Në qershor të vitit 1944 në fshatin Lavdar të Oparit u krijua “Ansambli Artistik Partizani i qarkut Korçë

839
Sigal

Nga Vepror Hasani

Vijon nga numri i kaluar

Për herë të parë, historiku i plotë i Korçës, rrëfyer nga Koço Qendro

TETARI PAS ÇLIRIMIT

Në qershor të vitit 1944 në fshatin Lavdar të Oparit nga Këshilli Nacionalçlirimtar i qarkut Korçë u kërkua krijimi i teatrit partizan për gjithë qarkun dhe ngritja e grupit të korit, të cilët do të mbanin një emër të vetëm: “Ansambli Artistik Partizan i qarkut Korçë”. Pranë këtij ansambli u afruan njerëz me përvojë, si Dhimitër Trajçe, Aleko Skali, Andon Pano, Sokrat Saraçi, Ollga Kraja, Vefi Cicko, Pandi Kerenxhi, Raqi Tërpini, Misto Nuke, Misto Grabocka, Vangjel Kolevica etj. Regjisori i teatrit u caktua Sokrat Mio, kurse dirigjent Gaqo Avrazi. Shfaqjet e para të këtij ansambli u dhanë në fshatrat Lozhan, Bofje, Opar, Lavdar, Mazrekë etj. Megjithatë mund të thuhet se nuk mbeti fshat ku nuk shkoi Ansambli Artistik. Tashmë misioni i Ansamblit Artistik Partizan i qarkut Korçë, kishte përfunduar. Sokrat Mio u emërua regjisor i Teatrit Popullor në Tiranë. Këngëtarët e korit krijuan bërthamën e korit të ushtrisë. Dirigjent do të ishte sërish Gaqo Avrazi. Pjesa tjetër e ansamblit u kthye në Koçë në nëntor të vitit 1944. Dhimitër Trajce me porosi të Behar Shtyllës duhej të merrej me organizimin e teatrit të Korçës. Aktivitet në qytetin e Korçës nisën po atë vit. Shfaqjet jepeshin ose te “Shtëpia e rinisë”, ose të klubi i sindikatave “Naim Frashëri” ose nëpër lagjet e qytetit. Gjithashtu  kishin nisur të spikatnin aktorë dhe këngëtarë të rinj. Mes tyre do të dalloheshin për talentin Vangjel Grabocka, Andrea Thano, Lefter Sofroni, Vasil, Ballço, Fori Tërpini, Dhorkë Sheri, Nuçi Shedollari, Pandi Paramoni, Qefsere Kushe, Valentina Asllani, Pandi Raidhi, Nasta Sofroni, Ksanthipi, Ricka, Martha Burda etj. Drama e parë që u vu në skenë ishte “Armiku i Popullit” e H. Ibsenit me regji të Dhimitër Trajçes, e cila për herë të parë ishte luajtur në Korçë që nga viti 1937. Kjo shfaqje u dha më 11 prill të vitit 1945. Disa vjet më vonë, në vitin 1950 do të krijohej teatri profesionist i qytetit të Korçës
TEATRI PROFESIONIST I KORÇËS

Më në fund Korça do të kishte teatrin profesionist të saj. Trupa teatrore do të përbëhej nga 18 veta. Dhjetë prej tyre do të ishin aktorët më të mirë profesionistë që mund të kishte Korça, ndërsa 8 të tjerët aktorë gjysmëprofesionistë. Edhe këta të fundit do të përzgjidheshin ndër më të mirët. Për zbulimin e tyre u ngarkua një grup pune që kryesohej nga aktori Dhimitër Trajçe, këtij të fundit nëpërmjet Behar Shtyllës iu ngarkua detyra e organizimit të teatrit në këtë qytet. Teatri i viteve ’30, që kishte patur një farë emri në Korçë, nuk ekzistonte më. Sokrat Mio që kishte udhëhequr aktorët e atyre viteve, kishte filluar punë në Teatrin Popullor në Tiranë. Aktorët ishin shpërndarë që nga koha e luftës dhe nuk u bënë dot më bashkë. Për këtë arsye, Trajçe nisi të ndiqte me kujdes çdo shfaqe që jepej nga grupet amatore, si “Shtëpia e rinisë”, klubi i sindikatave “Naim Frashëri” etj. Megjithatëende nuk e kishin një regjisor profesionist, dhe kjo i mundonte të rinjtë. Trajçe vazhdonte të ndiqte me vëmendje grupet teatrore të të rinjve të sindikatave, të nxënësve etj, mbante shënime, shënonte emra aktorësh amatorë, bënte vlerësime për ta. Synonte vetëm një gjë: të zgjidhte më të mirët. Vangjel Grabocka, Lefter Sofroni, Andrea Thano etj do  të ishin pjesë e 10 aktorëve më të mirë. Përveç Neki Shkabës, Pandi Raidhit, Stavri Shkurtit, kishin nisur të binin në sy edhe aktoret femra: Qefsere Kushe, Valentina Asllani, Martha Burda etj. Më 8 prill 1945 u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Henrik Ibsenit, përkthyer nga Fan S. Noli. Rolin e doktor Stokmanit e luajti Vangjel Grabocka, ndërsa atë të zonjës Stokman, Krisanthi Bicka. Edhe vetë Trajçe spikati në lojën e tij aktorale.

