar me ҫmimin e republikës për studimet gjeologjike për kërkim-zbulimin e vendburimeve në strukturën karbonatike Patos Verbas me pusin 662, që hapi perspektivën e mëtejshme të kërkimit në gjithë fushën naftëgazmbajtëse nga Marinëza deri në Bubullimë-Kolonjë, si dhe për rajonin e Drashovicës etj. Si studiues, unë jam vlerësuar gjithashtu edhe nga qëndra ndërkombëtare shkencore, Instituti Amerikan i Studimeve dhe Vlerësimeve, i cili vlerëson njerëzit e shquar të shkencës në rang botëror, ku më kanë vlerësuar si një nga gjeologët e shquar në botë. Prej kaq vitesh, Ministria Energjitikës, jo vetëm që nuk e ka vlerësuar kurrë punën dhe studimet shkencore të specialistëve të Institutit Gjeologjik të Kërkimeve të Naftës dhe gazit, si dhe atij Teknologjik apo të nd/jeve të kërkimit dhe nxjerrjes, por pjesën më të madhe të këtyre studimeve kryesore bashkë me analizat, apo të dhënat faktike të puseve të shpuar, që kanë të bëjnë me vendburimet ekzistuese dhe ato mbi rajonet perspektivë të përgatitura me punime të kompleksit dhe studime gjeologo-gjeofizike, janë dhuruar ose shitur kompanive të huaja me para nën dorë. Ky është një krim i pastër në fushën ekonomike, që ata që e kanë kryer, jo vetëm specialistë të instituteve qofshin, por dhe të administratës shtetërore, që janë rritur dhe edukuar me paratë e popullit, duhet të përgjigjen ligjërisht.

Konkretisht i vetëquajturi “ekspert” Stavri Dhima, i cili ishte edukuar për mësues fizike dhe nëpërmjet teserave të partive shumëngjyrëshe, manovroi, deri sa arriti në Ministrinë e Energjitikës dhe drejtoi për mbi dy dekada sektorin më të rëndësishëm të saj, atë të hidrokarbureve, duke mos qënë as gjeolog apo i ndonjë specialiteti tjetër në fushën e naftës. Përveҫ këtyre manovrimeve mafioze, ai paraqitet nëpër studio televizive të ndryshme pranë qeverisë, si përfaqësues i punimeve gjeologjike dhe prezanton perspektivën naftëgazmbajtëse në Rajonin Plashnik-Sqepur (Shpirag), bile arrin deri aty sa llogaritë edhe rezervat apo prodhimin e naftës dhe gazit që do të nxirret nga vendburimi i ri i Shpiragut, të cilin Kompania Konҫesionare Shell, zyrtarisht nuk e ka shpallur akoma. Dhurimi ose shitja e veprave shkencore të specialistëve gjeolog dhe teknolog të instituteve të naftës, konsiderohet vjedhje dhe dënohet me ligj, bazuar në gazetën zyrtare nr. 04/L-065 mbi të drejtat dhe mbrojtjen e autorit. Deri tani drejtësia e re ka heshtur, por është detyrë e saj që të mbrojë të drejtat e autorëve të veprave shkencore të specialistëve të instituteve. Specialistët e instituteve të naftës kanë kryer studime shkencore gjeologjike dhe teknologjike, ato janë veprat e tyre dhe mbajnë erë djersë dhe gjak. Ata në vënd që të nderoheshin dhe dekoroheshin, u pushkatuan dhe burgosën nga sistemi i kaluar, ndërsa ky sistem 33 vjeҫar i vodhi dhe mohoi punën apo rolin e tyre, ky ishte vlerësimi që ata muarën në varrin e përjetshëm. Këta njerëz të Ministrisë Energjitike dhe dikastereve të saj nuk u mjaftuan me dhurimin dhe shitjen e studimeve për zonën rreth Shpiragut, në Sqepur dhe Bistrovicë, por tani i kanë dhuruar apo shitur edhe studimet e specialistëve gjeolog të Institutit Gjeologjik të Naftës, Kompanisë Italiane ENI për zonën e Dumresë, sepse si erdhi kjo kompani direkt në atë zonë, nga e dinte ajo se atje ekzistonte ky rajon me perspektivë për naftëgazmbajtje. Këtë e ka pohuar me gojën e tij, në studiot televizive, ish-përfaqësuesi i sektorit të naftës në Ministri “eksperti” Stavri Dhima.

Më poshtë po paraqes studimet përgjithësuese kryesore dhe projektimet e bëra nga specialistët gjeolog të Institutit Gjeologjik të Naftës, Fier, në rajonin e Dumresë, ku aktualisht po kryen punime Kompania Konҫesionare Italiane ENI. 1 – Përgjithësimi i të dhënave gjeologo-gjeofizike i rajonit të Dumresë, datë 25/6/1968 me numër iventari 558, autor: Hazbi Shehu,Thanas Nasto, Begë Canaj, Kozma Lino.

2 – Përgjithësimi i materialeve gjeologo-gjeofizike i rajonit Dumresë në kompleks me shfaqjen e gipseve në pjesën jugore të vendit, për të sqaruar gjeologjinë e rajonit, datë 26/6/1970 me numër iventari 626, autor: Hazbi Shehu, Minella Mato, etj. Paskam sakrifikuar shumë dhe nuk e kam ditur, kam harruar problemet e familjes dhe në fund ҫfarë fitova vetëm dekorata, urdhëra pune dhe vlerësime, me ҫmimin e republikës, vlerësime nga qëndra ndërkombëtare në Kembrixh (Angli), Instituti Amerikan etj., e ҫfarë shpërblimi në para fitova?, Asgjë! Ja ky është shkurtimisht bilanci i jetës, punova me vite të tëra nëpër male për studime. Kurse Stavri Dhima një mësues i thjeshtë me manovrat e partisë arriti në majat e ministrisë dhe pa shkollë gjeologjie, pa punime e studime gjeologjike, është bërë i pasur dhe sot përfaqëson gjeologjinë si kryespecialist i saj nëpër studio televizive. Këto janë faktet e jetës së rreme! Po e paraqesë këtë shkrim, jo vetëm në kujtim të sakrificave të jashtëzakonshme që bënë kolegët e mi të kabinetit të projektimit të puseve për kërkim-zbulimin e naftës dhe gazit, por edhe si një dokument, pamflet, për të gjithë popullin tone, sepse specialistët gjeolog të Institutit Gjeologjik të Kërkimit Naftës dhe ata të Institutit Teknologjik, janë bijtë e tij dhe se studimet i kanë kryer me parat e popullit fukara për të zhvilluar ekonominë e vendit tonë dhe me këto studime janë zbuluar disa vendburime hidrokarburesh, që u janë falur të huajve dhe oligarkëve të qeverisë, por gjithashtu janë lokalizuar disa vendburime prognozë, të gatshëm, ku prej kaq vitesh vijnë vërdallë kompanitë e huaja konҫesionare dhe nuk po arrijnë dot t’i zbulojnë ato.