Kryeministri Rama gjen formulën për të shëruar administratën, mbledh 50 të mirët

547
Administrata është “fronti” i parë nga ku kryeministri i vendit do të nisë luftën pa kompromis me grabitqarët dhe do bëëj partneritet me punonjësit e aftë
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar punonjësve të administratës që të dërgojnë në mënyrë konfidenciale raporte për punën e tyre dhe institucionit ku ata punojnë. Kryeministri thotë se kjo do të shërbejë për të përmirësuar administratën në 4 vitet e ardhshme, për të cilën Rama tha se është prioritet strategjik i qeverisë. Synimi i këtyre “raporteve” do të jetë goditja e elementëve parazitarë nëpër institucione. Ai tha se duhet të mbyllen hendeqet midis drejtuesve politikë dhe punonjësve civilë të administratës. Deklaratat e Ramës u bënë gjatë një takimi në Kryeministri me 50 punonjës të dalë nga konkursi i Departamentit të Administratës Publike. “Që nga ministritë dhe pastaj tek agjencitë e tjera, jeta ndahet në dy pjesë, jeta e një grupi të vogël drejtues, ministrit, kabinetit, sekretarit të përgjithshëm dhe jeta rutinë e gjithë pjesës tjetër të administratës dhe nuk di fare çfarë ndodh në të përditshmen dhe kur ka momente krizash, atëherë merr një urdhër nga lart. Na duhet të kuptojmë si duhet ta ndryshojmë këtë marrëdhënie dhe çfarë duhet të bëjë një drejtues politik për ta ndryshuar këtë marrëdhënie se ne në nivelin politik jemi mësuar t’i biem shkurt që fajin e ka gjithë administrata. Në administratë ka shumë njerëz të vlefshëm, të cilët kanë kapacitetin për të bërë shumë më tepër se ç’bëjnë tani. Në këtë proces që kemi nisur dhe që do të jetë prioritar në 4 vitet e ardhshme, ne duhet të ndërtojmë paralelisht rrugën e spastrimeve nga parazitarë, një partneritet me pjesën e shëndetshme. Për këtë jemi këtu sot për të dhënë një ndihmë të vlefshme duke na dhënë 50 këndvështrime siç e shikon secili këtë problematikë”, u shpreh Rama. Sipas kryeministrit statistikat tregojnë që deformimet nuk janë të atilla që mund të mendohet se kanë deformuar sipas tij shtyllën kurrizore të administratës që po ndërtohet. “Edhe pse është një proces ku influenca e partive ka qenë goxha e reduktuar. Mjafton të shikohet jo në numër, por në influencë gjithë lista e pranimeve nepotike për të kuptuar se influenca nuk ka munguar. Nga ana tjetër nuk mund të mendojmë se do të kishim një proces 100% prefekt. Ajo që është me rëndësi është të kuptojmë se si shërbimi civil mund të jetë më efektiv sepse besoj pavarësisht cilësive individuale për të kontribuar në një masë të caktuar, masa e kontribuar nuk është ajo që do të ishte e dëshirueshme. Secili nga ju duhet të bëjë një vlerësim konfidencial të marrëdhënies së punës”, shtoi Rama. Rama theksoi më tej se ka një hendek midis nivelit politik dhe administratës duke filluar që nga ministritë dhe agjencitë. “Niveli politik nuk ka një bilanc pozitiv në aspektin e përcjelljes së vizionit tek administrata, në aspektin e përcjelljes së qëllimeve dhe në fund fare të motivimit që përtej rutinës, në funksion të qëllimeve që duhet të arrijë skuadra. Ajo që ne duam është të kemi prej jush një bazë prej të cilës të ndërtojmë një pyetësor për ta dëgjuar në mënyrë konfidenciale të gjithë administratën dhe për të kuptuar çfarë duhet korrigjuar. Nuk ka asnjë shans që këto raporte të bëhen publike apo të përdoren kundër jush. Me të marrë këto raporte, ne do t’i analizojmë dhe pastaj do të ndërtojmë një formula mbi bazë të të dhënave mesatarisht të përbashkëta dhe do t’ia japim për plotësisht të gjithë shërbimit publik për të kuptuar shqetësimet që ngrini ju”, tha Rama.
Rama: Ja 10 operacionet e 100 ditëve të para të punës së qeverisë së re
Kryeministri Rama publikoi ditën e djeshme 10 operacionet për 100 ditët e para të qeverisjes së mandatit të ri. Në krye të kësaj liste është pastrimi i administratës dhe nisja e llogaridhënies. Më pas rifillojnë edhe një herë aksionet e bëra në 2013, ai për energjinë elektrike, ujin e pijshëm, pastrimin e territorit. Po kështu premtohet edhe nisja e luftës kundër informalitetit. 

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit
2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektorateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku
3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare
4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor
5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore
6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë
7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cenon sigurinë e konsumatorit
8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë
9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku
10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri

Përmbledhja e raportit
“Drejtësia dhe pronat” vijon të mbajë edhe në këtë post frekuencën më të lartë të shqetësimeve. Me drejtësinë shihet e lidhur fort zgjidhja e problemit të pronave, por që sipas komentuesve nuk do të marrë kurrë zgjidhje nëse sistemi i drejtësisë, nuk i nënshtrohen vettingut. Drejtësia aktuale denoncohet si penguese për ekonominë; për vendime të padrejta mbi biznesin e sipërmarrjen vendase, si edhe frenuese e investitorëve të huaj. Sa i përket shëndetësisë, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës spitalore është një kërkesë po aq e shpeshtë sa edhe nevoja për shërbime me cilësi dhe ‘njerzillëk’ nga mjekët e spitaleve shtetërore. Ofrimi me korrektesë i shërbimit mjekësor në zonat rurale, rekrutimi i mjekëve të rinj atje dhe kontrolli i cilësisë së barnave, gjejnë jo pak vend në kërkesat e komentuesve. Punësimi dhe vendet e reja të punës vijojnë të theksohen si prioritete madhore dhe ka një thirrje të shpeshtë për kontroll të zbatimit të kodit të punës nga bizneset private, veçanërisht ato fasone, lidhur me kushtet e punës, pagën minimale, siguracionet. Komentuesit e shohin të lidhur ngushtë zhvillimin rural dhe bujqësor me përmirësimin e infrastrukturës rurale, mbështetjen për fermerët, subvencionet dhe krijimit e lehtësirave për tregtimin e prodhimeve vendase. Lufta ndaj informalitetit dhe rritja e investimeve të huaja vlerësohen masivisht si dy komponentë kyç për fuqizimin e ekonomisë. Nuk mungojnë edhe këtu kërkesat për rritjen e pagave, pensioneve, rritjen e përkrahjes ekonomike për shtresat në nevojë dhe krijimi i lehtësirave fiskale, ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë dhe karburanteve, etj. Infrastruktura konsiderohet nga komentuesit si faktori i suksesit ose dështimit të sektorit të turizmit në vend. Ruajtja e hapësirës publike në bregdet nga ndërtimet pa leje dhe pastrimi i territorit, vijnë si një apel për moscenim të parajsës natyrore në vijën tonë bregdetare.
Sigal