Rishfaqet ‘Farma Net’ me tenderat e gjarprit, dyshime për procedura të paracaktuara

206

Kompania e Topçiut pritet të marrë 30 mln lekë pa garë

Sigal

Autoritetet shëndetësore kanë shpallur së fundmi një tender për blerje ilaçi kundër helmimit nga gjarpri, i cili duket se është i paracaktuar të fitohet nga kompania “Farma Net Albania”. Në procedurë janë vendosur në dispozicion 30 milionë lekë të vjetra për të blerë medikamentin “Viper Venom” me flakonë 5 mililitra, për një periudhë 12-mujore. Ky lloj medikamenti nuk është në qarkullim të lirë në tregun shqiptar dhe ai mund të përdoret vetëm nëpërmjet një autorizimi të veçantë, të lëshuar nga Ministri i Shëndetësisë. Ilaçi “Viper Venom” në flakonë 5 mililitra prodhohet në Serbi dhe kompania “Farma Net Albania” është distributor i autorizuar për shpërndarjen në Shqipëri të tij, nëpërmjet një autorizimi të posaçëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, megjithëse procedura tenderuese emërtohet “e hapur”, në fakt ajo duket e paracaktuar që në nisje. Pasi, përveç kompanisë “Farma Net Albania” të Sokol Topçiut, asnjë tjetër nuk ka autorizim për përfshirjen në tregun shqiptar të atij medikamenti me atë ambalazhim specifik. Tenderat për ilaçin kundër helmit të gjarprit kanë qenë edhe më herët pjesë e dyshimeve mediatike për fitues të paracaktuar. Këto dyshime duket se kanë pasur bazë reale. “Syri TV” hulumtoi mbi disa tendera të mëparshëm, në të cilët autoritetet shëndetësore kanë blerë medikamentin “Viper Venom” në flakonë 5 mililitra. Në të gjithë rastet, rezultoi se fitues ishte “Farma Net Albania”, si e vetmja që kishte autorizim ekskluziv për përfshirjen e ilaçit në tregun shqiptar. Në qershor të vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë shpalli kompaninë e Topçiut fituese të një tenderi për blerje medikamentesh për qendrat shëndetësore në zonat turistike, me fond rreth 250 milionë lekë të vjetra. Një prej kompanive rivale u skualifikua, për shkak se nuk kishte arritur të siguronte medikamentin “Viper Venom” në flakon 5 mililitra. Sipas dokumenteve të atij tenderi, kompania tjetër kishte arritur të siguronte të njëjtin ilaç, por në ambalazh 1 mililitër dhe 10 mililitra. Ministria e Shëndetësisë nuk e pranoi, pasi e kishte kërkuar në format 5 mililitra, siç e kishte në dispozicion “Farma Net Albania”. Në maj 2019, “Farma Net Albania” shpallet sërish fituese me “ilaçin magjik”, Viper Venom në flakon 5 mililitra, në një tender të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë 30 milionë lekë të vjetra. Historia e suksesit të Sokol Topçiut me medikamentin kundër helmit nga gjarpri përsëritet sërish në korrik 2019, ku fiton sërish një tender tjetër me vlerë mbi 70 milionë lekë të vjetra. Në prill 2020, Operatori Qendror Shëndetësor shpalli një tjetër tender për blerje medikamentesh për qendrat shëndetësore turistike, me vlerë mbi 1.4 milionë euro. Tenderi synonte blerjen e një numri të madh medikamentesh, përfshirë edhe ‘Viper Venom’ në flakonë 5 mililitra. Autoriteti kontraktor kishte parashikuar procedurën e Marrëveshjes Kuadër, në të cilën operatori i suksesshëm do të shpallej ai që siguronte të gjithë medikamentet e kërkuara. Sipas këtij kriteri, “Farma Net Albania” pritej të ishte fituese, si e vetmja që ka autorizimin për ilaçin “Viper Venom” në flakonë 5 mililitra. Ai tender u anulua për shkak se në media u zbulua ai që mund të konsiderohej si plan për të dorëzuar tenderin tek “Farma Net Albania”. Tashmë është sërish radha e QSUT-së të shpallë tenderin, në të cilën, nëpërmjet asaj që thuhet se është procedurë e hapur, kërkohet të blihet malli që e ka vetëm kompania e Sokol Topçiut.