SOKRAT MIO

Më në fund edhe Sokrat Mio u kthye në Korçë. Pas ardhjes së tij, më 16 nëntor 1945, u shfaq drama “Mbrëmja e madhe” e Leopold Kompf! Më pas erdhën shfaqje të tjera edhe më të bukura, edhe më cilësore. Më 26 qershor 1947 u shfaq “Dasma”, me skenar dhe regji të Dhimitër Trajçes. Pati mjaft sukses. Gjithsesi, edhe Trajçe ishte në fillimet e karrierës së tij. Pastaj, më 11 nëntor 1947, u dha drama “Çështja ruse”, e Simonovit. Skenograf i shfaqjeve vijonte të mbetej Vangjush Mio, i cili gjithnjë arrinte të sillte një dekor mbresëlënës. Pandi Raidhi luajti rolin e pronarit të shtypshkronjës. Më 1 dhe 2 mars 1948 u dha në kinema-teatër “Morava” drama “Përralla e malit” e Pushkinit dhe komedia “Një propozim për martesë”, e Çehovit me regji të Sokrat Mios. Gjithashtu në vijim u dhanë të tjera shfaqe, variete, komedi dhe drama, si: “Të rit e baballarëve”, “Nën gështenjat e Pragës” “Ishulli i paqes” etj, Përzgjedhja e aktorëve u bë më 22 qershor 1950. Sokrat Mio e pëshkruan kështu këtë ngjarje të madhe: “Më 22 qershor të vitit 1950, në kinema “ Morava ” të qytetit u zhvillua ceremonia e krijimit të teatrit profesionist të Korçës. Për këtë ceremoni gazeta “Zëri i Popullit” në artikullin e datës 24 qershor shkruan: “ Më 22 qershor 1950 në kinema “Morava” të qytetit të Korçës të mbushur plot e për plot me amatorë e artdashës u zhvillua ceremonia e themelimit të teatrit profesionist të qytetit. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe udhëheqësit e partisë dhe të shtetit…”. “…Ceremonia u çel me ekzekutimin e Himnit të Flamurit tonë kombëtar” “ …

PËRMBYSJA
DRAMA E PARË E TEATRIT PROFESIONIST

Drama e parë e tyre si trupë profesioniste ishte “Përmbysja” me regji të Sokrat Mios, e cila u shfaq më 22 qershor të vitit 1950 në kinema-teatër “Morava”. Shfaqja e kësaj drame që hyri në historinë e artit skenik korçar si shfaqja e parë e teatrit profesionist të këtij qyteti me tradita në këtë art, ruan emocione që nuk mund të harrohen. Sokrat Mio e përshkruan kështu, ku ndër të tjera thotë: “… Ç’po ndodhte me ne!… Një ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar na kishte përfshirë të gjithëve! Teatri ynë u bë profesionist!… ëndrra jonë e madhe u bë realitet! Të gjithë ne që tërë jetën ia kishim përkushtuar skenës Korçare është pak të them se punonim, por fluturonim në skenë!… Pa humbur kohë, menjëherë filluan provat për premierën e parë. Pjesa ishte zgjedhur, rolet u ndanë, skicat e dekoreve dhe kostumeve u ishin dhënë piktorëve Vangjush Mio dhe Kostaq Tushi. Aktorët punonin për rolet me një përkushtim të paparë, punonin me dashuri që të dlinin sa më mirë. Po , punonin kështu, sepse më në fund dhe ne tani kishim teatrin tonë profesionist, kishim piktorin tonë, rrobaqepësin, marangozin! Këtej e tutje nuk do të bezdisnim nënat, motrat, të afërmit tanë që t’iu merrnim fustanet, perdet, qilimat, tryezat e orenditë e tjera për të mobiluar shfaqjet ashtu sic kishim vepruar më përpara. Mbas një pune me të vërtetë për t’u admiruar, më në fund erdhi dhe ajo mbremja e 22 qershorit, kur atje në kinema “Morava”, me emocion prisnim se si do të reagonin spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën plot e për plot, prisnim që të hapej sipari dhe të fillonte shfaqja jonë!” Dhe sot e kësaj dite mund të thuhet se ajo shfaqe ishte vertët nje realizim profesionistësh”. Përfundoi rrëfimin aktori i madh Koço Qendro