Gjovalin Progni: Ndue Nika i Salcës së Mërturit. Burri që sfidoi regjimin e Hoxhës!

34
Sigal

Telegraf.al / Ishte qershori i vitit 1983, kur Ramiz Alia, i sapozgjedhur në funksionin e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë (duke zëvëndësuar në atë post Haxhi Lleshin), bëri një tur vizitash në disa nga rrethet Veri-Lindore të Shqipërisë, si Mat, Bulqizë, Peshkopi, Kukës, Has dhe Tropojë.

Një ndër tó ishte edhe vizita në krahinën e Nikaj-Mërturit, Tropojë.

Nikaj-Mërturi, duke gjykuar edhe nga kushtet gjeografike, klimaterike, sipërfaqen e vogël të tokës së bukës etj, e vuajti më shumë se kushdo tjetër kolektivizimin e tokës bujqësore në 1967-tën, tufëzimin e bagëtive të imëta dhe kufizimin e numrit të gjedhëve në 1976-tën, dhe në fund, heqjen e derrit, si një ekonomi ndihmëse mjaft e domosdoshme për çdo familje të kësaj zone.

Pra, pas këtyre “reformave të suksesshme” të regjimit të kohës, varfëria kishte arritur kulmin.

Njerëzia kishte ndyshuar deri në shpërfytyrim.

Mbijetesa ishte bërë shumë e vështirë.

E megjithë këto, propaganda komuniste i thurte lavde arritjeve të saj.

Në kulmin e kësaj gjëndjeje katastrofike, Ramiz Alia, ndërmerr këtë vizitë, pikërisht në Nikaj-Mërtur.

Një interesim i jashtëzakonshëm i strukturave të sigurimit të shtetit, të partisë , gjithë parisë së rrethit dhe asaj vendore, për mbarëvajtjen e takimit.

U pezullua çdo gjë në zonë për të pritur udhëheqësin.

Ishin caktuar edhe folësit të cilët duhet të ngrenin sa më lart dhe t’i thurnin lavde vijës së partisë dhe arritjeve të saj në çdo fushë, pavarësisht se mjerimi kishte kaplue kudo e çdo gjë.

Gjithçka po shkonte “për bukuri”, kur nga mesi i turmës ngrihet në këmbë, një burrë i hijshëm me një shtat mesatar, disi i shkuar në moshë, me kapuç të bardhë në krye dhe me shallin rreth tij, i veshur mirë, siç i ka hije një malsori të Shqipnis së Epërme.

Ky ishte, Ndue Nik Progni i Salcës, burrë fisnik e bujar, trim e i paepun i Nikaj-Mërturit.

Dhe Ndou, siç ishte, në këmbë, menjëherë, kërkon fjalën:

“Me leje, me leje, shoku President, jam Ndue Nika, nga Salca, kam edhe unë dy fjalë me i thanë”.

Shtangën të gjithë.

Ndërhyn paria e vendit dhe punonjësit e sigurimit dhe tentuan ta ulin në vend, por Ndou nuk u ndal, ishte i vendosur ta thoshte fjalën e tij, pavarsisht se çfarë mund t’i ndodhte, për të cilat ishte i vetëdijshëm.

Mori fjalën,dhe pasi foli për të  “mirat e partisë”…..ai tha:

“Por, një fjalë të ligë due me e thanë”.

Menjëherë është tentuar t’i merret mikrofoni, por se ka lëshuar nga dora, duke thënë:

“Më ka dhanë leje i madhi”.. dhe me ndërhyrjen direkte të Ramiz Alisë u lejua të vazhdonte fjalën.

“Shoku President, Partia ka thanë fol çka të kesh dhe hiqe ndryshkun”.

Dhe Ndou vazhdoi:

Shoku President!

“Kemi një terren malor, shumë të vështirë, siç po e sheh edhe vet, kalojmë një dimër të vështirë me bore, që zgjat deri në 6 muaj.

Kemi edhe një kojshi të vështirë te dera e shpis, dhe pavarësisht që partia ka armatim të bollshëm, kemi pushkën, topin,

mitrolozin, na duhet të jemi të fortë e me mujt me përdor kët armatim, se me na pa kojshia të dobët e të strukun, na merr turr ma kollaj.

Para do kohësh, kemi pas mbajt nga një dérr për shpi, e rritshim me çka mundeshim dhe kur hyshim në dimën e thershim.

Ka do kohë si na i kanë hjek edhe kta dérra, na ka gjetë dam i madh.

Due me ta kërkue një nder, mbasi e patëm fat e na erdhe në shpi.

Na e leni ka një kámë dérri për shpi ose dy shpi nji dérr.

Do jetë ndihmë e madhe për ne”.

Në këtë moment, ndërhyn Ramiz Alia, disi i habitur për guximin e Ndout, duke i thënë:

“Ndue, me ta lejuar ty një dérr, na duhet me i lënë edhe Dragobis një bagëti”.

E merr fjalën prap, Ndue Nika: “Edhe atyne t’u lejohet”.

Dhe një gja due me thanë, vazhdon Ndou: “Thuejni ktij kojshis, serbit të zi, të rrin urtë e mos t’na i prekun vllaznit tanë në Kosovë.

Pasha bukën, të tanë gati jemi me dekë, n’koftë nevoja”.

Malsorët filluen ka flasin me njani-tjetrin.

“Si ka mundsi që mujti me ja thanë kto fjalë, sy ndër sy, i lumtë”?!

Ju afruen operativi dhe sigurimsat.

Me ndërhyrjen e Ramiz Alisë, nuk u lejuan ta prekin as të merret kush me të, në atë moment.

Fjala e Ndue Nikës, Mërturit, trimëria e tij për t’i hequr ndryshkun fjalës së lirë dhe për t’ja thënë në sy të vërtetën e madhe, njeriut të dytë më të fuqishëm të regjimit, bëri bujë të madhe kudo.

Thuhet se nga kjo fjalë dhe kërkeses se Ndue Nikës e mori zanafillën, krijimi i tufëzave të asaj kohe.

Disa ditë pas këtij takimi, në Salcë, në vendlindjen e tij, Ndoun e ndalojnë në mes të rrugës dy punonjës të sigurimit të shtetit, (e kishin ndjek çdo ditë) e futin në një zdrukthtari, aty afër, dhe fillojnë t’i bëjnë presion duke e terrorizuar dhe duke e pyetur:

“Pse e more fjalën”?

“Kush është pas teje”?

“Do të përgjigjesh, një për një”

“Do të dënohesh për agjitacion e propagandë kundër regjimit”.

Por burrit trim i Salcës, ju a kthen, sy për sy:

“Bani çfarë të doni, mos ju qofsha falë”.

Burrat si Ndue Nika ishin të rradhë.

Ata do mbeten në memorien tonë si guximtarë të pashoq, që i duhen shoqërisë tonë në çdo kohë.

Nikaj-Mërturi krenohet me tá.

Lavdi dhe nderim përjetë emrit tënd, Ndue Nik Progni i Salcës.