Zjarrfikësi, bashkëpunëtor i grupit të trafikut të drogës, Gjermani-Zvicër

252
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një zjarrfikës i Tiranës është vënë në pranga nga policia, pasi akuzohet se është përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së drogës që vepronte në Gjermani dhe në Zvicër. Jeta e dyfishtë e Ndriçim Harkës, që në Tiranë ishte një punonjës i thjeshtë i zjarrfikësve, ndërsa në Gjermani dhe Zvicër drejtonte një grup të shpërndarjes së drogës, u zbulua pas mbërritjes së letërporosive nga jashtë. Sipas të dhënave të prokurorëve të huaj, grupi që drejtohej nga Harka, përbëhej nga 5 shqiptarë që punonin në Gjermani dhe Zvicër dhe dy të tjerë që vepronin në Tiranë. Hetimet nisën pas arrestimit të një shpërndarësi të thjeshtë, që pasi u kap me drogë u la i lirë dhe u mbajt në përgjim. Komunikimet telefonike zbardhën veprimtarinë e grupit dhe 5 shqiptarët që punonin në Gjermani, janë pas hekurave. Me mbërritjen e provave në Tiranë, u vu në pranga edhe zjarrfikësi i Tiranës, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, Edmond Merja. Nga kompanitë telefonike u kërkua identifikimi i dy numrave telefonikë të cilët më pas, rezultuan se njëri i përkiste Ndriçim Harka, e tjetri Edmond Merja, kunati i tij. Më pas, është kërkuar verifikimi i numrave në sistemin elektronik të policisë së shtetit. Ka rezultuar se Harka kur ka aplikuar për kartë identiteti ka dhënë numrin që ishte në përgjim dhe ishte identifikuar nga autoritetet zvicerane. Karta e identitetit i është dhënë më 25 shkurt 2021. Ndriçim Riza Harka, është personi i etiketuar prej hetimeve të kryera nga autoritetet zvicerane si “Gimi” ose “Qimi”, dhe është përgjegjës për organizimin e shpërndarjes të lëndës narkotike, të llojit kokainë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera për në Zvicër”, thuhet në dokumentin e urdhërndalimit.